E marte, 23.04.2024, 08:34 AM (GMT+1)

Mendime

Albert Zholi: Rruga e halleve tona të përditshme

E diele, 28.12.2008, 08:04 PM


Rruga e halleve tona të përditshme
 
Një analizë në vend të një urimi

Nga Albert Zholi
 
Sa halle kanë shiptarët ? Ose më mirë, sa kilometra vargon shumatorja e halleve tona? Për më pak, cilat janë hallet tona të përditshme?Nuk ka ndonjë filozofi të veçantë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Një vëzhgues empirik i evidenton shpejt dertet e shqiptarëve me një të parë në rrugë. Ato më së paku e kanë emrin, politikë e egër dhe gënjeshtare, ekonomi shtëpiake me xhepa të grisur, ecje pa drejtim, mungesë drite, uji, banese, shëndetsi dhe arsim, fëmijë semaforesh, pleq duke shitur banane. Pse çalojmë ne të vjetrit e Evropës (këtë e themi me krenari, për të tjerat padashur ulim kokën), kaq shumë në kondicionet minimale të jetesës, kur çdo ditë e më shumë flasim për standarte europiane. Ja disa nga pikëhallet tona:
 
Uria e huaj e televizioneve

Vitet e fundit, televizionet e shumta shqiptare po ofrojnë për teleshikuesit, filma, emisione, këngë, dokumentarë të prodhimeve dhe programeve të huaja të përkthyera në shqip. Mund të themi se 70 % e programeve televizive përbëhet nga prodhimet e huaja. Kuptohet që uria e teleshikuesit shqiptar, ka nevojat e veta për t’u ushqyer me marka jokombëtare, por vendi ynë ka shumë këngëtarë cilësor, drama, filma, koncerte, spektakle..Bile që na merr malli ti shohim. Pse nuk po i gjejmë, apo i kemi më larg se prodhimet e huaja ?!!! Së afërmi në Shqipëri do flitet çdo gjuhë, por...do të harrohet shqipja (përderisa dhe Kryeministri Berisha flet italisht në zyrën e tij me kryeministrin Berluskoni përpara kamerave). Do na duhen përkthyes në atdheun tonë.

Nga e huaja tek “malli” i vendit...politika

Ajo që spikat në emisionet që flasin për ne banorët e këtij vendi është ngritja në piedestal e liderëve të partive, sherret për karriget në pushtet, për postet e ministrive dhe gjithçka që ka të bëjë me politikën. Pa dyshim që kjo ka aspektin pozitiv sepse sjell në kohë reale atë çka prodhojnë kryesuesit e vendit tonë. Por, po televizioni çfarë raportesh ka me produktin që shet???! Shërbimi mediatik është një mjet për të transmetuar jetën e secilit, bashkësisë dhe një globi të tërë me ngjarjet më pikante, ndaj dhe rëndësia e tij është më shumë se forca e perëndisë. Po çfarë prodhimi mediatik i dhurohet sot admiruesit të ekranit shqiptar? Allishverishe të mëdha, dredhi alarmante, televizione biznesi që e dredhin politikën e lajmit nga fryn era e fitores… Televizionet sot i përcjellin teleshikuesve vetëm ndjenjën e korrupsionit, luftës së ashpër për pushtet dhe makinacioneve që nuk
kanë të bëjnë hiç me moralin dhe qëllimin e ngritjes së partive dhe televizioneve, që t’i shërbejnë popullit. Pa diskutim që politika është pjesë e lajmit mediatik dhe si e tillë do të përbëjë lajmin e ditës. Por nëse bëjmë një bilanc të lajmeve që dëgjojmë në edicionet kryesore të vjen keq që jeton në një vend të qytetëruar. A ka më njerëz të mirë në këtë Shqipëri të mbytur me halle dhe probleme, me kriza dhe post kriza, me internerare luksi kryeministrash apo deputetësh nëpër botë dhe (si kontrast), njerëzish që dalin para super fuoristradave me dorën e shtrirë para “Më fal një grosh zotni”!
Shkurt...Politika e shet popullin si mall, nëse ai hesht në kohën kur duhet të flasë

Qendra e Tiranës

Duke lëvizur në qendër të Tiranës ende (dhe pse po punohet në periferi) është e pamundur t’i shpëtosh gremisjes. Bulevardi është kthyer në një kalaqafje plasaritjesh, gropash, galope hapash, fuoristradat grahin në zigzaket e qendrës si në shkretëtirë. Punimet kanë ngrirë për t’i lënë kohë apo vend punimeve të tjera. Por qendra mbetet qendër. Aty nis drejtimi i përditshëm jetësor për kryeqytetasit, por edhe për gjithë shqiptarët. Është qendra e kryeqytetit të Shqipërisë. .. Këtu nuk bëhet fjalë për luks, apo për përzgjedhje ngjyrash të pllakave apo cilësisë së asfaltit, por për sheshim.

KESH

Na ishte premtuar nga qeveria e re që nuk do kishte më afrofe. Jo vetëm që këto të fundit nuk janë hequr, por janë shtuar akoma më shumë duke u sjellë si premtim edhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike që do të thotë shkatërrim i ekonomisë së shqiptarëve të varfër. Dhe sikur kjo gjë të mos mjaftonte KESH-i na jep dhe dënime kolektive. Ky institucion po nxjerr në pah dhe njëherë që është një institucion shtetëror që nuk mund ta përballojë furnizimin me energji të shqiptarëve. Në kohërat kur pagesat janë individuale kurrsesi shqiptarët nuk mund të vuajnë me tufën sepse ai që erdhi dje në Tiranë nuk do të paguajë energji ndoshta dhe pse nuk ka sahat (bashkë me të u pritet drita dhe komshijëve). Dhe kjo gjë është normale. Jetojmë në një kohë kur duke mos e dënuar individin ky i fundit përfiton. Pa dyshim që kjo është një shtysë për abandonim të ligjit nga qytetarët e ndershëm. A e dëshiron konsumatori afrofenë kur paguan dhe mbi të gjitha dënimin se fqinji nuk paguan???!!!
 
Reforma komuniste

Ne shqiptarët jemi njësuar me reforma komuniste. Një gjë të tillë po jetojmë dhe me urbanizimin e banesave të paligjshme. Ekziston një ligj. Kur njeriu e shkel ligjin duhet të vuajë dhe pasojat, përndryshe bëhet një qytetar i pandreqshëm. Duke marrë mbi krahë pasojat dhe vështirësitë e së ardhmes një pjesë e madhe e të ardhurve ndërtuan shtëpinë në tokën e tjetërkujt duke u bërë pronarë me thirrjen e peshkut. Tashmë këta pronarë të rinj thërrasin me zë të lartë se nuk mund të paguajnë një tarifë të lartë për tokën që kanë zaptuar. Kompromisi qeveritar i heshtur, por ekzistues kërkon të favorizojë këta njerëz thjesht për përzgjedhje elektorati. Ligji është individual. Çdokush paguan atë që dëmton. Pra pasojën e veprimit të vet. A duan autoktonët të paguajnë taksë për jabanxhinjtë???!!!

Shëndetësia

Një nga krimet më të rënda që po bëhen ndaj popullit shqiptar është ngritja e shëndetësisë mbi tempullin e interesit të paskrupullt. Klientelizmi ka nisur të ketë rrënjë të thella në këtë profesion që në vend të jetë humanitar është kthyer në një biznes të llahtarshëm ku vilet gjaku i popullit. Adresimi i pacientëve në rrjetin mafioz të mjekëve është kthyer në një praktikë të përditshme në rrjetin spitalor në të gjithë Shqipërinë. Faturën e paguan populli, që po e rrjepin të gjallë.
A dëshirojnë pacientët të paguajnë për një shërbim apo e kërkojnë vetë mjekët???!!!
 
Arsimi

Një nga problematikat e tjera të mëdha është dhe arsimi. Çdo ditë e më shumë studentët po ankohen për mësuesit e tyre që i kërkojnë shuma të mëdha për të kapërcyer provimet. Thuhet (dhëntë zoti gaboj!)nën zë që tarifat janë shumë të mëdha dhe prindërit e studentëve po e vuajnë këtë problem të përditshëm në kurrizin e tyre. Dhe problematika nuk është kaq e cekët. Sepse studentët do paguajnë, por problemi është se po edukohet një brez me lugën në brez. Ky brez në çdo front pune (sofër) ku do emërohet do nisë të nxjerrë lugën dhe do hajë ç’të gjejë përpara, sepse kështu është edukuar që në rini të tij. Pra po krijojmë një brez të edukuar me korrupsion…
 
Virtytet njerëzore

Virtytet njerëzore, sot, duket se i ka zbehur shkëlqimi i krimit, i parasë dhe superluksit mafioz. Sot rrëpira e mirëqenies ka krijuar një thepisje qytetare që po rrëzon dhe rregullat më të larta të moralit. Nuk është krim (nuk dua ta përgjithësoj, aspak, dua të jem i sinqertë me lexuesin), të vjedhësh, të prostituosh, mjafton që të kesh një “benz pesëmijësh”, të kesh “Rolleks” dhe kartë krediti. Kjo paradë e shtirë ku nuk vërehet njeriu normal do të ketë pasojat e saj tek brezi që po rritet. Ai po shkollohet me dëshirën për të pasur një diplomë në xhep dhe pse e di fare mirë që nga përvoja e prindërve, fqinjëve, kushërinjve më mirë jeton ai që është marrë me prapësira, që dikur ka qenë skafist apo ka shpërndarë kaushat e drogës nëpër udhët e Berlinit, doganier, tutor…Njeriu pozitiv po hallakatet mes idealeve të tij. Pavarësisht se qëndrimi i tij modest, i heshtur, i nënshtruar, pa fjalë të mëdha duket se nuk ka vend në maratonën e sotme qytetare të majmunërisë dhe egoizmit prepotent.
 
Njeriu pozitiv

Por ai është mes nesh por nuk duket, Ai di të punojë, të shkruajë, të analizojë, të ndërtojë, të ideojë.... Çdo ditë njëri prej tyre mund të hap një bibliotekë, shkruan historinë e një njeriu, përgatit futbollistët e ardhshëm, shpëton të rinjtë nga droga, bën një poezi të mrekullueshme, frymëzuese, ndihmon një të vobektë, fal diçka nga puna e tij me zemërgjerësi, fal dhunën apo fyerjen, poshtërimin e politikës…Ka plot njerëz të tillë me zemër të madhe në këtë Shqipërinë tonë. Ka njerëz që pasionet i kanë të shenjta dhe përpiqen çdo ditë që të vënë një tullë në madhështinë e veprës së tyre për të tjerët. Ata njerëz që me gjithë vështirësitë e jetës, ia dalin të sakrifikojë veten e dhe të bëjë diçka dhe për të tjerët. Por ata nuk duken dhe si duket nuk i duan fare sot. Ata i mënjanojnë, u rrëmbejnë frytete e punës, u bëjnë presion, i lënë në hije, su japin atë që u takon, i shtyjnë mes turmës, ua heqin të drejtën e evidentimit. 
 
Përse kemi nevojë

Nëse nga kanalet e huaja dixhitale kamerat fiksohen me dhjetëra ditë për të parë se si kafshët flenë gjumë dhe pozicionohen ekologjikisht me ambjentin, ne shqiptarët kemi nevojë të shohim njëri tjetrin, të dëgjojmë këngët tona, traditat, të kaluarën, të ardhmen, shkencën, të rigjejmë me kamerat, me diktofonët, penën tonë, vëllezërit tanë në emigracion, të dimë se ç’halle kanë dhe si jetojnë. Të pasqyrojmë realisht ku jemi dhe ku vemi...Dhe nëse me patericat tona po i afrohemi Evropës me hapin e breshkës, vetëm duke bërë këtë punë mund të kemi dhe ne krenarinë, apo ndërgjegjen e pastër që të mund ti shfajësojmë mëkatet tona, por jo për ti larë përjetësisht.
 
box
S’është e lehtë, por është e dhimbshme

Nuk është aspak e vështirë të evidentosh hallet e shqiptarëve. I sheh çdo ditë me sy, i ndjen çdo ditë. Para disa vitesh një film i Beninjit mbi Holokaustin tronditi gjithë botën e kinemasë duke e nderuar këtë regjizor të madh Italian me çmimin Oskar. Të gjithë e kujtojnë që thelbi i këtij filmi ishte shpjegimi foshnjor që i ati i jepte të birit për torturat dhe tmerrin e nazizmit duke ia shpjeguar si një lojë. Sigurisht që duke hyrë në llogjikën e atyre që përmendëm më sipër nuk besoj se mund të shpjegojmë këtë holokaust gjigand që politika shqiptare këto 18 vjet është duke i sajuar qytetarit të ngratë për ta përcjellë (problemet e mësipërme), si ushqim shpirtëror (më të mirë) tek ndonjë fëmijë shqiptar. Nevojat dhe mungesat tek fëmijët shqiptar janë aq të mëdha dhe kanë përmasa aq gjigande dhe mjerane sa besoj se aktualisht nuk ka fëmijë ( të rritur para kohe nga hallet), që të mos e kuptojë gënjeshtërn apo të vërtetën dhe ta marrë atë në kuptimin e dyanshëm si një përallë. O zot, që të mos na mishërosh, na e ndriço gjithmonë rrugën e së vërtetës. E vërteta është e hidhur, por hallet na kanë bërë aq të pa ndjeshëm ndaj helmit saqë edhe këtë të vëttetë të hidhur do ta kapërdijmë, por e dimë që do të na bëjë mirë në të ardhmen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora