E shtune, 04.02.2023, 04:24 PM (GMT)

Mendime

Kimete Berisha: Sa shumë u deshëm - e askush s'e diti!

E diele, 27.11.2022, 07:50 PM


Sa shumë u deshëm - e askush s'e diti!

Nga Kimete Berisha

Në Kuvendin e Shqipërisë, u dha shfaqja 'Utopia e shqiponjave', që flet për një dashuri ideale mes shqiptarëve,

e cila kurrë nuk funksion, sepse njeriu është mëkatar dhe mëkatari s'mund ta ketë dashurinë ideale.

Por, kjo dashuri i mbijetoi shekullit, sepse askush (veç ndonjë pasaniku që ka dashuri të tepërt të derdh kot), nuk e ndjen këtë dashuri,

përveç në festa, e kemi dashuri për rojë (jo për bajë), e nxjerrim nga vitrina për t'i shërbyer mysafirët me këtë dashuri, vetëm solemnisht,

si gotat e kristalit që i ruajmë në raftin e fundit të vitrinës, që më përpara thyhen sesa përdoren....!

Deputetët me kravata të kuqe (të gjithë të pasur), e përdorin gjakun e shqiptarëve për t'u dukur të zjarrtë, se kur flet për gjak të skuqen faqet.

Kryeministri i Kosovës e hoqi kravatën e kuqe me të cilën hyri në Kuvend, por e vuri të kaftë kur foli për kombin dhe flamurin.

Dashuria e tij për kombin, është ngjyrë kafe, si toka, si dhéu...me disa pika ngjyrë dukati që dukeshin si kallinj gruri të mbjellur në kravatën e tij.

Ngjyra e tokës e shpreh ndjenjen e mërzisë, izolimit dhe vetmisë pambarim, shkaku i ndarjes së shqiptarëve.

Por e mira e mirës është se Toka e qet fshehtësinë....që dikush e ka fshehur në të.

Shqiptarët janë të ndarë - sepse s'duan të bashkohen.

Nëse bashkohen, duhet të fshihen dhe shlyhen nga librat të gjitha vjershat që na ndajnë.

Kultura jonë është ndarja.

Nëse bashkohemi - fshihet e kaluara, mbesim pa histori.

Kryeministri i Kosovës ishte shumë i koncentruar që të mos duket patriot:

- Se Kosova e ka adet

Nga një luftë e bën për vjet.

Kryeministri Edi Rama e ka zanat: nuk i kombinon fjalët me ngjyrat e teshave....prandaj për të folur për gjak, ka vë kravatë pembe, që më bëri nostalgiike për një fustan të fëmijërisë...dhe kukullën historike që e pata harruar gjithë natën në legen me ujë...

Edi Rama tha se ne jemi të ndarë, por me zemër të bashkuar.

-,Zemra vdes, kështu që bashkimi ynë nuk është si shpirti i pavdekshëm, por është si zemra që plas nga mërzia.

Dje pasdite e kam zbuluar shkaktarin e ndarjes:

- janë shpikur miliona arsye psikologjike dhe letrare pse ndahen njerëzit, por gjithmonë, ama gjithmonë ekziston vetëm dhe ekskluzivisht një arsye:

- Arsya e vetme pse ndahen njerëzit është se nuk duhen.

Kurrë nuk ka pasur arsye tjera. Kurrë s'do të ketë.

- Neve na lidh mes vete dashuria kombëtare - por na ndan rampa e Kastratit;

- Neve na lidh flamuri kuq e zi -

por na ndajnë ushqimet serbe;

- Kosova e ka nanë Shqipërinë - ama miliardat ia jep Serbisë;

...abetaren e përbashkët po (për nevoja shpirtërore) - ama Kosova e ushqen trupin (që të rrah zemra), me ushqim serb.

Dashuria e Edi Ramës është edhe më joserioze se e imja, sepse Edi Rama gjithkujt ia shpreh dashurinë - ia shpreh gjithkujt dashurinë dhe e shpreh lehtë, sepse nuk e ndjen.

Shfaqja ishte monotone, mizanskena primitive, deputetët dukeshin të ulur në prehër të njëri-tjetrit, në pritje - sikur u ka ikur aeroplani, bashkë me shqiponjat.

Dashuria kombëtare dukej e lodhur, e mërzitshme dhe pa ardhmëri.

Por më shumë dukej karikaturë.

Disa karikatura që s'kanë dashuri krye shpirti - prandaj edhe për së vdekuri i përdorin heronjtë e së kaluarën.

Asnjë patriot modern që të frymëzon.

Të gjithë po ikin nga kjo Dashuri.

- Pas shfaqjes deputetët shkuan për të hëngër mish.

P.S. Dje e kam blerë një mini-fund kuq e zi (4.13 centë), që do ta vesh nesër (më 28 nëntor), për t'u dukur patriote e rafinuar, pa qëllime territoriale - në kërkim të një Dashurie të Re.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora