Speciale
Jusuf Buxhovi: Kosova në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të vitit 1968 (1)
E diele, 27.11.2022, 08:39 PM
Kosova në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të vitit 1968 (1)
NË MBLEDHJEN E AKTIVIT
POLITIK TË GJAKOVËS DOLI KËRKESA PËR
REPUBLIKËN E KOSOVËS
Nga
Jusuf BUXHOVI
Plenumi
i Katër i Komitetit Qendror të LKJ-së i quajtur edhe Plenum i
Brioneve, i mbajtur më 1 korriku të vitit 1966, me rrëzimin e linjës
etatise të Rankoviqit, Titos ia krijoi mundësitë që kursin e vetëqeverisjes
socialiste ta vërë në binarët e një procesi me ndihmën forcimit të federatës
jugosllave jashtë mbikëqyrjes së Beogradit. Kjo hapte mundësitë për shqyrtimin
e avancimit të pozitës së Kosovës si
krahinë nga ajo në kuadër të Serbi në drejtim të federatës jugosllave. Në
mbledhjen e Komisionit të Komitetit Qendror të LKJ për marrëdhënie
ndërnacionale dhe ndërrepublikane, më 20 shkurt 1967, me rastin e shqyrtimit të
tezave “Karakteri dhe roli i Federatës në kushtet e sistemit të vetëqeverisjes
shoqërore dhe struktura e organeve të Federatës në lidhje me këtë rol”,
përfaqësuesi i Kosovës në këtë Komision, Asllan Fazlia, paraqiti mendimin:
“meqenëse të njëjtët faktorë që kanë sjellë krijimin e njësive federale – kanë
sjellë edhe krijimin e njësive autonome, atëherë edhe shkalla e të drejtave të
republikave dhe të krahinave autonome duhet të jetë e njëjtë, përkatësisht
duhet të bëhet një hap më tutje në krahasim me Kushtetutën e RSFJ të vitit 1963
dhe bartja e të drejtave dhe e detyrave të Federatës në republika duhet të
përcillet edhe me bartjen e të drejtave dhe të detyrave të republikës – në
krahinat autonome.”
Propozimi
i A. Fazlisë shkonte në disa drejtime: ose lidhje e drejtpërdrejtë e krahinave
autonome me Federatën, ose themelimi i Serbisë federative me disa republika
federale (autonome). Motoja e mendimit të tij ishte se “marrëdhëniet në
republikë nuk janë zgjidhur si duhet”.
Këtë
qëndrim e kishte pjesa më e madhe e klasës politike të Kosovës nga radhët e
Shqiptarëve dhe kjo kishte rëndësi, meqë mbi këtë do të ndërtohet e gjithë
strategjia e ngritjes së Kosovës në subjekt të federatës, me çka ajo mund të
nxirrej nga tutela e Serbisë.
Meqë
trysnia për ndryshime kushtetuese bëhej gjithnjë e më e madhe dhe ajo rëndom
vinte nga Kroacia dhe Kosova, ku e para kërkonte forcimin e rolit të
republikave në Federatë, ndërsa Kosova që të fitonte statusin e njësisë së
barabartë federative duke e zënë në gojë gjithnjë e më shpesh edhe kërkesën për
republikë, Komiteti Qendror i LKJ, në mbarim të vitit 1967 dhe në fillim të
vitit 1968, e përcaktoi platformën ideopolitike dhe drejtimet e ndryshimeve
kushtetuese mbi vlerësimin se meqë federalizmi është një proces dhe jo formulë,
ishte e natyrshme që, me transformimet në shoqëri – të transformohej edhe
Federata, madje në atë kuptim që në vend që të mbështetej në baza shtetërore,
të mbështetej gjithnjë e më tepër në baza vetëqeverisëse.
Në
përputhje me këtë platformë mund të pritej që udhëheqja politike e Kosovës, të
përcaktojë platformën e vet, e cila përpiqej të ruante ekuilibrat e brendshëm
politikë, por që për moto kishte të drejtën për vetëvendosje. Me këtë rast,
referencat shkonin te Bujani, por edhe te vendimet me të cilat ishte themeluar
Jugosllavia sipas parimit të vetëvendosjes që përfshinë edhe të drejtën e
shkëputjes. Kështu, në prill 1968, Fadil Hoxha, kryetar i atëhershëm, i
Kuvendit të Kosovës, duke folur për drejtimet e ndryshimeve kushtetuese, pos të
tjerash tha:
“Konsiderojmë
se disa gjëra na mungojnë. Ta marrim njërën nga tezat themelore – Jugosllavia
është bashkësi e kombeve dhe e kombësive të Jugosllavisë, sepse, në qoftë se
nuk është edhe bashkësi e kombësive të Jugosllavisë, atëherë kjo kombësi do të
ishte jashtë ose mysafire apo diçka tjetër. Meqenëse kjo është bashkësi e
kombeve dhe e kombësive, atëherë ky koncept duhet të shprehet në mënyrë konsekuente
në tezat e Kushtetutës, madje jo vetëm në një paragraf të hyrjes, por gjithkund
ku përmenden kombet dhe kombësitë e Jugosllavisë, kur është fjala se ato e
përbëjnë këtë bashkësi si të tillë.”
Sipas
Fadil Hoxhës, meqë statusi i krahinave autonome, si bashkësi më e gjerë
shoqërore-politike, të krijuar në bazë të vetëvendosjes së popujve të këtyre
krahinave në kuadrin e Federatës, është ndryshuar, atëherë ai duhet të kthehet
në gjendjen burimore prej nga kanë dalë ato, që do të thotë se Kosova duhet ta
fitonte të drejtën që të jetë pjesë e federalizmit, pavarësisht si do të
definohet, duke pasur parasysh faktin se njësitë autonome në Jugosllavinë e re
janë formuar në bazë të vendimeve të Seancës së Dytë e të Tretë të KAÇKJ, sipas
parimit të vetëvendosjes që përfshin edhe të drejtën e shkëputjes.
Atë
që Fadil Hoxha do ta prejudikojë në prill 1968 kur do të shtrojë çështjen e të
drejtës burimore të Kosovës për vetëvendosje, të cilën ai dhe bashkërendimtarët
e tij e kishin shprehur në Rezolutën e Bujanit, por që në përputhje me
rrethanat e kohës (mbetjes së Jugosllavisë dhe të Shqipërisë në kampin komunist
nën ombrellën sovjetike), ishte anuluar në saje të pajtimit Tito-Enver Hoxha,
që për pasojë do të ketë aneksimin e Kosovës nga ana e Serbisë dhe futjen e
dhunshme nën tutelën e saj, do të thuhet në gushtin e atij viti, në mbledhjen e
Aktivit të Komunistëve në Gjakovë, prej nga do të dalë qëndrimi se “Kosova do
të mund të bëhet republikë”.
Aktivi
i Komunistëve të Gjakovës nxori këto konkluzione, të cilat njëherësh ishin
kërkesa politike të Aktivit Politik të Kosovës, që jo rastësisht nga Gjakova i
bëheshin të ditura opinionit të Kosovës dhe me këtë edhe atij jugosllav.
Pra,
në Gjakovë u kërkua:
1.
Në Kushtetutën e Republikës Socialiste të Jugosllavisë, kombësia shqiptare të
emërtohet si kombi shqiptar,
2.
Me kushtetutë dhe me ligj të përcaktohet përdorimi i flamurit kombëtar
shqiptar,
3.
Krahina e Kosovës të shpallet R e p u b l i k a
e K o s o v ë s.
Në
këtë mbledhje dolën edhe këto kërkesa:
a)
E drejta për v e t ë v e n d o s j e,
b)
Në vend të statutit Kosova të ketë K u s h t e t u t ë n,
c)
Në Dhomën e Kombeve të Kuvendit Federativ Kosova të ketë 20 përfaqësues si
republikat e tjera.
Qëndrimet
e Aktivit Politik të Gjakovës u përkrahën me të shpejtë nga aktivet politike të
të gjitha qyteteve të Kosovës. E rëndësishme ishte edhe përkrahja e Aktivit
Politik të Prishtinë, ku reflektonte inteligjencia dhe kreu politik i Kosovës.
Edhe aty, pas shumë diskutimesh u nxorën disa kërkesa:
-
Që Kushtetua e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe e
Republikës së Serbisë duhet të pranojnë të drejtën dhe dëshirën e Shqiptarëve
për vetëvendosje;
-
Që krahina duhet të bëhet njësi federale;
-
Që të ndërrohet neni 2 i Kushtetutës së RSFJ-së dhe të insistohet që
Jugosllavinë ta përbëjnë tetë njësi federale;
Në
fund u tha se është e drejtë e çdo kombi dhe kombësie për të drejtën e
vetëvendosjes deri në shkëputje. Pra, duhet të kërkohet që Krahina të bëhet
Republikë.
Nxjerrja
e kërkesës për Republikën e Kosovës, pavarësisht reagimeve të Beogradit, në
Kosovë kishte gjetur përkrahje të madhe dhe ishte kthyer në një atmosferë të
paparë mobilizimi intelektual dhe politik në të cilin ishin përfshirë thuajse
që të gjitha shtresat shoqërore shqiptare. Meqë kishin filluar diskutimet
publike rreth ndryshimeve kushtetuese, qarqet intelektuale shqiptare në Kosovë,
nga ato akademike (nëpër fakultete, institute, e deri te mjetet e informimit),
do të vihen në krye të këtyre kërkesave.
Atyre
do t’u bëhet jehonë në shtypin e Kosovës, bajrakun e të cilit e mbante gazeta
“Rilindja” me botimet e saj, por do t’u bëhet jehonë e madhe edhe në atë të
Beogradit (i cili kishte filluar t’i quante “ide nacionaliste dhe
separatiste”), por edhe të qendrave të tjera, veçmas në Zagreb dhe Lubjanë, të
cilave u mbahej isoja pse ngritja e statusit të Kosovës në atë të Republikës
atyre ua krijonte mundësinë e mirë që përfundimisht të liroheshin nga rreziku i
unitarizmit serb, i cili në Plenumin e Gjashtë të KQ të Serbisë në qershorit të
atij viti, me rastin e prononcimit të Dobrica Qosiqit kundër ndryshimeve
kushtetuese, veçmas atyre sipas të cilave Kosova të fitonte statusin e
subjektit të Federatës, kishin marrë mesazhe të qarta se një ditë ai do të
dilte në skenë, kur për këtë do ta gjente mundësinë (mendohej te koha pas
Titos).
Intelektualët
e Kosovës nuk do të ndalen para kërcënimeve të nacionalistëve serbë. Do të
vazhdojnë të mbështesin kërkesën për Republikën e Kosovës, duke e arsyetuar atë
me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje si dhe realitetet nëpër të
cilat kishte kaluar Jugosllavia, pa marrë parasysh si dhe sa ishte trajtuar
“vullneti” i Shqiptarëve në të gjitha fazat e konstituimit të saj dhe si ishte
interpretuar ai për marrjen e vendimeve që nuk kishin qenë në përputhje me të, por
që edhe si të tilla ishin deponuar në krijimin e Jugosllavisë, ndaj duhej që
ato të shfrytëzoheshin.
Gjatë
këtyre diskutimeve intelektualët shqiptarë rëndom përdornin parimin leninist të
vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje dhe të zgjidhjes, që kishte pranuar
edhe Kominterni dhe kishin qenë pjesë e platformës politike të komunistëve
jugosllavë për zgjidhjen e problemeve nacionale në Jugosllavinë e Versajës, që
nga Kongresi Themelues i Drezdenit në viti 1924. Me këtë rast, me të madhe
përkujtohej Rezoluta e Kongresit IV të Partisë Komuniste të Jugosllavisë e
vitit 1928, e nxjerrë në përputhje me qëndrimet e Kominternit rreth rrënimit të
Jugosllavisë si krijesë e Versajës, në të cilën, në përputhje me opsionin për
rrënimin e një Jugosllavie të tillë të quajtur “burg popujsh”, bëhej fjalë për
bashkimin e Kosovës Shqipërisë.
Duke
u bazuar në këto dokumente dhe të ngjashme, historiani Ali Hadri përkujtonte se
“duke shfrytëzuar të drejtën për vetëvendosje, popujt e Kosovës ishin element
kreativ në krijimin e Jugosllavisë së re”. Ndonëse ky “kreativitet” ishte i
dhunshëm dhe në kundërshtim edhe me parimet ideologjike mbi të cilat ishte
ndërtuar Jugosllavia e re. Duke e përkrahur vetëvendosjen si një çështje të
rrethanave faktike, profesor Gazmend Zajmi, vlerësonte se “Kombësisë si
kolektivitet i takon kjo e drejtë siç i takon edhe kombit”. Fehmi Agani kishte
bërë të ditur se “duhet përkrahur të gjitha kërkesat që janë prezantuar si
kërkesa të shumicës dërrmuese të popullsisë.” Ai theksonte“ se ato duhet të jenë
kërkesat tona”. Ndërsa, Rezak Shala, prokuror krahinor, ngulmonte:
“Republika
e Kosovës është imperativ i kohës dhe nga kjo e drejtë nuk duhet hequr dorë”.
Natyrisht
se nga ana e intelektualëve shqiptarë gjatë bisedimeve kushtetuese do të dalin
edhe shumë e shumë argumente të tjera të kësaj natyre. Por, pas një muaji,
atyre do t’u ndalet hovi, e madje do të mbyllen fare, nga një reagim i udhëheqjes më të lartë partiake e Kosovës, e
cila kishte dalë me qëndrimin se “opsioni i Republikës së Kosovës nuk kishte
qenë asnjëherë pjesë e kërkesave të komunistëve të Kosovës”, por ku theksohej
angazhimi “për pasurimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në nivel të Federatës,
në mënyrë që edhe në atë nivel të realizoheshin të drejtat e saj”.
Ishte
më se e qartë se Tito dhe Kardeli, pasi që kishin vënë në peshojë dëshirat e
Shqiptarëve si dhe qëndrimin e Serbëve, po ku ishte matë edhe qëndrimi i
faktorit ndërkombëtar rreth kësaj çështje (ai europiano-perëndimor dhe
sovjetik), veçmas ky i dyti, nga dilema e drejtë se mos pas marshimit të tyre
në Pragë në vitin 1968, ata do të kërkonin pretekste nga reagimi serb për
ndonjë ndërhyrje, kishin ardhur te përfundimi se Kosova dhe Vojvodina duhej
ngritur në shkallën e njësive federative. Se duhej t’u jepej edhe konsensusi
dhe subjektiviteti federativ. Por, me arsyetimin e forcimit të vetëqeverisjes
dhe të jetësimit të barazisë së kombeve dhe të kombësive, formalisht duhej të
mbete-shin të lidhura edhe me Serbinë.
Esencën
e këtij kompromisi, që kishte ardhur nga lartë, më së miri do ta paraqesë vetë
Fadil Hoxha, me të cilin, në nivelin politik të Kosovës, do të nisë dhe do të
përfundojë hapja e çështjes së Kosovës Republikë:
“Nuk
do të thotë se nuk mund të shtrohet çështja e Republikës... Por, duhet të
vlerësojmë se çka është reale, vërtet reale dhe e mundshme në këtë drejtim të
afirmimit të autonomisë, që do të thotë esenca të arrihet dhe, nga ana tjetër,
të kuptohet se çka është dëshirë.”
Me
këtë kompromis në Kosovë nuk do të pajtohej askush. Elita intelektuale dhe ajo
shoqërore, e cila kishte marrë pjesë në diskutimet kushtetuese me kërkesën për
republikën e Kosovës – si zgjidhje që ishte e dobishme për të gjithë, e me të
cilën mund të ruhej edhe Federata Jugosllave nga sfidat serbe, me të cilat ajo
patjetër se një ditë do të ballafaqohej - me të drejtë do të ndjehet e
zhgënjyer, por edhe e tradhtuar madje.
Edhe
pse kërkesa për Republikën e Kosovës në debatet publike nuk do të sanksionohet
me ndjekje gjyqësore, siç do të ndodhë pak më vonë ndaj demonstruesve,
megjithatë disa nga intelektualët e njohur do të anatemohen edhe si
nacionalistë, me ç’rast disave do t’u merret drejtimi i katedrave, ose e
instituteve, sado që nuk do të mbesin pa punë. Ngjashëm do të ndodhë edhe me
disa nga prokurorët ose gjyqtarët, të cilët do të humbin postet, por jo edhe
punën.
(Shkëputje nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, 2021,
faqe 571-575).