| E enjte, 24.11.2022, 08:50 PM |
RECENSE LIBRI
Një libër për vlerat e
sociologjisë dhe kontributin e sociologut në shoqëri
(Rreth librit “Sociologu
dhe Shoqëria” të Gëzim Tushit, "Mjeshtër i Madh" dhe "Kalorës i
Urdhërit të Skënderbeut")
Nga
Fran Gjoka, Lezhë
Sociologu
Gëzim Tushi tashmë është i njohur për kontribute të gjëra intelektuale, publike
e mediatike. Ai ka një karrierë të gjerë shumëvjeçare në fushën e botimeve,
mësimdhënies, publicitetit mediatik dhe kontributeve të shumta shoqërore. Libri
“Sociologu dhe Shoqëria” është i 21-ti në kolanën e veprave të shkruara prej
tij. Është një korpus i gjerë dijesh të pasqyruara në gati 10 mijë faqe, bashkë
me rreth 2 mijë artikuj të shkruar në të gjithë organet e shtypit periodik.
Janë të shumta kontributet e tij personale në fushën e medias elektronike.
Padyshim,
libri i fundit “Sociologu dhe Shoqëria”, është një punë studimore e pasqyruar
në 500 faqe, në të cilat autori me tendencë është përqëndruar në një
ridimensionim të konceptit për rolet e reja të sociologut dhe sociologjisë në
shoqërinë e sotme shqiptare postmoderne. Në çfardo optike që ta shikojmë
librin, duhet të themi se ai përbën një kontribut tematik jo vetëm si plotësim
i synimeve të gjëra të kolanës së veprës së tij, por dhe të nevojave imediate e
të perspektivës së shoqërisë shqiptare, e cila tashmë është më komplekse, më e
ndërlikuar në të gjithë pikëpamjet. Kjo do të thotë se gjithnjë e më shumë do
ketë nevojë për studime serioze, gjithpërfshirëse, të vazhduara në përputhje me
diagramën, sasinë, intensitetin e ngjarjeve sociale, duke qenë kompatibël me
ndryshimet sociologjike. Kjo do të thotë se ky kompleksitet social nuk mund të
analizohet në mënyrë të sipërfaqshme. Kjo është kredoja thelbësore e librit
“Sociologu dhe Shoqëria”.
Duke
e lexuar veprën e sociologut Tushi, mund të evidentojmë, në mënyrë sinkretike,
disa tipare, cilësi dhe vlera të tij.
Së
pari, nëse do bënim një vlerësim sintetik të kësaj vepre, padyshim do të thonim
se është një studim i plotë dhe me një strukturë të ngjeshur tematike, që e
përfshin objektin, tematikën dhe synimet e autorit në një strukturë kompakte,
të ndërtuar me kujdes dhe me “arkitekturë” dialektike, solide dhe të lëvizshme
gjerësisht në fushën tematike. Është në natyrën e autorit, një veçori e
pasqyruar në 21 librat e tij, që ai e ka çështje parimore strukturimin tematik
të çdo vepre, duke e “përkufizuar lëndën” që trajton në habitatin e natyrshëm
tematik. Kjo bën që materiali, edhe pse i gjerë, në këtë libër është i
“ngjeshur” në pikëpamje tematike, duke e përqëndruar vëmendjen studimore në dy
objekte të mëdha: Sociologjia moderne dhe roli i saj në shoqërinë shqiptare dhe
në të njëjtën kohë edhe për figurën e sociologut, rolin e ridimensionuar të tij
në shoqërinë e sotme shqiptare, si profesionist i dedikuar për të bërë
diagnostikime të diferencuara të problemeve, shqetësimeve dhe patologjive
sociale dhe ofrues i “terapive sociale”, për të zbutur plagët e shoqërisë
shqiptare, aq shumë të agravuara e të ndërlikuara në kohën e sotme. Qëllimet e
këtij botimi, autori i sqaron në hyrjen e librit, në të cilën bën edhe një
sintezë historike të rrugëtimit të vështirë të kësaj shkence në këto tri
dekada. Ndërkaq, vijon kapitulli i parë, në të cilën autori trajton lidhjet,
raportet dialektike midis sociologjisë si shkencë dhe sociologut si interpret i
saj. Në kapitullin e dytë, “Sociologjia dhe dukuritë e jetës postmoderne”,
autori bën prerje të zgjeruar të problematikave të jetës sociale, të
zhvillimeve progresive dhe anomalive sociale, të jetës së shëndetshme, por dhe
patologjive në zgjerim. Gjithnjë me merakun e njohur të autorit, që duke
trajtuar konceptualisht dhe bazuar teorikisht esencën, ngjajshmëritë dhe
koherencën e problemeve sociale në përgjithësi, ngul këmë që në trajtimet e
veta të jetë kontekstual dhe problemet të jenë analoge e të vlefshme për
“kurimin e sëmundjeve sociale dhe përmirësimin e shëndetit të shoqërisë tonë“.
Padyshim
është i njohur intresi i Gëzim Tushit për problemin social, ndoshta më të
paqartin dhe më të ndërlikuarin për raportet midis individit dhe shoqërisë,
përmbysjen e paradigmës së vjetër sociologjizante e suppersociale dhe
vështirësitë e rindërtimit të ekuacionit të ri demokratik të lidhjeve midis
individit dhe shoqërisë. Këtij problemi delikat të shoqërisë sonë liberale e
postmoderne ai i kushton një kapitull të gjerë. Doemos nuk mund t’i shpëtonte
autorit trajtimi i problemeve sociologjike të kulturës, në kushtet e shoqërisë
së hapur.
Së
dyti, libri dallohet për një gjuhë të shkathët, të përdorur mjeshtërisht në
funksion të lëndës dhe transmetimit sa më të qartë të ideve të autorit. Është
një përpjekje e suksesshme, e qëllimshme e autorit për të përdorur një gjuhë sa
më adekuate. Që të jetë e kuptueshme jo vetëm për profesionistët e sociologjisë
dhe botën akademike e mediatike, por edhe për ata që mund të jenë jo
profesionistë të “kulluar” të sociologjisë, por që janë të interesuar për
problemet e zhvillimit të shoqërisë.
Së
treti, libri ka synim për të qënë sa më utilitar, i dobishëm për njerëzit,
sepse pikërisht këtë ide autori e ka vënë në hapje të librit, kur thotë se
“dobia për njerëzit duhet të jetë ambicja e parë e sociologut”. Autori për të treguar motivet që e shtynë të
investohej në këtë punë shumëvjeçare për të shkruar këtë libër, thotë se nga e
gjithë përvoja ime, kam krijuar bindjen e patundur se sociologu e ka detyrë që me të gjitha
mjetet që disponon, të përpiqet të injektojë në shoqëri solidaritet, shkëmbim
ideshë, komunikim social. Nga ana tjetër, kam qënë dhe jam i bindur se
sociologjia dhe sociologët, sidomos në kohën e sotme, absolutisht e kanë mision
obligativ shkencor dhe qytetar të ndihmojnë përmirësimin e mënyrave të
menduarit, sjelljet, qëndrimet, në mënyrë që ato të përshtaten sa më mirë me
shoqërinë. Aq më shumë në shoqërinë shqiptare, që është në erupsion social dhe
që ndryshon dita-ditës. Madje me nxitim të madh. Ndërkaq sociologjia dhe
sociologët kanë mundësi dhe mjetet e duhura, që mund të ndihmojnë njerëzit të
ndryshojnë mënyrën e jetesës, të adaptohen me normat, rregullat, kulturën e
normat e përbashkëta të shoqërisë. Kjo është sfida e madhe e modernizimit të
sociologjisë shqiptare, ridimensionimit intensiv të rolit të sociologut, për të
qënë në përputhje me gjërat e paparashikuara të kohës, turbulencat e
qytetërimit të paqëndrueshëm, likuid.
Në
këtë kontekst, besoj se libri është ndihmesë për të gjithë ata që kanë
shqetësime apo dëshirë për të kontribuar në përmirësimin e jetës sociale e
urbane të shoqërisë, të strukturave bazë të jetës, mbi të cilat ndërtohet dhe
funksionon shoqëria. Sepse, sikurse mendon sociologu Gëzim Tushi, “…është
imperativ kapërcimi i mënyrave të vjetra, formave të zakonshme të analizës,
koncepteve të menduarit sociologjik, sidomos kur bëjmë vlerësime të zhvillimit
të dukurive në marrëdhëniet midis njerëzve, midis tyre dhe “njësive sociale”.
Kjo kërkon të përdoren metoda shkencore, kur analizojmë e vrojtojmë faktet e
reja të jetës, modelet, ndryshimet, diversitetin, konfigurimet e reja të
përmbajtjes, formave të lidhjeve njerëzore, marrëdhënieve sociale. Sepse në
mënyrë evidente njeriu, shoqëria dhe sociologjia kanë hyrë në epokën dixhitale,
ndodhen bashkërisht në rrjedhat e kornizat e “shoqërisë së informacionit”, të
cilat kanë sjellë ndryshim rrënjësor të marrëdhënieve ndërpersonale e sociale.
Së
katërti, autori ka synuar të jetë autentik në trajtimin e problemeve që lidhen
me sociologjinë dhe sociologun. Këtë kredo serioze shkencore ai e lidh
organikisht me dëshirën për t’i menduar dhe analizuar problemet sociale të
shoqërisë me “mendjen e tij” dhe kjo këmbëngulje dhe prirje teorike e ka
ndihmuar të aplikojë analiza kritike, duke menduar se në këtë mënyrë të bëj
diçka dhe njëkohësisht të kontribuoj, pse jo, edhe teorikisht në sferën e madhe
të dijes sociologjike.
Ndaj
duke qënë në këtë korsi mendimi dhe me synimin për të sjellë një vepër sa më
origjinale, ai shkruan: “Sfida personale ka qenë që në këtë libër, jo të sjellë
“ide eterike” sociologjike, por mendime, ide, zgjidhje sa më adekuate.
Mundësisht sa më kompatibile me jetën, problematikat që lidhen me strukturën
sociale të realitetit tonë. Jam munduar t’i shmangem sa më shumë të jetë e
mundur modelit të “sociologjisë që grin sallatë me abstraksione absurde”, që
nuk i vlejnë kujt. Në të njëjtën kohë, shkrimi i librit është mbështetur në
parimin, sipas të cilit, studimet sociologjike nuk janë vetëm për specialistët,
por edhe për njerëz e shtresa të zakonshme, që kanë dëshirë e duan të futen në
“pushtetin e madh” të dijes sociologjike. Jo për hobi apo zbukurim intelektual,
por për qëllime thelbësore, për afrinë që ato kanë me deontologjinë e
profesioneve të tyre”.
Pavarësisht
debateve akademike, është e sigurt që koha që jetojmë, natyra e shpejtë e
zhvillimeve të shoqërisë shqiptare, e bëjnë imperative detyrën, misionin,
përgjegjësinë që sociologët të përqëndrohen në analizat dhe studimet e tyre, jo
për atë që vjen nga observimi linear, por nga nevojat moderne të kuptimit të
jetës, dinamikave të shoqërisë dhe sfidave të qytetërimit postmodern. Kjo do të
thotë që vendin e studimeve përshkruese, lineare, të përcipta ta zenë studime
të thelluara konceptuale. Kjo do të thotë që sociologët stilin narrativ ta
zëvendësojnë me përmbledhje sociologjike që kanë dëndësi të admirueshme
konceptuale. Sociologjia i ndihmon të hyjnë dhe penetrojnë nën nënështresat
sociale, nën sipërfaqen dukjeve të jetës që jetojmë. Kjo është arsyeja pse
është ndërlikuar, është bërë më i vështirë roli i sociologut në shoqërinë e
sotme shqiptare.
Pikërisht
autori ka marrë përsipër që përmes librit “Sociologu dhe Shoqëria” të japë
mendimin e tij alternativ, për të dhënë idenë se përse duhet dhe çfarë roli
luan apo duhet të luajnë sociologjia dhe sociologët. Pikërisht sot, kur sasia,
intensiteti i problemeve dhe shqetësimeve sociale është në “vlim intensiv”
dinamik sasior e cilësor. Në këto kushte me të drejtë sociologu Tushi mendon se
nuk është e lehtë sot të realizosh diagnoza të diferencuara, ca më tepër të
kuptosh dhe interpretosh shkaqet apo shkaktarët e dukshëm e të padukshëm të
problemeve sociale. Jeta sociale në kohën e tanishme ka nevojë, për sociologë
që në studimet e tyre kanë sensin e kohës, dinë të vlerësojnë rolin e ideve
moderne. Kjo është arsyeja pse për të bërë interpretime sociologjike të sakta
të të dhënave të dukshme e të padukshme, duhen jo sociologët dogmatikë të së
“kaluarës” por kemi nevojë për “sociologët e së ardhmes”. Kjo është detyra e
kuptimit të vlerës që kanë dijet personale dhe relativiteti i interpretimeve të
personalizuara të sociologut.
Në
këtë kontekst, ai ngul këmbë se në kohën e tanishme e kanë detyrë obligative
sociologët të bëjnë analiza të gjëndjes aktuale, njëherësh interpretimin e së
ardhmes së shoqërisë. Por kjo detyrë me përgjegjësi personale, sociale dhe
profesionale nuk bëhet me slogane doktrinariste të vjetra, as me pseudo
argumente dhe fjalë të parfumosura. Sidomos kur është fjala për rolin aktual të
brezit të ri të sociologëve shqiptarë, të cilët duhet të jenë akoma më shumë të
motivuar sepse po përballen me një shoqëri dinamike, të rrëshqitshme, e cila po
shfaq përditë sfida të reja, trajta të ndryshuara të situatave sociale.
Autori
është i vendosur për rolin e sociologjisë dhe sociologut për sot dhe nesër,
sepse, sipas tij, kemi nevojë për figura profesionale omnipotente, që janë në
gjëndje të bëjnë analiza sociale, të përcaktojnë diagnoza sociologjike
koherente, duke shpjeguar dhe argumentuar jo vetëm “pse-në” dhe shkakun, por
dhe zgjidhjet, duke përcaktuar “ilaçin”, terapinë që duhet për shërimin e tyre.
Shikimi
nënvleftësues, popullariteti jo aty ku nevojitet i profesionit të sociologut
është një “sëmundje kalimtare”, shërimi i të cilës është në dorën tonë, për
t’ia rritur autoritetin shkencor, reputacionin social në shoqëri, duke e bërë
atë dominuese në arenën e gjerë të shkencave humane e sociale. Është momenti
kur duhet synuar rritja e peshës, vlerës, autoritetit të sociologjisë në
shoqërinë tonë, sepse dituritë sociologjike, vlerat, konceptet e saj ndihmojnë
shoqërinë, njerëzit tanë të kuptojnë më mirë “marrëdhëniet midis tyre dhe në të
njëjtën kohë edhe me shoqërinë”.
Kjo
do të thotë se duhet të bëjmë akoma më shumë, tani dhe në të ardhmen, për ta
mbrojtur sociologjinë si disiplinë shkencore, por dhe sociologun si profesion i
nderuar, nga rreziku i shfaqjeve të indiferencës apo mëndjemasdhësisë
neopozitiviste që ka të bëjë me mbivlerësimin e shkencave të natyrës. Ideja se
profesioni i sociologut nuk është shumë atraktiv dhe i “pëlqyer” nga tregu i
punës, është i pavërtetë, pesimist, që sjell çmobilizimin e dëshirave,
vullnetit, kapacitetet e sociologëve të rinj, sepse duket fare qartë se jemi në
momentet kur progresi teknik, dixhitalizimi i jetës së përditshmë janë dukuri
fondamentale, që kanë sjellë turbulenca sociale, ndikime kulturore thelbësore
në strukturat ekzistenciale të trashëguara të traditave kulturore e sociale,
sidomos në mënyrën e të menduarit dhe vlerësuarit të gjërave. Një pjesë e
këtyre ndryshimeve janë kaq të forta, të thella, të lëvizshme, të paqëndrueshme
sa që në shumë raste ne sociologët na kanë vënë “me shpatulla për muri”, për
t’u dhënë përgjigje e gjetur zgjidhje. Besoj se është imperative në këto kushte
dhe shoqëria shqiptare ka nevojë për analiza, studime, interpretime elokuente
gjithpërfshirëse të dukurive sociale dhe fenomeneve bashkëshoqëruese.
Gjykimi
sociologjik, aksiologjik, fenomenologjikisht profesional duhet të shërbejë për
diagnostikim të realiteteve të komplikuara, si mjet për gjykim objektiv, të
sqarojë shoqërinë nëse këto ndryshime eruptive, të vazhduara, të thella e të
vazhdueshme do të jenë për mirë apo për keq, në shërbim të shëndetit të
shoqërisë apo dobësimit të saj. Kjo do të thotë që shoqëria pret nga
sociologjia dhe sociologët, por jo vetëm nga ata, por edhe nga disiplinat e
tjera sociale, shkencat e integruara, që bashkë me profesionistët e tyre, t’u
japin përgjigje të integruara problemeve të sotme dhe të nesërme.
Prandaj,
sipas sociologut Gëzim Tushi, është imperative të pretendojmë e të bëjmë më
shumë përpjekje për të krijuar aq sa është e mundur shkollën sociologjike
shqiptare, që të shërbejë dhe përshtatet me nevojat shoqërore të jetës, duke u
mbështetur në diagnostikimin e fenomeneve të dukshme, konkrete, objektive. Kjo
do të thotë që sociologjia shqiptare ka nevojë të revolucionarizohet brenda
vetes, qoftë në përmbajtjen e lëndës që trajton dhe në metodat e përparuara
logjike e epistemiologjike të përdorura. Ajo në Shqipëri është shkencë e re, e
zhvilluar në hapësirën dhe kohën e tre dekadave të fundit dhe doemos që ka të
metat e veta të rritjes. Ne jemi të ndërgjegjshëm që fillimet e veta,
sociologjia shqiptare në hapat e para do të merrej me dukuri sociale konkrete,
materiale të prekshme të ekzistencës sociale njerëzore.
Sipas
tij, objektivi duhet të jetë orientimi me prioritet i studimeve sociologjike drejt
problemeve të jetës reale, mënyrave se si në këtë kohë liberale individualiste,
njerëzit, edhe pse me prirje për “sjellje të personalizuara”, duhet të gjejnë
rrugët optimale, format e duhura që të mund të jetojnë së bashku. Kjo do të
thotë se sociologjia e ka detyrë obligative të përqëndrohet në trajtimin e
problemeve sociale specifike të shoqërisë, duke bërë hulumtime
shumëdimensionale, studime të thelluara në terrene të sigurta, teorikisht
koherente me natyrën dhe kohën postmoderne. Ndryshimet që po ndodhin janë shumë
të shpejta, tejet dinamike, të paparashikuara deri në fund në tipologjinë dhe
fenomenologjinë e tyre.
Të
gjitha këto probleme gjendën të paqsqyruara në librin e sociologut Gëzim Tushi,
me titull “Sociologu dhe Shoqërisa”, i cila ka pak ditë që ka dalë nga botimi
dhe është në qarkullim publik.