E shtune, 04.02.2023, 05:24 AM (GMT)

Kulturë

Albert Vataj: Sot në ditën e Darvinit dhe darvinizmit

E enjte, 24.11.2022, 07:55 PM


Sot në "Ditën e Evolucionit", në kremten e çlirimit nga errësira, në ditën e Darvinit dhe darvinizmit

Nga Albert Vataj

Sot 163 vite më parë pa dritën e botimit një prej kryeveprave të mendimit iluminist. Botohet libri "Mbi Origjinën e Specieve". Ai është libri që tronditi nga themelet botëkuptimin e njeriut për prejardhjen. Një prej dilemave më jetëgjata që ka ngërthyer ëndjen dijetuese të njeriut, u gjend para një kërcënimi shpërbërës. Më shumë se një rrënim i mitit, ishte një guxim për të orientuar njeriun përnga zgjidhja e enigmës së ekzistencëst. Kurajon e tij pakkush do të guxonte ta përballte me një botë profane dhe e mbarsur nga paranoja, sa ai, Charles Darwin (12 shkurt 1809 - 19 prill 1882).

U hodh në zjarrin e anatemës, kundërshtive dhe ndalimit si një gladiator në arenën e luanëve. Ai dëshmoi vullnesën e një iluministi dhe u kacafyt me mijëvjeçarë terr. Ai hodhi themelet e pikëpamjeve mbi krijimin dhe evolucionin, drita që përshkënditi prej andej e hodhi njerëzimin në krahët e një përqafim botëkuptimi të ri. U rrek të vërtetonte shkencërisht prejardhjen e njeriut duke e bazuar atë mbi faktet e mbledhura, fosilet dhe evoluimin e species në raporte kohore, varjueshëm me kushtet e habitatit.

Pikërisht sot 163 vite më parë, më 24 nëntor 1859 Charles Darwin publikon "Mbi Origjinën e Specieve", përvjetori i këtij libri është quajtur "Dita e Evolucionit".

Thonë se Darwini ka qenë një njeri tepër i mbyllur në vetvete, i lumtur me fletoret dhe mikroskopin e tij. Ai iu shmang gjithnjë syrit të publikut. Kritikat, debatet dhe kontradiktat hamenden të ishin shkaku që ai u përball me sfidën e shëndetit. Ky vëzhgues i shkëlqyer i natyrës e mbajti idenë e tij më origjinale dhe revolucionare të fshehtë për dekada. Megjithatë, sot, pothuajse të gjithë e dinë emrin e tij, çfarë bëri, dhe pse vlerësohet kaq shumë. Duke respektuar natyrën në të gjitha format e saj - Darwin pa se të gjitha qeniet janë të lidhura. Çdo gjë e gjallë ndan një prejardhje, dhe arriti në përfundimin se, shumëllojshmëria e jetës në Tokë rezulton nga proceset në punë gjatë miliona vjetëve, dhe ende në punë sot.

Shpjegimi i Darwinit për këtë shpalosje kaq të gjerë të jetës në kohë - teoria e evolucionit nëpërmjet seleksionimit natyror - transformoi të kuptuarit e botës së gjallë - ashtu si idetë e shkencëtarëve Galileo, Newton, dhe Ajnshtajn ndryshuan të kuptuarit e universit fizik. E thjeshtë por njëkohësisht e diskutueshme, keqkuptuar, keqpërdorur për qëllime sociale, thonë studiuesit, teoria e Darwinit mbetet e pakundërshtueshme si koncepti qendror i biologjisë, duke ndihmuar mikrobiologë e gjenetistë të panumërt.

Jemi fatlum se kjo kryevepër ka ardhur edhe në shqip nga Botimet “Pema” me përkthimin e Nelson R. Çabej, Prishtinë 2022, e gjeni sigurisht edhe tek ADRION.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora