Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fadil Sahiti: KM-së sonë s'ka pse t'i vijë turp

| E enjte, 24.11.2022, 07:16 PM |


KM-SË SONË S’KA PSE T'I VIJË TURP

Nga Fadil Sahiti

Jo rrallë herë më kanë thënë miq e të tjerë se shkarravinat e mia kritike për politikën dhe politikanët janë të mbushura me inat, me smirë, me atë smirën e shqiptarit që sheh zi dhe terr aty ku nuk është vetë. Nuk i fajësoj, ngase edhe vet besoj se inati është atributi themelor i etosit shqiptar. Sa herë shkoj në Turqi, miqtë e mi turq më thonë hapur: “arnavut inadi öldürdü” - shqiptari edhe të vret nga inati.

Megjithatë, motivi i shkarravitjeve të mia kritike kundër këtyre që ne i quajmë të mëdhenj, nuk buron nga dëshira ime për t'i nënçmuar ata/ato. Më tepër buron nga bindja ime se, nëse duam që ky shtet i krijuar me shumë sakrificë të mbijetojë dhe të zhvillohet, duhet të heqim dorë nga zakoni i adhurimit në përmasa tribale për politikanët. Edhe burrat e mëdhenj mund të bëjnë gabime të mëdha; dhe siç e dimë nga historia, disa nga udhëheqësit më të mëdhenj të së kaluarës kanë bërë gabime të mëdha duke menduar se po bëjnë mirë.

Në këto kohë të vështira, kur pëcaktohet fati ynë si shtet dhe si komb, përgjegjësia nuk është vetëm e KM-së dhe e qeverisë, por e të gjithë neve. Ngurrimi ynë për të kritikuar vendimet dhe veprimet e këqija të politikanëve tanë mund të ndihmojë vetëm në shkatërrimin e të gjithëve.

KM dhe qeveria e Kosovës nuk kanë pse të turpërohen kur përmirësojnë atë që kanë bërë gabim, edhe nëse gabimi përmirësohet brenda afatit kohor prej 48 orësh. Gjëja më e rëndësishme është të shmangim vendimet autoritare, të cilat mund të dëmtojnë seriozisht të ardhmen tonë.

Besoj se situata nuk është aq e ndërlikuar sa e bëjnë komentuesit politik që i shohim çdo natë në televizionet tona. Pa pasur ndërmend t'i jap leksione KM-së dhe qeverisë se çfarë duhet bërë, qeveria duhet ta krijoj asociacionin, s'duhet të ketë frikë nga kjo krijesë me shumicë serbe. Kjo tashmë duket të jetë një e “e keqe e domosdoshme”. Është shumë fat që në marrëveshjet paraprake, në një nga pikat kryesore për këtë çështje thuhet shprehimisht se përmbajtja e statutit të kësaj krijese duhet të miratohet nga gjykata kushtetuese. Me sa kam informacion, nuk pretendoj të jem super i informuar, këtë kërkojnë edhe amerikanët dhe BE-ja.

Kosova duhet të dialogojë për këtë me amerikanët dhe BE-në. Prandaj, në këtë kontekst të situatës politike në botë, duket jo e mençur të kërkohet nga Serbia që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Me luftën në Ukrainë, kjo organizatë ndërkombëtare duket krejtësisht jofunksionale. Kosova duhet të kërkojë dy gjëra nga miqtë e saj perëndimorë: anëtarësimin në NATO dhe hapjen e perspektivës për anëtarësim në BE – kjo nënkupton pranim nga 5 shtetet e BE-së.

Nëse bëhen këto dy gjëra, atëherë, përmes kësaj, Kosova do të adresojë në mënyrë të fuqishme dy aspekte themelore të ekzistencës së saj, atë të sigurisë (NATO) dhe atë të zhvillimit ekonomik (BE).

https://www.facebook.com/profile.php?id=828092747