E enjte, 28.03.2024, 04:01 PM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Lëre hapin tim të qetë

E merkure, 23.11.2022, 06:17 PM


Prend BUZHALA:

ÇASTE LIRIKE ME PAK FJALË

LËRE HAPIN TIM TË QETË

E përse thua: o jetë,

përse ngutesh si furtunë e marrë,

përse fluturon si një shpend i plagosur?

E i lutesh jetës: ma lejo

një gjë krejt të vogël,

bie fjala, një shikim që pret tepër gjatë,

bie fjala, një hap të qetë

deri te ajo shtëpi që e shoh nga larg.

E pajtohesh me përgjërim : o jetë, kuptoje,

ka mjaft vite për sëmundje,

ka mjaft vite për vuajtje,

mjaft vite si ato të fatkeqësisë.

Lëre hapin tim të qetë!

MENDIM I HESHTUR ME TIS PIKËLLIMI

Çka vlen ajo kohë

që nuk të dhuruaka trishtim,

dhimbje zemre që shpërthen motet,

erë që ta rrëzon trupin si në varr.

Kot kërkon fjalë të mëdha,

me peshë të rëndë.

Më të rëndësishmet

janë ato që nuk shqiptohen,

si mendim i heshtur me tis pikëllimi.

PRUSHI I JETËS

Sa më shumë e mallkon jetën

aq më dëshpërimisht e do,

për të rendur mbi hirin dhe prushin e saj,

mbi rrugët me gropa, si gropa zemre,

mbi shtigjet me gjemba e ferra,

si thika në trup, si gjilpërë në sy.

E prapë thua:

s'ka gjë më të bukur se jeta.

(23 nëntor 2022)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora