| E marte, 22.11.2022, 08:54 PM |
SHKOLLA FILLORE “ILIRIJA” E FSHATIT NEPROSHTEN TË TETOVËS
NË KOHËN E ADMINISTRIMIT
SHQIPTAR (1941-1944)
Shkruan
Syrja Etemi
Te njeriu gjithnjë
është e pranishme kureshtja për të eksploruar të panjohurën, për të zbuluar
gjërat e mbështjellura me aureolën e harresës. Me këtë nuk pretendoj vetëm të
çjerri tisin e anamnezës që ka pllakosur gati çdo vlerë dhe pasuri të traditës,
por edhe të mundohem t’i shpëtoj ato nga humbëtirat e kohës. E, me këtë rast,
papandehur i dorëzohem impulsit për të shuar xixat prafulluese të kërshërisë sime përgjëruese
për të njohur, kuptuar dhe publikuar historikun që ka të bëjë me arsimin dhe
shkollën shqipe në vendbanimin që dikur
llogaritej fshati i fundit i krahut veri-lindor të Tetovës, që i takonte
Pushtetit në Administrimin Shqiptar, përkatësisht “Shipnis’”.
SHPRUSHJE
DOKUMENTESH
Në kontekst të
historikut të arsimit dhe shkollës shqipe në Neproshten, për kurreshtarët e
beftë të këtij vendbanimi, dhe jo vetëm, është me rëndësi të theksohet fakti
apodiktiv se e kaluara arsimore dhe edukative përligjej me frymën e traditës
atdhetare e kombëtare, e ku mësuesit
ishin shqiptarë dhe programet arsimore përshkoheshin ekskluzivisht në gjuhën
amtare shqipe.
Këshilli
administrativ i Ministrisë në Tiranë, në marsin e vitit 1942, në mënyrë të
gjithanshme e analizoi rrjetin e posaformuar të shkollave fillore shqipe në
Maqedoni e në Kosovë, ku ndër shumë shkaqe që e pengonin përshpejtimin e
zhvillimit cilësor të arsimit të detyrueshëm fillor pesëvjeçar, ishte mungesa e
kuadrit mësimor. Në shumë fshatra edhe pse ekzistonin ndërtesa shkollore, madje
të përgatitura e të pajisura teknikisht për punë, nga mungesa e mësuesve ato
nuk u hapën në vitin 1941/42, siç ishte edhe rasti me Neproshtenin. Problem
ishte edhe mosnjohja e gjuhës shqipe, prandaj, Ministria e Arsimit vendosi që
gjatë verës së vitit 1942 të fillojnë të funksionojnë kurset e posaçme, të
cilët kishin karakter të përkohshëm, por në këto kurse ishte paraparë zhvillimi
i rregullt i mësimit për të luftuar analfabetizmin. Këto kurse i përfshinin
nxënësit e shkollës fillore dhe frekuentuesit e moshuar - të rriturit.
Më 14 korrik 1942
Ministria e Arsimit telegrafisht e informoi Inspektorinë e Arsimit në Tetovë
mbi emërimin e mësuesve për të punuar në kurset verore 1942 në Qarkun e
Tetovës, ku u përfshi edhe Neproshteni,
me ç’rast u emërua mësuesi Kiço Panidhi. (Shih: Prof. dr. sc. Abdylazis Veseli:
Shkollat dhe arsimi shqip në Maqedoni gjatë periudhës 1941-1944, fq. 180).
Mësuesi në fjalë,
përveç që realizonte këtë aktivitet me banorët e këtij vendbanimi (në
objektin e xhamisë së fshatit), bënte edhe përgatitjen për fillimin e vitit të
rregullt mësimor: 1942-43. Kështu edhe përpjekjet këmbëngulëse u kurorëzuan me
sukses: shkolla fillore në fjalë, me disa vështirësi të vogla u hap në vitin
shkollor 1942/43. Kishte gjithsejt 43 nxënës, pa asnjë vajzë. Mësuesi i parë i
shkollës së Neproshtenit ishte Emin Softa. (Shih: Raporti final i Inspektorit
t’Arsimit në Tetovë për vitin shkollor 1942/43 (AQSH, F-295, v. 1943, d.78,
fl.28).
Në vitin shkollor
1943/44, shkolla fillore “Ilirija” e Neproshtenit i kishte gjithsejt 82 nxënës,
prej të cilëve 53 meshkuj dhe 29 femra, të cilët punonin në kl. I dhe të II
fillore. (Shih: Raporti final i Inspektorit t’Arsimit në Tetovë për vitin
shkollor 1942/43 (AQSH, F-295, v. 1944, d.146, fl.64).
Duke shfletuar
dokumente të kohës të lëshuara nga Inspektorati i Arsimit të Mbretnisë
Shqiptare, përkatësisht listën e Personelit Mësimuer e Administrativ të Qarkut
t’Inspektorisë s’ Arsimit të Dibrës, që ka të bëjë me Notat e cilësimit për
vitin shkolluer: 1941 - 1942, për mësuesin Emin Softa, “sjellja” vlerësohet: e
mirë (nga kategoritë: “disi” , “e mirë” dhe “shëmbullore”). Në indikatorin:
“zelli”, mësuesi në fjalë vlerësohet me nivelin: “i mirë”, po ashtu edhe
Gjendja shëndetësore paraqitet: “e mirë”. Në indikatorët tjerë që kanë të bëjnë
me: Aftësitë Pedagogjike nga katër nivelet: e dobët, disi, e mirë, shumë e
mirë, mësuesi, Emin Softa, sa i përket aftësive pedagogjike rangohet në nivelin apo me vlerësimin: “e
mirë”. Po këtë vlerësim e merr edhe në notimin përfundimtar: cilësimi vjetuer,
që d.m.th. “i mirë”. Ky vlerësim vjetor ka këto kategori: “dobët”, “kalueshëm”,
“i mirë” dhe “shum’ i mirë”. Nëqoftëse na mungojnë deklaratat e ish nxënësve që
kanë patur fatin të jenë nxënës të mësuesit Emin Softa për atë se çfarë
personaliteti duhet të ketë qenë mësuesi i parë i shkollës: “Ilirija” -
Neproshten, të dhënat dokumentale flasin qartë për të. Prandaj, jo vetëm ky
vendbanim duhet të krenohet e të mburet me mësuesit e Shqipnisë, të brumosur me
atdhetarizëm, plot zell e entuziazëm, por, me këtë, edhe mbarë dashamirët dhe
arsimdashësit e këtyre zonave që i kanë takuar territorialisht Mbretnisë
Shqiptare, ku frymonte shkolla shqipe, me mësues e programe arsimore të
rafinuara.
PLANI
MËSIMOR DHE FAVORIZIMI I GJUHËS SHQIPE
Si të gjitha
shkollat fillore në kuadër të Administrimit Shqiptar, edhe shkolla fillore:
“Ilirija” - Neproshten, ka funksionuar sipas planit mësimor në vijim:
Duke i hedhur një
vështrim analitik planit dhe programit mësimor
me të cilin funksiononte shkolla
shqipe e kësaj kohe, menjëherë të bie në sy fakti indikativ, i cili dëshmon
favorizimin e gjuhës shqipe (me 14 apo 13 orë në javë). Këtë komparacion e
bëjmë edhe në rrafshin vertikal të kuantumit të orëve të dedikuara për lëndën e
gjuhës shqipe vizavi lëndëve tjera
mësimore, por edhe në rrafshin horizontal - duke marrë parasysh tretmanin e
gjuhës shqipe si lëndë mësimore nga periudha e pasluftës e deri më sot. (Shih:
Plani mësimor për shkollën fillore - fondi i orëve brenda javës).
NJË KËSHILLË DASHAMIRËSE
Kështu, në vend të përfundimit, do të përçoja një mesazh dashamirës tek autoritetet arsimore në vend, më konkretisht: do të doja që hartuesit e programeve arsimore të kthejnë sytë pak nga e kaluara e shkollës së traditës, të nxirren përvojat pozitive e të flaken ato që rëndojnë programet tona arsimore. Jo gjithçka që është e “vjetër” duhet fshirë nga praktika... Ja programet e reja që terrorizojnë shkollën tonë “moderne”: tre gjuhë tjera të huaja i qëndrojnë mbi shpinë gjuhës amtare me 5 orë në javë... E, nxënësi i padjallëzuar shqiptar, akoma do të torturohet, jo vetëm me programe volluminoze, por edhe me nga 7 orë mësimore (kl.V) në ditë... Eh, “reformë e reformë...!”