Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fadil Sahiti: Zezona që duhet shmangur

| E diele, 20.11.2022, 07:55 PM |


ZEZONA QË DUHET SHMANGUR

Nga Fadil Sahiti

Kemi shekuj që fqinjërojmë me serbët. Një kohë të gjatë na kanë mbajtur të robëruar në tokën tonë të vjetër të të parëve tanë. Por, një ditë në një mëngjes, pothuajse pa e kuptuar, tinëzisht, si në një ëndërr të mirë u zgjuam të lirë. Kemi shpresuar se në kushte të paqes njerëzit dhe ditët do qetësohen disi. Megjithatë, ne vazhdojmë të jetojmë kohëra të vrugëta. E ardhmja e jonë është errur si asnjëherë tjetër. Jetojmë në një paqe ogurzezë, e cila është më e keqe se çdo luftë. Një tjetër zezonë duket se po spikat në horizont. Është shumë e mundur të përballemi me një alternativë: një marrëveshje paqeje me serbët, ose një prishje e marrëdhënieve me miqtë tanë, me ata që na kanë ndihmuar në ndërtimin e shtetit dhe ruajtjen e lirisë.

Dhe, liria e jonë kurrë nuk mund të jetë e plotë pa miq, të cilët na udhëzojnë të bëjmë paqe me fqinjin tonë verior, me serbët; këtë fqinj mizor, i sertë, keqbërës, vrasës. Miqtë sikur na thonë se fqinjësia me serbët është destinim, është punë fati dhe se asnjë komb nuk e ka luksin të zgjedhë fqinjët e tij. Ne kurrë nuk do mund të prosperojmë pa bërë paqe me serbët. Vet nocioni ’paqe’ nënkupton lënje anash e hasmërive mes dy palëve. Njeriu nuk bën paqe me mikun. Paqja bëhet me hasmin, me atë që je ‘vra dhe pre’.

Ashtu sikurse lufta, edhe paqja nuk bëhet pa vullnet; pa qenë trim, pa vizion politik. Një politikan i mençur, i çliruar nga mendësia autoritare dhe mbi të gjitha humanist e di se arritja e paqes nuk është e lehtë, por nuk ka alternativë. Ky lloj politikani e di që detyra e politikës është të zgjidhë probleme; e zgjidhja e problemeve kërkon ide të guximshme dhe 'zgjidhje provuese të guximshme'. Sa më i ndërlikuar të jetë një problem, aq më e guximshme duhet të jetë 'zgjidhja provuese'. Nuk mund të ketë kurrë një zgjidhje ideale, por vetëm një 'zgjidhje provuese' e cila mundëson vazhdimin e jetës dhe parandalon humbjen e qoftë edhe një jete njerëzore. Është krim të humbasësh jetë njerëzish për një problem që është ekskluzivisht politik.

Prandaj, paqja me serbët është e nevojshme. Mund të jetë një gabim i pafalshëm nëse kjo nuk bëhet sot. Le të lutemi që kryeministri ynë ta bëjë këtë. Por ndoshta edhe ai duhet ndihmuar që të mos bjerë në grackat e mendësisë autoritare, sepse përvoja na mëson se mendjet autoritare zakonisht i zbulojnë gabimet politike shumë më vonë seç duhet dhe më pas mund të bëjnë gabime edhe më të kushtueshme. Autoritarëve u mungon dëshira dhe vullneti për të shqyrtuar në mënyrë kritike politikat e tyre; e gjithë qasja e tyre është antiracionale. Të ‘kurthyer’ në baltën ideologjike, duke qenë të ngurtë në bindjet e tyre, regjimet autoritare edhe mund të sjellin progres (siç po trumbetohet nganjëherë), por një progres të 'mavijosur', të ngadaltë dhe shpesh me kosto të lartë.

https://www.facebook.com/profile.php?id=828092747