E enjte, 01.12.2022, 03:05 AM (GMT)

Kulturë

Syrja Etemi: Figura e Musë Arbanasit në folklorin tonë burimor të Pollogut

E diele, 20.11.2022, 07:48 PM


FIGURA E MUSË ARBANASIT NË FOLKLORIN TONË BURIMOR TË POLLOGUT

Shkruan: Syrja Etemi

Kemi dëgjuar këngë e këngë...Kemi përshkuar vise e vise ku, rrëzëllimat e inkurajimit akoma prafullojnë në kurreshtjen e atyre pasionantëve të harlisur, të cilët i ushqen shpresa se, folklori ynë burimor , kënga jonë e lashtë dhe e stërlashtë, akoma po mbahet në jetë. Na pëshpëritë pupthi te veshi si një nanurisje herë të përhumbur e herë e shpërfaqur me nuancat sa të dukshme e ashiqare, po aq edhe të hijëzuar e të mjegulluar; sa mistike e fantastike aq edhe reale , e gjallë dhe jetike. E tillë është edhe kënga namëmadhe që i dedikohet një personazhi a figure mjaft komplekse dhe, shpesh të mbushur e stërmbushur me elozhe e plot lavdi, por shpesh edhe të poshtëruar, të stigmatizuar dhe të nëpërkëmbur, duke i mveshur edhe nofka me kuptime pezhorative si Musa “Kesexhia” - nga ana e komshinjve sllavë, Mus’ “Arbanasi” (në sensin ofendues), e madje-madje -si “kopil” - nga ana e anadollakëve.

Bëhet fjalë për këngën Mus’ Arbanasi, e cila është kënduar në vitet 60-ta e 70-ta në zonat tona arbërore të Pollogut, e, më konkretisht - në Kopanicë nga rapsodët: Avdil Emurllahi (lindur në vitin 1920) dhe Riza Emurllahi po ashtu nga fshati Kopanicë të Tetovës. Këngën e kam shënuar nga Tahir Vejseli dhe që e kam publikuar në vitin 2017. Këngën në fjalë me 280 vargje e kam të evidentuar dhe përfshirë në librin tim me këngë nga trojet shqiptare të Ilirisë, e cila është kënduar në formën: a kapella, ose me kavallë.

Pak shoshitje historike

Kush është në fakt Mus’ Arbanasi?

Këtu, sigurisht, kjo figurë është Musë (Qesexhia)-princ, i biri i Sulltan Pajazitit, dhe nga viti 1409 deri më 1413 ka udhëhequr luftën për pushtet me vëllezërit e vet dhe vdes më 1413. Në këtë luftë fiton vëllau i tij, Mehmeti, prandaj qarqet udhëheqëse në Turqi ushtronin një propagandë të paparë kundër Musës, duke e quajtur atë tradhtar, rebel dhe qesexhi, i cili epitet u përhap edhe tek popujt tjerë të Ballkanit dhe, me ç’rast , përkundër propagandës së pushtuesit, popullata e rrezikuar e këtyre trojeve, e sidomos popullata shqiptare (arbanase), këtë figurë apo personazh e personifikonte me epitete si kreshnik me një fuqi të jashtëzakonshme, i cili ka edhe tre zemra; për arsye se Sulltani, i cili e ka quajtur edhe “arnaut” (Arbanas), nuk arriti të del në krye me të, gjoja thirr në ndihmë Kralat e Serbisë, sidomos Marko Kralin (vazal i osmanëve) që ta luftojë Musën. Takimi apo mejdani i parë në mes këtyre dy kundërshtarëve ka ndodhur diku në Grykën e Kaçanikut, ashtu siç thotë Nedim Filipoviç në publikimin: “Princ Musa dhe Sheh Bedredini”. (Botuar në Sarajevë më 1971, fq. 118, 351).

Por, shikuar në aspektin historik, në shumë këngë epike sllave, këndohet apo thuhet se Krali Marki e vret me topuz Musën. Këtu kemi të bëjmë me një paradoks të llojit të vet, sepse, shtrohet pyetja: Si është e mundur që “Krali” ta vrasë Musën kur ky i pari vritet në betejën e Rovinit në vitin 1395 nga Vojvoda i Valakisë (Rumanisë jugore), i quajtur Mirçe Vojvoda, bashkë me vazalin tjetër të Turqisë, bullgarin Konstantin Dejanoviç?! Nga ana tjetër, Musa (18 vjet më vonë - 1413), vritet në betejën e Novobërdos, në luftën qytetare të udhëhequr nga vëllai i tij Mehmeti, në bashkëpunim me përkrahjen e Stefan Llazareviçit, i cili edhe ky luftonte kundër kushërinjve të vet - me nipin Gjergj Brankoviqin.

Kush është Krali Marki?

Ky është personalitet historik (që sllavët e kanë shndërruar edhe në një figurë legjendare), i cili ka jetuar në viset e Maqedonisë së sotme, që, pas vdekjes së babait Vukashin (Vollkashin) në luftë kundër Turqisë në vitin 1371 te lumi Marë (Marica), ky bëhet kral i Maqedonisë- me qendër në Prilep (1371-1395, por kuptohet, në të njëjtën kohë, duke njohur pushtetin e Sulltanit, bëhet vazal i Turqisë.

Kjo figurë historike, me popullaritetin e tij, në këto vise të Ballkanit hyri edhe në këngët popullore, jo vetëm ato sllave. Sidomos janë të njohura këngët epike: “Gjurgja shtozovallja”, “Erina shtozovallja”, “Marki me Arapin e Zi” (Me ç’rast me emri A r a p , mendohet në zezakët, të cilët, bashkë me Turqinë vijnë si robër lufte apo për të luftuar e, që në popull njihen edhe si ekzekutorë-me pamje të vrazhdë e të frikshme dhe mjaft brutale, që “nga hundët u del tym e mjegull e xixa nga sytë...”

Një ndër këngët epike më të njohura e më të popullarizuara në këto treva është edhe “Musa Qesexhia e Krali Marki” ose anasjelltas. Këtyre të dyve u dedikohet dyluftimi i famshëm ballkanas, të dy të anatemuar nga Perandoria otomane, që nuk mbet pa u përfshi edhe në letërsinë tonë gojore, pasi ngjarja ndërlidhet edhe me shtrirjen gjeografike ku kanë jetuar dhe jetojnë edhe shqiptarët, e të cilët i janë ekspozuar dy rreziqeve: edhe nga Kralat e Sebisë, edhe nga invazioni otoman në këto troje. Sipas këngëve të shumta madje edhe të kësaj kënge, dhe sipas gojëdhënave të shumta në popull, beteja është zhvilluar në Kaçanik.

(Transkribuar nga autori i shkrimit, S.E.)

Musa Kesexhija e Kraleviç Marku

Pej pleqt e moçëm e kom ndiguo qet hiqaje: Jon kon ni vakt dy eshkie te mdheja. Qat here njerz azgën jon kon. Dit për dit hajshin ka ni dash e pikan ven me shek. Njoni e kish pas zapuo honen e kishave t’Karadakut, atje ka Çuçeri e Bllacë. Musa Kesexhija e pat zapuo xhaden e Kaçanikut. Ni mudet e kishin pas da granic, tevona ni dit erdh Musa Kesexhija e thir Markun n’mejdan. Te dy erdhën me atllara tu dy lisa n’udut Çuçerit. Aty u kan nxhit kunjat e e kan lidh kuval’ (Pej qata dy kunjat jon bi ata dy lisa qi ditën e sodit hala jon aty) e jon kap. Tu e përla, tu e përla jon ra n’xhade, skej Lepensit. Musa e kish pas qit Markin n fundi, e qat’her Marku e ka nxir hanxharin, e e ka ther Musën, e ja ka derdh zorët. N’vend ku ja kan dal’ zorat e ka bi fiç. Fiç jon hala, fekat qetash qata fiçat jon t’egër. Qe aty hallku po thot qi osht Vora e Musës.

Nga Kaçaniku

Shënoi Gl. Elezoviç

Në vend të përfundimit

Meqë mësipër paraqitem tekstin e këngës në tërësi, këtu nuk do të kridhem shumë në aspektin historik të kohës së karakterizuar me vlime dhe intrigat pushtetore të paimagjinueshme, por do të akceptoj me pak fjalë rrethanat në të cilën lindi kënga dhe rolin e saj në folklorin tonë burimor. Pra, konteksti është i qartë nga ajo që përshkruan vet teksti dhe sqarimet që dhamë, kurse rolin e saj e gjejmë te vet lashtësia dhe vjetërsia e këngës, e cila me siguri se duhet të jetë 500 apo 600 vjeçare, sepse këtë e dëshmojnë primesat që kanë të bëjnë me toponiminë e përdorur, e cila lidhet ngushtë me gjeografinë e këtyre viseve të Pollogut dhe Kardakut, si: Kaçanejk (Kaçaniku i sotëm në R. e Kosovës), Krejenejki (Kryeniku), Arbinoa (afër Jegunocit), Vardari, Lipeneci (Lepenci), Katund’ i Bardh, Kodr’e Bardh, Lugji, Grika (Gryka) etj. Prandaj, qëllimi i prezentimit të kësaj kënge indicon edhe në vet faktin apodiktiv të shënjestrimit të neglizhencës sonë karshi vlerave tona që i kemi dhe, se, sa inert ndjehemi në përqasjen dhe kultivimin e tyre. Le të ngelë kjo klithje edhe një apel për të gjithë folkloristët qoftë profesionistë, qoftë amator, të gjurmojnë, të pikasin dhe t’i evidentojnë ato dhe t’ua përcjellim brezave që do të vijnë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora