E diele, 27.11.2022, 12:38 PM (GMT)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Shuk Orani, një artist i kompletuar që nderon veten dhe shqipfolësat

E shtune, 19.11.2022, 06:59 PM


Shuk Orani, një artist i kompletuar që nderon veten dhe shqipfolësat

Nga Shyqyri Fejzo

Një  ditë të bukur Nëntori (nga ato që rrallë ndodhin në Hamburg në këto ditë vjeshte e prag dimri), të ftuar nga artisti piktor Shuk Orani, vizituam studion dhe ekspozitën e tij në BALLINDAMM 17,20095 HAMBURG. Shuk Orani është një artist me origjinë nga Kosova i cili jeton nga viti 1995 si artist i pavarur  në Gjermani(Hamburg). Ne ishim katër vetë nga tre shtete të ndryshme që flasim e shkruajmë gjuhën e bukur shqipe. Ishte bisnesmeni e patrioti Xhelil Musa me origjinë nga Kosova, Sadbere Emshiu me origjinë nga Maqedonia e  Veriut dhe Silvana Gjekmarkaj e Shyqyri Fejzo nga Shqiperia. Së pari u befasuam nga salla e madhe e ndriçuar bukur ku ndodheshin të ekspozuara veprat e piktorit, artistit Shuk Orani si dhe mjetet e punës të tij;  dhe së dyti u befasuam e lumturuam kur dëgjuam se sa të pastër sa bukur e shqiptonte ai gjuhën shqipe që mund ta merrje  pa dyshim për një aktrim të përkryer.

Pas prezantimit, biseda nisi e qetë, ku artisti po tregonte veprat e tij të ekspozuara aty, të cilat duhet thënë për hir të së vërtetës, se ato janë një bukuri e rrallë, dhe zënë një sipërfaqe të pa imagjinueshme për syrin tonë. E themi që në fillim se artisti Shuk Orani lëvron kryesisht stilin abstrakt dhe neo-ekspresionist me disa veçori në krijimtarinë e tij të begatë. Kështu, përsa pamë e dëgjuam për rreth dy orë së bashku, mund të themi pa u gabuar se pikturat e tij kanë gjallëri nga brenda, janë impulsive. Aty bashkëjetojnë edhe qetësia absolute shlodhëse për syrin, edhe shtërgata që mund të shpërthejë nga minuta në minutë. Ato zhvillohen me një dinamikë tërheqëse dhe interesante, duke na përcjellë ksisoj përshtypje estetike unike. Në thelb të punës tij me pikturën mund të konkludojmë se artisti Shuk Orani ka një qëndrim të kundërt e kritik për çorientimin e njeriut dhe mungesës së vullnetit, ndjenjave dhe intuitës, stresit, dukuri të cilat sot në botën e qytetëruar kanë marrë vend e rol të veçantë dhe shqetesues. Atë(si duket) e mundon  dhe e lodh kjo mungesë në rritje e vullnetit e cila në thelb, shkakton një reduktim të dimensioneve të realitetit. Këtij realiteti të diskutueshëm  Shuk Orani i kundërvihet me kujdes e finesë përmes mundësive të reja të perceptimit, nëpërmjet artit të tij.

Veçori e veprave të tij, mendojmë se është formati i madh. Në këto formate  vizitorit më të thjeshtë do i bjerë në sy  ngjyra blu e qartë e cila shpesh kombinohet e vende-vende mbulohet dhe me të bardhë. Veçori përsa i përket kombinimt të ngjyrave, është fakti se ato janë të mbivendosura me shumë kujdes dhe të nderthurura në mënyrë jo të ndjeshme për syrin, duke i ofruar çdo shikuesi një strukturë imagjinare kompakte. E themi pa ndroje se ky objektiv është arrirë më së miri nga autori. Kur pashë  dhe u njoha me veprat e tij, m’duk sikur vetja ishte midis një rebusi të komplikuar midis qetësisë dhe  stuhive e rrebesheve të forta qiellore. Në këtë pikë më duket se konvergojmë me artistin piktor. Sa herë që qielli buçet e afrohet stuhija me shira, erë e gjëmime, kam dëshirë të hap dritaren të shikoj e ndjej atë që ndodh në natyrë. Se, e di, e marr me mend që pas stuhisë vjen një qetësi e bukuri e rrallë, ku natyra ka larë vetveten dhe tani gëlon për jetën. Piktori e ka kapur këtë, mbase pa e ditur. Ndoshta e ka imagjinuar, ndoshta e ka ndjerë, nuk arrita të futem “në lëkurën e tij” për këtë. Eshtë një sensibilitet që e kanë vetëm mjeshtrit e vërtetë.

Me sa vihet re, Shuk Orani ka një njohje të hollë e të thellë për ngjyrat dhe ai luan shumë bukur me to duke na dhënë kënaqësi të veçanta estetike. Për problemet e zhvillimt të sotëm të artit dhe të kulturës Shuk Orani ka mendimet e veta,një pjesë të cilave i përcjellim dhe në këtë shkrim.

Mendime. Për pavarësinë dhe vërtetësinë e krijimit..

“Çfarëdo forme e krijimtarisë artistike që bazohet në një ideologji të momentit, politike apo çfarëdo qoftë ajo, nuk mund të ketë kurrë njëherë legjitimitetin e vërtetësisë së veprës dhe vlerës se përgjithshme për t`u emëruar…”Për kritikën ndaj artit dhe venitjen e saj…“… Ndërsa kritika në këto raste prevente do ndikonte indirekt edhe në zhvillimin e “drejte” te artistit bazuar në vlerë ndërkombëtare.”     Për strategjinë dhe standartet e krijimit…“… Krijimi i një koncepti nacional për artin dhe kulturën i percjellë me një strategji afatgjatë bazuar ne stadardet e vlerësuara botërisht dhe plotësisht e pavarur nga ky lloj politike që po përjetojmë.”

Në bisedë dhe këmbim të mendimeve u ndalëm dhe problem të tjera, siç është frymëzimi, tema e fabula e ndonjë vepre etj. Edhe në këto probleme artisti piktor ka bindjet dhe mendimet e veta. Ai gjithnjë, për çdo krijim ka mbledhur material dhe krijuar qartësi mendimi të pjekur se ku do dalë e çfarë të arrijë. Kështu shpreh mendimin se frymëzimin e merr  jo vetëm nga realiteti, por edhe abstragon, shtrin imagjinatën në thellësi dhe lartësi dhe prej aty nis e vazhdon punën për atë që do të krijojë. Qartësi e mendimit është një anë themelore e arritjeve të një objektivi. Por është dhe këmbëngulja ajo që bën të realizohet një objektiv që merr autori. Në këtë aspekt Shuk Orani nuk bën lëshime. E kjo të bie në sy nga veprat e shumta të realizuara, nga ekspozitat e çelura dhe të vizituara në shumë vende.

Një përzgjedhje e gjerë e veprave të tij mund të shihet në ekspozita anë e mbanë botës. Prej ekspozitave në vendlindjen e tij, në Prishtinë, deri tek ekspozitat në institucione prestigjioze të tilla si Muzeu i Artit Bashkëkohor-Pekin dhe deri në Muzeun e Luvrit në Paris, New York në galerinë  “NYA Galery” etj. Veprat e tij janë të përfaqësuara gjithashtu në koleksione private dhe publike në mbarë botën. Ndahemi me dashuri dhe mall me këtë artist piktor të talentuar patriot krijues virtyoz në fushën e vet, me të cilën ka nderuar veten dhe gjithë shqipfolësit kudo ku janë, duke shpresuar që  ekspozita me veprat e tij të vizitojmë dhe në Shkup e Tiranë.

Shyqyri Fejzo

Publicist

Hamburg, Nëntor 2022



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora