E diele, 27.11.2022, 11:24 AM (GMT)

Kulturë

Albert Vataj: Panairi i Librit dhe unë

E shtune, 19.11.2022, 06:55 PM


Panairi i Librit dhe unë

Nga Albert Vataj

Prej disa vitesh, Panairi i Librit më gjen pa para të mjaftueshme për të qenë vizitor dinjitoz i tij, ose për të shkuar me pavramendjen se sa shpenzova dhe se çfarë më mbeti merak.

Edhe ky panair, që shënon i 25-ti, 16-20 nëntor, erdhi duke më gjetur dhe mbajtur përdhunshëm larg, si një rregullthyes që e kyçin në izolim. Për një si puna ime, që e ka librin shqis shtesë të se ndertimit anatomik, kjo është një sprovë e vërtetë sfide. Por, i vura zemrës një gurë, të rëndë sa një mur.

Varja thash... e cili jam unë që të merret në konsideratë, mungova apo isha prezent në këtë manifestim gjigant, ku për fatin e keq më fitimtarët janë vlerat më të diskutueshme. Po i shtyja këto ditë panairi me mëndjen e zemrën atje, e trupin të kredhur në torturën mizore të çdoditshmërinë e rutinës.

Deri sot, një ditë para finales, kur me përmendi telefonate e Ndriçim Kullës së “Plejad”, i vetmi që e kishte vënë re se unë i kisha munguar librit dhe sofra e madhe e librit më kishte munguar mua. Çimi, si krijues dhe gjithëçmos i dhënë me mishe me shpirt një kontributi të denjë dishepuj, por edhe si botues, nuk më tha fjalë të mira rreth pranishmërisë dhe blerjes së librit. Nuk më erdhi mirë, u zemërlëndova, por nuk u befasova nga situata ALERT që ai dha.

Kur të gjithë lexuesit dhe ata që kanë nxënë të shkruajnë shqip ngulmojnë të kenë emrin e tyre në kopertinën e një libri, nuk e di se kujt i mbetet leximi, të menduarit dhe reflektimit prej kësaj prekje të hyjshme.

Me gjithë këtë batërdi publikimesh dhe e gjëmime topash, betejash të fituara, gjeneralësh triumfatorë, mbretërish të kurorëzuar, ai pompozitet e qiell rënduar në lavdi, hamenda e besova, se më në fundë libri rilindi dhe ne me shpirt të thekur prej ateisti ju blatuam shenjtërisë së tij, për të shpëtuar veten dhe botën.

Por jo, e gjithë kjo ngrehinë imagjinate ishte vetëm në rrjetet sociale, me pak gjas të jetë në ato metra katror ku libri shqip feston në kremten e përvitshme dritën e dijes dhe shpirtjen e së dlirës, të bukurën dhe të lartësuarën prej fjale dhe letre.

Nejse...

Për mua dhe shumë si unë, që blejnë hera-herash duke shpenzuar edhe paratë e bukës, çfarë ndryshimi pretendon të sjell panairi i librit më shumë se ai i produkteve bujqësore apo tollovive politike.

- Çfarë?!

- Të takosh dikënd?!

- Mirë, nuk është ide e keqe kjo.

Por zakonisht do të takosh persona, të cilëve duhet të kesh mirësinë ti bësh të ndihen të rëndësishëm, ndërsa ke nge t’i dëgjosh. E njëjta gjë më pëlqen edhe mua, por kurrë nuk kam guxuar kaq shumë.

Panairit i ka mbetur edhe një ditë të ulë siparin dhe të tregojë arritjet që gjithashtu janë shifra dhe fakte, çmime dhe përdëllime, çoka e çukitje, autografe e autogola, autorë të rinj e lexues si unë që soditin nga larg.

Në një të tashme që çdo gjë ofrohet si një mall, puna më e mençur që të mbetet të bësh është ta mbash shpirtin sa më larg kësaj molepsjeje dhe pranin sa më larg këtij toksikimi.

Pikëllueshëm nga unë Albert Vataj



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora