| E enjte, 17.11.2022, 08:55 PM |
HAPJA E SHKOLLËS PRIVATE NË GJUHËN SHQIPE NË SLLATINË TË TETOVËS
Shkruan Syrja
ETEMI
Si gjithkund ndër trojet shqiptare, ashtu edhe tek shqiptarët e Iliridës,
si: në Ohër, Strugë, Dibër, Rekë e Epërme e, në veçanti - në nahinë e Tetovës, pikërisht në
Shipkovicë me Rexhep Vokën, madje edhe
në Sllatinë, nevoja dhe dëshira e zjarrtë për t’u arsimuar apo për të pasur
shkollën shqipe, ishte po aq e madhe sa edhe nevoja dhe dëshira përgjëruese për
lirinë. Përpjekjet dhe sakrificat e popullit tonë për realizimin e këtyre
aspiratave ishin konsistente. Populli ndjente fuqinë e dijes, andaj e kërkonte
atë duke paguar edhe me çmimin më të lartë dhe më sublim. Patriotët dhe
arsimdashësit që u vunë në shërbim të dëshirës së përflaktë për të pasur
shkollë e edukim në gjuhën shqipe, u ballafaquan me rreziqe të mëdha në
hapërimin e tyre, e disa nga ata
sakrifikuan edhe veten.
Njeriu më meritor që nuk hezitoi për të realizuar ëndrrën gëluese
për të pasur shkollë shqipe, apo për të mbjellur farën e gjuhës shqipe në
fillim të shekullit XX, në Sllatinë të Rrethit të Tetovës, padyshim ishte hoxha
i fshatit, Osman ef. Abdullahi.
Të dhëna biografike për Osman Efendi Abdullahin
Pollogu gjithmonë ka lindur njerëz të cilët e kanë identifikuar dhe sfiduar
kohën. Njëri ndër ta është edhe Osman Efendi Abdullahi, i cili u lind në
Sllatinë në vitin 1888 në një familje të njohur për edukim dhe arsimim, sidomos
atë fetar. Që si i vogël i bie në sy me zgjuarësinë e tij kushëririt, Ismail
Efendi Saiti, i cili ishte Shef i Katedrës Teologjike në "Fati" të
Stambollit. Kështu në librin: “Çështje gjuhësore", Dr. Remzi Nesimi,
shkruan: "Nga Tetova dhe rrethi i saj, përveç Rexhep Vokës që njihet si
veprimtar i shquar, në Stamboll ishin shkolluar edhe Selim Efendi Sheapi, Osman
Abdullahi nga Sllatina e shumë të tjerë, të cilët, të frymëzuar nga idetë e
Rilindasve, e vazhduan me zell punën rreth mësimit të alfabetit shqip dhe të
gjuhës shqipe". Njëkohësisht njihet edhe si bashkëpunëtor i ngushtë i
intelektualit nga Shipkovica, Efendi Rexhep Voka.
Ismail Efendiu e merr Osmanin e ri për ta shkolluar në Stamboll, ashtu siç
janë shkolluar shumica e rilindasve tanë shqiptar. Këtu, efendiu i njohur me
pikëpamjet e tija iluministe, e regjistron Osmanin në Fakultetin Teologjik të
Universitetit të Stambollit, në të cilin studijoi tre vite. Kur i vdes babai, i
ndërpret studimet dhe kthehet në fshat. Është me rëndësi të theksohet se, gjatë
qëndrimit të tij në Stamboll, bëhet vullnetar në anën e ushtrisë së sulltanit.
Kthehet në vendlindje me gradën "toger". Ai meqë kishte mbaruar
Medresenë e Stambollit me sukses të shkëlqyeshëm në vitin 1906, po në Stamboll,
pos mësimeve fetare, siç cekëm më lartë, kishte lexuar edhe Rilindasit tanë që
vepronin në StambolI. I motivuar nga
veprat e tyre patriotike e atdhedashëse, tek ai edhe më tepër i ndizej dëshira
e madhe për arsim në gjuhën shqipe, edhe
pse kushtet dhe rrethanat
e atëhershme ishin mjaft të vështira për
veprim e për të hapur një shkollë shqipe
ku do të arsimoheshin fëmijët e moshës shkollore të fshatit të tij të lindjes.
Meqë këtë nuk mund ta bënte në ndonjë objekt arsimor të finansuar nga shteti,
ai e shndërroi shtëpinë vet në shkollë (që e themeloi më 1912) , ku mblodhi
disa fëmijë dhe u jepte shkrim-këndim në gjuhën shqipe.
Pos këtij aktiviteti, në grahmën e fundit të Perandorisë Osmane, me
ndryshimin e kushteve dhe rrethanave tjera shoqërore e politike, më vonë do
të punojë edhe si profesor në shkollën:
"VELIKA MEDRESA" të Shkupit, ku mësohej edhe lëndë shkencore. Me
themelimin e shkollës fillore (1932) në Leshkë, tani më me përvojë solide prej
pedagogu, do të punojë me honorar: me nga dy orë në javë. (Këtu mësimi
zhvillohej në gjuhën serbe edhe për fëmijët shqiptarë, kurse Osman efendiu
mbante ligjërimin në gjuhën shqipe). Kështu, me punë arsimore ai u morr deri në
fund të jetës së tij, deri më 1939. Ka
njohur për mrekulli, përveç gjuhës shqipe, edhe gjuhën turke,
franceze dhe serbo-kroate.
Shkolla fillore në Leshkë, ku është edhe Osman Ef.
Abdullahi. Fotogafi e vitit 1932
Puna e tij e palodhshme, qoftë si edukator i mirëfilltë, qoftë si veprimtar
i devotshëm, nuk shihej me sy të "mirë" nga pushteti i atëhershëm dhe
gjithnjë ishte në shënjestër të pushtetit. Por, pa marrë parasysh këto
obstruksione pushtetore, por edhe "anatemat" klerikale të kohës, ai
nuk dorëzohej e servilohej. Ai bagazhin e madh të mësimeve që e kishte fituar
gjatë shkollimit, e vinte në funksion të shpjegimeve të shumë fenomeneve e
problemeve, të cilat binin ndesh me paragjykimet predomionante të kohës. Por,
sido që të ishte, do të thoshte hoxha: "Toka është e rrumbullakët, dhe se,
ajo sillet rreth boshtit të vet dhe rreth Diellit. "Shpjegim ky që, për
atë kohë ishte në kundërshtim me dogmat dhe predikimet e shumë klerikëve
profanë, qofshin ata myslimanë, qofshin të krishterë.
Që në atë kohë kur shqiptarët e këtyre viseve e quanin veten "turk
elhamdulilah", Osmani i jepte përparësi kombit e mandej fesë. "Pa
vatan nuk ka iman", do të shprehej pa mëdyshje efendiu i madh, i cili gjithnjë
e më tepër zgjeronte miqësinë me njerëzit më me ndikim në këto treva. Ai,
përveç që shoqërohej me persona me influencë në fshat, si me Jusufin e Muçës,
Mulla Ferikun etj. bashkëvepronte edhe me Mulla Veselin e Nerashtit, me Selim
Sheapin nga Tetova, madje Ismail Spahiun, Idriz Ibrahimin etj.
Mulla Osmani kurrë nuk ka qenë klerik fanatik, por gjithnjë ka qenë
luftëtar i rreptë kundër disa klerikëve dhe interpretuesve të verbër e
injorantë. Mundohej që njerëzve të kredhur në skëterrën e paditurisë t'u
shpjegonte gjërat dhe dukuritë në mënyrë shkencore, pasi këto njohuri ai i pat
fituar që në Kolegj, nga lëndët: gjeografi, matematikë, astronomi, Kur'an etj.
Këto ide për kohën e atëhershme ishin "paradokse" dhe
"laike" por nuk vononte shumë dhe të gjitha "heretizimet"
dhe "profkat" e Efendiut të madh, shndërroheshin në realitet.
Ai, përveç literaturës fetare, siç përmendëm edhe më sipër, me ëndje të
madh lexonte librat e Rilindasve tanë e, në veçanti ato të shkruara me
alfabetin turko-arab. Prandaj, qysh atëherë u frymëzua thellë me idetë
iluministe që burimin e kishin në Europën e përparuar, e në veçanti tek
iluministët francez. Kështu, duke kuptuar rëndësinë e arsimit për civilizimin e
një populli, Osmani qysh në vitet tridhjetë (në kohën e Serbisë) e shkolloi
djalin e vet: Hysniun.
Prandaj, mund të përfundojmë se madhështia e punës dhe veprimtarisë së
Osman Abdullahit, nuk qëndron vetëm në konsistencën dhe konsekuencën ndaj
idealit dhe botëkuptimeve të tij, por edhe në papërkulshmërinë kundruall
ndërkombëzave intriguese të regjimeve të huaja dhe linçimeve të klerikëve të
instrumentalizuar.
Për atë që bëri ai, bashkë me veprimtarët që përmendëm, sot duhet të
kujtohet me respektin më të madh nga
brezat e këtij nënqielli.
Rrethanat historike dhe shoqërore-politike që ndikuan në
themelimin e shkollës private shqipe
Për rastin e themelimit të shkollës në gjuhën amtare në Sllatinë, më së
pari duhet kuptuar rrethanat shoqërore politike të kohës, të cilat favorizuan
çeljen e saj.
Do të kridhemi pakëz në histori…
Meqë më 17 qershor të vitit 1912 qeveria e Sait Pashës ua lëshon
vendin liberalëve, për të cilën edhe
cekëm më sipër, kryengritësit shqiptarë
parashtruan disa kërkesa (peticion) me një program prej 14 pikësh, në
mes të cilave edhe pika (kërkesa) për
Mësimin e lirë të gjuhës shqipe dhe organizimi i shkollave private shqipe.
Qeveria turke, e gjendur nën presione të
shumanshme, e sidomos nga frika se mos
përhapet kryengritja edhe në vendet tjera nën Turqinë, u pajtua të
pranojë 14 pikat e parashtruara të kryengritësve shqiptarë (në përjashtim të
vetëm dy pikave: 1. që kishte të bënte
me kthimin e armatimit të konfiskuar
dhe 2. gatishmëria, përkatësisht mosgatishmëria për të dënuar dy
qeveritë pararendëse të xhonturqve).
Duke marrë parasysh pikat të cilat kanë të bëjnë me “lejimin e hapjes së
shkollave private në gjuhën shqipe”, Osman Abdullahi, si një personalitet i
cili njihte mirë rrethanat e krijuara të kohës, në kushtet e pamundësisë për
ndërtimin e ndonjë objekti - shkollë, ku do të shërbente për mësimin në gjuhën
“e nënës” të vogëlushëve sllatinasë (por edhe të fshatrave përreth), ai adaptoi
një dhomë në shtëpinë e përbashkët me kushërinjtë e tij.
Prandaj, kjo gjendje nuk do të ndikojë te
efendiu që ai të “vajtonte” situatën e të humbte kohën mjaft të çmuar. Ëndrra e tij,
patjetër të realizohej, përkundër gjendjes së vështirë ekonomike e sociale:
“Një mashën me kashtë do të ndërtoj, vetëm fëmijët shqip t`i mësoj” , do të
citonte ai Rexhep Vokën, dhe do të
shtonte:
“Buk` e krejp du ham, gjene, e po t` rojm` në k`solla,
Për talebe, si kejt dunjaja, t`bojm mektep` e shkolla.”
Kështu, i frymëzuar nga shkrimet e Vokës, nga njëra anë, e duke ndjerë
gjendjen e rëndë ekonomike e sociale në anën tjetër, Mulla Osmani ishte
konsistent dhe me vullnet të fortë për të bërë diç për popullin e tij, pa marrë
parasysh situatën e krijuar nën këto
kushte e rrethana, duke porositur katundarët: ”Do t’vijë nji kohë, ku buk’ e
gojës, nuk do të fitohet vetëm me shat, por edhe me shkollë e kalem”...
Letër e shkruar nga Osman Abdullahi me alfabetin
turko-osman
(“Kujtim nga rinia ime,Mësusi,Osmani i biri i
Haxheres,13.10.1926)
Pretendimet e Osman Abdullahit për
çeljen e shkollës private në gjuhën shqipe, jo vetëm që nuhateshin nga
bashkëpunëtorët që e nderonin dhe kishin besim në konsistencën dhe zotësinë e
tij, por, hapi i tij ndiqej edhe me dozë dyshimi dhe injorohej nga shumë njerëz
të mashtruar, e, që, në mënyrë të verbër u bënin “temenara” me plot elozhe
krerëve “religjiozë”, të cilët pretendonin se ndiqnin rrugën e “Zotit” dhe
“qitapet” e shenjta, dhe që shumica prej tyre nuk kishin as ndjenjën minimale
kombëtare. Hoxha, sido që të “pandehej” nga njerëzit e profesionit të tij të
bukës, ai kishte pasionin dhe vizionin e tij të qartë. Mund të thuhet se ai
ishte “shumë para kohës”, që, shumica dërmuese e popullatës, jo vetëm
sllatinase, por edhe më gjërë, as që e kishin të qartë konceptin e kohës dhe
hapësirës ku jetonin. Ai do t`i qëndrojë konsekuent idealit të tij; do të
ndiqte “yllin polar në horizont…” madje,
do të provojë edhe praktikimin e metodave konspirative efikase për veprime të efektshme në ilegalitet, të paktën
të mos “pikasej” nga “argatët” e Padishahut, të cilët kurrë nuk derdhën as një
pikë energjie në dobi të kombit e të çështjes kombëtare në përgjithësi, që në
shumë raste kur gjenin “qemallin”, sidomos në
drekat dhe darkat që organizonin njerëzit e thjeshtë e të varfër (në
emër të ceremonive fetare, si mevlude e hatme,etj.) nga 10 herë i shtinin në xhehnem e 9 herë e nxirrnin nga ky Ferr.
S`dinin tjetër veç “dersit” me gjuhë të farmakosur që vjellte vetëm lemeri e
frikësime mbi popullatën edhe ashtu të molisur e të raskapitur nga sundimi i
huaj. Në çdo takim të kësaj natyre, populli apo turma e pafajshme “qerasej” me zjarr e flakë, që do ta gjente në botën tjetër të Xhehnemit. Këto dumatje e
shantazhe përplot horrore e terrorizime, dhe shumë tmerre e ndëshkime tjera
psikologjike, që topitnin gatishmërinë e po këtij populli të pashkolluar për të
çuar kokën lartë për të parë botën me sytë
dhe të rezononin me trurin e tyre, Mulla Osmani, jo vetëm që nuk i
gjente në fjalorin e tij të ligjërimit me njerëzit e thjeshtë, por ai e
luftonte aq sa mundej këtë “retorikë frikësuese”, me të cilën ligjëronin disa
shërbyes fetarë, si në Sllatinë, por edhe më gjërë.
Në vorbullën e këtij mentaliteti të krijuar në popull, Efendiu i Madh duhet
të merr hapin e guximshëm për ndryshimin e kësaj mendësie. Vetëm me “edukimin
e mendjes, me dritën e fiqirit, njeriu do të sheh dhe do të shkojë përpara,”
do të thotë teologu i shquar. Mendja e robëruar nga fanatizmi dhe botëkuptimi i
mykur, nuk mund të rrezatojë dritë e mençuri. Dritë e mençuri përhap shkolla,
arsimi, dituria dhe feja e pastër me njerëz të ditur e të arsimuar. Prandaj,
arsimimi duhet të fillojë nga fëmijët, sepse të moshuarit (të moçmit) më “kanë
shartu shtrembër…” Prandaj, një
njeri më mirë të jetë fare i pamësuar, sesa i mësuar keq”…
Për këtë arsye,ai u thoshte njerëzve që kishte besim:
“Buk` e krip` du ha
se vak`t me hup nuk ka
nji shkollë da
kavetoj
e caullët ship di mcoj…”
Sido që të jetë, kushtet objektive e materiale janë faktorë të cilët mund
të kapërcehen, diku me më pak e diku me
më shumë peripeti e angazhim, por beteja me paragjykimet predominante që kishin
trullosur shumë koka të bashkëfshatarëve të
vendbanimit ku jeton, të zhytur deri në fyt në ujërat e pista të
injorancës, ishte shumë, shumë e vështirë… Këtë fakt Hoxha e dinte shumë mirë,
por ai nuk zbrapste hapin në davaritjen e tisit të zi të skëterrës që po
pllakoste mbi popullatën rezidente të provincës ku jetonte edhe vet. Përkundër
këtyre barrierave, Mullai nuk do të dorëzohet, i mblodhi disa fëmijë (përkatësisht: 7* ) për t’i mësuar në shkollë - shtëpi (sidomos
fëmijët e prindërve që kishte raporte të ngushta dhe që bashkëpunonte).
NXËNËSIT QË KANË MËSUAR NË SHKOLLËN E OSMAN ABDULLAHIT:1.SADIK BEQIR
ASANI (1903), 2.ISLAM ZENDEL IDRIZI(1903), 3.ABDULLAH SELIM
ABDULLAHI (1903), 4.HAKI PAJAZIT IBISHI (1904), 5.RAMIZ IDRIZ
IDRIZI (1904), 6.JUSUF PAJAZIT JUSUFI (1903) , 7.SALI MAHMUT
SALIHI (1902)
Kështu, mësuesi i përkushtuar për mësimin e fëmijëve në gjuhën amtare, nuk do
të lejojë t`i ik nga “bebëza” dielli që Ai
shihte në horizont. Sa për kushtet teknike, ai vet do të adaptojë një
dhomë – klasë në shtëpinë e përbashkët për krejt familjen Abdullahi. Me
bashkëpunëtorët e vet të ngushtë që kishte (Mulla Beqirin, Asan Çaushin, Mulla
Ferikin, etj.), Ai e pasuroi “klasën” me një dërrasë të zezë, 1x2 m. (katrorë)
të përforcuar në mur, në të cilën shkruante me shkumës të kuq prej qeremideje. Edhe puna e fshisave
“llasa” (partall) për pastrim që i siguronte Hoxha, nuk paraqiste problem,
madje as ulëset (shkëmba) për vogëlushët që akomodoheshin e ndiqnin me admirim
mësuesin e tyre, nuk do të sjellnin
kokëçarje, sepse sensi dhe vullneti i Hoxhës dhe ndjekësve të tij për mësim e
dije që dukej si aurorë në kokën e mullait, ishte i fortë, mu si Kepi i Hutit
në Sharrin e lashtë, dhe me këtë do të
demolonte e do të shembte edhe fortesën e gjykimeve të parakonceptuara, që
ishin çmërsuar në kokat e mykta të disa
njerëzve, e prej të cilëve disa
pretendonin bile edhe se janë “të k`nushëm”.