E enjte, 18.04.2024, 10:59 PM (GMT+1)

Mendime

Sokrat Habilaj: Çamëria, një sensibilizim folklorik?

E diele, 28.12.2008, 05:19 PM


Sokrat Habilaj
Sokrat Habilaj
Çamëria, një sensibilizim folklorik?     

Nga Sokrat Habilaj
 
Nëse ka një padrejtësi e cila lidhet me ndarje dhe bashkime të dhunshme territoresh dhe që nuk mund të krahasohet me asnjë prej padrejtësive të bëra në kontinentin plak qysh nga fillimi i shekullit të kaluar, kjo është padrejtësia e bërë ndaj popullit çam. Veçoria e saj lidhet me faktin se ndryshe nga historitë e ngjashme, tek populli çam nuk u mjaftua që t'i diktohej një ndarje, bashkim apo jetesë me dhunë në një shtet tjetër, por e keqja shkoi shumë më larg se kaq.  Pas ndarjes nga trungu i shtetit amë, ndodhi ajo që nuk kishte ndodhur në asnjë vend tjetër, ose e thënë ndryshe në zemër të Evropës u aplikua një variant thuajse i njëjtë me atë të popullit hebre. Nga territoret çame u zbuan me forcë thuajse të gjithë banorët e saj, duke bërë që një populli të tërë të mos i mohohet thjesht lidhja me vendin që i përkiste, por ai do të endej përfundimisht larg truallit të tij, larg varreve të të parëve të tij, larg këngëve dhe vajeve të tokës së tij.

Të gjitha këto dihen dhe janë thënë sa e sa herë, po kështu dihet se për pesëdhjetë vite me radhë çështja çame ishte tabu jo vetëm për politikën zyrtare, por edhe një problem të cilin popullsia çame në vend që ta kishte dhe si një faktorë më shumë që ajo të gjente ngrohtësinë e duhur, shpesh herë e kishte si shenjë evidentuese për përndjekjen e saj. Po duke qenë se këto janë histori të lëna pas, nuk është e re po të thuhet se hapja portave me botën e qytetëruar pas viteve nëntëdhjetë natyrisht që do të sillte një erë të re edhe për çështjen çame. Tetëmbëdhjetë vite nuk janë pak për të bërë një panoramë të ecurisë së këtij problemi, po që në fillim po themi se ajo që konstatohet në lidhje me zgjidhjen e problemit çam nuk është shumë optimiste. Konkretisht, nëse do t'i hedhim një sy kësaj panorame, do të vërejmë tre nuanca që duken se janë më të dallueshme se të tjerat.

Së pari, në të gjitha këto vite dhe nga të gjitha qeveritë që janë ndërruar nuk kemi një politikë dhe një qëndrim zyrtar të përcaktuar qartë, ose e thënë ndryshe kemi një heshtje zyrtare të përcaktuar qartë që do të thotë se nuk kemi fare politikë zyrtare.

Së dyti, opinioni publik në tërësi dhe në mënyrë të veçantë ai çam, është në përgjumje dhe me qëndrime shpesh krejt të vakëta, me debate të panevojshme si të ishte duke kërkuar një nder që duhet t'i a bëjë dikush dhe jo një të drejtë legjitime.

Së treti, ajo që bie në sy është fakti që ne të lodhur nga rrugët e tjera për këtë problem madhor, të krijojmë përshtypjen se jemi duke e bërë jo vetëm detyrën ndaj tij, por edhe duke përkëdhelur sedrën tonë atdhetare thjesht mes këngëve tona të pa fund për një tokë të humbur, këngë të cilat të cilat janë shtuar aq shumë, pra po i japim ngjyra të theksuara folklorike.
Ka tregues të mjaftueshëm për argumentuar më tej tri dukuritë që sapo përmendëm në të cilat (s)manifestohen përpjekjet tona që çështja çame të hyjë në rrugën e zgjidhjes sipas parimeve dhe normave të së drejtës ndërkombëtare.

Qeveritë tona të pas nëntëdhjetës, si kjo e tanishmja, por edhe ato që kanë ikur, kanë pasur dhe kanë një ngurrim të pakuptueshëm kur është fjala për të artikuluar diçka në lidhje me problemin çam. Kjo ka ndodhur dhe kur këto qeveri kanë pasur marrëdhënie të mira me Athinën, por edhe kur ato kanë pasur fërkime mes tyre. Janë acaruar marrëdhëniet, është shkuar deri në ngrirje të tyre dhe akuza të ndërsjella, siç është rasti i qeverisë aktuale në mandatin e saj të parë, por çështja çame nuk ka qenë thelbi i këtij acarimi. Janë afruar në qëndrime dy vende duke krijuar një stinë të ngrohtë miqësie mes tyre, siç mund të përmendim kohën kur ishte në pushtet partia socialiste, po edhe këtë herë në këto marrëdhënie të mira, nuk është gjetur momenti për të folur për Çamërinë.

Si në kohëra urrejtjesh dhe në kohëra miqësie, si në zënka, apo edhe pozicione thjesht indiferente, problemi çam ka mbetur pezull. Edhe kur më pas kanë ndryshuar raportet, kanë ndryshuar edhe pikëpamjet dhe akuzat për "forca politike filogreke" apo "antigreke" të njërës apo tjetrës parti, e vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është apatia e tyre për të folur për problemin çam. Edhe kur ikën një qeveri e cila akuzohej se kishte lidhje më shumë se duhet me Athinën e vjen një qeveri tjetër që ndryshe nga mandati i parë, tani ka të tjera raporte me palën greke, asgjë nuk ndryshon për problemin që po flasim. Përmirësohet klima shqiptare-greke për shumë çështje me përjashtim të njërës. Çamëria përsëri është një tabu. Shumë gjëra dhe veprime politike që dihen dhe nuk dihen mund të jenë të justifikuara, por nuk mund tè mos kuptohet se ai vend me të cilin është i lidhur problemi çam e ka të tejkaluar në ndërgjegjen e vet kombëtare këtë çështje.

Ai shkon edhe më tej duke e kapërcyer edhe fizikisht qindra kilometra këtë problem. Nuk mund të merret ndryshe ngutja e qarqeve greke që herë pas here hapin ca tema debati jo për atje në jugun e dikurshëm të Shqipërisë, por tamam në mes të saj. Me këtë duket se do të thotë se mund të ketë edhe ndonjë zë për problemin çam, por ka edhe ca probleme të tjera shumë më në veri. Kështu ajo formalisht kërkon të qetësojë ndërgjegjen e vet se çështja çame nuk ekziston. E pra në situata të tilla kur ne kemi një plagë të pambyllur, por dhe një fqinjë që jo vetëm nuk e respekton atë plagë përkundrazi e ngacmon jo rrallë, është fare e pashpjegueshëm qëndrimi ynë i heshtur.

Nëse mendohet se kështu ndihmojmë integrimin e vendit dhe mos rrezikimin e së ardhmes së pjesës tjetër të vendit edhe kjo nuk do të ishte një logjikë shumë largpamëse se në fund të fundit e ardhmja e vendit në tërësi nuk mund të kuptohet duke neglizhuar të drejtat më elementare të një pjese të tij. Edhe nëse mendohet se demokracia jonë është ajo që ka nevojë dhe duhet të mësojë nga demokracia greke duke pritur që një ditë që ajo demokraci ta kuptojë vet se problemi çam nuk mund të shtyhet më tej edhe kjo politikë nuk duket shumë bindëse. Ngjarjet e ditëve të fundit të ndodhura në Greqi, tipike për ato vendet që kanë dal nga diktaturat, treguan se ajo demokraci është tepër e brishtë, është një demokraci ballkanike. Në këto kushte çështja çame nuk mund të zgjidhet me një politikë nënshtruese prej nesh, me "mësime që mund të merren nga demokracia greke", por me aksione dhe veprime politike energjike.

Dihet se ajo që e ka pësuar direkt nga gjenocidi grek është popullsia çame e zbuar nga tokat e saj e cila në shumicën e vet dërmuese jeton prej më se një gjysmë shekulli në Shqipëri. Është meritë e kësaj popullsie që si rrjedhojë e punës së saj dhe e talentit të saj ajo jo sot por edhe më parë edhe pse e trajtuar me një sy tjetër, ka ditur të integrohet dhe të tregojë zotësi për të ndërtuar të ardhmen e saj edhe ashtu siç iu imponua. Në këtë kuadër ajo ka dhënë edhe jep një kontribut të paçmuar për të ndrequr atë padrejtësi që i është bërë duke nxjerrë nga gjiri i vet figura të ndritura që i kanë shërbyer çështjes çame me të gjitha forcat dhe energjitë e tyre. Askush nuk mund të mohojë faktin se edhe sot popullsia çame që jeton dhe punon këtu është në të drejtën e saj për të punuar dhe ndërtuar jetën e fëmijëve të vet, po fakti është se në shpirtin e saj është një plagë e hapur që vazhdon të kullojë gjak. Në imazhin e saj është një shtëpi pa zot.

Në ëndrrat e saj është një kodër, një lëndinë, një lum ku nuk shkel tani e gjashtëdhjetë e ca vite këmba e të zotit të tyre. Në kujtesën e saj janë ca varre që ndryshe nga të gjithë varret e botës janë ndarë padrejtësisht prej të gjallëve. Në ndërgjegjen e saj mungon historia e gjallë e tokës ku ka lindur mijëra vite më parë. E pra në emër të këtyre sensibiliteteve njerëzore që në fund të fundit janë boshti qendror i zemrës dhe i ndërgjegjes së saj, syri dhe shpiri i saj duhet të jenë vetëm atje. E theksojmë këtë fakt se po të vëresh nismat e ndërmarra nga organizmat, apo shoqatat e ndryshme të krijuara nga komuniteti çam, të krijohet përshtypja se ka një lloj apatie në drejtim të ngritjes së zërit për padrejtësinë që u është bërë. Ky zë nuk duhet të ishte i ndrojtur apo konjuktural, i varur nga rrethanat dhe kushtet kombëtare dhe ndërkombëtare, por duhet të jetë klithmë. Kjo klithmë si njësi matëse të saj nuk duhet të ketë gjetjen e shijeve të kësaj apo asaj force politike që vjen dhe ikën nga pushteti, po dhimbjen e shpirtit. Është në të drejtën e tyre që përfaqësuesit e kësaj popullsie të aderojnë në atë parti politike që dëshirojnë, po së pari këtë aderim ata duhet ta shohin të lidhur me problemin e tyre.

Fakt është deri tani ata nuk e kanë gjetur si duhet aspiratën e popullsisë çame tek këto parti, të majta apo të djathta, gjë që e theksuam edhe më lart. Kjo dihet po ajo që duhet theksuar është se pas këtij fakti, aderimi i tyre në këto parti jashtë kontekstit të çështjes çame duket si luks i tepërt, kur ata mund të gjejnë dhe të krijojnë formacione të tjera politike ku aspirata e tyre mund të shpaloset më fuqishëm. Veç kësaj duke përmendur faktin se kjo popullsi sot është aktive dhe e suksesshme në ekonominë e tregut, ky sukses nuk duhet të bëjë që ajo të lerë në hije plagën e vet, atë plagë që nuk e mbulon asnjë sukses ekonomik. Le të marrim edhe një herë shembullin e hebrenjve të cilët në saj të talentit të tyre kudo ku ishin, larg vendit të tyre, u integruan, u bënë si të thuash "të parë", më të suksesshëm se të gjithë, por kjo nuk i pengoi ata që mendjen ta kishin vetëm tek toka e premtuar. A nuk është ky një shembull në gjurmët e së cilës duhet të eci edhe popullsia çame, gjithsesi e suksesshme në integrimin e saj në të gjitha fushat atje ku punon e jeton. Kjo nuk është xhelozi për sukseset që ata arrijnë, po thjesht mall për atë tokë të mbetur peng e cila është toka e të gjithë neve.

Dhe së fundi, do të ishte absurde të mendohej se edhe plagëve edhe dhimbjeve nuk u duhet kënduar këngë. Këto këngë vërtet shprehin brengat e shpirtit, por duke i parë këto këngë në raport me dy faktorët që sapo përmendëm të cilët duken se anashkalohen, të krijohet përshtypja se çështjes çame po i jepet një sensibilizim folklorik. Një panoramë vërtet folklorike, me një aksion politik thuajse zero, me një veprim të opinionit publik shqiptar në tërësi dhe çam në veçanti të hallakatur dhe së fundi të sunduara këto dy pamje me korale të pafund këngësh për tokën e humbur. Kjo mund të jetë një përshtypje e gabuar. Ndoshta. Ndodh që këngët nxisin dhe frymëzojnë aksione konkrete dhe kjo i bënë këngët pjesë të zgjidhjes së problemit, por ndodh që ato thuren edhe si një borxh i fundit që shpirti ka ndaj një çështje të caktuar. Kjo i bënë këngët pjesë të dhimbjes së saj. Le të shpresojmë se i vërtetë është varianti i parë, duke mos dashur të besojmë se jemi duke ecur në gjurmë folklorike për një çështje që nuk është aspak e tillë. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora