E enjte, 28.03.2024, 01:56 PM (GMT)

Mendime

Enver Robellil: Kur rezilët mbrojnë fenë islame

E diele, 28.12.2008, 01:40 PM


Enver Robelli
Enver Robelli
Kur rezilët mbrojnë fenë islame   

Fenë islame nuk mund ta mbrojnë njerëzit që përjashtojnë çdo mendim jodogmatik. As ata që mendojnë se kanë të drejtë absolute në interpretimin e saj, duke përjashtuar mendimin shkencor. Edhe më pak mund ta mbrojnë ata që merren me kërcënime dhe mendjeshitje

Nga Enver Robelli 

Një koment i shkruar nga autori i këtyre rreshtave dhe i botuar para disa ditësh në gazetën „Koha Ditore” u ribotua edhe në mediat e Shqipërisë. Një gjë e tillë është e pamundshme të ndalohet. Nëse sot teksti botohet në faqen e internetit të “Kohës Ditore”, atëherë të nesërmen do ta gjeni me siguri në së paku dy ose tri të përditshme të Tiranës dhe në disa forume interneti. Komenti në fjalë merrej me keqpërdorimin e fesë islame nga ana e disa dështakëve, të cilët janë të gatshëm të shkelin mbi traditën paqësore të religjionit mysliman në këto treva. Siç mund të pritej, shkrimin e kishin lexuar edhe disa militantë fetarë të Shqipërisë. Ata reaguan menjëherë. Jam i lumtur që mund të tregoj para lexuesve se çfarë më kanë shkruar. Njëri prej tyre, për shembull, thoshte se “ju kosovarët” nuk guxoni të botoni tekste në gazetat e Tiranës. Bile tërthorazi ky torollak thoshte se neve kosovarëve vetëm serbët na dalin haku. Një tjetër jepte leksione të pambështetura askund mbi fenë e vërtetë islame. Reagoi edhe një “student nga Gjermania”, siç vëteprezantohej. Nuk thoshte asgjë, përveç se numëronte disa tirada të zakonshme antiperëndimore. Një tjetër reagoi me një fjali të vetme, duke i kualifikuar mendimet e mia të pavarura në një gazetë të pavarur si rezilhane. Të gjithë këtyre lexuesve të nderuar iu përgjigja; shumica u kundërpërgjigjen duke i rënë pishman çfarë kishin shkruar, ndonjëri, ndërkaq, zgjodhi heshtjen si përgjigje.

Një dialog u zhvillua edhe me një teolog në një fshat të Dukagjinit. Ai kishte shkruar një reagim të fryrë, të mbushur me zemërim artificial, i cili nuk kishte të bënte asgjë me komunikimin akademik, intelektual dhe të kulturuar. Mendoj se një pjesë e mirë e përgjigjes sime këtij imami duhet të bëhet publike: “Rrahja e teologut Xhabir Hamiti është skandaloze dhe kriminale. (...) E vërteta është se Xhabir Hamiti ka përfaqësuar qëndrime, të cilat janë në përputhje të plotë me traditën islame në trojet shqiptare. Ai po ashtu është shprehur qartë kundër nihilizmit fetar dhe përjashtimit të mendimeve të tjera, të cilat mund të jenë të ndryshme nga fjalori ekstrem i disa djemve të rinj, të cilët deri dje janë droguar rrugëve të Prishtinës dhe sot shesin mend me klithje primitive dhe me stil veshjeje të një kulture të huaj. Si hoxhë duhet ta dini se fetarët më të rrezikshëm janë konvertitët. Për mua grupet e të rinjve që devijojnë nga islami tradicional shqiptar/kosovar dhe predikojmë prerje të duarve dhe kamxhikosje janë jo vetëm qesharakë, por edhe të rrezikshëm për zhvillimin e një shoqërie. Komentet mbi shaminë janë ashtu siç janë botuar në gazetë (pra, në KD) dhe unë qëndroj prapa tyre, natyrisht duke u bazuar në empirizmin shkencor të njerëzve të kualifikuar për këtë punë. Ka pasur edhe reagime të tjera lidhur me profesorin (dhe islamologun) Reinhard Schulze nga Berna, (të cilin e kisha cituar në kolumnet e botuara te “Koha Ditore”). Niveli i këtyre reagimeve është qesharak. Profesor Schulze është autoritet shkencor dhe e them me bindje të plotë se në botën shqiptare nuk ka ende teolog të kalibrit të tij. Jo pak shqiptarë kanë dëshirë të krekosen dhe të bëjnë zhurmë, të gjykojnë për të tjerët pa i njohur fare. Unë jam shumë i bindur se për profesorin Schulze ju keni lexuar për herë të parë në shkrimin tim. Dhe pa lexuar asnjë vepër të tij, ju shkruani fetfa. Kjo është e palejueshme, sidomos për një hoxhë që duhet së paku të përpiqet të jetë serioz në debatet publike apo private. Për dallim prej shumë teologëve, imamëve dhe hoxhallarëve tanë që rreziten në diletantizëm, shkencëtarët e nivelit të profesor Schulze e marrin punën e tyre seriozisht. Ju keni rënë në nivel shumë të ulët kur thoni se Schulze ka trilluar lidhur me valltaret e Profetit (shih paragrafin e fundit të këtij teksti). Nuk trillon një shkencëtar serioz. Atë çfarë e ka thënë, ai e ka dokumentuar! Do t’ju bënte shumë nder sikur të ndryshoni mendjen së paku në këtë çështje dhe të mos gjykoni me emocione. (…) Ajo çfarë mbroj unë, është një version i fesë islame që ne e kemi trashëguar me shekuj. (…) Pretendimi juaj se çështjet e fesë dhe shamisë duhet t’i shpjegojnë vetëm hoxhallarët, tregon për mungesën elementare të tolerancës. Me këtë qasje mund të përvetësoni besimtarë militantë, por jo njerëz të devotshëm. Duhet ta dini se askush nuk ka monopol në çështje të fesë. Sikur të ishte kështu, ta zëmë në kishën katolike, atëherë ende do të digjeshin njerëz në turra të druve, si në kohën e kryqëzatave. Pas kësaj përvoje të përgjakshme kisha katolike ka nxjerrë disa mësime (ndonëse jo sa duhet). Por, mësime të tilla duhet të nxjerrin edhe interpretuesit nihilistë të fesë islame. (…) PS. Porosinë tuaj se duhet të kem kujdes kur të shkruaj, nuk dua ta interpretoj, sepse me gjithë këtë komunikim të pazakonshëm, mendoj se nuk e keni formuluar si kërcënim. Ndërkaq po ju them se unë i qëndroj besnik parimeve të mia dhe në atë moment që i siguroj faktet për një temë, atëherë shkruaj, pa marrë parasysh se mund të ballafaqohem me kërcënime. Desha vetëm t’ju them se fakti që jeni hoxhë nuk ju bën superior ndaj asnjë besimtari tjetër. Unë devotshmërinë time fetare nuk kam nevojë t’ia demonstroj askujt. Është diçka shumë personale dhe e bazuar në traditën tonë të pastër dhe tolerante të islamit”. Kjo është, pak a shumë, përmbajtja e përgjigjes dërguar hoxhës nga Dukagjini, i cili mohonte dijen e një profesori zviceran, dijen e profesorit Reinhard Schulze nga Instituti i Shkencave Islame dhe i Filologjisë Orientale në Universitetin e Bernës. Ai ka theksuar në një referat se shamia në traditën e Profetit nuk ka domethënie religjioze. Në Kuran shkruan se besimtarët duhet t’i bartin „rrobat e devotshmërisë“. Kjo, sipas profesor Schulze, domethënë: „Besimtarët duhet t’i mbulojnë vendet e turpshme“. Tani mund të pyesim: A është koka pjesë e turpshme e trupit? Natyrisht që  kësaj pyetjeje nuk do të dinin t’u përgjigjeshin personat që e rrahën Xhabir Hamitin, sepse ata - si armiq të (pa)vetëdijshëm të Kuranit? - mendojnë se bindjet e tyre të mbrapshta mund t’ua imponojnë të tjerëve me grushte. Në Librin e Shenjtë po ashtu thuhet se femrat duhet të bartin një lloj shalli apo mbulese mbi gjoksin e tyre, me fjalë të tjera: nuk mund të ecin me gjinj përjashta. Ky rregull i veshjes dallon nga periudha paraislame, kur femrat bartnin pak rrobe. Sipas profesor Schulze, në ilustrimet e para nga shekulli i 10-të valltaret e Profetit Muhamed shihen gjysmë lakuriq. Në Kuran tërthorazi kërkohet që të mbulohen ato pjesë të trupit të femrës, të cilat mund të ngjallin ndjenja erotike te meshkujt, por askund nuk bëhet fjalë për mbulimin e fytyrës. Nëse vahabistët dhe selafistët e sotëm, pra nëse këta përfaqësues të rrymës ekstreme të islamit, kërkojnë mbulimin e femrave nga frika se nuk mund t’i kontrollojnë epshet e tyre, atëherë ky është problem i tyre moral, fetar, social dhe kulturor. As më pak, as më shumë. Kaq. Dhe fund!

robelli@bluewin.ch



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora