Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jusuf Buxhovi: Koha e Vazalëve

| E marte, 15.11.2022, 08:11 PM |


KOHA E VAZALËVE...

Nga Jusuf Buxhovi

Princi i shkërmoqur nga vetmia dhe pesha e viteve të trishta i mbyllur në Kështjellën e Pashtrikut nga Kryqtarët që kishin marrë vendin nën mbikëqyrje, dukej si i pajetë. Të kota ishin fjalët e oborrtarit besnik, Mikelit plak, që po i flise për pritjen me padurim të kryqtarëve të rinj si dhe fjalëve të tyre se vinin si "çlirimtarë" për t'ua hequr qafe, kundërshtarët e tij - vasalët e kryqtarëve, që vendin e kishin kthyer në plaçkë...

Të menduarit se tashmë shumë prej bashkëpunëtorëve të dikurshëm, që i kishin takuar kauzës së një principate të mvetësishme jashtë luftës së kryqit me kryq dhe jashtë përkatësive armiqësore, (shkrimtarë, artistë dhe klerikë të vrarë nga fitimtarët pse nuk ishin pajtuar me rrugën që ata ndiqnin ose që t’u shkruanin apologji lapidarëve të tyre), nuk do t’ua gjente as varret, e kthente në një të paqenë, në një kufomë të gjallë, që edhe mëtutje u duhej Kryqtarëve - atyre që botën pafundësisht do ta mbanin nën ethet e kërcënimit të "luftës së shenjtë"... Madje, nuk e ngushëllonte as ajo që, me rikthimin e tij në fronin e nënçmuar, qoftë edhe sa për sy e faqe, atyre, me heqjen e mallkinit të të shpallurit "tradhtarë", mund t’u kthehej nderi i humbur!

“Froni po të pret, imzot. Vendi ka nevojë për me e marrë veten pas gjithë zezonës... Fjala juaj pritet me padurim...”

Por,ndjenja e hiçit e përzier me atë të viktimës së përhershme që mashtrimin e ka fat, Princit të ngrysur, iu tumir përgjithmonë kur mbi Urën e Shenjtë, në pirgun e lartë, pa të valonte flamuri i Kryqtarëve të rinj. Ishte po ai flamur, që para shumë e shumë vitesh e kishte pritë me shpresë se vendit do t'ia heqte mallkimin e të qenit "kufi i botëve të armiqësuara". Në atë gjendje, ato që po ia thoshte Mikeli plak se kundërshtarët e tij fillimisht të kremtuar si shpëtimtarë e mandej, të paditur për vrasës e çmos, tashmë ishin dërguar në Kështjellën e Pashtrikut dhe thuhej se nuk do të kthehen kurrë, nuk po e ngushëllonin. Po e deshpëronin edhe më shumë.

“Vazhdon koha e vasalëve”, deshi të thoshte. Por heshti, ngaqë nuk dëshironte që para atyre që po e prisnin me shpresën e madhe se ajo pritje mund t'ua ndryshonte gjendjen e viktimës, të dukej i nënçmuar...

(Shkëputje nga romani “Letrat për Kryeprincin”, Prishtinë, 2003)