E marte, 16.04.2024, 05:54 PM (GMT+1)

Mendime

Kimete Berisha: Tregtia me vuajtje!

E marte, 15.11.2022, 08:54 PM


Tregtia me vuajtje!

Nga Kimete Berisha

Rrugës për në Mitrovicë.

Radio KFOR po i numëron objektet e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Të gjitha të ndërtuara nga pushtuesit.

Shqiptarët çka kanë ndërtuar?

Kaloj nëpër rrugën që nuk kryhet qe 20-të vjet.

Në veturën para meje mbishkrimi me të kuqe: Kujdes, vozitëse e re.

I afrohem, e tejkaloj.

Veturën e drejtonte një mashkull me mjekër.

Në radio flisnin për grupin ABBA, grupi ishte shkatërruar kur kishte lindur dashuria mes anëtarëve të grupit.

Shqiptarët çka kanë ndërtuar?

Djathtas një shtëpi e bardhë me xixa vezullore dukej si nuse që pret me duvak, por askush s'e merr sepse të gjithëve ua merr sytë.

Në radio KFOR Dino Merlin i thotë 'mirëmbrëma' trishtimit. 'Nëse faj ka shiu që unë ty më s'të kam - dhashtë Zoti kurrë mos u ndaltë'.

E ndërroj KFOR-in. Në tjera valë  Hoxha i fton meshkujt që të urinojnë ulur. Nëse nuk keni ujë, mund të pastroheni me gurë- tha.

...mashkull i keq.

Çka lyp ky, se diçka lyp kur flet hoxha për organe.

Lyp vetmitarë që t'i drejtohen për ndihmë: 'Eja, të tregoj unë ty se si të urinosh pa u spërkatur'.

Një dëgjuese e vëmendshme menjëherë kërkoi udhëzime, pyeti a mund të shkoj të trajnohet te hoxha se si të urinonte, pa e rrezikuar xhehnemin.

E ky popull çka ka ndërtuar?

Nga Liria kanë lindur ekstremistët që duan ta mbysin Lirinë.

Por, nëse nuk do të kishin qenë pushtuesit, nuk do të kishim pasur as Zot.

Sipas Radios askush s'është nornal.

Flori flet për vdekjen, për vetminë e tij, e qan veten, por vajtimi i tij nuk merr shumë Like.

Ai djalë, sa shumë vuan. A thua pse vuan! Pse nuk e kupton se vuajtja nuk është vlerë.

Me vuajtje mund ta blesh një poezi me rimë që nuk e lexon askush, sepse në modë tani është lumturia.

Burri poet që nuk mund ta çliroj veten nga vuatjet e imagjinuara, që e helmon veten me mendime të errëta, e vargjet e veta i shfrytëzon si pranga.

Për shkak të rimës janë krijuar shumë padrejtësi letrare, qe për shembull Pink Floyd, për ta lidhur rimën, fjalën 'cold' me 'old', këndon: 'Hey, you, out there in the cold, getting lonely, getting old'.

Bën të plakesh edhe normal, brenda në një dhomë të ngrohtë, ama pastaj nuk lidhet rima.

Rima nuk i shërben jetës, jeta i shërben rimës.

Flori fliste për vuajtjet e tij, që u kishte ngritur monument, u ankua se nuk ia beson askush, se kur vuajtjet nuk t'i pranojnë popullata, ato vuajtje rrënohen, sikur shtëpia pa leje.

Pse ke qejf t'i dhimbsesh dikujt!

Pse ke qejf të të qajnë!

A ke ti qejf të të dhimbset ty dikush!

Vuajtjen e mbyt me heshtje.

Nëse e hesht, e lë pa gjuhë.

Kur e lë pa gjuhë, nuk ka fjalë që e shpreh, kur nuk i jep emër, mbetet vuajtje pa emër, pa adresë, pa kuptim. Shuhet.

Çka kanë ndërtuar shqiptarët, përveç vuajtjet që i kanë zier në kazan, për t'i shërbyer si ushqim popullor.

Pse shqiptarët janë në garë se cili vuan më shumë se tjetri.

Dhe, shtyhen se cili është më i çuditshëm se tjetri.

Nga bunari doli Grida. Është shumë e lumtur me veten, tha. Por, ankohet dhe qahet.

Ajo duket si një Guru, që e mëson botën se si arrihet suksesi dhe lumturia, por për vete është e trishtuar.

Do ta ndryshoj Shqipërinë, duke folur për vuajtjet e saj të mëdha: ka pare, karrierë, nuk e ngacmon kush - kjo është vuajtje e madhe.

Vuajtja e saj fillon posa del nga frizerka, e qan veten në mënyrë solemne.

Dikush mua ma ka shkatërruar jetën!

Emisionin e saj të parë si gazetare e nisi me fjalë të mëdha. Ajo tha se 'unë ndjehem si pikë në ujin e gjatë' dhe se 'Shoqëria është një gjallesë e gjallë'.

Këto thënie vërtetë janë arsye e mjaftueshme për të vuajtur.

Vuajtjet nuk ia marrin seriozisht, jo veç që është monotone, por sepse vuan me faqe të kuqe (vuajtja e do pak një zbehje të fytyrës dhe tharje të buzëve, e lyp njëfarë stili vuajtja).

Pastaj vuan me zhurmë, i mungon ai zjarri vajtues, i ngulit sytë, të kërcënon me pakënaqësitë e saj dhe sidomos gabon që nuk pauzon mes vuajtjesh, vuan si çakallë, me inat.

Vuajtjes duhesh t'i dorëzohesh komplet në përqafim, nëse do të ta miratojnë vuajtjen shqiptarët.

Në radio përmendet Ermali.

Shqipëria ka kaq shumë mësues të suksesit.

Jetën private e kanë shndërruar në industri.

Sa shumë fabrika për prodhimin e trishtimit. Televizioni ua riprodhon vuajtjet, shikuesit e vlerësojnë vuajtja e cilit është më atraktive.

Është Ermal Mamaqi që i mëson shqiptarët të jenë të suksesshëm me thënie dhe me pasuri të Ali Babës.

Vuajtje e madhe është edhe kjo, gjakimi i humoristit për ta marrë seriozisht.

Në fund, kur e sheh që u bë boll - e askush nuk e merr seriozisht - humoristi rëndomë e luan rolin e Krishtit në film.

Shqiptarët çka kanë ndërtuar?

E kanë ndërtuar perandorinë e hajnisë. Një njeri i panjohur paguhet nga Albin Kurti 6000 Euro në muaj për ta këshilluar se si duhet ta vjedhin serbët Kalanë e Novobërdës ditë'm drekë.

Ish Albin Kurti i konvertonte hajnitë e kaluara me bukë. Kaq bukë kushton rroga e hajnit.

E, sot, sot i pasuron hajnat që e legjitimojnë vjedhjen publikisht në TV.

Është çmendur. Gënjen. Thotë se shqiptarët shpenzojnë pare sepse kanë shumë pare.

E ka ndarë vendin. E ka ndarë shoqërinë. E ka izoluar Kosovën.

Po e çon Kosovën në luftë, për çlirimin e targave.

Presidentja, ende pa i gjetur 'serbët e ndershëm', i shpalli zgjedhjet në Veri, për të mos e vonuar luftën. Nuk kemi kohë për të humbur.

Komandantja supreme është dashur të jap dorëheqje dje, pasi që Ushtria e saj i nderoi ushtarët serbë që kanë vrarë shqiptarë.

Çka kanë ndërtuar shqiptarët?

Një Ushtri që bën gabime ende pa filluar lufta.

Çfarë ushtrie budallaqe, ushtri vetëvrasëse është kjo!

Serbia bën thirrje për vullnetarë të armatosur, Kosova i nderon vrasësit e saj serbë.

Albulena Haxhiu, dje është dashur të jap dorëheqje, pasi që Gjykata e Kosovës ia uli dënimin serbit që vrau e masakroi 13 shqiptarë.

Çka kanë ndërtuar shqiptarët?

Një Fabrikë të Drejtësisë, ku prodhohet pafajësia dhe blihet me pare.

Çka kanë ndërtuar shqiptarët?

Paqe të rrejshme!

Demaku ishte në katarsis duke folur për paqen dhe qetësinë shpirtërore, kur një gazetari i ra zilja e telefonit dhe Demaku e humbi paqen, u thye paqja nga zilja si xhami nga guri, Demaku u nervozua e i bërtiti gazetarit: Ndale atë telefon.

Tregu përplot vuajtje. Të gjithë shqiptarët shesin vuajtje.

Vuajtja është hiperprodhim, është kopje, ka krizë të vuajtjes origjinale...prandaj, askush nuk ia dëgjon tregimin askujt.

P.S. M'u kanë resh followersa serbë...sigurisht sherri propagandës së qeverisë kundër gazetarëve.

https://www.facebook.com/kimete.berisha



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora