E enjte, 25.04.2024, 03:24 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Beethoven, gjeniu i ashpër i muzikës

E diele, 28.12.2008, 07:22 PM


Beethoven
Beethoven
Nga Dr. Sul Gragjevi

-Me rastin e 200 vjetorit te përformances se parë të Simfonisë Nr. 5 dhe Nr. 6 dhe përvjetorit të lindjes. Dhjetori është shpallur muaji i Ludwig van Beethoven

Kompozimet e Beethovenit do të mbeten gjithmonë gjeniale, madhështore dhe monumentale në historinë dhe letërsinë e muzikës. Të tilla janë simfonitë Nr. 5, 6, 9, piano dhe koncertet 1 deri 5, violinë si koncerti op. 61 dhe shumë krijime të muzikës së dhomës, por edhe sonatat për piano, violinë dhe violonçel e shumë overt’ura janë të këtyre përmasave monumentale. George Bizet, ndër titanët e historisë botërore të artit radhit Beethovenin përkrah Dantes, Homerit, Michelangelos, Shekspirit dhe Moses duke e quajt’ur një Promete të muzikës. (P. G. Goulding). Në qoftë se Hajdni dhe Mozarti shkëlqyen në periudhën klasike, Beethoveni me talentin e tij, pasionin, forcën dhe krenarinë e vet krijoi një stil të tijin, më vete, stilin bethovenian, i cili për herë të parë haset në simfonitë dhe në koncertet e tij. Beethoveni ndryshoi çdo gjë në artin e muzikës, në saj të talentit të tij për t’u bërë një artist i madh. Ai ishte një pianist virtuoz dhe njëkohësisht kompozitor i madh. Stili i tij i interpretimit ndryshonte shumë nga të tjerët, ishte një stil modern plot teknikë dhe virtuozitet që vërehet në pesë piano-koncertet dhe sonatat. Ai edhe pse filloi të humbasë dëgjimin bëri një luftë heroike, të karakterizuar nga kurajoja; luante në piano, kompozonte, ndërsa kur humbi plotësisht dëgjimin ai dirigjonte në bazë të harqeve të violinave. Beethoveni ishte një njeri me mendime të përparuara për shoqërinë dhe me mendime progresive për muzikën dhe veçanërisht për

romantizmin. Audienca moderne po përqafonte shpejt muzikën e Beethovenit. Kur luante ndonjë piano-koncert apo sonatë të vetën, interpretimi i tij ishte superior ashtu siç ishte imagjinata e tij. Ai gjithnjë linte mbresë impresionuese, të paharrueshme në publikun e vet. Por megjithë këtë, nuk e pëlqente sentimentalizmin e audiencës aristokrate Vieneze. Studenti i tij i njohur si pianist, Carl Czerny, tregonte se gjatë një performance ku luante vetë Beethoveni, asnjëri nga audienca nuk doli prej sallës me sy të përtharë nga lotët, kurse disa filluan të qanin me dënesë.

Beethoveni si kompozitor ka pasur pianon si instrumentin e vet më të preferuar e më të përdorur në veprimtarinë e tij muzikore. Ai gjithashtu mësoi edhe violinë tek Schuppanzigh (kuarteti schuppanzigh) vetëm që kompozimet për violinë, violë e cello të ishin në atë nivel si ato të pianos. Dhe në fakt sonatat për violinë, violinë koncerti, op. 61, triple koncerti për piano, violinë e cello si dhe shumë krijime të muzikës së dhomës mbetën me të vërtetë madhështore në çdo kohë. Kur Hajdni ishte në famën e vet të lartë si kompozitor, Beethoveni, një djalosh i ri në moshën 22 vjeçare niset për Vienë nga Boni. Për këtë ardhje në Vienë ishte dakord edhe Hajdni, i cili gjithashtu kish porositur që Beethoveni duhej të ndodhej në Vienë për të vazhduar më tej studimet në muzikë dhe veçanërisht në fushën e kompozimit.

Hajdni vendosi ta mbaj afër Beethovenin, sepse i kish pëlqyer muzika që e kish kompozuar. Megjithatë periudha e qëndrimit me Hajdnin ishte e shkurtër, sepse ky mori një udhëtim tjetër për në Londër më 1794 dhe kështu Beethoveni u detyrua të mësojë kompozim tek një tjetër pedagog.

Kujtojmë se i ati Johani synonte gjithmonë ta bënte të birin një artist të madh, një Mozart të dytë.

Beethoveni si kompozitor i përket periudhës klasike por njëkohësisht ai konsiderohet edhe si urë midis periudhës klasike dhe asaj romantike. Por megjithëkëtë disa autorë e kritikë e vendosin Beethovenin me kompozimet e tij në një periudhë me Hajdnin e Mozartin ndërsa disa të tjerë e vendosin në atë të romantizmit krahas Belinit, Schubertit, Brahmsit, Çajkovskit, Wagnerit.

Në fakt, ai i përket të dy periudhave. Duhet thënë se Beethoveni me forcën e tij prej gjeniu arriti atje ku asnjëri para dhe pas tij nuk kish arritur dhe me të drejtë kompozimet e tij të famshme i përkasin vetëm asaj periudhe në të cilën jetoi e punoi ai, pra periudhës bethoveniane. Krijimet e tij ku përfshihen të nëntë simfonitë, një violinë-koncert, pesë piano-koncertet, 32 sonata për piano, 16 kuartete harqesh, sonata për violinë e cello, triple koncerti për piano, violinë e cello, një opera, shumë overtura, etj, përbëjnë një thesar të tijin dhe të artit muzikor botëror.

Beethoveni transformoi stilin muzikor

Aftësia e Beethovenit qëndron në atë që ai përqafoi dhe u mbajt fort mbas emocioneve njerëzore në çdo lloj hapësire. Po të marrim rastin e simfonive, do të thoshim se në krahasim me simfonitë e Hajdnit dhe të Mozartit që janë disa herë më shumë në numër, ato të Beethovenit, nëntë simfonitë, janë me të vërtetë madhështore, të mëdha edhe në dimension simfonik, por edhe më të vështira dhe me një orkestracion të përkryer të një niveli më të lartë, teknik dhe virtuoz . Duhet të dihet një fakt, që nga dymbëdhjetë simfonitë më të mira të zgjedhura, vetëm pesë i përkasin Beethovenit e që janë simfonitë Nr. 3, 5, 6 7 dhe 9. Beethoveni krijoi kështu një standard krejt të ri emocional dhe intelektual i cili e ndjek jo vetëm në gjithë simfonitë, por edhe në gjithë krijimet e tjera. Në veprimtarinë muzikore simfonike Beethoveni transformoi stilin muzikor qysh në punimet orkestrale të cilat donte t’ia prezantonte publikut Vienez. Në këto punime ai i kushton rëndësi të madhe teknikës dhe virtuozitetit të interpretimit si një kompozitor lider dhe pianist virtuoz. Beethoveni ishte i bindur në konkluzionin se arti muzikor nuk ka limit. Ai e kish këtë bindje të përforcuar nga sukseset e interpretimeve të krijimeve të tij, simfoni, koncerte, sonata dhe me gjithë admirimin e madh të audiencës Vieneze, Beethoveni thoshte "duhet bërë më shumë".

Krijimet e Beethovenit pasqyrojnë origjinalitetin, forcën estetike dhe aftësitë e pakrahasueshme muzikore të tij. Nga viti 1800 kur Beethoven është 30 vjeç, pianist i shquar, filloi të interpretoj punimet e tij që i kishte publikuar tashmë, kryesisht sonatat. Një dëgjues në atë kohë, pasi kish dalë nga salla thoshte: Çfarë përformance ishte kjo! Interpretimet e tij ishin perfekte, superiore!

Sonata Nr. 8 op. 13 në C/Do minore, Pathetique, përveç hapjes emocionale ka një adagio cantabile madhështore. Edhe kur Beethoveni filloi të humbasë dëgjimin, ai ishte shumë optimist dhe kjo periudhë i ngjalli shumë shpresa që pasqyrohen në dy krijimet e tij për violinë, sonata Nr. 5 op. 24 në F/Fa maxhore e njohur me titullin "Spring" që fillon me allegro si dhe romanca për violinë Nr. 2 në F/Fa maxhore op. 50 me një adagio cantabile. Përveç tyre është sonata e njohur Nr. 24 në C/Do diezis minore op. 27 dhe veçanërisht Nr. 2

"Moonlight" me adagio sostenuto, mjaft impresive. Më 1802 Beethoven përfundon sonatën Nr. 17 në D/Re minore op. 31"Tempest", Nr. 2 në të cilën koha allegro është mjaft tërheqëse. Megjithëse Bethoveni kompozoi shumë sonata për piano dhe për violinë, ai i kushtoi vëmendje të veçantë sonatës për violinë dhe piano "Kreutzer" me të cilën ai vendosi të dalë para publikut Vienez më 1803. Kjo sonatë op. 47 u kompozua për një virtuoz francez Rudolf Kreutzer dhe ishte një fitore mbi klasicizmin, duke lajmëruar kështu fundin e modelit klasik, se Beethoveni përveç tjerash, i dha kësaj sonate një forme koncerti dhe me tre kohë.

Me sonatat Ëaldstein dhe Appassionata op. 53 dhe op. 57 ai kapërcen kufijtë e periudhës klasike duke krijuar një stil me strukturë dhe sonoritet të pa arritur, me një koloritet dhe theks dinamik. Prandaj edhe kritika muzikore e quajti sonatën Ëaldstein një simfoni e vërtetë për piano. Me këto kompozime të muzikës instrumentale, Beethoven bëhet i njohur gjerësisht duke treguar se edhe për harqet ai ishte një mjeshtër i madh e universal. Ai kombinon me mjeshtëri muzikën virtuoze pianistike me atë të harqëve duke arritur të krijoj për artin disa komplete të mrekullueshme. Edhe për violinë si për cello bëri një punë prej mjeshtri të madh. Përmendim triple koncertin për violinë, cello dhe piano të cilin mundet ta shohim e ta dëgjojmë në interpretimin e treshes legjendare të muzikës Richter piano, Oistrah violinë dhe Rostropovich cello.

Moderoi muzikën e dhomës, duke e bërë një repertor të rëndësishëm për aristokracinë vieneze

Po në këtë periudhë kur muzika e Beethovenit pasurohet me elemente romantike, plot melodi e variacione në muzikë, ajo është më ekspresive e impresive, janë romancat për violinë e orkestër që shkëlqëjnë, ajo në F/Fa maxhore op. 50 dhe ajo në G/Sol maxhore op. 40.

Të dyja këto u bënë kompozimet më të preferuara të muzikës instrumentale dhe sot zënë një vend të rëndësishëm në repertorin muzikor botërore. Po t’i shohim krijimet e Beethovenit në fushën e muzikës së dhomës, megjithë ndikimet e Hajdnit e të Mozartit deri diku, ai krijoi një stil të ri të një niveli më të lartë. Kompleti i kuarteteve op. 18 ishte një nga punimet e tij shumë të mira që shquhen për një kombinim të stilit klasik me atë romantik. Aftësia e tij në kombinimin e përsosur të rolit të pesë dhe shtatë instrumentave tek kuinteti në E/Mi bemol për piano dhe septeti i njohur op. 20 për klarinetë, korno, fagot dhe harqet, ishte një punë e një mjeshtri të madh të muzikës. Janë të njohura tre kuartetet e harqeve Rasoumoësky që u dhanë si koncerte të interpretuara prej kuartetit të njohur atë kohë, Schuppanzigh ndërsa Trio për piano në B/Si bemol maxhore, op. 97 "Archduke" Beethoveni e kompozoi për instrumentistë profesionistë dhe për një audiencë me përvojë. Kështu kompozitori i madh e pasuroi dhe e zhvilloi muzikën e dhomës duke e bërë një repertor të rëndësishëm për aristokracinë vieneze e cila e pëlqente aq shumë atë lloj muzike.

Muzika e Beethovenit në krahasim me atë të kompozitorëve të tjerë është më e ashpër, më impresive, më energjike që në shumë raste shpërthen si vullkan.

Romain Rolland e ka quajtur muzikën e Beethovenit "një shpërthim flake në një kanal graniti". Çdo gjë zien dhe flluskon si lava e vullkanit. Këtë veçori e gjejmë tek koncertet dhe simfonitë. Le të shohim piano-koncertin Nr. 3 op. 37. Ky koncert zë një pjesë qendrore midis pesë koncerteve për piano dhe është një pikë kthimi në këtë gjini muzikore për meloditë e bukura, tërheqëse plot akorde, ndërsa finalja e kohës së parë që e përgatit pianon për futjen e orkestrës në fortissimo, përfundon me madhështi, si një shpërthim, po ashtu edhe koha e tretë, rondo, e koncertit Nr. 4 në përfundim të të cilit muzika fillon e "zien" si lava duke shpërthyer në masat e fundit me një fortissimo ideale.

I njëjti efekt vërehet në kohën e parë të piano koncertit Nr. 5 Empëror, op. 73 rreth min. 12:00 si dhe në një finale madhështore. Në muzikën instrumentale simfonike zënë vendin kryesor pesë piano-koncertet, violinë koncerti op. 61 dhe triple koncerti për piano, violinë e cello. Piano koncerti Nr. 3 op. 37 fillon me një introduksion në të cilin orkestra shoqëron temën e klarinetës dhe obosë deri në min. 03:00 kur piano nis temën kryesore. Janë mjaft të bukura variacionet mbi temën

duke na dhënë një subjekt plot liricizëm. Dialogët në mes pianos dhe fagotit e obosë, në mes pianos, fagotit e flautit si dhe obosë e pianos, i japin koncertit një hijeshi deri në min. 12:00, duke ia lenë vendin kadencës plot teknikë dhe virtuozitet. Është e veçantë për kohën e dytë dhe të tretë që fillojnë me pianon në krahasim me regullin "klasik" kur gjithmonë orkestra fillon introduksionin, pra një gjë e veçantë që e shohim tek Beethoveni. Vërejmë shpesh edhe dialogë midis pianos dhe orkestrës si dhe plot melodi të gërshetuara me kadenca të shkurtëra të pianos. Koha e tretë fillon me një temë të gëzueshme të pianos së cilës i përgjigjet orkestra. Kur oboe është në temë piano është me variacionet ndërsa klarineta në melodinë kryesore shoqërohet nga piano tre herë. Finalja e koncertit përfundon me një kod të shpejtë në 6/8 dhe fortissimo.

Piano koncerti Nr. 5 "Empëror", në E/Mi bemol op. 73 është një nga më madhështorët e 1809-ës, është më popullori, që u performua në Vienë në vitin 1812 duke arritur suksesin dhe efektin total.

Në allegro orkestra hapet me tre akorde, ku secili akord pasohet nga kadenca të shkurtëra brilante të pianos mbas të cilave orkestra hynë në introduksionin madhëhtor e monumental. Tema kryesore fillon me harqe, klarineta në dialog me orkestrë ndërsa pianoja vazhdon temën me akordet e shkallët deri në fortissimo për orkestrën. Në kohën e dytë dominon një atmosferë tjetër, me melodi dhe me një klimaks emocional.

Në rondo, allegro fillon piano me një temë të gëzueshme. Beethoveni e ka paraqitur këtë kohë si një finale tipike koncerti me muzikë të pasur që inspiron drejt një finaleje madhështore, shoqëruar nga melodia e ritmi i fuqishëm i gjithë orkestrës. As në këtë kohë nuk mungojnë dialogët në mes pianos dhe orkestrës. Deri në fund mbizotëron një gjendje e gëzuar, e gjallë në 6/8, ndërsa akordet e fuqishme të pianos dhe orkestrës shpërthejnë vrullshëm në finalen.

Pesë piano-koncertet e Beethovenit

Interpretimet e pesë piano-koncerteve të Beethovenit sot janë pjesë e një repertori të madh botëror. Shquhen sot virtuozët Yefim Bronfman me orkestrën Tonhalle të Zyrihut e dirigjent David Zinman si dhe i riu talent Evgeni Kissin me London Simfoni orkestër dhe me dirigjentin e shquar Sir Colin Davis. Të pesë koncertet e pianos janë interpretuar me mjeshtëri edhe nga pianistët Rubinstein, Brendel, Arrau, Michelangeli, Glenn Gould, etj.

Të dëgjosh muzikën klasike është një nga kënaqësitë e jetës. Timbri i bukur dhe tërheqës i Çajkovskit dhe akordet, dialogët, duetet, finalet madhështore të Beethovenit të mbushin plot impresion.

Edhe violinë-koncerti i Beethovenit është një i tillë, mjaft tërheqës që është shkruar në periudhën kur praktikisht muzika koncertale instrumentale konsiderohej si arti i romantizmit, i përkryer. Ky koncert, op. 61 në D/Re maxhore është madhështor një nga favoritet e mija dhe është në historinë dhe letërsinë e muzikës si një nga krijimet e famshme të një dimensioni të madh simfonik dhe brilant. Të tri kohët me tema, variacione dhe kadencat zgjasin reth 41 deri 47 min. kohë e cila ndryshon sipas dirigjimit. Kështu, me Yehudi Menuhin violinë e Sir Colin Davis dirigjent zgjat 45:28 min., ndërsa me Arthur Grumieax violinë dhe Antol Dorati dirigjent zgjat 41:05 min., ndërsa me Annë Sophie Mutter violinë dhe me Herbert Von Karajan dirigjent zgjat 47:03 min.

Që të tri kohët karakterizohen nga melodi të bukura dhe klimakse impresionuese.

Fillimi me allegro i orkestrës me 88 masat, ndërsa fill hyn violina me 8 akordet oktavë e që përsëritet më vonë me 11 akordet oktave ekspresive. Interpretimi i solistit vazhdon i detajuar, i shoqëruar nga orkestra, shumë herë përsëritet dialogu violinë-orkestër ndërsa variacionet e temës kryesore i shoqërojnë dy fagotët deri në melodinë kryesore, mbas minutit të katërt dhe një kadencë të shkurtër, fagoti dhe cellot shoqërojnë variacionet mbi temën kryesore. Në min. 07:30 kemi melodinë më impresive të kohës së parë.

Në larghetto violina hyn mbas 10 masave në "dolce".

Klimaksi impresiv i melodisë fillon në min. e pestë, ndërsa harqet marrin rolin kryesor kurse violina drejtimin kryesor e shoqëruar nga orkestra duke përpunuar temën deri në kadencën e shkurtër që e lidh me kohën rondo allegro, e cila fillon me 6/8 me temën kryesore të violinës e që përsëritet nga orkestra. Mbas tri min. kemi klimaksin impresiv në një temë tjetër të cilën e luan fagoti i shoqëruar prej variacioneve të violinës dy herë. Mbas kadencës duket sikur çdo gjë bie në qetësi, por jo, orkestra dhe solisti nga pianissimo përfundojnë fuqishëm në fortissimo finalen e koncertit. Ky koncert shquhet edhe për interpretimet virtuoze të violinistëve Jascha Heifetz, David Oistrah, Leonid Kogan, Arthur Grumieux, Salvatore Accardo, Zino Francescatti, Itzhak Përlman, etj. Mbetën të famshëm Oistrah, Kogan, Grumieux dhe Menuhin jo vetëm për teknikë të lartë dhe virtuozitet por shumë solide në interpretimin e këtij koncerti me ton plot elokuencë dhe pasion.

Simfonia Nr. 3, Eroica me të cilat arriti majat e artit muzikor

Beethoveni i tregoi aftësitë e veta si pianist dhe kompozitor i madh në periudhën më produktive të tij, nga 1802 deri 1814 që thirret përiudha e dytë

e krijimtarisë së tij, përveç piano koncerteve, violinë-koncertit op. 61dhe simfonisë Nr. 3 Eroica me të cilat arriti majat e artit muzikor, në vitin 1808 përfundon dy simfonitë Nr. 5 dh 6 që janë kryeveprat e artit muzikor botëror. Simfonia Nr. 5 në C/Do bemol op. 67 është më e njohura dhe thirret simfonia e "fatit", është shfaqur në Vienë më 22 dhjetor 1808 në Theatër an der Ëien statt, bashkë me të gjashtën "Pastorale" dhe që të dyja i dirigjoi vetë Beethoveni.

Koha e parë, allegro con brio fillon me katër akordet e famshme të njohura e që përfaqësojnë një motiv muzikor që njihet nga të gjithë. Mbi këtë motiv zhvillohet koha e parë. Ky motiv thoshte se Beethoveni simbolizon "trokitjen e fatit në derë". Kornot luajnë motivin kryesor të ndjekur nga tema që pason violinat, klarinetën dhe flautin. Cellot dhe kontrabaset luajnë motivin kryesor. Shfaqet dialogu në mes frymorëve të drurit dhe violinave mbas min.

së tretë. Koha e dytë, andante con moto, përfaqëson në fakt temën me variacionet. Fillon me një introduksion të cellove e violinave ndjekur nga frymorët e drurit, ndërsa më vonë kemi një melodi e cila fillon me harqet kurse në temë hynë klarineta, fagoti dhe cellot e që përfundon me akorde të orkestrës në fortissimo. Në min. 01:17 dominojnë trombat dhe kornot te shoqëruara nga ritmi i violinave dhe violave. Janë gjithësej pesë variacione mbi temën, tërheqës, ndërsa koda fillon mbas variacionit të pestë në Min. 08:16 me fagotin që i përgjigjet oboes në një mënyre dekorative.

Koha e tretë dhe e katërt, allegro, mundet të merren bashkë. Fillimi është skerco tipike me një trio, cello e kontrabaset me një arpeggio të ndjekur nga harqet e frymorët e drurit. Tema nis me kornon e frymoret e drurit që pasohen nga harqet, që përsëritet bashkë me skercon, me cellot e kontrabaset të cilave i përgjigjen violat dhe fagoti. Për herë të parë Beethoveni, në kohën e katërt inkludoi në orkestër kontrafagotin dhe piccolon. Mbas goditjeve të timpanit mbi akordet e harqeve, afrohet një rritje e stuhishme "crescendo" që paralajmëron fillimin e finales me trombonet. Mbas një farë qetësie dhe reprizë të min., se katërt, afrohet finalja që përfundon me tempon "presto" në një klimaks akordesh të harqeve, frymorëve të drurit, tromboneve në mënyre grandioze.

Herbert Von Karajan e ka dirigjuar shumë herë këtë simfoni, në mënyrën më perfekte si asnjë dirigjent para dhe pas tij. Ai ka ditur të mbajë nën kontroll të gjithë zhvillimet e simfonise duke e paraqitur këtë tamam si një triumf i plotë i njerëzimit, me një besim në fitoren e tij përfundimtare. Këtë simfoni e kanë dirigjuar edhe Abbado, Ashkenazy, Masur, Furtëangler Klempërer, Kleiber, Toscanini, Ëalter, Solti, Bohm, Bernstein Zinman.

Për simfoninë e gjashtë "Pastorale”

Për simfoninë e gjashtë "Pastorale" Beethoveni përcaktoi një specifikë tjetër, të veçantë punimi të ndryshme prej të tjerave sepse do t’ja kushtonte natyrës, të gjithë simfoninë, të pesë kohët. Ai e kompletoi dhe e pasuroi më shumë ekspresion me 1808. Koha e parë, allegro ma non troppo, në F/Fa maxhore paraqitet në formën e sonatës klasike . Violinat udhëheqin temën kryesore të pasuar nga oboe, ndërsa e gjithë orkestra përfshihet në mënyrë brilante. Periodikisht dëgjohet zëri i zogjve që imitohet prej flautit. Mbas minutës së parë, violinat e para në arpeggio të ndjekura nga të dytat, shoqërohen prej violave dhe cellove. Por menjëherë flauti, klarineta dhe fagoti gjallërojnë gëzueshëm melodinë me afrimin e pranverës. Mbas kodes violinat përsërisin temën dhe e gjithë orkestra i drejtohet finales. Në kohën e dytë dominon motivi karakteristik edhe pse ritmi nuk është i ngadalshëm, duke përshkruar gurgullimën e ujit të përroit me harqet ndërsa cicërimin e zogjëve me violinat dhe frymorët e drurit. Kjo kohë përfundon në qetësi, violinat luajnë temën që i përgjigjet fagoti, klarineta dhe flauti. Tri kohët e fundit kanë lidhje organike. Koha e tretë është një skerco e shkurtër për tre min. Tema fillon me oboe dhe harqet.

Mbas kësaj, tempo ndryshon nga skerco në allegro me një ritëm danci të fshatarëve të grumbulluar. Me një paralajmërim të cellove e të basëve për stuhinë që po vjen, futemi në kohën e katërt: Piccolo që edhe këtu e inkludoi Beethoveni, njofton me tonin karakteristik largimin e stuhisë duke u futur në kohën finale, allegretto. Kënga e barinjve: ndjenja të gëzueshme, emocione të këndshme mbas mbarimit të stuhisë. Beethoveni shkroi: "-Lutje falënderimi. Zot, ne të falenderojmë". Melodi të bukura pastorale përshkojnë kohën e pestë, mrekullitë e bukuritë e natyrës alternohen me klarinetën e fagotin të shoqëruara nga harqet. Tema kryesore përsëritet disa herë në shumë variante, me cello e fagot, violë e cello, ndërsa në përfundim mbas violinave të dyta, violave dhe cello e kontrabaseve, orkestra me akordet e saj mbyll

finalen me qetësi. Në simfoninë e 6-të "Pastorale" duket që ka romantizëm por edhe ndikime të periudhës klasike duke u pasuruar me një stil të ri me të cilin Beethoveni na paraqet një portret muzikor të natyrës. Simfoninë Nr. 5 dhe 6 "Pastorale" e kanë interpretuar shumë orkestra simfonike, por mendoj se ajo e Berlinit, Berlin Philarmoniker me dirigjent mjeshtrin gjenial Herbert Von Karajan ka dhënë performancën më të mirë të gjitha kohëve. Po ashtu, me një nivel të lartë shquhet edhe orkestra simfonike e Tonhalle e Zyrihut me dirigjent David Zinman. Si instrumentist, kam paraqitur shkurt disa krijime më të rëndësishme të Bethovenit. Në shumicë e rasteve përveç ndonjë partiture kam shfrytëuar edhe DVD me krijimet më të mira si të pesë piano koncertet, violinë koncerti op. 61, simfonitë, triple koncertin, sonatat, overturat fantazinë korale për piano, kor dhe orkestër op. 80 si dhe ndonjë pjesë nga muzika e dhomës duke u mbështet në momentet kryesore dhe jo në linjën biografike. Një mënyrë e tillë të njeh qartë me gjuhën e kompozitorit gjenial. Sigurisht është më e saktë të vlerësosh një krijim muzikor kur e ndëgjon dhe sheh orkestrën, dirigjentin dhe solistin. Në çdo krijim të Beethovenit bie në sy teknika e lartë, virtuoziteti, orkestracioni perfekt, koloriteti orkestral, klimakset e shpeshta sidomos në piano koncertet e violinë koncertin po ashtu dialoget mes instrumentëve si dhe orkestrës e solistit dhe solistit e instrumentit, shkallët figurative veçanërisht në "Emperor", kadencat, finalet e famshme të koncerteve, simfonive apo atë finale grandioze të fantazisë korale op. 80, variacionet e shumta, dhe introduksionet që shpesh befasojnë audiencat me profesioniste. Improvizimi ishte pasioni i tij më i madh, ndërsa talenti i tij i mrekullueshëm, aftësia dhe forca e karakterit e ndihmuan Beethovenin të gjente rrugët drejt majave më të larta të artit muzikor. Ky ishte Ludëig Van Beethoven kompozitori gjenial dhe legjendar për gjithë kohët, kompozitori suprem mbi tjerët, ndërsa vepra e tij mbetet madhështore e monumentale e artit muzikor botëror.

Muaji dhjetor konsiderohet si muaji i Beethovenit, për këtë në shumë vende organizohen konkurse e koncerte me krijimet nga më të ndryshmet traditë e cila duhet të ndiqet edhe tek ne.

Burime:

"The universal composer Beethoven. " Edmund Morris. 2005

" A history of ëestern music" Donald Jay Grout. 1960

"La gran musica" (classical collection) 1996

"Classical masterpieces" The best of Beethoven.

(N. Vasilieva S. Pegg)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora