Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhafer Leci: Hysen Gega - Komiteti ma dha revolen me i vra Jusuf e Bardhosh Gërvallën!

| E hene, 14.11.2022, 08:55 PM |


“Hysen Gega: Komiteti ma dha revolen me i vra Jusuf e Bardhosh Gërvallën!”

NGA XHAFER LECI

Viktima e parë e terrorit, nga UDB-a, ishte plagosja e rëndë e anëtarit të "Besëlidhjes", Rasim Zenelaj, nga fshati Sllatinë i Podujevës, i cili plagoset rëndë, më 14 maj 1981, në Frankfurt të Gjermanisë, nga serbja Zorica Aleksiç.

Jemi tubuar këtu të shënojmë bashkërisht përvjetorin e 30-të jubilar të themelimit të Shoqatës “Kadri Zeka”, me seli në Nürtingen të Gjermanisë.
Jemi zotni në tokat tona mijëravjeçare, nuk pranojmë nënçmime as ofendime nga pushtuesit sllavo-ortodoks…
Të punojmë bashkërisht për bërjen e Shqipnisë Etnike!
Kadri Zeka, Hero i Kosovës, u lind në Poliçkë të Kamenicës më 25 Prill 1953. Ka mbaruar Juridikun, Dega e Gazetari, i frymëzuar për atdhetarizëm nga Metush Krasniqi, atdhetar e luftëtarë tjerë…
Kadriu ka punuar pak në arsim, në fshatin tim Gmicë e Kamenicës, më vonë si gazetar në Radio Prishtinë.
Në prill 1978, kalon në Zvicër, dhe ilegalisht riorganizon radhët e mërgimtarëve, bashkë me Hasan Malajn etj., përmes Organizatës Marksiste Leniniste të Kosovës, të cilën e udhëhiqte Kadriu dhe nxirrte gazetën "Liria" (janë botuar disa numra).
Kadriu ka qenë kryeorganizator i Demonstratës së parë, në prill të vitit 1981 në Bern të Zvicrës.
Në gazetën “Liria” ka botuar shumë artikuj, poezi…

Fatkeqësisht Kadri Zeka nuk ka lënë trashëgimtarë, kjo është shumë e dhimbshme!

Në vitin 1981, Kadri Zeka, ka përkthyer-botuar librin, SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE, të Dr. Vaso Çubrilloviqit, për herë të parë në gjuhën shqipe…
(Libri, Kadri Zeka VEPRA Korrik, 1986)
Kur jemi tek demonstratat, Emin Fazlija, alias Emil Kastrioti, kryetar i" Besëlidhjes", në vitin 1978,në Stuttgart të Gjermanisë, me rastin e shënimit të 100 vjetorit të lidhjes së Prizrenit, ka organizuar demonstratën e parë, me Vehbi Ibrahimin, sekretar dhe shokë të tjerë.
Për nderë të pavarësisë së Shqipnisë, me 28 nëntor 1979 , ka organizuar demonstratën në Frankfurt dhe më 1980-të në Munih të Gjermanisë...
Vrasjet dhe plagosjet e veprimtarëve në Perëndim, nga UDB-a e Serbosllavisë, ishin plagë dhe dhimbje e madhe, jo vetëm për familjet e tyre, por për mbarë popullin shqiptarët, në veçanti për ne mërgimtarët. Siç kanë thënë të moçmit dheu i huaj është i ftohtë...

Atentati i parë i UDB-së në diasporë, u krye nga një serbe

Viktima e parë e terrorit, nga UDB-a, ishte plagosja e rëndë e anëtarit të "Besëlidhjes", Rasim Zenelaj, nga fshati Sllatinë i Podujevës, i cili plagoset rëndë, më 14 maj 1981, në Frankfurt të Gjermanisë, nga serbja Zorica Aleksiç, e cila ka shtënë me pesë plumba nga pistoleta “Ceska”. Vajza serbe ka pranuar se “atentatin e ka bërë me porosi të UDB-së jugosllave”. Atentatorja është dënuar me 7 (shtatë) vjet burg. Rasimi edhe sot jeton në karrige invalidore. Rasimin e spiunoj, shqipfolësi nga Maqedonia, Iso Dautovski, një spiun i UDB-së…
Ndërsa më 10 tetor 1981, në Bruksel të Belgjikës, vritet Vehbi Ibrahimi, sekretar i Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare, të cilin, e kam njohur personalisht në vitin 1970 në Kufstein të Austrisë.

Atentatorët kurrë nuk u zbuluan.
Pas vrasjes së Vehbi Ibrahimit, udbashi, Ukë Qerreti, e kishte siguruar, sigurisht nga UDB-a numrin e telefonit të kryetarit të "Besëlidhjes", Emin Fazlija dhe në mënyrë anonime e kishte thirrur nga Kosova në Gjermani, duke i thënë: “Ndërroje vendbanimin se do të vritesh”!
Emini e pat ndërruar vendbanimin dhe një kohë të gjatë askush nuk ia ka ditur adresën.
Pas mbarimit të luftës në Kosovë, Ukë Qerreti e takon Emin Fazliun dhe i tregon se ai ishte personi që e kishte thirrur anonim, njeriu i UDB-së, Ukë Qerreti…
Riza Salihu, i dyshuar si bashkëpunëtor i UDB-së, jo vetëm vëllezërve Gërvalla e Hysen Gegës, por edhe Emin Fazlisë ua ka kontrolluar-vjedhur postën, për këtë ka qenë edhe polica gjermane e informuar, Riza është vëzhguar nga policia.. !
Ibrahim Kelmendi, në Romanin e tij „Atentatet“, akuzon si vrasës të Gërvallajve e Kadri Zekës, Riza Salihun. Për këtë si të dyshuar, 14 muaj e kanë mbajtur në burg hetuesie gjermanët, u lira si i pafajshëm.
Edhe Riza Salihu, publikisht akuzon Ibrahim Kelmendin, si vrasës të Gërvallajve dhe Kadri Zekës.

Unë personalisht, në bazë të gjitha atyre që kam mundur të mësoj, gjatë shumë viteve, besoj se vrasës i këtyre Tre Heronjve, është : krimineli i njohur Zhelko Razhnatoviq, alias Arkan, i cili si duket ka jetuar- vëzhguar situatën në Stuttgart e rrethinë, ndërsa këta te dytë, Riza Salihu e Ibrahim Kelmendi, mund të jenë, të implikuar në vrasjen e tyre, bile edhe të tjerë, si për-shembull: Konsulli i atëhershëm, Bashkim Hisari nga Prizreni, i cili ka punuar në Konsullata, në Hamburg e Stuttgart, në kohën kur ndodhi Atentati.
Më vonë Bashkim Hisari qe shpërblyer si Sekretar i parë i Ambasadës Jugosllave në Bernë të Zvicrës.

Në Kosovë derdhej gjaku, neve nuk na interesonin koncertet

Një shembull i cili flet qartë edhe për implikimin e konsullatës Jugosllave në Stuttgart, pikërisht të konsullit Bashkim Hisari, i cili ka organizuar “Ansamblin Shota”, nga Prishtina, në nëntor 1981, për të shfaqur Koncert në Sindelfingen të Gjermanisë, ku kishin ardhur edhe mërgimtarë të kombësive tjera Jugosllave.
Në koncert merrnin pjesë edhe vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gëvalla, Nami Ramadani, Dervish Beqa, unë Xhafer Leci e shumë të tjerë.

Po sa ka filluar shfaqja, Bardhosh Gërvalla me disa të tjerë kanë filluar shkatërrimin e instrumenteve muzikore për prishjen e koncertit. Mua edhe sot më rrinë para syve Fitim Domi, alias Mixha Ramë, të cilin e donte populli, mbeti i stepur në këmbë... Në Kosovë derdhej gjaku, neve nuk na interesonin koncertet.
Konsulli Bashkim Hisari, u mbyll diku në ndonjë nga dhomat e sigurisë së sallës. Kishte thirrur policinë gjermane, dhe Jusufin e Bardhin i nxori policia jashtë salle. Bardhi me shokë të tjerë, i shkruan parullat "Kosova Republikë" në Autobusët e ardhur nga Kosova...
As ish i burgosuri politik shumëvjeçar, Hysen Gega, i cili akuzon prof.Jusuf Buxhovin, se gjoja e ka marrë në pyetje, sa ka qenë në burg, nuk është e vërtetë dhe Hyseni është i vetmi që ka akuzuar deri me sot Jusuf Buxhovin.

Xhafer Leci duke e lexuar fjalimin e tij në përkujtimin e atentatit ndaj vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka

Me Hysenin kam punuar në Fabrikën e televizorëve Standard Elektrik Loren (SEL) në Esslingen Neckar, në vitin 1977-1978… Para disa vitesh, sa ishte gjallë Hyseni, me një shkrim, e pata demantuar atë. Nuk kam marrë përgjigje …Dikush nga krerët e LPK-së, kishte dëshirë që ta nxjerrin LDK-në, si lëvizje-parti e themeluar nga Udbashët..!
Hysen Gega ishte i paarsimuar, por trim e atdhetar. Ai ishte i manipulueshëm, pothuajse, i pa pjekur politikisht.

"Komiteti" ma dha revolen me i vra Jusuf e Bardhosh Gërvallën. Në fillim pranova, për ta kryer atentatin. Pastaj u pendova dhe ua dorëzova revolën, me 5 (pesë) fishekë, vëllezërve Gërvalla, pa dhënë shpjegime shtesë, përveç asaj se -nuk kam plumba për shqiptarë! "

Mua më vjen keq, pse nuk e kam trajtuar çështjen e revoles sa ishte gjallë Hysen Gega? Unë di bukur shumë për revolen, por miku im, Beqir Emini nga Kumanova, i cili flinte në një dhomë me Hysen Gegën, me të cilin edhe libra e materiale tjera, kanë sjellur në banesën e tyre nga Ambasada e Shqipnisë në Vjenë të Austrisë, në vitin 1978…
Për cilin „komitet“ flet Hyseni, kur dihet se Riza Salihu, themelues i Grupit Marksist-leninist, të quajtur “Zëri i Kosovës” kishte vetëm 3 anëtarë, Riza Salihu udhëheqës dhe Hysen Gega e Maksut Seramati?
Riza Salihu, ka bërë edhe një gënjeshtër të madhe, kur thotë:“ Kadri Zeka, ka kërkuar nga unë të bëhet anëtar i grupit tim !“
Kur dihet se Kadri Zeka i takonte organizatës më të madhe në Kosovë dhe Mërgatë…
Hysen Gega ishte vegël e Ibrahim Kelmendit. Ai nuk u mbush mend as pas dërgimit në Kosovë, me libra e materiale të Enver Hoxhës, duke e vënë në kurthin e policisë jugosllave dhe dënimit me 12 vjet burg!

Kjo u dëshmua edhe në një intervistë, të bërë me porosi të intrigantit Kelmendi, se gjoja UDB-a ia ka premtuar 200 mijë marka, për ta vra Ibrahim Kelmendin.

Hysen Gërvalla ua zbulon të gjitha dallaveret Kelmendit dhe Gegës. Ky i fundit, nuk pati guximin të ballafaqohet me Hysen Gërvallën, i cili denoncoi përrallat e Ibrahim Kelmendit, "sikur donte ta vriste UDB-a, sepse ajo ka vrarë kë ka dashtë".
Po ky Riza, i quan njerëz të UDB-së, Ibrahim Kelmendin dhe Jusuf Gërvallën. Dihet se UDB-a, Jusufin e vrau, por jo edhe Ibrahim Kelmendin e Riza Salihun!

Më 17 janar 1982, ndodhi dhimbja e madhe, që tronditi mbarë popullin shqiptarë, nga UDB-a gjakatare, u vranë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Pata fatin që i njoha, mora pjesë nëpër demonstrata, dhe në ceremoninë e varrimit, bashkë me vëllain tim Balën, kushërininë Begun, Nami Ramadani, Jakup Biçkaj, Ibrahim e Jusuf Shala, një mik imi, turk, Osman Helvaci e disa të tjerë. Aty i njoha edhe prindërit e tyre, Nanën Ajshe dhe bacin Pajazit Zeka, i njohur në popull si Ziti.

Te varrezat, shumë njerëz po qanin dhe ishin të pikëlluar, po qaja edhe unë. Duke Ju shprehur ngushëllime, Baci Pajazit Zeka dhe Nëna Ajshe, na thonin mos u mërzitni as ju, se i kishit shokë.

Mërgata jonë, në shenjë respekti e mirënjohje, gjithmonë të lartpërmendurve u bëri nderimin me homazhe për çdo vit tek varrezat e tyre në Stuttgart e Bruksel,por mjerisht ndaras, LPK me disa qindra e LDK me disa mijëra pjesëmarrës!
Në pyetjen time pse ndodh kjo gjë e shëmtuar kështu të ndarë, sikur kemi dy palë heronj e dëshmorë, një udhëheqës i LPK-së, thotë: Neve i ftojmë të gjithë pa dallim, kush ka dëshirë vjen…! Ndërsa ,në pyetjen time një udhëheqësi të LDK-së, pse nuk marrim pjesë në homazhe bashkë me LPK-në ?,- ai përgjigjet: „ Ata nuk duan bashkëpunim, por duan të prijnë në homazhe, demonstrata…!

Me 25 shkurt 1990, në Bruksel të Belgjikës, vritet Enver Hadri, shqiptari i parë i cili arriti të hap dyert e Parlamentit Evropian, të dorëzojë emrat e vrasjeve të shqiptarëve të pafajshëm, nga regjimi diktatorial i Jugosllavisë titiste komuniste.
Nga Esslingen Neckar, me dy autobusë, të cilët i ngisnin vëllezërit Nami e Jakup Ramadani, morëm pjesë në ceremoninë e varrimit.
Atje organizatorë ishin: Gani Azemi, Ramadan Gashi, Reshat Sahitaj, Smajl Bytyqi, aktualisht drejtor i “Trofta-s ” në Istog.
Nga Amerika me Delegacionin shqiptar mori pjesë edhe Joseph J. Dio Guardi…
Gani Azemi e Ramadan Gashi, si intelektualë e veprimtarë të hershëm, pas ri-shpalljes së Kosovës shtet i pavarur u bënë Ambasadorë me plotë merita.

BIA serbe e vrau Musa Hotin

Me 16 janar 2004, u vra, gjegjësisht, është mbytur nga UDB-a apo BIA, serbe Musa Hoti, i cili në vitet 1980-ta, ka vrarë një zyrtar të Ambasadës së Jugosllavisë në Bruksel, pas vuajtjes së burgut, edhe vritet...
Në vitin 2001, kur po përgatiteshin eshtrat e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gëvalla dhe Kadri Zeka, të ktheheshin në Kosovë, në banesën time, në Köngen të Gjermanisë erdhi vëllai i Kadri Zekës, Xheladin Zeka, bashkë me Arban Hoxhën dhe Avni Salihun. Biseduam shumë gjatë rrethë vrasjeve të veprimtarëve në Mërgim. Xheladinit i thashë: Të gjitha këto vrasje i ka bërë UDB-a, por me implikimin e shqipfolësve argatë të UDB-së.
Në pyetjen time, pse po i ndani kufomat, kur dihet se për të njëjtin ideal punuan dhe, kur u vranë edhe gjaku u është përzier ?
Xheladini tha: Kjo nuk bëhet me dëshirën e familjes Zeka, por të Gërvallajve. Unë: Me kënd keni biseduar? Xheladini: Me vëllanë e madh të Gërvallajve, Hysenin...
Libri: (Lëvizja- Lindje e Përgjakur) – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin, autor Bedri Islami).
Bindshëm e them, me fakte dhe dëshmi, se ka qenë afër, por nuk ka ndodhur bashkimi i tri organizatave, të Jusuf Gërvallës LNÇKVSHJ, Kadri Zekës OMLK dhe Ibrahim Kelmendit, Fronti i Kuq Popullor. Në lidhje me këtë kam bërë një shkrim me titull: Kush e përgjaku Lëvizjen?

Nuk kam marrë përgjigje, sepse gjithçka kam shkruar, e kam argumentuar me fakte dhe dëshmi të pamohueshme..

Në vitin 1990, pas pjesëmarrjes sime me shokë në themelimin e Degës së LDK-së në Gjermani dhe aktivit të LDK-së në Kirchheim-Teck, në cilësinë e kryetarit të aktivit, më lindi ideja për themelimin dhe emërtimin e një shoqate kulturore shqiptare, si synim, për ta ndihmuar mbijetesën e popullit tonë.
Më 12.09. 1992, thirra një tubim, njoftova kryesinë, caktova rendin e ditës, askush nuk e kundërshtoi idenë time. Kishte shumë propozime të personaliteteve të ndryshme. Hajrullah Matoshi, propozoi Kadri Zekën, ishin gjithsejtë 67 pjesë-marrës, 4 mysafirë dhe 63 me të drejtë vote.

Votimet i kisha përgatitur me vota të fshehta. Unë nuk pranova propozimin për kandidim, sepse isha kryetar i aktivit të LDK-së. Jo rastësisht fitoi emri i Kadri Zekës. Kryetar u zgjodh Faredin Emërllahu. Shoqata u regjistrua tek organet zyrtare gjermane.
Pas një kohe të shkurtër u themeluan komisionet për informim, kulturë, sport dhe ndihma materiale. U organizuan tubime të ndryshme, sportive, futboll të vogël, shah etj.
Pas dy viteve u mbajtën zgjedhje të reja. Unë, Xhafer Leci, u zgjodha kryetar, si gjithmonë me vota të fshehta, por kësaj radhe, pavarësisht, se akoma isha edhe kryetar i aktivit të LDK-së, shokët më bënë lutje ta pranoja kandidimin... Neve arritëm të kemi deri 184 anëtarë me libreza, kishim edhe ekipin e shkëlqyer të futbollit “Drita“
E pamundur është përfshirja e të gjitha aktiviteteve, qoftë edhe në një libër voluminoz.
Kemi pasur Bashkësinë Shqiptare, kryetar i së cilës ishte Prof. Dr. Shevqet Canhasi, cili ishte punëtor dhe intelektual i madh, Ai na ka shpërndarë Statutin, Rregulloren, Adresarin... Kemi bashkëpunuar me nja 12 shoqata...
Në vitin 1994, kemi hapur 3 shkolla me mësim plotësues në gjuhën shqipe, edhe pas mbarimit të luftës në Kosovë janë hapur shkolla shqipe, por, mjerisht, që disa vite të gjitha janë mbyllur.
Me keqardhje, krejt me fajin e prindërve!
Kemi organizuar me dhjetëra organizime të ndryshme në shumë fusha, shumëherë së bashku edhe me aktivin e LDK-së, sepse vepronim në të njëjtin terren dhe për të njëjtin ideal, çështja kombëtare na bashkonte. Organizimet ishin të natyrave të ndryshme, krejt në shërbim të atdheut, si festa e pavarësisë së Shqipnisë, akademi përkujtimore, promovime librash, demonstratat, grumbullime të mjeteve materiale, për shëndetësinë, arsimin, zbutjen e varfërisë me veshmbathje, si në vitin 1994 dërguam disa tonë në Shqipëri, kemi ndihmuar shumë individ për operime të ndryshme, bartje të kufomave në atdhe të azilkërkuesve...
Për aktivitetet tona, Gazeta lokale „Der Teckbote“ në Kirchheim/Teck, ka botuar 13 shkrime.

Të shkapërderdhur larg njëri-tjetrit

Me një rast në komunikacion vdiqën dy të rinjë, me emra të rrejshëm, për fat të mirë pas disa ditë, arritëm ti zbulonim emrat e tyre të vërtetë, përndryshe autoritetet gjermane donin ti varrosnin në Gjermani, pa emra..!
Me atë rast grumbulluam 5200 DM, për bartjen e kufomave në Kosovë dhe për familjet e tyre për të pame…Si azil kërkuesit edhe refugjatët i kemi ndihmuar të punësohen, të gjejnë banesa, u kemi dhënë para gjatë luftës të lidhen përmes telefonit satelitor me familjet e tyre…
Më 18.01.1999, me ndihmën e Komunës dhe Azil Kreis-it të Kirchheim-Teck-ut, të cilët na dhanë lokalet dhe na ndihmuan për grumbullimin e ndihmave. Ne kemi bërë paketimin e 630 paketave, rreth 7 tonë gjësende të përbashkëta veshmbathje, etj. Transportimin e tyre, e bëri: Diakonia gjermane nga Stuttgart-i dhe Karitasi austriak i Vjenës.
Ndihmat i kanë pranuar Marta Palokaj dhe Jak Mitaj nga Shoqata “Nëna Terezë" në Prishtinë.
Ndihmuam luftën në Kosovë, Iliridën në Maqedoni dhe Kosovën Lindore, Preshevë, Bujanoc e Medvegje.

Për ne, veprimtarët e terrenit, fundjava, e shtunë e diel, nuk ishin ditë pushimi, por veprimi, e nganjëherë, edhe pas mbarimit të punës së rregullt të përditshme, në mbrëmje dilnim në terren.

Ne, shqiptarët në hapësirën e madhe gjermane, ishim si disa pika uji në det, të shkapërderdhur larg njëri-tjetrit me banim.

Si kryesi, të përkushtuar besnikërisht, kemi vepruar në një zonë të vogël, por pa u lodhur e ankuar asnjëherë, kemi pasur besimin e madh tek bashkatdhetarët, për të gjitha këto nuk kanë munguar rezultatet e suksesshme, vetëm për periudhën 1990-2001, kemi bërë raportin me shifra, data, dokumente pedanterie, ku janë grumbulluar gjithsejtë: 1 177 909 DM.

Falënderojmë veprimtarët e kryesive të Shoqatës „KadriZeka“ dhe aktivin e LDK-së, për kontributin e dhënë dhe të gjithë ata që nuk kursyen as kafshatën e bukës, për ta ndihmuar vendin deri në çlirim.

Nuk mendojmë se kemi bërë diçka të jashtëzakonshme, por, vendit kurrgjë s`i kemi marrë. Dhe, dihet se pa bazën materiale, gjithçka është e vdekur, as liria nuk arrihet.
Unë humanizmin e kam pasur në zemër dhe shpirt.
Në vitin1998, në Zürich të Zvicrës, me iniciativën time, në lokalet e klubit „ Bashkimi“, themeluam Shoqatën humanitare familjare „Zukë Leci“, kaçak, i cili ka vuajtur 18 vjet burg, luftëtar dhe pleqnar.
Nga ajo kohë, përpos ndihmave humanitare për familjarët tonë, kemi ndërtuar 5 shtëpi dhe një objekt në hyrje të varrezave kryesore të Kamenicës, për shërbimin e qytetarëve, duke instaluar, rrymën, ujësjellësin, kanalizimin etj. Objekti ka kushtuar 37 mijë euro, pa llogaritur punën vullnetare të objektit…

E djathta shqiptare është luftuar pamëshirshëm

Në demonstratat e vitit 1981 në perëndim, kanë marrë pjesë përafërsisht 500 deri në 5 mijë mërgimtarë, prej tyre, ndoshta vetëm disa qindra kanë qenë enveristë, me bindje marksiste leniniste dhe shumë pakë titoist, të tjerët nuk kanë pasur lidhje me komunizmin, ishin vetëm punëtorë krahu, por i ka bashkuar parulla, „Kosova Republikë“
Porosia ime ka qenë dhe mbetet: ti lëmë anash ideologjitë politike dhe fetare, sepse janë të huajat të bashkohemi rreth çështjes tonë kombëtare, ashtu siç kanë vepruar kroatët, në vitin 1971 gjatë demonstratave të fuqishme, për shkëputjen e Kroacisë nga Serbosllavia...

Nuk jam historian, por, si pjesëmarrës që në demonstratat e vitit 1968 në Gjilan, kam krijuar pak përvojë, kam mësuar nga pak nga organizatorët atdhetarë…
Kroatët komunist bashkëpunonin me forcat reaksionare, në vend dhe jashtë vendit, kështu që ata që drejtonin Kroacinë më 1971, ishin edhe organizatorë të demonstratave si; Savka Dapçeviç Kuçar, kryetare e Komitetit Qendror të Kroacisë, Miko Tripallo, ministër i jashtëm i diplomacisë Jugosllave, i cili kishte folur në një rast në institucione, për mos besimin anti-serb: “Të gjallët nuk mund t’u sqarojnë të vdekurve, kurse të vdekurit të gjallëve munden shumë”.

Savka Dapçeviç-Kuçar, ka mbajtur dy fjalime të flakta para qindra-mijëra demonstruesve, studentë e qytetar kroatë.., madje edhe i ka kushtuar shtrenjtë, por ka mbetur heroinë e popullit të vet…
Mjerisht, kështu nuk ndodhi me neve shqiptarët. E djathta shqiptare është luftuar pa mëshirshëm nga dy shtete komuniste; Serbosllavia dhe Shqipnia!

Invalidët e luftës dhe familjet e tyre, duhet ndihmuar shteti dhe populli, me ato mundësi që kemi bashkërisht.

Lavdi dhe nderim të përjetshëm të gjithë të rënëve, për çlirimin e popullit dhe vendit tonë të përbashkët të Shqipnisë Etnike !

Pushofshin në paqe !

Wernau,15.10.2022
Xhafer Leci, Kryetar Nderi i Shoqatës Kadri Zeka“