E merkure, 30.09.2020, 10:37 PM (GMT+1)

Plus » Historia

Fati i “tradhtarit”

E diele, 28.12.2008, 01:12 PM


Mustafa Merlika Kruja
Intervistoi Violeta Murati
 
Rishkrimi i historisë gjithmonë ka mbetur te pjesa më delikate e këtij procesi: dekomunistizimi. Sikur kjo detyrë të mos ishte e historianëve, ajo që ka bllokuar gjithë këtë proces janë gabimet e pandrequra të historisë zyrtare. Në kohën që arkivat janë hapur, fati i “tradhtarëve”, vazhdon të komentohet si pjesë e errët, duke qarkulluar libra mbi libra. Për herë të parë, dje, në një konferencë shkencore kushtuar personalitetit Mustafa Krujës reflektimi ka qenë jo një rast vendimtar për të vënë pikat mbi “i”. Drejtorja e Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika flet për fatin e hidhur të arkivave, sidomos të njerëzve që u quajtën “tradhtarë” nga regjimi

Rishkrimi i historisë gjithmonë ka mbetur te pjesa më delikate e këtij procesi: dekomunistizimi. Sikur kjo detyrë të mos ishte e historianëve, ajo që ka bllokuar gjithë këtë proces janë gabimet e pandrequra të historisë zyrtare. Në kohën që arkivat janë hapur, fati i “tradhtarëve”, vazhdon të komentohet si pjesë e errët, duke qarkulluar libra mbi libra. Për herë të parë, dje, në një konferencë shkencore kushtuar personalitetit Mustafa Krujës reflektimi ka qenë jo një rast vendimtar për të vënë pikat mbi “i”. E para ka arsyen më të thjeshtë sepse ky aktivitet vjen si nismë e lirë e një grup njerëzish, studiuesish e miqsh të Krujës, jo një nxitje institucionale, shkencore e historianëve, dhe e dyta ka një arsye më të turbullt, më të ndërlikuar–referimi drejt arkivave. Drejtorja e Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika flet për fatin e hidhur të arkivave, sidomos të njerëzve që u quajtën “tradhtarë” nga regjimi. Rishkrimi i historisë del në pah sa herë shumë personalitete të historisë dhe shkencës sonë janë përkujtuar në data si kjo e djeshmja për Mustafa Krujës në 50 vjetorin e vdekjes. Kjo tanimë dihet se njerëz, si ky, që patën jetën më aktive si politike, zyrtarë, dhe punën shkencore u kryqëzuan dhe më zi në ditët e sotme, historianët i kanë lënë jashtë faktimit, integrimit historik. “Fati i arkivave të tyre është një fat tragjik sepse u shkatërruan qëllimisht në fillim, u grumbulluan pastaj tek ne pa asnjë rregull, por gjithsesi janë me fat që erdhën në arkiv, por u keqpërdorën sidomos dokumenta që kishin të bënin për veprimtarinë shkencore”, thotë Nika.

Fjalori i Mustafa Krujës është zhdukur, nuk gjendet më, akti i pavarsisë nuk gjendet, studimet e franceskanëve nuk gjenden, shumë shkrime dhe shqipërimë janë zhdukur- mbi këtë apel të Nikës, na prezantohet dhe rasti i Krujës, ku historianët dhe studiuesit e kanë parë fare pak, për të mos thënë aspak dokumentacionin që zotëron AQSH mbi këtë personalitet historik dhe shkencor. “Instituti i Studimeve Shqiptare është një vlerë e jashtëzakonshme, dhe pasuria e tij është e madhe që vetiu na shtron pyetjen ku janë ato, ku vajtën kush i mori, kush vuri dorë mbi to?! I shkatërruan, i rrëmbyen, i vodhën, i çuan gjëkundi të gjitha këto, janë pikëpyetje që ne vazhdimisht mundohemi t’i japim një lloj përgjigje por jo gjithmonë e kemi këtë fat”.

Sa herë thuhet rishkrimi i historisë, dhe konkretisht sic po shqyrtohet dhe në konferencën kushtuar Mustafa Krujës mendimi i parë është pasuria e arkivit, si fjala e fundit e të vërtetës. A mund të na thoni çfarë ka të dokumentuar nga ky personalitet në kohën që kishte një jetë aktive në politike dhe ishte kryeministër?

Arkivi zotëron një fond të veprimtarisë zyrtare, politikën po e lëmë mënjëanë.

Është gjithë fondi i ministrisë, kryeministrisë, e i parlamentit, natyrisht aty mund të gjenden plot dokumenta që flasin për veprimtarinë e tij. Kushdo që kërkon të studjojë e ka krejt të lehtë. Ajo që është në fond na jep kryesisht veprimtarinë e Krujës, kur ai ka qenë kryeministër, kur ka qenë drejtor shkolle, si dhe në qeverinë e Durrësit. Këto janë veprimtari zyrtare krejt normale. Veprimtari politike unë do ta quaja kur ka qenë pjesë e parlamentit shqiptar, p.sh debatet, diskutimet, fjalimet e tij në parlament ne i kemi sepse ky fond gjendet në Arkiv. Këto janë pjesë e dokumentacionit ku ai shfaq, shpalos mendimet tij, që zgjidhet deputet- këto kanë të bëjnë me jetën politike.

A është i hapur arkivi i Krujës dhe sa është parë ky dokumentacion nga studiuesit, dhe historianët?

Arkivat sigurisht që janë të hapura por janë të studiuara jashtëzakonisht pak. Unë gjykoj jo vetëm për Mustafa Krujën, që nuk bëhet fjalë, por edhe për gjëra të tjera arkivi, do të thotë dokumenti, ai origjinal është parë shumë pak. Ka dy arsye: arsyeja e parë kërkon shumë mundim sepse duke lexuar dokumentat kërkohet shumë më tepër kohë të arrish në një përfundim për të shkruar dy rreshta, dy faqe, apo një libër.

Pjesa tjetër pastaj, është periudha e para ’90-ës, jo se ishte i mbyllur arkivi, ai i hapur ishte, si fjalë, por ishte i mbyllur sepse njerëzit kishin censurë dhe autocensurë, dhe ishte më mirë që të mos i shihnin dokumentet origjinalë. Mbas ’90-ës ishte kjo tjetra që vazhdojnë të kenë një parapëlqim për një libër, dhe nga libri në libër është shumë më e lehtë se sa dokumenti. Pra, të kërkosh për një dokument origjinal, dorëshkrim, nga gjuhë të huaja etj, pra, është shumë e vështirë.

Në vitet ’41-’43, kohë kur Mustafa Kruja ka qenë kryeministër, dhe thuhet se nënshkroi një letër për kalimin e 300 hebrenjve nga Prishtina në Shqipëri. Pra, mbi një mijë hebrenj janë strehuar në Shqipëri falë marrëveshjes së Krujës. A ka dëshmi të dokumentuar në arkiv për këtë fakt?

Dokumentacioni në arkiv është i mjaftueshëm, për të arritur në një përfundim apo për të gjurmuar një të dhënë, që nis e thuhet gojarisht, pra qarkullon, mund të shkosh dhe të gjesh një të vërtetë historike siç është ajo i kalimit të hebrenjve, të komunitetit hebrenj të Prishtinës për në Shqipëri. Natyrisht ata u dërguan në internime në Berat dhe Kavajë, por nuk ishte internim. Për këtë ekzistojnë dokumente të mjaftueshme për të arritur të konturosh një figurë siç është e Mustafa Krujës.

Në bazë të dokumentacionit që keni parë mbi veprimtarinë politike të Mustafa Krujës, siç përmendët debatet dhe diskutimet e tij në Parlament, çfarë do të na veçonit si më të spikatur që e karakterizon këtë autoritet?

Ajo që i karakterizon është fakti i të qenit shqiptar me “Sh” të madhe, që do të thotë e donin këtë vend ashtu siç ishte, me të mira dhe të këqija e vet. Ishte atdheu i tyre dhe nuk vinin asgjë përpara atdheut. Rrugëzgjidhjet që kishte gjithsecili, mendimet e gjithsecilit, bindjet e gjithsecilit, kishin një pikë të përbashkët, për të arritur atë që kërkohej në shekuj, pavarësinë.

Mustafa Kruja është një nga nënshkruesit e aktit të pavarësisë, ishte vetëm 25 vjeç, nga më të rinjtë që ishin atje. Është punonjës i të parës administrate shqiptare në qeverinë e Ismail Qemalit, merr pjesë në qeverinë e Durrësit. Kjo do të thotë se ai vazhdonte të ishte aktiv. Të veçohej një gjë do të ishte shumë e vështirë. Ai mundohej t’i shërbejë vendit si shtetar, si nëpunës, t’i shërbejë si shkencëtar sepse duke u marrë me gjuhën shqipe, duke bërë të pamundur për çeljen e shkollave për përhapjen e gjuhës dhe shkrimit shqip, si filolog, tregoi se po i shërbente atdheut maksimalisht. Që të veçosh atje, tek Arkivi, ndonjë dokumentacion që ta përfaqësojë, për këtë personalitet janë shumë.

Cili është debati politik që mbahet mend, dhe që sigurisht na dëshmohet në Arkiv protagonizmi i Mustafa Krujës? Cilat konsiderohen periudhat më aktive, dhe ato më të turbullta për të?

Nuk mund të flasim për këtë, sepse ai ka një periudhë të zbrasët si dokumentacion tek ne. Është periudha ’25-‘39-ën. Janë vitet e mërgimit të detyruar. Si ai, pati, dhe shumë personalitete të tjerë që u larguan dhe nuk pranuan një diktaturë, një regjim që shkonte afër diktaturës siç ishte ai i Mbretit. Ata nuk pranuan dikë që vinte i ndihmuar nga armiqtë tanë të përjetshëm, sepse ky ishte një fakt, si hyrja e forcave të Zogollit, ndihmuar nga vangelistët apo ardhur nga Jugosllavia, dhe natyrisht kjo nuk linte shijen e mirë tek atdhetarët, e sidomos tek ata që punuan, që Shqipëria të ishte e pavarur.

Pjesa tjetër, pra ‘39-’44 është një periudhë shumë e vështirë, e jashtëzakonshme, shumë e turbullt që duhet të futesh nën lëkurën e atyre njerëzve që më ’39, pas atyre përpjekjeve, pas gjithë atyre të larguarve nga atdheu, që Mustafa Kruja nuk është i vetmi, është Qazim Mulleti, Bahri Omari etj, të gjithë kanë qenë në mërgim politikë, kundërshtarë të atij regjimi, pra këta vijnë dhe gjejnë këtë vend në mëdyshje; ta lënë këtë vend dhe të bëjnë italianët çfarë të duan, apo t’i vënë shpatullat për shkak se pjesa tjetër e Shqipërisë u bashkua, Kosova. E gjithë kjo situatë politike duhet gjykuar me një lloj paanshmërie, sa mund të jetë i paanshëm ai që merr penën për të shkuar. Por sot, gjithsesi Arkivi i ka dyert e hapura, të gjithë mund të vijnë e të shikojnë, dhe secili të japë mendimin e vet dhe të ketë botime të ndryshme. Këtu, në konferencë, u tha shumë mirë që një histori zyrtare nuk i falet të bëjë gabime të tilla. Nëse unë shkruaj një libër vetëm me lavde për të dhe shkruaj edhe një libër tjetër me kritika, krijojnë probleme nëse nuk faktohen mbi dokumenta. Nëse këto shfrytëzohen kjo është idealja, të shkruajë si ta ketë vështrimin e tij, studiuesi, në periudha të caktuara mbi këto dokumenta. Njerëzit duhet të dijnë ku ishin lidhjet, dhe si ishin. Por, nganjëherë tek njerëzit duhet të duken edhe gjëra pa vlerë si p.sh prishja e fejesës së vajzës së Shefqet Verlacit me Zogun, e bëri Verlacin kundërshtarin më të fortë të Zogut. Kjo është njerëzore, ata nuk ishin perëndi. Ata ishin njerëz me këmbë në tokë, gjithsecili mund të kishte një simpati, apo antipati, apo probleme krahinore, një lidhje familjare, apo një miqësi të prishur etj,.

Në familjet e mëdha, ato që bëjnë pjesë në jetën politike dhe shoqërore të një vendi, nëse ka prishje të marrëdhënieve kaq njerëzore, për arsye që përmendëm më lart, fejese apo kundërshti, të gjitha këto të çojnë të kesh kundërshti dhe për gjëra të tjera.

Ç’mund të thuhet për trajtimin e Mustafa Krujës si kuisling? Si duhet gjykuar sot?

Trajtimi i tij si kuisling, si tradhtar, trajtimi i tij, si çdo epitet i keq që i është vënë qoftë atij dhe të tjerëve, unë e gjykoj sot me gjakftohtësi dhe duke pasur në zotërim dokumentat, dhe nuk ka asgjë të keqe t’i themi: Zoti Kruja këtë nuk e bëri mirë.

Gaboi kur mendoi se duke qenë me italianët do të jemi mirë, se u bashkua Shqipëria dhe u bë e madhe. Të tjerë mund ta kundërshtojnë këtë tezë dhe të thonë se Shqipëria u bë, dhe pse të mos ishim ashtu siç u bë. Duhet thënë çfarë është bërë mirë dhe keq. Sepse në fund të fundit ai bëri maksimumin e mundshëm, që të ndihmonte apo jepte në atë tollovi të madhe të Luftës së Dytë Botërore. Duke pasur parasysh që Shqipëria ishte një pikë uji në oqean, Kruja pati dhe simpatitë e tij personale se Italia ishte një vend i zhvilluar, e kemi afër dhe pse mos të na ndihmojë. Ky argument vjen për shkak se gjithë fqinjët e tjerë kishin pretendime tokësore ndaj Shqipërisë. Ka pra shumë arsye që për të gjitha këto ja vlen për t’u studiuar dhe jo për të thënë fjalët: “je kuisling”, mjaft dhe këtu mbyllet historia. Absolutisht jo. Sikur edhe kuisling ta gjykosh nga fillimi në mbarim, je i detyruar të gjykosh mbi dokumente, mbi atë që është e shkruar, jo mbi llafet.

Jemi këtu në një debat mbi raportin e rishikimit të historisë përballë arkivave. Konkretisht për Mustafa Krujën i rikthehemi diskutimit mbi fatin e arkivit të tij...çfarë ka ndodhur në këto vite?

Fati i hidhur Arkivit të Mustafa Krujës është fati i hidhur i të gjithë personaliteteve shqiptarë, të cilët qenë në anën tjetër të barrikadës së komunizmit. Të cilët nuke pranuan, dikush me vepra, dikush thjesht se ishte njeri që nuk e gëlltiste dot atë sistem që erdhi, por që gjithsesi dhanë një lloj kontributi apo kishin një vlerë në historinë e vendit tonë. Fati i arkivave të tyre është një fat tragjik sepse u shkatërruan qëllimisht në fillim, u grumbulluan pastaj tek ne pa asnjë rregull, por gjithsesi janë me fat që erdhën në arkiv, por u keqpërdorën sidomos dokumenta që kishin të bënin për veprimtarinë shkencore. Ju e dëgjuat që bëhet fjalë për Fjalorin kryeveprën e Mustafa Krujës, që nuk gjendet më sot. Kjo është një gjë që duhet të na bëjë të mendojmë, dhe të vëmë gishtin se kush ishin ata që bënë këto. Sepse akti i pavarësisë nuk gjendet, kryevepra e Krujës nuk gjendet, kryeveprat dhe studimet e franceskanëve nuk gjenden, shkrime shqipërime janë zhdukur. Sepse Instituti i Studimeve Shqiptare është një vlerë e jashtëzakonshme, dhe pasuria e tij është e madhe që vetiu na shtron pyetjen ku janë ato, ku vajtën kush i mori, kush vuri dorë mbi to?! I shkatërruan, i rrëmbyen, i vodhën, i çuan gjëkundi të gjitha këto, janë pikëpyetje që ne vazhdimisht mundohemi t’i japim një lloj përgjigje por jo gjithmonë e kemi këtë fat. Për Mustafa Krujën, në qytetin e Krujës nuk ka asnjëgjë, normale, sepse në këto qytetet e vogla nuk funskionojnë, mund të mendohet që ndoshta në arkivin e ministrisë së brendshme, apo gjykatave ka dokumentacione. Por, sot, kemi bashkëpunim të mirë me to, ashtu siç u gjendën dokumentacionet e Sejfulla Malëshovës për t’u mbledhur në arkivin tonë, mund të gjendet dhe ndonjë gjë tjetër. Gjithsesi kemi dyshimin se nëse dikush ja ka ditur vlerën, ka qenë i pranishëm kur ato u gjetën dhe u morën, kur familja Merlika u mor dhe u dengdis në internim, nëpër kampe nëpër burgje, ka vënë dorë. Ka qenë urdhri për t’i asgjësuar këto kryevepra sepse nuk duheshin më, sepse ishin bërë nga “tradhtarët”, por qoftë dhe nga “tradhtarët” ato kishin vlerë për Shqipërinë. Këto janë fate që nuk dihen, që nuk do mund t’i gjejmë më këto arkiva, pasi vetëm këtu ekziston ky dokumentacion. 
 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora