E diele, 27.11.2022, 11:41 AM (GMT)

Speciale

Syrja Etemi: Arsimi në trevën e Tetovës në kohën e sundimit të Mbretërisë SKS (2)

E diele, 13.11.2022, 07:55 PM


ARSIMI  NË TREVËN E TETOVËS - NË KOHËN E SUNDIMIT TË MBRETËRISË SKS (2)

(VIJON NGA PUBLIKIMI I KALUAR...)

Shkruan Syrja ETEMI

Si punëtor i arsimit i profilizuar: pedagog shkollor, që në moshë të re më ka gëluar interesimi për të njohur dhe kuptuar mënyrat dhe format e arsimimit të prindërve tanë apo gjeneratave më të hershme që kanë kaluar nën dërstilat e shkollës dhe arsimit të  hegjemonizmit serb.Me të dhënat që do t’i shtroj në këtë shkrim, mos t’i bie kjo që jam lokalist, por, në një farë dore, do të mundohem t’u jap një pasqyrim apo fotografi sa më konkrete me pretendimin për të kuptuar këtë gjendje -  gjithësesi të vakët. Pikërisht për këtë qëllim do të më shërbejnë disa shënime komplementare që kam mundur t’i vjeli nga ish nxënësit e vendbanimit që i përkas, duke filluar që nga vitet tetëdhjeta.

NXËNËSIT SHQIPTARË – TË PËRFSHIRË SI MYSLIMANË

Në krahinat me popullatën dërmuese analfabete, programet ambicioze të arsimit fillor, me pretendimin për “korrigjimin e gjuhës joletrare” të nxënësve, nuk hasën në tokë pjellore. Edhe pse Kushtetuta e Vidovdanit (1921) proklamonte shkollim fillor gjithëpërfshirës - falas dhe të detyrueshëm, hartuesit e sajë kanë paraparë mundësi që ajo “të pësojë ndryshime”, përderisa arsimimi në gjuhën amtare të pakicave kombëtare mund të llogaritet vetëm në shkollat fillore katërklasëshe, të ashtuquajtura, shkolla popullore. Por kjo kurrë nuk u dëshmua në praktikë me nxënësit shqiptarë, sepse ata nuk llogariteshin si etni shqiptare, por si “myslimanë”.

MËSUESIT – PROMOTORË DHE VIKTIMA TË METODËS “MAQEDONASE”

Kuadrin mësimor e formoi Ministria e arsimit e cila, siç kemi përmendur - me ndëshkimin “transferim”, solli në Jug mësues nga Sërbia, Mali i Zi, Bosnja, Hercegovina dhe Vojvodina. Punëtorët e rinj arsimor të cilët nuk kishin proteksione, dërgoheshin në “Sibirin jugosllav”, siç quhej shpesh edhe nga të deleguarit në parlament. Me këtë, nuk është llogaritur koha e humbur kur bëhej transferimi, kështu që nxënësit gjatë kohë ngelnin pa ndjekur mësimet deri sa të zëvendësohet vendi i mësuesit. Përveç pagave të ulta të punëtorëve arsimor, ata kishin edhe probleme banesore për shkak se shumica banonin nëpër vet shkollat.

Shumë nga mësuesit që ishin në atë gjendje, shpresonin në ndonjë transferim në ndonjë  rajon më të mirë, por kishte edhe raste të tilla që, në shenjë të besnikërisë dhe lojalitetit ndaj politikës, fitonin edhe kushte më të favorshme, të cilët zyrtarisht evidentoheshin si mësues  fshati, por edhe punonin në kooperativa.

Në bazë të observimeve të pushtetit ushtarak në Jug ka pasur mungesë të mësuesve  dhe klerikëve, ndërkaq në mesin e kuadrit ekzistues dominonin ekzarkistët  gjysmëanalfabetë, madje, nepotizmi dhe korrupsioni në anën tjetër. “Rrugës sonë Bullgarët sigurisht nuk kanë sjellë por kanë marrë nga këtu atë që është më e mirë. Ne , madje, punojmë krejtë anasjelltas”, shënon koloneli D. Tasiç qysh në vitin 1921.

Gjatë vitit 1920 kuadri mësimdhënës ka qenë jashtëzakonisht i larmishëm. Në kontekstin etnik shquhej dominimi absolut i Sërbëve, madje të dhënat zyrtare flasin edhe për praninë e 204 mësuesve  të nacionalitetit turk dhe 130 mësues shqiptarë. Të gjithë mësuesit më 1918 kanë punuar pa ndonjë provim shtesë apo plotësues. Kolegët e tyre të kualifikuar në mënyrë vullnetare i kanë mbështetur dhe ndihmuar, duke shpresuar se me “arsimin e devotshëm”do të plotësojnë  mungesën e profesionalizmit. Megjithatë, koha tregoi me të drejtë që, “individë të devotshëm” u bënë masë më e përshtatshme nga të cilët Ministria e arsimit regrutonte “partizanë lojalë” për nevojat e veta; “spiunë”, dhe duke i vënë në pozicione mbikqyrëse, e, në këtë rast - Inspektorë.

Rasti eklatant është ai i  Shumadisë, kur tek inspektori i arsimit denoncoi drejtorin e shkollës, i cili gati një vit, në mënyrë të paautorizuar dispononte para të destinuara për ndërtimin e shkollës së re. Kësilloj spiunimesh kishte sa të duash dhe në shumë raste, bile edhe në trevën e Tetovës.

GJENDJA E ARSIMIT NË KOHËN E MBRETËRISË JUGOSLLAVE NË POLLOG

Të fokusohemi pak në një gjeografi lokale, I vetëdijshëm se ajo nuk bën përjashtim nga ato që funksiononin në mbarë Banovinën e Vardarit. Pra, flasim pak për zhvillimin e procesit të punës arsimore-edukative në shkollën e mjedisit rural të rrethit të Tetovës, përkatësisht – në Leshkë ku kanë mësuar edhe nxënës “myslimanë” nga fshati Sllatinë.

S’do mend se arsimi është i lidhur ngushtë me sistemin shoqëror të atij shteti. Meqë në vitet pas sundimit turk, Sllatina u pushtua nga Serbia, sigurisht se edhe shkollat dhe arsimi ishte në gjuhën serbe. Kështu, fëmijët shqiptar ishin të detyruar të ndiqnin mësimin në gjuhën e pushtuesit. U hapën shumë shkolla në qytetin e Tetovës, madje në Leshkë, Në Tearcë, në Dobrosht e k.m.r. Nxënësit e Sllatinës mësonin në Leshkë bashkë me maqedonasët e vendit - në gjuhën serbe. Kështu, në vazhdim do të japim disa detaje nga disa ish nxënësit që kanë mësuar në këtë shkollë.

Në kohën e Kralevinës (Mbretërisë SKS), për të gjithë popujt që jetonin në të, arsimi zhvillohej vetëm në gjuhën serbokroate. Në shkollën fillore të Leshkës mësonin edhe serbë edhe sllavomaqedonë (nga Leshka,Sllatina dhe Varvara) edhe shqiptarë nga Sllatina. Shkolla ishte 4 klasëshe, kurse nxënësit shiptarë fillonin nga klasa parapërgatitore (për mësimin e gjuhës, ku ndiqnin mësimin me nxënësit sllavë të kl.IV).Në klasë të parë përfshiheshin, përveç fëmijëve të moshës adekuate (7 vj.), edhe nxënës që nuk e kanë ndjekur nga fillimi shkollën, bile edhe nxënës të moshave 8, 9 e 10 vj. P.sh., Merxhan Etemi (Babai i autorit të shkrimit) tregon se është përfshi në kl.të parë, faktikisht në parashkollor në moshën 10 vjeçare, sepse “në pikëpamje fizike ka qenë i dobët”. Kështu, vazhdon protagonisti në fjalë (me rrëfim të transkribuar në gjuhën letrare nga autori):

“Mësimi është zhvilluar për të gjithë nxënësit edhe para dite edhe pas dite. Para dite mësonin nga ora 8-00 deri 11-00 e, mandej shkonin në shtëpi për drekë për të vazhduar pas dite nga 13-00 deri 16-00. Viti shkollor fillonte nga 1 shtatori dhe përfundonte me 31 maj. Mësohej nga e hëna deri të shtunën,vetëm se të shtunën mësimi zhvillohej vetëm para dite.

Mësuesit, bashkë me gratë e tyre (që ishin edhe ato mësuese), banonin në shkollë. Ata ishin: Aco dhe Zhiko, kurse mësueset: Lubica dhe Jelica.

Për nxënësit e të dy feve organizohej, përveç mësimit laik edhe mësim fetar ku, për nxënësit ortodoks vinte prifti, kurse për nxënësit myslimanë - hoxha, në këtë rast, Molla Osmani. Nxënësit shqiptarë (nga kl.I-IV) kur kishin religjion u mblidhshin në një klasë, ndërsa për të tjerët organizohej veças. Zhvilloheshin këto lëndë mësimore: Çitanka (Lexim) apo Maternji jezik (Gjuhë amtare - serbe), Matematikë, Zemljopis (Gjeografi), Histori, Vizatim, Fiskultur...

Në lëndën e gjuhës “amtare” serbe, nxënësit, së pari mësonin të shkruajnë dhe lexojnë në alfabetin cirilik, pastaj edhe në atë latin apo “latinica”.

Në shkollë përfshiheshin edhe meshkujt edhe femrat. Femrat myslimane (shqiptare) nuk e ndiqnin shkollën, pasi edhe nuk ishte e obligueshme për to. Në këtë drejtim bëhej një rezistencë e paparë nga ana e prindërve që me çfarëdo lloji çmimi (të paguajnë edhe dënime të larta) vetëm e vetëm femrat të mos shkojnë në shkollë).Një obstruksion i theksuar manifestohej edhe për meshkujt, sepse shkolla nuk është e nevojshme sa puna që mund të bënin fëmijët duke ruajtur  bagëti(dhen e lopë),punë fushe e mali, etj.

Rrjedhën dhe përparimin e punës mësimore e përcillte inspektorati i arsimit apo “nadzorniku”, i cili hynte nëpër klasë dhe i pyeste edhe nxënësit se çka dhe sa dinë.

MASAT NDËSHKOMORE KUNDREJT “ÇAPKANËVE”

Ndëshkimet që më së shumti i aplikonin mësuesit ishin të karakterit psiqik por edhe fizik. Ja disa raste konkrete (sipas rrëfimit të Merxhan Etemit): “Një nxënës i klasës (Avdi Avdii), në librin e leximit ku ishte fotografia e Knjaz Llazarit, ia kishte shpuar sytë me laps, dhe kur e kishte vërejtur këtë “uçiteli” (mësuesi), jo vetëm që e rrahu dhe e dërmoi në klasë, por mandej e mori për veshi “mëkatarin” dhe e çon klasë më klasë që ta pështyjnë krejt nxënësit e shkollës në fytyrë, bile edhe t’Ia ngjeshin nga një shuplakë të mirë. Një rast tjetër, nxënësi pse nuk e kishte mësuar vjershën, mësuesi e detyron që të përvesh këmbët deri në gjunj dhe të ulet po në gjunj mbi guralecë të shtruar në dysheme. Për çdo ditë mësuesi vinte në klasë me thupër vidhi, thane apo thupër kumbulle, me të cilën tmerronte fëmijët e “prapë”. Përveç dënimit “kleçi” (gjunjazi), aplikohej edhe dënimi i ashtuquajtur “bezručka” (pa drekë apo me uri). Nxënësi që nuk mësonte apo që bënte ndonjë prapështi, nuk lehohej të shkonte në shtëpi të hante drekë, por do të mbyllej në podrum deri sa të vinin nxënësit në turrnin tjetër.

AKTIVITETE TË LIRA

Mësuesit serbë, shpesh, me banorët lokalë organizonin lojëra të ndryshme popullore, por edhe dilnin në natyrë, përkatësisht në gjueti.I detyronin nxënësit që të thirrnin prindërit për kryerjen e punëve të rënda fizike shtëpiake, sidomos bartjen dhe çarjen e druve.Organizoheshin edhe ekskursione në natyrë, sidomos në Festën e shkollës, që ndryshe quhej: Sveti Sava - škollska sllava” (Shën Sava - Festë e shkollës) ku, në vendin e quajtur “Bare” në fushë të Sllatinës, mblidheshin jo vetëm nxënësit dhe mësuesit e shkollës së Leshkës, por edhe ata të Ratajës, Zhillçes e Shemshovës.

Librat i blenin vet nxënësit (prindët), të cilët ia jepnin paratë mësuesit dhe ky i binte ato nga Tetova. Në këto tekste mësonin tregime, përralla të moçme serbe, vjersha etj.

Në vazhdim po paraqesim një vjershë të mësuar dhe të recituar nga një ish nxënës i kësaj shkolle, Iljaz Emurllahi, në gjuhën serbe (në vitin 2003, që e ka mësuar në vitin 1935):

ŠKOLA*                         SHKOLLA*

Škola naša lepa             Shkolla jonë e dashur

Majka naša mila,                    Nëna jonë e shtrenjtë,

Dosta se nam škola      Mjaft, moj shkolla jonë

Osamljena bila!...                   Ti ke ndejtur vetë!...

Evo tvoje djece              Ja fëmijët e tu

Evo nove snage,            Me zemra të zjarrta,

Da slušaju tvoje            T’i dëgjojn’ këshillat -

Opomene blage.            Të ëmbla si mjalta.

Da nam škola mila                Drejt dritës së diellit

Ti pokažes puta,            Të na tregosh rrugën,

Da nam duša mlada     Që hovi ynë i mbarë

Nikad ne zaluta...                   Mos ta humbë udhën.

NË VEND TË PËRFUNDIMIT

Në përgjithësi mendoj se, ky shkrim duhet të  paraqesë një rëndësi të veçantë jovetëm  për  Sllatinën dhe trevën e Tetovës, por  edhe më gjërë në këtë zonë, sepse,  përveç ruajtjes së kujtesës  për frymimin e  shkollës dhe arsimit në këto treva - ndër vite, këtu do të mund të pikaset  edhe një pjesë  e historisë gjithëpërfshirëse, kur dihet se shumica e gjeneratave që jetojnë këtu, gati të gjithë kanë kaluar nëpër dyert e këtyre objekteve arsimore të ndërtuara që në këtë kohë të sundimit serb në trevën e Tetovës. Përveç njohjes  me të kaluarën arsimore të vendlindjes së tyre, ata do të përcjellin edhe porositë tek fëmijët, nipërit e mbesat e tyre,  se si është përdhosur gjuha shqipe, në mënyrë që me çfarëdo sakrifice duhet të punojnë e mësojnë SHQIP për ardhmërinë që e ëndërrojnë, për vendin e vet, familjen e kombin përgjithësisht. Gjithashtu, do përcjellin amanetin e tyre se si duhet  ruajtur kujtesa historike, e se si duhet përgjëruar e gjakuar për arsim e shkollë shqipe.

Jam i vetëdijshëm se vetëm me këto shkrime në këto dy vazhdime, nuk është e përfshirë e tërë krajata e shkollës dhe arsimit në këtë trevë (të Pollogut) me qendër - Tetova. Gjithësesi ka vend edhe për shumë e shumë plotësime, ngase asnjëherë nuk mund të thuhen të gjitha të bëmat dhe peripecitë e çfarëdo veprimtarie qofshin ato. Prandaj, kështu siç është e paraqitur kjo trajtesë (nëse mund ta quaj kështu), e njëjta mund të shërbejë, përveç tjerash edhe si  një “password” për koncipimin e ndonjë historiku më gjithëpërfshirës dhe më konceptual nga pinjollët e ardhshëm apo  brezat që do të vijnë nesër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora