E shtune, 04.02.2023, 03:23 PM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Lasgushi - Mendjeshpirti dhe Kosova

E diele, 13.11.2022, 07:56 PM


LASGUSHI: MENDJESHPIRTI DHE KOSOVA

(Fletëza lasgushiane, në 35-vjetorin e shkuarjes në amshim)

Nga Prend BUZHALA

Lasgush Poradeci vdiq para 35 vjetësh, më 12 nëntor 1987. Edhe vetë Lasgushit i shkon thënia e tij: “Njerëzve të mëdhenj duhet t'u shënohet vetëm data e lindjes.” (Lasgush Poradeci). Ai na e la trashëgim të përgjithmonshëm thënien e bukur, TË MENÇUR; këtë thënie edhe sot ai na e vë në tryezën tonë të leximit. Në sa e sa thënie NJERIU I LETRAVE përgjërohet e përbetohet, aq njerëzishëm e aq devotshëm, aq hyjnishëm e aq shqiptarisht, e ku thënia na vjen si një betim mbi të gjitha betimet, mbi dashurinë ndaj kombit të tij.

Aty ku i gjen vatrat e përjetimit e të meditimit të thënies, aty ku ai edhe i krijon zjarret e brendshme të refleksionit te vatra e tillë shqiptare e vlerave, te shtëpia shqiptare e të vërtetës. Me këto dy postulate INTELEKTUALI I MIRËFILLTË, si Njeri i Letrave, e di që një komb ecën përpara: me vlerat që ai ia jep vetes me dinjitetin dhe me të vërtetën për t’u bërë komb gjithnjë e më i lirë...

Ti e shqipton Fjalën e Mençurisë: aty ku e përdallon dritën nga errësira, urtësinë nga marrëzia. E këto më së miri arrihen te bukuria e shpirtit të fjalës poetike...

1.

Vizioni poetik në thelbet e veta, shqiptohet si një ideal krijues, po edhe si ideal njerëzor. Përmasat e këtij vizioni shkojnë në thellës: kah qenia jonë e brendshme, kah qenia jonë etike dhe kah qenia jonë intelektuale. Shqiptohet si shpirt poetik. E ky shpirt poetik depërton edhe në thellësitë e shprehjes së qenies sonë krijuese, mbushullon vetëdijen krijuese me qenësinë e së bukurës. Lasgushi këndon:

Të lus, o Lajmës i qielluar!

O Frym' e Zotit, vetë Zot!

Me hirin t'ënd të pashteruar

Që ka mburim përjetësije,

Hirplot, o Shpirt, nër gaze Ti-je.

Dhe nër mjerime je hirplot!

Dhe ftesa e krijimit poetik na drejtohet ne: secili prej nesh u dashka të mbështetet e ashtu të qëndrojë pa u lëkundur mbi themele parimesh e mbi themelin vetjak shpirtëror. Kësisoj qenia jonë mbushullohet e përshkohet nga një poezi baltimesh, lnga një frymë e shenjtë lirike, nga një këngë e shenjtë. Aty vrujojnë rrjedhat e dëlira të shkëlqimeve të brendshme, rrjedha drite, shprehje kënge e shprehje shpirti. E për Gjergj Fishtën shpirt e Shqipëri janë një, por edhe e bukura është konak i kësaj madhështie shpirti:

T'paçim, Orë, sa gjith kto male!

Morì e mbrûmja me voesë qiellit,

Morì, e njeshmja me gjith lilit,

Mirë shartue me rreze t' diellit:

Qi m' a ké sýnin si hýll,

Qi m' açilë eqim'a mbyllë

Si ajo hâna neper pyllë:

Se mue shpirtin m' a freskove,

Se mue zêmren m' a balçmove

Me kto fjalë, moj, t' u ngjatët jeta!

2.

Njerëzit e urtë shënojnë. E gjurma mbetet vetëm kur e shënon në letër, mu ashtu si thoshin latinët e urtë: “Scripta manent, verba volant”. Mu ashtu si mbeti proverbiale thënia e tij për Kosovën: “Do të vij një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën!”. Lasgushi e deshi shumë Kosovën. Kosova është gjithçka për shkrimtarin dhe për protagonistët e saj. Ajo është trime dhe e durueshme, vend liridashës që nuk është dorëzuar kurrë. Kosovën e kanë sulmuar, e kanë bërë shpesh e shpesh rrafsh me tokë i kanë shkaktuar gjenocide, reprezalje, masakra, zhdukje të më të dashurve, dhunime, ia kanë prerë tokat etnike me kufij, duke e shkëputur nga trualli amë, shpesh ndoshta edhe e kanë rrëzuar e përgjakur për dhe, por asnjëherë ajo nuk është pajtuar me pushtues e dhunues regjimesh.

Kush është lulja në Ballkan

Që bota i ka sevdanë

Kosova që s’njeh sulltan

Plot difë e kapedanë.

Të sedrës e me shpirt krenar

S’durojnë cen a dhunë

Tregojnë gjoks në sulm e zjarr

Si shkaba në furtunë.

Kosova që bën sulm në zjarr

Posi dragoj me fletë,

Siç bënte sulm ngadhërimtar

Gjergj Kastrioti vetë

3.

Lasgushi është edhe poet i shpirtit, i shpirtmendjes, i mendjeshpirtit. Gjithçka çka na lidh me të tjerët, ndërgjegjshëm, mendërisht a emocionalisht a në forma tjera, qenka shpirt. Gjithçka çka na lidh me hyjnoren, të mbinatyrshmen, që e gjakon njeriu pafundësisht, qenka frymë. Pra jomaterialja, jofizikja qenka pjesë e qenies.... me anë të frymëzimit, psikes... Shpirti është esenca, thelbi, që ndërlidhet me jomaterialen e materialen... dhe sa beteja shpirtërore ndodhin brenda nesh, sa frymëzime, sa përkushtime, sa emocione fisnike aty e gjejnë vatrën e vet...

Poetët anglezë e përfytyronin muzën e tillë si një perëndeshë e bardhë, Naimi e përfytyronte si engjëll që këndon mirësinë, De Rada, si pëllumb të Anakreontit, Fishta si zanë dhe orë shqiptare. Lasgush Poradeci e përfytyronte si Zog i Qiejve:

Që nga bota njerëzore, ku këndoj me shpirtin plot,

Prit-e, prit! Se po t’afrohet Zog’i Qiejvet, o Zot!

Fal-i Këngëtor-finoshit Gas të Thjeshtë mun në gji:

Posi lot në rreze djalli ndrit-e në Përjetësi!

Secili poet ka muzën e tij dhe përfytyrimin personal për të. Është fytyra e muzave që, si imazh, jeton në kujtesën e në botën e brendshme të poetit. Është ndjesia e zjarrtë, një gjakim a pasion, një dëshirë si qenie e lartësuar. Qenia e lartësuar është e denjë të jetë në mbretërinë e përndritur të muzave. Muza është rruga a shtegu për të depërtuar te thellësitë, te thellësitë e botës së brendshme. Është përvoja e papërsëritshme e secilit krijues, kur hyn në atë shteg drite. A në thellësitë e psikes ose të shpirtit.

Ai ÇASTI kur ti je në kontakt me muzën, është diçka që “fluturon” a shkëputet nga ti, është pasqyra e shpirtit tënd. Carl Jung e quan “anima”. Është ai Çasti kur ti shikon diçka tmerrësisht të bukur, të frikshme, tmerrësisht e dashur si heshtje e frikshme

Po Fjala?

E, atëherë, cila gjuhë mund t’i zërë ato çaste?

Është gjuha e vërtetë poetike, thonë poeticienët. . Është pjesa më e mirë që poetët shkëpusin nga vetja.

Është frikshëm e bukur, e tmerrshme dhe e heshtur. Ju dëshironi që të flisni me dëshpërim, por fjalimi i zakonshëm duket i pamjaftueshëm. E vetmja gjuhë që mund të mendoni të përdorni është poezia, e cila është gjuha e vërtetë e shpirtit.

Për shkak të Fjalës jo pak poetë janë ndaluar, burgosur, censuruar e besa edhe pushkatuar!

Sa i papërmbajtshëm është poeti për t’u takuar sa më parë me këtë mbretëri drite e gjuhe! Shpirti yt gjen imazhin e vet te kjo muzë, te kjo dritë, te kjo gjuhë arti! Tashmë muza më nuk ka imazh as pamje, por vetëm një vagull drite, një shajni... muza lozonjarte ik diku a në drejtim të panjohur. E kotë ta zësh. Ajo shndërrohet në bukuri të papushtueshme, të pakapshme, të pazbërthyeshme. Ka strategji të fshehjes dhe kodet e saj ti nuk mund t’i zbërthesh. Kode misteresh.

E përsëri Lasgushi:

O gjuhë e shenjtëruar o mall me shpirt plot

o vetetim e qiellit që fërfëllon me flak

o djell e llaftaruar që ndrit si pik lot

Dhe Lasgushi ka një poezi të tërë kushtuar Shpirtit. Dhe përjetësisë.

4.

Poezia është një gjuhë e gjallë, sekret mbi të gjitha sekretet, simfoni e polifoni shpirti, ... është një pikë vese e përndritjeve figurative, një shije lumturimi, një parfum jete, një lutje ëndrrash (mu aty ku thuhen gjërat më të bukura), është një DEHJE: "Poezia është një dehje e kthejlltë", thoshin estetët e urtë indas, para sa e sa mileniumesh... në këtë univers ndjesish që i kanë burimet vetëm tek zemra, imazhesh të përdiellshme, polifonie figurative...

Në mes të një lumturi-gëzimi, sa bukur na flet me ligjërim engjëllor poetja... dhe sa përjetime të çiltra ëndërrimesh zgjojnë imazhet figurative... Arti i imazhit komunikon me atë të fjalës. Imazhi dhe Fjala janë shtrati i simboleve të krijueses... Ti do ta ndjesh trokëllimën e vargjeve lasgushiane nëpër poetët tjerë që na dhurojnë bukurinë e emocioneve, me ritëm të ngrohtë, me muzikalitet joshës, me kënaqësi estetike, me ndjesi butësie, të dashur e të shoqërueshme, me ëmbëlsi zëri e shikimi... deri te një kundrim vargjesh që depërtojnë tutje, me shkreptima metaforike në rrafshin metafizik:

Në vështrim të dorës s'ate ç'pat, o! balli që m'u vdar?

Ç'pat qepall' e përlotur q'i ra pika tatëpjetë?-

Dor'e bryllt' e vashës s'ime, dor'e paqme, dor' e zbetë,

Vetëtiu me prush magjije e më bëri mendimtar.

Sa e pasur është bota e ëndërrimeve poetike e jetësore! Vegimi dhe ëndrra lozonjare luan të njëjtit kapituj, posi në jetën reale - me bukurinë e saj e me vizionin e saj; me ndjesinë e ngrohtë të dashurisë e me përkëdheljet e saj të parrëfyera magjishëm; me lirinë e shpirtit e me tingujt metaforikë të vallëzimit imagjinativ e jetësor; me rendjet e identifikimet e ndërmjetvetshme (reciproke) të protagonistëve e narratorëve të dashurisë... deri te kurora e shfaqjes së ëndrrës në jetë.

5.

Poezia e mirë, me anë të dritës së fjalës artistike, shpërthen ferrin.

Përgjithësisht artet, si piktura e poezia, janë dritare, nëpërmes të cilave kundron shpirti krijues. Drita, në këtë planet, identifikohet me Diellin.

Ndërsa poezia i jepet e tëra kësaj drite, magjepsjes së kësaj drite në çastet e përndritjes së shpirtit e të mrekullibërjes.

Këto drita të amshueshme dashurie, brenda qenies së poetit, klithin, shpërthejnë, si jehonë amshimi, nëpërmes intertekstit poetik (khajamian, vitmanian - këtyre dy ndjesi-ideale të shenjtëruara trazovaçe).

Do ta vërejmë te poezia e Lasgush Poradecit që figura e tillë e dritës, kaq e shtrirë në veprën e tij, simbolizon interakcionin (ndërveprimin) e shpirtërores me materialen, ndërveprimin e mikrokozmosit me makrokozmosin, mosekzistencë, hiç dhe art, krijim, harmoni e krijuar, e dhuruar…

Yjtë-e ndezur si fingjill,

Që vërtiten palë-palë,

Prej mosgjëje zunë fill

Plot me jetë-e mall të valë.

Zunë fill me dashuri

Që kur bota zu të ngjizet,

Pa sikush për shok të ti

Përvëlohet edhe ndizet.

Ndizet ças edhe për ças,

E si kurrë s'ka të shuar,

Pa pushim i vete pas

Me një sulm të llaftaruar.

Ose:

Kur del mi male yll’i ditës

e shuhet nata prapa ti,

Ti me vështrimin vetëtitës

Çkëlqen në fund të zemrës s’ime

Dh’i bën prej këngës së një grime

Një të përjetshme- harmoni.

E pra, mishëron ndërveprimin e botës së brendshme e të jashtme të qenies – të Njeriut dhe Hyjit.

Simbolika e dritës përbën një figurë thelbore e polisemike të poezi veçanërisht, e në letërsi përgjithësisht, që ndërlidhet me aq e aq shumë elemente narrative, me aq e aq përbërës të tjerë brenda strukturës tekstore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora