E shtune, 04.02.2023, 03:38 PM (GMT)

Kulturë

Perikli Jorgoni: Zëra të largët nga nëntoka (2)

E diele, 13.11.2022, 07:33 PM


ZËRA TË LARGËT NGA NËNTOKA

(P o e m ë, 1975)

Autori: Perikli Jorgji Jorgoni (1936-2012)

6.

- Plot tre mote rojet pas më ndoqën,

Plot tre mote ikëm shpat më shpat,

Vetëtima na ndriçoi shtigjet,

Natë e heshtur gjurmët shpesh na fshehu,

Gurrë e freskët etjen na fashiti,

Bujqit e barinjtë nër kasolle,

Nëpër stane, bjeshka e kullota

Me ç'iu ndodh na pritën, na përcollën,

Dhe pse ligji yt, Glauk, atyre

Mund t'u merrte gjënë edhe kokën.

7.

Se nëpër çdo breg, çdo gërxhe, pllajë,

Kudo ku gjallon ky rob i mjerë,

Erdh kumtari mbi dori me rojet,

Ulëriti sa i hante zëri,

Si pëllasin qetë, kur i therin

A i shpojnë me hosten në vithe,

Kur mes baltës, dimrit plot me ngrica,

Ngecin e s'lëvizin dot nga vendi,

Po s'ua bëre gjak me thumb lëkurën,

Po s'ua rrahe brinjët mirë e mirë.

8.

- Hapni veshët e dëgjoni ç'thotë

Urdhër i Glaukut, mbret mbi mbretër,

Mendja e të cilit ndrin si dielli,

Zulma e të cilit përpin retë;

Kush rrëfen Ujkanin se ku fshihet,

Më i egëri rebel i mbretit,

Që në zverk na ka një shenjë thike,

Që një vesh e ka më dysh të prerë,

Që si ujku ik nga tmerr i vdekjes,

Mbreti do t'i fali dhën e ara;

9.

Mbreti nga zinxhirat do t'ia zgjidhë,

Këdo që I kalbet nër miniera,

Këdo që si skllav i luan rremat

Nër anijet që mbi ujra shkasin

Nga Dyrrahi deri në Korkyrë,

Që për peshk a për pirateri

Rrahin detin plot tallaze, shqota;

Këdo që punon në zheg a breshër,

Thyer mbi parmendë a mbi drapër,

Nëpër toka zotërinjsh të pasur!...

Vazhdon...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora