E marte, 19.03.2024, 03:01 AM (GMT)

Sport » Legjenda

Shumi: Si e shijoj jetën pas largimit nga Formula 1

E diele, 28.12.2008, 10:44 AM


Michael Schumacher
Michael Schumacher
Në prag të 40-vjetorit, miti i Ferrarit tregon botën e tij. Pasionet e tij janë familja, miqtë dhe pokeri. "Nuk kam nostalgji për Formula 1"

Mban dy celularë "Blackberry", ndërsa kënga e preferuar është "Na ishte njëherë Perëndimi", të cilën e ka vendosur edhe si zile celulari. Majkëll Shumaker vishet thjeshtë, por me rroba të shtrenjta: pantallona dhe këmishë të zezë. Më 3 janar 2009 do të mbushë 40 vjeç. Edhe pse nuk garon më për Ferrarin, vazhdon të jetë në formë. Nuk është më burri i veshur me të kuqe, por një "pensionist" i pasur, që jeton pak metra larg aeroportit të Gjenevës, aty ku jeton Dejvid Bollt, Athina Onasis, Alen Delon, Sofia Loren. Edhe pse me origjinë gjermane, ka preferuar që të jetojë në Zvicër. Majkëlli është shkëputur nga Formula 1 në vitin 2006, por vazhdon t‘i preferojë makinat, motorët dhe gjithçka tjetër që ka lidhje me shpejtësinë.

Ju mungon adrenalina?

Jo, nuk duhet të eci me shpejtësi për t‘u ndier mirë. Nuk jam i fiksuar pas kthesave dhe parakalimeve. Më pëlqen të vrapoj, por e bëj thjesht për kënaqësi. Nuk e kam të detyrueshme. Ajo që nuk duroj është orari dhe angazhimet. Dua liri për t‘i vendosur gjërat e mia.

Me çfarë po merreni këto kohë?

Të gjithë ma bëjnë këtë pyetje. Projektet për të ardhmen? Nuk di çfarë t‘ju them. Pas 16 vitesh gara me makina, nuk kam më nostalgji për profesionin. Nëse kam nevojë të shuaj ndonjë pasion të momentit, e bëj me dëshirë. Gjërat për mua janë po njësoj. Vazhdoj të kem aktivitete, shëtis nëpër botë, kam takime dhe përgjegjësi. Por ndryshe nga dy vjet më parë, mbrëmjet i kaloj në shtëpi, me familjen dhe miqtë.

Jeta është e çuditshme apo jo?

Jo, nuk është e çuditshme, duhet të dish ta jetosh. Mua më pëlqen shoqëria, jo vetmia. E kam të vështirë të jetoj pa miqtë.

Çfarë bëni kur mblidheni së bashku?

Pimë birra dhe shohim televizor. Mos mendoni se shoh filma vizatimorë me makina. Jo, jam një fans i çmendur i sportit dhe pokerit. Më pëlqen që të kujdesem për shtëpinë, e adhuroj atë atmosferë mes natyrës, kuajve dhe paqes. Bashkëshortja ime, Korina, dëshiron të shpëtojë botën, sidomos kafshët e pambrojtura. Është gjithmonë gati të ndërtojë një vend të veçantë për to.

Pas disa ditësh, ju do të mbushni 40 vjeç. Si ndiheni?

Natyrisht që nuk mund ta quaj veten plak, ndihem mirë. Më vjen keq vetëm për faktin se do të më dalin thinja, por ndoshta mund t‘i lyej. Kam pasur fat, jam i kënaqur nga jeta, nuk më mungon asgjë nga jeta. Aktualisht po shijoj së bashku me familjen, borën e Norvegjisë për të bërë ski.

A ndodh që pilotët të mendojnë për vdekjen?

Këtë duhet ta mendojnë të gjithë, edhe unë që nuk jam më pjesë e Formula 1. Vdekja e Senës, në vitin 1994, ishte një tronditje e madhe për mua. Është e çuditshme se si nga çasti në çast, një njeri nuk jeton më. Është diçka që duhet të arrish t‘ua shpjegosh fëmijëve të tu, familjes. Nisesh dhe nuk kthehesh më. Pas tragjedisë së Senës, bëra menjëherë testamentin. Më parë nuk e kisha pasur të nevojshme, sepse vdekja ishte gjëja e fundit që më shkonte nëpër mend. Nëse ke profesionin tim, nuk mendon shpesh për vdekjen, sepse në të kundërt, nuk do të udhëtoje me makinë, por më këmbë. Fitorja të jep kënaqësi, sukses por edhe çlodhje.

Ju dhe vëllai juaj, Ralf, keni garuar ditën që vdiq nëna...

Nuk ka qenë e lehtë, por ky profesion ka detyrime. E ke të përcaktuar gjithçka, edhe pse shpeshherë do të dëshiroje të ndodheshe diku tjetër. Ishte çast shumë i vështirë, por i kam dhënë makinës me shumë qetësi, Todt dhe miqtë e Ferrarit më ndihmuan shumë, kishin dhënë urdhër që të fikej radioja. Në makinë isha vetëm me veten. I dhashë makinës dhe fitova. Gjithçka ka kohën e saj, këtu përfshihet dhimbja dhe gëzimi.

A lexon Majkëll Shumaker?

Jo, nuk e kam bërë kurrë, sepse nuk kam pasur kohë. Shpesh shoh filma në DVD, i fundit ishte "21", historia e një profesori matematike që, së bashku me studentët e tij, falimentojnë Las Vegasin. I bukur apo jo?

Luis Hemilton di ta falimentojë Formula 1?

Ka gjasa që ta bëjë, por nuk jam i sigurt nëse do t‘ia arrijë. E them me bindje sepse rekordet janë bërë për t‘u dhuruar, shërbejnë si motivim. Hemilton duhej të çlirohej dhe e bëri, i korrigjoi gabimet e tij.

Po nëse nuk do t‘ia dilte as këtë vit?

Nëse nuk do të fitonte këtë vit, do të merrte fund si pilot. Nëse do të shihte që ëndrra e tij do të merrte fund edhe në këtë sezon, gjithmonë në garën e fundit, atëherë do të quhej një i paaftë. Nuk mund të garosh me atë shpejtësi, duke shpresuar te fati. Ai arriti ta shmangte.

Në një intervistë, Hemilton është shprehur se të fitosh shtatë gara botërore si Shumakeri është e vështirë...

E vështirë, por jo e pamundur. Është i ri, ka cilësi, por duhet të ketë rezistencë në vazhdimësi. Çdo kampion është një individ unik, për këtë arsye është e vështirë të japësh opinione. Unë nuk besoj te replikat.

A kanë dëshirë tifozët italianë që Alonso të garojë për Ferrarin?

Fansat janë gjithmonë paksa të mërzitshëm. Kohët e fundit, Spanja ka dalë shumë në modë. Për shembull, vitin e kaluar, askush nuk do të kishte ndërruar Raikonenin me Alonson. Masa këtë vit ishte fatkeq.

A mund të garojë një femër në Formula 1?

Fizikisht një grua është në gjende t‘i japë makinës, nuk ka vështirësi. Nuk besoj që një femër, sapo të marrë makinën, të përplaset me murin e parë që i del përpara. Italia ka pasur pilote si Lela Lombardi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora