E premte, 29.03.2024, 05:56 AM (GMT)

Speciale

Jusuf Buxhovi: 'Çlirimi' i Kosovës nga partizanët - Ripushtim sllavo-komunist (5)

E shtune, 12.11.2022, 07:58 PM


Rishqyrtime historiografike (5)

REKRUTIMI  I DHUNSHËM, MASAKRA E TIVARIT DHE PËRGJEGJËSIA E PARTIZANËVE SHQIPTARË

(Rekrutimi i dhunshëm i Shqiptarëve si dhe dërgimi i tyre në frontin e Sremit dhe në frontet e Adriatikut në Trieste – pjesë e skenarit për shfarosjen e Shqiptarëve në përputhje me skenarët e Çubrilloviqit. - Kosova duhej të zbrazej nga të rinjtë shqiptarë që të pamundësohej kryengritja shqiptare kundër ripushtimit serb. - Në fushatën e mobilizimit morën pjesë aktive brigadat partizane nga Shqipëria si dhe ato kosovare. - Në frontin e Sremit gjetën vdekjen mbi dhjetë mijë rekrutë shqiptarë, ndërsa në masakrën e Tivarit mbetën të vrarë mbi 3700 shqiptarë).

Nga Jusuf BUXHOVI

Pasi që me qërimin e përgjakshëm të hesapeve me nacionalistët shqiptarë dhe forcat e tjera që mund t’i kundërviheshin aradheve partizane shqiptare dhe jugosllave të futura në Kosovë “për çlirimin e saj nga gjermanët”, ishte përmbushur njëra ndër pikat e rëndësishme të planit jugosllav për ripushtimin e Kosovës, radhën e kishte zbrazja nga djalëria e saj dhe dërgimi i tyre në vijat e frontit antifashist si “vullnetarë” ose të mobilizuar në veri (në frontin e Sremit) dhe në frontin e Adriatikut me çka përmbushej njëri ndër qëllimet kryesore që parashihte Memorandumi më i ri i Çubrilloviqit i pranuar nga komunistët jugosllavë si program shtetëror.

Urdhri për mobilizimin e disa mijëra Shqiptarëve për nevojat e Armatës Jugosllave në Serbi, Vojvodinë, Bosnje, Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni dhe dërgimin e tyre në front për të plotësuar radhë të Armatës IV të Jugosllavisë erdhi nga Shtabi Suprem i Armatës së Jugosllavisë dhe e zbatuan shtabet e Divizioneve V e VI të UNÇ të Shqipërisë.

Ky do të jetë një kapitull i dhimbshëm dhe tragjik njëherësh, që do t’i paraprijë atij që do të pasojë pas pak – gjakosjes së Kosovës, sepse mobilizimi do të bëhet i dhunshëm dhe me skenar të caktuar për arritjen e dy qëllimeve strategjike nga ana e Jugosllavëve:

a) heqja e një pjese të madhe të fuqisë njerëzore të Kosovës, kryesisht të rinjve, që vlerësohej se mund të ishin të rrezikshëm gjatë skenarëve që tashmë përgatiteshin kundër Kosovës dhe

b) përgatitjen e terrenit për sjelljen e mëtutjeshme të njësive partizane jugosllave në Kosovë, të cilat do të viheshin në shërbim të spastrimit të saj të plotë nga të gjitha forcat nacionaliste dhe patriotët e tjerë dhe kjo të bëhej me pretekstet e qërimit të hesapeve me “shërbëtorët e okupatorit dhe kundërshtarët e regjimit popullor”.

Krahas shumë e shumë dokumenteve që tumirin qëllimet e përmendura më lartë, një letër e Bllagoje Neshkoviqit, Sekretarit të Komitetit Krahinor për Serbi, drejtuar komunistëve të Kosovës, shpjegon më së miri platformën e këtyre veprimeve antishqiptare:

“Ju, në Kosovë e në Rrafshin e Dukagjinit, nuk keni njeri që nuk ka pushkë dhe këta njerëz në çdo rast mund të çohen në kryengritje... Populli nuk është me ne... Po e shohim se Shqiptarët në numrin më të madh janë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare...”

Si rrethanë tepër e volitshme e këtij veprimi, që duhej shfrytëzuar deri në fund, shfaqej bashkëpunimi me partizanët shqiptarë si dhe prania e tyre në Kosovë, me çka komunistët jugosllavë liroheshin nga “dyshimet”, që tashmë kishin filluar të shfaqeshin edhe midis aleatëve anglo-amerikanë, se rikthimi i tyre në Kosovës mund të shfrytëzohej për qërim hesapesh me popullatën që kishte përkrahur  “irredentizmin shqiptar”.

Si do të shihet, prania dhe pjesëmarrja e partizanëve shqiptarë në Kosovë, që do të zgjasë rreth një vit, do të shfrytëzohet që planet antishqiptare të komunistëve jugosllavë të kishin “mbulesën” e bashkëpunimit vëllazëror dhe internacionalist shqiptaro-jugosllav, i thadruar gjatë luftës antifashiste.

Ndaj, rrethanat që kishte krijuar vendosja e administratës ushtarake (shtypja e përgjakshme e rezistencës kombëtare në Kosovë) si dhe bashkëpunimi shumë i mirë midis partizanëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë në vendosjen e “pushtetit popullor” me anën e këshillave nacionalçlirimtare, vlerësoheshin të përshtatshme për mobilizimin e popullatës për t’u dërguar në frontet e luftës në Veri dhe në Adriatik.

Natyrisht, se mobilizimi, që nga propaganda jugosllave dhe ajo e partizanëve shqiptarë u trumbetua “si pjesë e fitores ndaj fashizmit” dhe “deponim në ardhmërinë e barabartë të vëllazërim-bashkimit”, pati njëfarë jehone te një pjesë e vogël e popullatës, e cila shihte interes në këtë ndryshim, veçmas kur fjalët për ardhmërinë e lumtur thuheshin nga komisarët e aradheve partizane, ku me siguri kishte edhe të tillë që u besonin atyre fjalëve dhe mendonin se edhe Shqiptarët e Kosovës duhej të investonin në këtë ndryshim.

Por, pjesa më e madhe e kosovarëve nuk i mori për të tilla, për dy arsye të thjeshta: së pari pse nuk u besonin Serbëve, ngaqë ishte e kaluara e hidhur me dy gjenocide të kryera gjatë shekullit të fundit që rrënonte çfarëdo premtimi të tyre dhe, ishte edhe realiteti i ri partizan (burgimet, vrasjet, shpronësimet, internimet)  që përkonte me ripushtimin. Sado që ai vinte i veshur me një mashtrim komunist në të cilin merrnin pjesë kryesisht partizanët shqiptarë nga Shqipëria dhe ata të paktët nga Kosova që u ishin bashkuar, ndonëse  një pjesë prej tyre kishin filluar t’ua kthenin shpinën,  madje  edhe armën sepse e kishin kuptuar mashtrimin.

Por, edhe në ato rrethana tepër të rënda, nga të dhënat zyrtare jugosllave, shumë prej të cilave nuk janë të plota, ngaqë duhej të fshiheshin përmasat e vërteta të këtij veprimi vrastar, brenda dy muajve të ardhshëm, të shumtën me dhunë, u mobilizuan mbi njëzet mijë të rinj shqiptarë, që u dërguan në frontet e Veriut (Srem) dhe të Adriatikut (Trieste) nëpër Shqipëri për në Mal të Zi, shu-më prej të cilëve nuk do të kthehen kurrë në Kosovë.

Skenari për pastrimin e Kosovës nga fuqia e saj njerëzore (kryesisht rinia) filloi menjëherë nga ana e Shtabit Suprem të Jugosllavisë me largimin nga Kosova të forcave nacionalçlirimtare të saj (kryesisht partizanë shqiptarë) por edhe rekrutëve të mobilizuar me dhunë. Në përputhje me këtë strategji Shtabit Operativ të Kosovës  iu dha urdhri që disa brigada kosovare të niseshin për në Vojvodinë e në Bosnjën Lindore për t’i plotësuar brigadat e atjeshme për veprimet e fundit luftarake. Largimin i tyre në frontet e veriut, duhej të përcillej me hyrjen në Kosovë të aradheve të tjera partizane të Ushtrisë Jugosllave si dhe forcave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë.

Ndër këto brigada që duhej të largoheshin nga Kosova ishte Brigada VII e Kosovës, e formuar në Gjakovë më 11 nëntor 1944. Bërthamën e saj e përbënin Batalioni I i përbërë nga luftëtarët të Brigadës I dhe IV të Kosovës. Brigada kishte një efektiv prej 15 mijë luftëtarësh, të gjithë shqiptarë të ndarë në katër batalione. Për drejtimin e kësaj brigade u ngarkuan, komandant Shaban Haxhia, nga Bytyçi i Tropojës, ndërsa komisar Qamil Brovina nga Gjakova. Për të penguar krijimin e formacioneve të mëdha kosovare, ajo nuk u shndërrua në divizion, por u copëtuan dhe u dërgua në frontin e Sremit.

Në rrugë për në Srem, Brigada  shqiptarë në disa vende u sulmua nga partizanë-çetnikët jugosllavë dhe gati u shfaros. Komandanti i Brigadës Shaban Haxhia rrëfen i trishtuar për rrugën e kalavarit të luftëtarëve të tij si dhe asgjësimin e pjesës më të madhe të tyre në frontet e Sremit. Shaban Haxhia thotë :

“Mbasi  kishin hyrë brenda kufijve të Serbisë, na ngujuan në trena të mbyllur dhe 48 orë na mbajtën në çelës. Nuk dinim se ku ishim e shka po bahet me në... Na dukej vetja rob lufte... Ashtu mbetëm dy ditë e dy net pa asnjë ushqim. Po na vinte nji vdekje e ngadalshme. Ma në fund, na përplasën në Banatë në duart e oficerëve serbë. Qëllimin e kuptuam, kur na përpiu një tifo dhe na hallakatën nëpër repartet serbe në luftime, Shtabin tonë shqiptarë na e hoqën dhe e kthen në Kosovë...”

Rrëfimin trishtues komandant Shaban Haxhia e mbyll me fjalët tronditë-se të një ndërgjegje  të vrarë përgjithmonë:

“U kthyem pa ushtri në Kosovë. Pyetjet se ku i lamë djemtë tanë, ishin tepër rënduese për ne...”

Nëse për  tragjedinë e  madhe të Brigadës VII kosovare në frontin e Sremit, me rreth 15 dhjetë mijë luftëtarë, të shumtën të mobilizuar dhunshëm, të cilët u shpërndanë nëpër brigadat jugosllave dhe në formacionet “sulmuese”  u dërguan  në vijat e para të luftës,  do të mund të gjendej “ndonjë arsye” se ata ishin “pjesë e frontit të fundit antifashist” kundër ushtrisë gjermane në prag të kapitullimit të saj dhe të fitores ndaj fashizmit, masakra e Tivarit, me mbi tri mijë e shtatëqind viktima,  paraqet një krim kundër njerëzimit, i organizuar nga aradhet partizane shqiptare dhe ato të Kosovës. Në këtë krim të rëndë, të projektuar nga V. Çubrilloviqit dhe i programuar nga qeveria jugosllave, në zbatimin e tij drejtpërdrejt morën pjesë edhe partizanët shqiptarë. Kjo shtetin komunist  shqiptar e ngarkon me përgjegjësinë e bashkëfajtorit nga fillimi i tij e deri në çastet e kryerjes, pa marrë parasysh ekzekutorin final (njësitë partiza-ne jugosllave) në Tivar të Malit të Zi.

Burimet meritore dëshmojnë se ndihmesën më të madhe për rekrutimin e Shqiptarëve,  por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim tek brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, dhanë komandat e këtyre divizioneve dhe brigadave të ushtrisë shqiptare, që ishin nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme jugosllave.

Radiogramet dhe raportet nga Divizioni V dhe VI të UNÇSH-së gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë jo vetëm që vërtetojnë praninë e tyre në këto pjesë gjatë mobilizimit të dhunshëm dhe pjesëmarrjes aktive në të, por vërtetojnë edhe praninë e tyre gjatë fushatës së ashpër të partizanëve jugosllavë, e cila kishte shpërthyer në gjithë vendin pas shuarjes së përgjakshme të Kryengritjes së Drenicës si dhe vënia në shërbim të kësaj fushate në të quajturat operacione spastruese, që vazhduan me të njëjtin intensitet gjatë marsit, prillit dhe majit. Në një raport të komisarit politik të Divizionit V, Ramiz Alia pos të tjerash, jo vetëm që lëvdohet puna e partizanëve jugosllavë në këtë veprim kriminal ndaj atyre që kishin dhënë jetën për t’i rezistuar pushtimit sllavokomunist, por ata quhen “banda reaksionare kundër lëvizjes dhe pushtetit jugosllav”.

R. Alia më tutje raporton:

“Kjo lëvizje ka qenë e gjanë dhe ka përfshi në gjirin e saj nji pjesë të mirë burrash (afro 7000-8000 burra të armatosur). Lëvizja e këtyre reaksiona-rëve u shua disi nga veprimi i disa brigadave të Kosmetit  dhe disa brigadave jugosllave të ardhura për këtë punë. Tashti gjenden akoma grupe të vogla bandash nga 20-30 vetë...”

Por, sipas R. Alisë, del se ishte detyrë e divizioneve të ushtrisë shqiptare që të asgjësonin këta krerë “të bandave reaksionare”, nëpërmjet propagandës, forcës së armëve dhe dorëzimit  ushtrisë jugosllave:

“Paraqitja e divizionit tonë në këto zona ka ngritur moralin e popullit, i cili ka një farë besimi te ne dhe shohim menjëherë se brenda 3-4 ditëve u dorëzuan në Brigadën III tonën afro 30 elementë të arratisur”.

Në një raport të Reiz Malilës, zëvendës komisar politik i Divizionit V, të dërguar Shtabit të Përgjithshëm të UÇ të Shqipërisë, që drejtpërdrejt kalonte në duart e Komandantit Suprem Enver Hoxhës, shihet fare mirë se partizanët shqiptarë, me urdhrin e jugosllavëve, kishin vazhduar punën e partizanëve jugosllavë, pra në “ndjekjen dhe asgjësimin e reaksionarëve kosovarë”.

Në këtë detyrë ata ishin direkt nën komandën e Gjeneralshtabit të Armatës Jugosllave,   të cilit i dërgoheshin raporte të përditshme rreth veprimeve  luftarake në spastrimin e zonave, me ç’rast në radiogramet gjeneralshtabit të APJ-së me mburrje i raportohej se “Brigadat janë duke bërë ndjekje dhe rrethi-me të bandave, gjithnjë me sukses”.

”Në bazë të urdhrit të marrë nga Armata e Pestë Jugosllave, e cila na jep të dhëna për reaksionarët kosovarë, drejtimin e lëvizjes së tyre si dhe drejtimet që duhet të zëmë ne me efektivat e divizionit tonë, me të marrë këtë urdhër, vumë në ndjekje të reaksionarëve kosovarë Brigadën V Sulmuese dhe një batalion të Brigadës III, ku u asgjësuan rreth 68 reaksionarë kosovarë. Në Juglindjen tonë vepronte për këtë mision edhe Divizioni VI”.

Krahas “asgjësimit të reaksionarëve”, brigadat shqiptare vazhdonin “spastrimin e terrenit nga përkrahësit e reaksionarëve dhe të familjeve të tyre”, pra të burgosjes “të dyshuarve”, të cilët, bashkë me dezertorët, i dorëzoheshin Shtabit Operativ të Kosmetit, fati i të cilëve dihej: pushkatoheshin ose dërgohe-shin në njësi “plotësuese” partizane në frontin e Sremit, ku gjenin vdekjen e pashmangshme si pararojë për pastrimin e terrenit nga minat.

Kontingjenti i parë i dezertorëve dhe të burgosurve që iu dorëzuan partizanëve jugosllavë, bashkë me listën përcjellëse, ku shënohen të dhënat personale për secilin, përmban 190 veta. Kryesisht vullnetarë shqiptarë nga prefekturat e Mitrovicës e Pejës (Skënderaj, Istog, Vuçitërnë, Prekaz, Llaushë, Çikatovë etj.).

Lista e dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave, por edhe vullnetarë të bashkuar Divizionit V të Shqipërisë. Lista e tretë, e bashkangjitur, ngërthen 131 shqiptarë vullnetarë, nga prefektura e Mitrovicës dhe Pejës, që iu bashkuan vullnetarisht Divizionit V, kur ai ishte në Kosovë.

Nga të dhënat përcjellëse del se në radhën e ushtarëve të dorëzuar më së shumti kishte luftëtarë të Shaban Polluzhës. Të tillët përcilleshin edhe me vërejtjen: “Ka  qenë me Shaban Polluzhën, i rrezikshëm!”.

Me këto shënime plotësuese ata identifikoheshin dhe denoncoheshin dhe u dorëzoheshin ekzekutorëve të tyre.

Sipas të dhënave përcjellëse, që u jepeshin partizanëve jugosllavë me rastin e dorëzimit të dorëzuarve te ushtria shqiptare, shihen edhe fëmijë dhe të rinj nga mosha 14 e 15 vjeçar, siç ishin Ajet Syla, Feriz Ramadani, Sinan Selmani, Musa Abdullai dhe Dem Ramadani nga Llausha (14 vjeçar); Deli Zeneli nga Klina, Ibrahim Ademi nga Prekazi, Alush Ademi nga Llausha, Jusuf Ahmeti nga Skënderaj (15 vjeçar) si dhe shumë e shumë 16-18 vjeçar.

Pra, numri i madh i të dorëzuarve (si vullnetarë, apo dezertorë), që u binin në dorë partizanëve shqiptarë, dhe ata u dorëzoheshin partizanëve jugosllavë, pasi që të seleksionoheshin ata që kishin marrë pjesë në radhët e “forcave të reaksionit” në Drenicë dhe gjetiu (pushkatoheshin me të shpejtë nga gjyqet ushtarake), të tjerët përfundonin në kontingjentin e përgjithshëm të të mobili-zuarve, që duhej të dërgoheshin në Veri të vendit, ose në pjesën e Adriatikut.

Nga të dhënat jugosllave del se nga gjysma e shtatorit deri në gjysmën e marsit, nga Divizionet shqiptare partizanëve jugosllavë u janë dorëzuar mbi dy mijë Shqiptarë, të cilët, sipas një urdhri të Shtabit Operativ të Kosmetit, nr. 64, datë 20 mars 1945, duhej të dërgoheshin në Prizren “ku do të formohen dy eshalonet, që do të vazhdojnë rrugën më tutje, sipas direktivave të dhëna”.

Në të vërtetë, të masakruarit në Tivar ishin kryesisht të rinj të mobilizuar me dhunë nga qarqet e Prizrenit, të Ferizajt, Pejës e Mitrovicës, e ku kishte edhe shumë të tjerë që  tashmë u ishin dorëzuar brigadave partizane në Drenicë dhe qarkun e Mitrovicës. Shtabi Suprem i UNÇJ kishte ngarkuar Shtabin Operativ të Kosovës që të organizonte dhe të niste të mobilizuarit shqiptarë drejt veri-perën-dimit për të plotësuar  repartet e Armatës IV Jugosllave. Rrugëtimi kalonte nga Prizreni në Kukës, Pukë, Shkodër, Tivar, Dubrovnik, Rjekë, Istër.

Sipas qarkores së Komandantit të Shtabit Operativ të Kosovës, të datës 20 mars 1945, me nisjen dhe dërgimin e  të mobilizuarve nga Prizreni për në bregdetin Adriatik  (frontin e Triestes) ishte ngarkuar shtabi i Divizionit 46-të, një njësi e Armatës IV dhe qarkkomanda ushtarake e Prizrenit. Nisja duhej të bëhej në dy kolona (eshalonë). Kolona e parë përbëhej  prej rreth 2200 të mobilizuar nga qarkkomanda e Ferizajt dhe 1300 të tjerë na qarkkomanda e Priz-renit. Kjo kolonë ishte paraparë të nisej nga Prizreni më 23 mars. Kolona e dytë ishte paraparë të kishte 900 të mobilizuar nga Peja, 1400 të tjerë nga qarku i Mitrovicës dhe 1500 nga qarku i Prishtinës.

Të dhënat burimore jugosllave tregojnë se rrugën për në frontin e Adriatikut (në frontin e Triestes) e morën gjithsej 13.323 rekrutë shqiptarë.

Burimet jugosllave, që konfirmojnë nisjen e trembëdhjetë mijë e më shumë rekrutëve shqiptarë për në frontet e Adriatikut (Trieste), megjithatë nuk tregojnë se sa prej tyre arritën në vendin e duhur, ani pse pranohet se gjatë rrugës Prizren-Kukës-Shkodër dhe Mali i Zi, një pjesë e tyre mbetën (të plagosur ose të vrarë në përleshje me përcjellësit), por edhe u vranë në portin e Tivarit “nga një incident që u shkaktua nga rekrutët shqiptarë” ndaj të cilit reaguan me ashpërsi partizanët malazias.

Megjithatë, nga vetë raporti i Shtabit të Kolonës IV të Armatës Jugosllave, mund të nxirret përfundimi se fjala ishte jo për “incident” të papritur, por për një skenar, i cili duhej të fillonte me një provokim, që do të shfrytëzohej pastaj për qërim hesapesh të përmasave tragjike ndaj atyre që ditë më parë në Tivar, Ulqin, Kotorr, Hercegnovi e Vir Pazar dhe gjithandej, nga kreu i lartë ushtarak dhe partiak i Malit të Zi nëpër tubime me komunistët, skojistët dhe qytetarët,  u quajtën “banditë shqiptarë” dhe  “ballistë” me të cilët duhet qëruar hesapet  pamëshirshëm.

“Kur ai (shqiptari i arrestuar) po bërtiste me zë të lartë, nga kolona u hodh një bombë mbi të. Bomba shpërtheu, madje u hodh edhe bomba tjetër, gjithashtu nga kolona. Më pas edhe bomba të tjera. Në të njëjtin moment, u hap zjarr nga pushkët dhe armët automatike. U hodhën bomba nga të gjitha anët, gjuhej nga të gjitha anët dhe në ato të shtëna u përfshinë edhe këshilltarët, infermieret, me një fjalë, shtiu çdokush që pati armë. Të shtënat pushuan atëherë kur nga grumbulli më nuk u ngrit njeri dhe kur nuk lëvizi njeri.”

Pa hyrë në analizë të thellë të hollësive të tjera që tumirin vlerësimin se fjala është për një skenarë të përgatitur mirë, për një ekzekutim, që duhej të zbatohej nga partizanët malazias, janë  edhe dy fakte nga raporti i Shtabit të Kolonës IV të Armatës Jugosllave të cilat e sforcojnë këtë bindje. Fakti i parë ka të bëjë me bombën, që thuhet se u hodh nga kolona, pra nga rekrutët shqiptarë, dhe fakti i dytë ka të bëjë  me të shtënat që pasuan  nga armët nga të gjitha anët, në të cilat thuhet se “u përfshinë edhe këshilltarët, infermieret, me një fjalë, shtiu çdokush që pati armë...”

“Fakti” i parë, pra bomba në duart e rekrutëve përjashtohet fare të këtë pasur diçka të tillë. Sepse, në bazë të të gjitha informatave nga aradhet përcjellëse jugosllave dhe ato shqiptare, rekrutët shqiptarë nga Prizreni u nisën të çarmatosur fare, dhe se gjatë gjithë rrugës përcjellësit kishin për detyrë të  kontrollonin rekrutët se mos kanë armë të fshehura. Atyre nuk iu lanë as brisqe të thjeshtë! Ishte pikërisht çarmatosja si shkas që një pjesë e tyre u bë mosbesues dhe iu dha dezertimit rrugës, që u pagua me kokë, ngaqë përcjellësit (partizanët jugosllavë dhe ata shqiptarë) nga Kukësi e deri në Shkodër kishin urdhër të  prerë që ndaj dezertorëve të përdornin të gjitha mjetet, pra edhe armët. Të dhënat tregojnë se ishin dhjetëra raste të tilla të pushkatimeve.

Që bomba është hedhur, këtë nuk e mohon kush, po jo nga ata që nuk kishin sosh me vete,  gjë që del  të jetë hedhur nga anash, me porosi, në mënyrë që ndaj saj të reagohet, ashtu si u reagua: “shtiu çdo kush që pati armë...”

Por, kush mund të kishte armë aty pos ushtarakëve dhe partizanëve? Kjo do të thotë se në luftë u përfshinë njësitë e rregullta partizane dhe jo rojet dhe përcjellësit, të cilët edhe po të ndodhte ndonjë incident i asaj natyre, do të reagohej që të neutralizohej “armiku” dhe jo shkrepja frontale e armëve ndaj gjithë kolonës së lodhur dhe të rraskapitur, që mezi priste pak pushim çfarëdo qoftë ai?”

Se shkrepja frontale e armeve ndaj kolonës, nuk ishte rastësi, por vepër e pjesëtarëve  të Brigadës  X malaziase, kjo mund të kuptohet edhe nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës Jugosllave (përcjellëse e brigadës me të mobilizuarit shqiptarë), kur thuhet:

“Si rezultat i të shtënave  nga të gjitha anët ndaj kolonës 550 rekrutë ranë nga kolona, 150 prej të cilëve të plagosur, të tjerët mbetën të vdekur. Disa u larguan nëpër shtëpitë e afërme ose arritën të ikin. Llogariten rreth 430 të vdekur”.

Që Komanda malaziase e Brigadës X ishte autore e krimit, dhe se ajo kërkonte që punën ta çojë deri në fund, tregon edhe fakti se ata paraprakisht  morën nga kolona 100 rekrutë të pafajshëm shqiptarë për t’i pushkatuar, si  hakmarrje për një ushtar malazias të vrarë (sipas tyre) te kroi. Dëshmitari Ymer Sherifi që i kishte shpëtuar kësaj masakre, i plagosur nën trupat e të vdekurve, tregon se ndaj rekrutëve shqiptarë, krahas armëve, ishin përdorur edhe sëpata, me të cilat u çaheshin kokat.

Terrorin ushtarak ndaj Shqiptarëve e dëshmon edhe i shpëtuari Azem Hajdini. Ai tregon se si në ndërtesën e Metropolit të Duhanit, në hyrje të saj qëndronin 10-15 ushtarë malazez të armatosur me shufra hekuri në duar, të cilët qëllonin pamëshirshëm secilin që duhej të kalonte nëpër atë kordon. Nga 1000 veta, mbetën të vdekur dhe të masakruar mbi 150 veta, ndërsa të tjerët u strehuam në atë ndërtesë, në pritje të më të keqes.

Në ndërtesën e Metropolit të Duhanit vlerësohet se ishin strehuar 2000-2500 veta, ndërsa jashtë saj, në një rrugicë edhe 1000-1100 veta. A. Hajdini thotë se pasi që ishin rrethuar nga të gjitha anët dhe ishin provokuar me fjalët “idu ballisti” (erdhën ballistët) dhe fyerje të tjera të rënda mbi baza nacionale, kishte filluar breshëria e plumbave nga të gjitha anët nga ana e pushkëve dhe mitralozave të vendosur në çatitë e ndërtesave përreth. Breshëria e plumbave dhe bombave mbi kosovarët e ngujuar në atë ambient, që kishte filluar në orën  12,00  kishte vazhduar deri në orën 13,00 të datës 31 mars të vitit 1945. Ajo ishte një kasaphane e  vërtetë.

“Rreth ndërtesës, oborrit dhe shkëmbinjve ishin kurdisur me kohë pesë punkte, prej nga shtihej si mbi egërsia, me mitraloza, me murtaja, trombllona, topa dhe armë të tjera zjarri, - rrëfen A. Hajdini. - Përveç armëve të zjarrit, ushtarë dhe qytetarët përdorën edhe armë të ftohta si bajoneta, thika, sëpata, kmesa, sfurqe etj. Nga detonimet, na dridhej toka nën këmbë. Bubullima e armëve shoqërohej me ulërimat  e kriminelëve, që shtinin mbi ne, duke na sharë e duke na fyer. Nga çdo anë fluturonin copat e trupave: këmbë, duar dhe gjymtyrë të tjera... Krahas sulmit në oborr me armë të njëjta dhe me intensitet të njëjtë na sulmuan edhe brenda ndërtesës... Kësisoj, brenda dy orësh, nga turma e madhe e dendur e rekrutëve shqiptarë (mbi tre mijë veta që ishin vendosur në oborr dhe në rrugë), asnjë nuk mbeti  pa u qëlluar me armë apo pa u plagosur, kështu që kjo ajo hapësirë u shndërrua në një lumë gjaku, që i për-ngjante një kataklizmi të vërtetë”.

Dëshmitarët që i shpëtuan kësaj masakre përafërsisht kanë të njëjtin version të përshkrimit të ngjarjes: të shtëna nga të gjitha anët ndaj kolonës që ndodhej në pjesën e Fabrikës së Duhanit. Të shtënat do të vazhdojnë edhe pasi që të mos mbetet kush në këmbë, dhe se të shtënat do të vazhdojnë edhe në pjesët e tjera, në ndjekje të atyre që ia kishin dalë të largohen nga logu i kaluarit drejt rrugicave të ndryshme. Madje, këto ndjekje dhe masakra do të bëhen edhe me anën e mashtrimeve, për gjoja faljen, kur të plagosurit do të ngrihen dhe ndaj tyre serish do të pasojë breshëria e plumbave. Këto krime të papara edhe sot e gjithë ditën përkujtohen dhe dëshmohen nga ata të paktët që i shpëtuan kësaj masakre të tmerrshme.

Nga të dhënat zyrtare jugosllave, që do të pranohen më vonë nga një komision hetues, i cili nuk do të marrë në përgjegjësi askënd, del numri prej dyqind e sa të vrarëve në “incidentin” e Tivarit bashkë me disa të tjerë që “tragjikisht” do të gjejnë vdekjen në një depo afër Shibenikut, e cila do të kallej papritmas kur vullnetarët po flinin. Por, të dhënat e  njëmendta, nga burime të ndryshme, flasin për më shumë se 3.760 të masakruar vetëm në Tivar, pa llogaritur mbi katërqind të tjerë që gjetën vdekjen “aksidentalisht” në një depo të Shibenikut kur atë do ta marrë flaka.

Pa marrë parasysh si dhe sa iu pasqyruan dhe iu pranuan përmasat tragjike këtij krimi të rëndë kundër njerëzimit, që ngarkon njësoj  shtetin komunist jugosllav dhe Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës dhe, pa përjashtuar këtu edhe përgjegjësinë e atyre partizanëve shqiptarë nga Kosova që morën pjesë në fushatën e mobilizimit, të cilët assesi nuk mund të lahen me arsyetimin se nuk kanë qenë të informuar rreth asaj çfarë po zihej pa qenë të përfshirë në veprimet përcjellëse të saj (rruga nga Prizreni deri në Tivar), tragjedia e Tivarit krahas epilogut të njohur, kishte edhe prologun e saj, pak a shumë të njohur, të cilit edhe më tutje po i zbulohen përmasat e njëmendta. Ky prolog nisi me mobilizimin e dhunshëm në të gjitha pjesët e Kosovës nga ushtria jugosllave, së cilës në ndihmë i erdhi edhe ajo shqiptare bashkë me partizanët shqiptarë nga Kosova, veçmas pas masakrës së Drenicës, kur  ata që i shpëtuan asaj, u detyruan që të përjetojnë një tjetër të kryer me paramendim dhe në përputhje me programet e njohura antishqiptare të Beogradit për shfarosjen e tyre.

(Shkëputje nga "Kosova 1912-1945", faqe 358-367)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora