E merkure, 24.04.2024, 08:25 AM (GMT+1)

Mendime

Alma Lama: Prapaskenat e arrestimit

E diele, 28.12.2008, 02:40 PM


Prapaskenat e arrestimit

Nga Alma Lama

"Shumë nga viktimat ishin vrarë në një shkollë, në qytet. Së pari janë marrë aty, janë zhveshur lakuriq, lidhur, rrahur disa herë dhe goditur me thika. Pjesë të trupave të tyre ishin prerë para se ata të vdisnin. Disa nga viktimat vdiqën, pasi vrasësit bënë provën: "sa trupa mund të shpojë një plumb i vetëm".

Ky përshkrim i marrë nga mediat serbe, i denjë për filma horror, është pjesë e akuzës së ngritur nga shteti serb për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për shumë shqiptarë të Kosovës nuk është një skenë e pamundur. Ata që kanë pasur fatin të shpëtojnë nga masakrat e ushtarëve të Arkanit, apo dhjetëra tipave të ngjashëm me të, u kujtohet fare mirë. Pak a shumë kështu ka ndodhur me ta gjatë vitit 1999.

Por historia duket se është përmbysur këto ditë. Janë shqiptarët, ish-pjesëtarë të UÇK-së, ata që akuzohen për krime të tilla monstruoze.

Qëllimet

Qëllimi, edhe në këtë rast, është i shumëfishtë, i menduar mirë deri në detaje.

Qëllimi i parë, njollosja e shtetit të ri. Pas dështimit për të provuar se ish-pjesëtarët e UÇK-së kanë bërë tregti organesh me viktimat serbe, - historia e një fshati të humbur të Burrelit - rezulton e nevojshme për serbët ngritja e një akuze po kaq të rëndë, me trupa të zhveshur e të torturuar, prerje gjymtyrësh e ngulje thikash. Kjo për të provuar se shqiptarët janë të përlyer me krime lufte. Ç‘dëm më të madh mund t‘i bëhet imazhit të shtetit të ri, i cili po synon të njihet nga sa më shumë shtete?

Qëllimi i dytë, dëshmia se Kosova është pjesë e Serbisë. Shteti serb ka arrestuar persona të dyshuar për krime të kryera në Kosovë. Deklarata e ministrit serb, Ivica Daciç, se nuk do të lëshojnë fletarreste ndërkombëtare për tre të akuzuarit e tjerë që ndodhen në Kosovë, flet qartë. Serbia e konsideron Kosovën territor të vetin dhe, si pasojë, mund të bëjë ç‘të dojë: të hetojë, të akuzojë, të arrestojë, të burgosë e të gjykojë, pasi mendon se është në shtëpinë e vet.

Qëllimi i tretë, të mos e njohë misionin e Bashkimit Evropian. Ministri i Brendshëm serb thotë shprehimisht: "Do t‘i kërkoj UNMIK-ut të bëjë arrestimin e të dyshuarve të tjerë, që gjenden në territorin e Kosovës". Që prej 9 dhjetorit, në Kosovë nuk ka asnjë këmbë polici të misionit të OKB-së, por shteti serb në këtë mënyrë përcjell mesazhin se EULEX-in nuk e konsideron si një mision me të cilin ka vendosur të bashkëpunojë.

Qëllimi i katërt, njollosja e KFOR-it dhe vetë NATO-s. Të gjitha institucionet ndërkombëtare, që kanë mbështetur Kosovën në procesin e pavarësimit të saj, janë vënë nën shënjestrën e Serbisë. Në bazë të akuzës, krimet kanë ndodhur pas hyrjes së trupave të KFOR-it në Kosovë, pra qershor-tetor 1999. Fakti që krimet e supozuara kanë ndodhur nën hundën e tyre, do të thotë se besueshmëria e trupave të NATO-s vihet në pikëpyetje. A erdhën ata vërtet për të ruajtur paqen në Kosovë, apo për të mbrojtur shqiptarët? Kjo është pyetja që kërkohet të imponohet nëpërmjet veprimeve të fundit të Serbisë.

Qëllimi i pestë është provokimi, hapja e një fronti tjetër lufte politike me Prishtinën, pasi plani gjashtëpikësh duket se po shkon drejt dështimit. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, në letrën e tij presidenciale, ku përfshiu gjashtë kërkesat e Beogradit dhe katër pikat e Prishtinës, i ka lënë opsionet të hapura. Pra, plani duhet të diskutohet me shqiptarët. Nuk është marrë ndonjë vendim për zbatimin e tij dhe qëndrimi i Prishtinës dihet: nuk ka diskutime për diçka që është e papranueshme. Për të mbajtur lart tensionin Prishtinë-Beograd, Serbia zgjedh pikërisht Preshevën.

Qëllimi i gjashtë, Presheva apo asosacioni me Mitrovicën. Presheva është vendi i "qëlluar". Lugina, me gjithë dëshirën e zjarrtë për t‘iu bashkuar Kosovës, ka heshtur gjatë gjithë procesit të pavarësimit. Një sakrificë në emër të pavarësisë dhe moshumbjes së Veriut të Kosovës. Nëse ata do të kërkonin bashkim me Kosovën, çështja e rivizatimit të kufijve do të shtrohej në tavolinë. Beogradi e shfrytëzon Luginën e pambrojtur për të ndezur tensionet, në mënyrë që të shënojë edhe një hap më afër marrjes së Veriut. Tani që nuk mund t‘i fusë edhe aq lehtë hundët brenda Kosovës, Lugina e Preshevës është "as"-i nën mëngë, mund ta nxjerrë sa herë t‘i duhet.

Qëllimi i shtatë, tensionimi dhe zbrazja e Luginës nga shqiptarët. Me një gur mund të vriten disa zogj. Uniformat ushtarake, apo të xhandarmërisë serbe, ngjallin frikë dhe tmerr te shqiptarët e Luginës. Kujtimet e luftës janë fare të freskëta, ndërsa diskriminimi është i vazhdueshëm. Frika ka bërë që Lugina të zbrazet përditë e më shumë nga shqiptarët. Një pjesë e madhe e tyre tashmë kanë ngritur shtëpitë e tyre në Fushë-Kosovë, Gjilan, apo Prishtinë. Shifrat e fundit flasin se në Medvegjë dhe Bujanovc përqindjet e popullatës po ndryshojnë gjithnjë e më shumë në favor të serbëve.

Qëllimi i tetë, pas sherreve të përditshme qeveritare dhe problemeve me koalicionin i qeveritar (i cili ka bërë bashkë pro-evropianët me pasardhësit e Millosheviçit), arrestimi i shqiptarëve do të zhvendosë vëmendjen, së paku për disa ditë. Një mënyrë e mirë për t‘u hedhur në vitin e ardhshëm.

Dobësitë

Serbia ende nuk e ka filluar procesin e larjes së mëkateve të saj në lidhje me luftërat e shkaktuara nga vetë ajo. Katarsisi, me Mlladiçin që ka strofullin e tij të ngrohtë prej disa vitesh pikërisht aty, apo me dhjetëra kriminelë lufte që vetëm në Kosovë kanë vrarë mbi 10 mijë veta, duket shumë, shumë larg. Arrestimi i shqiptarëve për krime lufte është qesharak, nëse dikush kërkon t‘i provojë "dënimin e kriminelëve të luftës". Së pari, duhet t‘ia fillojë me të vetët. Së dyti, ky ishte një aksion i udhëhequr nga një mëkëmbës i partisë së Millosheviçit, Ivica Daciç. A ka tagër moral ai për të arrestuar shqiptarët për krime lufte, pas gjithë asaj që ka bërë udhëheqësi i tyre shpirtëror, Millosheviçi? Një zgjedhje ironike, ku mjeti degradon hapur qëllimin.

Dobësia tjetër që çon ujë te dyshimi se ky proces bart qëllime të pastra politike: pse u pritën nëntë vite për t‘u bërë këto arrestime? Serbia ka pasur kohë mjaft gjatë këtyre viteve për të arrestuar qytetarët e shtetit të saj dhe për t‘i kërkuar UNMIK-ut të arrestojë të tjerët që "fshihen" në Kosovë. Po të kishte dashur këtë bashkëpunim me UNMIK-un do t‘i kishte prangosur kriminelët serbë, banorë të Kosovës, por të zhytur në krime ndaj fqinjëve të tyre shqiptarë, e të cilët UNMIK-u i kishte shpallur në kërkim. Pra, gjetja e momentit, tashmë që UNMIK-u nuk do të merret me krimet e luftës, nuk është e rastësishme. Po kështu, veprimi i Ivicës mund të jetë edhe një paralajmërim për dosjet e krimeve të luftës në Kosovë, që kanë fjetur në sirtarët e UNMIK-ut, e që tani po kalojnë në duart e EULEX-it. Paralajmërimi është ky: mos u merrni me serbët, sepse ne i kemi gati dosjet për krimet e kryera nga shqiptarët.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora