Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fadil Sahiti: A ka sot Kosova elitë intelektuale?

| E enjte, 10.11.2022, 08:33 PM |


A KA SOT KOSOVA ELITË INTELEKTUALE?

Nga Fadil Sahiti

Po i bashkohem një mikut tim gazetar rreth debatit nëse ka apo nuk ka sot Kosova një elitë intelektuale, siç e kishte në vitet '80 dhe '90. Kam shkruar edhe një herë për intlektualët e atyre viteve. Unë besoj se elita intelektuale në atë kohë ishte ndryshe nga kjo që ne sot i quajmë te tillë, e që përbëhet nga njerëz që në fakt kanë vetëm grada akademike.

Elita intelektuale e asaj kohe ishte produktive, sepse identifikohej me punën që bënin, me veprat që prodhonin. Ishin soj i njerëzve që prodhonin dije, art, kulturë. Dilnin ne media, por mediat ishin mjete përmes të cilave artikulonin punën e tyre. Nuk janë promovuar sepse kanë pranuar të jenë pjesë e Radios, Televizionit, Rilindjes, etj.

Sot situata ka ndryshuar. Sot mjafton të jesh komentues politik, paguhesh nga i njëjti medium televiziv dhe promovimi është i garantuar. Sot mediat tona televizive e promovojnë si intelektual edhe dikë që paraqitet nga një qendër europiane, thotë që jam profesor, por që atje bën punën e referentit, ndërkaq këtu shitet si profesor universiteti. Persona të këtillë nuk kanë asnjë produkt intelektualë; libër apo vepër shkencore të botuar në ndonjë shtëpi botuese prestigjioze.

Nuk do doja ta elaboroj më thellë nocionin e intelektualit. Por do të thosha se përveç krijimeve intelektuale të publikuara nga shtepi botuese prestigjioze, ekzistojnë dy attribute të një intelektuali humanist bashkëkohor: pavarësia e mendjes dhe integriteti moral.

Është e vështirë të thuhet nëse Kosova sot ka një elitë intelektuale të këtij profili, e cila është e konsoliduar. Kjo sepse sot, në shumicën e rasteve, ne identifikojmë një intelektual me dikë që ka një diplomë akademike. Ky është një gabim, sidomos në kontekstin tonë ku gradat akademike tregtohen si çdo mall tjetër. Shumë prej atyre që kanë mbaruar sot shkollën, që kanë diploma akademike dhe që ne i identifikojmë si intelektualë, ose i shesin dijet ose janë mediokër.

Prandaj, kriza politike që po kalon sot Kosova është e lidhur ngushtë me mungesën e kësaj shtrese njerëzish, mungesën e një elite të mirëfilltë intelektuale. E, kjo krizë që po kalojmë ne sot është shumë më e vogël se kriza morale. Ky popull nuk ka një pikë referimi të pavarur intelektual, siç kishte në vitet 80-90, për fat të keq.