E diele, 27.11.2022, 12:33 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Investimet e Perëndimit në Serbi ushqejnë destruksionin serbomadh

E marte, 08.11.2022, 08:00 PM


INVESTIMET Е PERËNDIMIT NË SERBI USHQEJNË DESTRUKSIONIN SERBOMADH NË RAJON

Problem i rajonit nuk është “kokëfortësia” e Albin Kurit, por ideologjia fashiste e Aleksandër Vuçiqit, i ushqyer nga Kisha Ortodokse fashiste Serbe dhe i dirigjuar tërësisht nga Moska

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Të investosh në Serbi, do të thotë ta forcosh ekonomikisht dhe ushtarakisht një shtet fashist, një politikë dhe një ideologji fashiste, një shtet që në vitet ’90 të shekullit XX kreu agresion ushtarak në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë,  një shtet që ka kryer gjenocid në BH dhe në Kosovë, që ka kryer gjenocid në Srebrenicë, ku ekzekutoi mbi 8.000 civilë boshnjakë, që ushtron gjenocid të heshtur në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), që ndjek me përpikëri politikën e kasapit të Ballkanit – Millosheviqit, që udhëhiqet nga bashkëpunëtorët e devotshëm të Millosheviqit dhe të Sheshelit, që ka pretendime territoriale ndaj Kroacisë, që mbështet politikën secesioniste të mikut të Putinit – Millorad Dodikut, që destabilizon në mënyrë permanente Malin e Zi, që i kanoset me agresion Kosovës martire, që përçon interesin e Rusisë në rajon, që s’i vendosi sanksione Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës. Investimet në Serbi paraqesin mbështetje për kryekriminelin Vuçiq, mikun e ngushtë të Putinit.

Kaq shumë investime perëndimore në Serbi nuk kanë as vendet – anëtare të BE-së. Nga kjo del se Serbia është e privilegjuar dhe e favorizuar më shumë se një shtet - anëtar i Unionit.

Përkundër investimeve të mëdha të perëndimorëve në Serbi, ajo vazhdon të jetë satelite e Rusisë cariste, bolshevike dhe të Vladimir Putinit.

Përkundër investimeve të mëdha të perëndimorëve në Serbi, ajo vazhdon të ndjekë politikë retrograde, anakronike, hegjemoniste, ekspansioniste, destabilizuese, destruktive, irracionale, luftënxitëse, antidemokratike dhe antihistorike.

Problem i rajonit nuk është “kokëfortësia” e Albin Kurit, por ideologjia fashiste e Aleksandër Vuçiqit, i ushqyer nga Kisha Ortodokse fashiste Serbe dhe i dirigjuar tërësisht nga Moska.

Serbët s’ka pse të mbrohen prej Qeverisë së Kosovës. Serbët dhe Serbia duhet të mbrohen nga marrëzitë, çmenduritë dhe paranojat e veta, nga orekset e shfrenuara dhe të pangopura pushtuese dhe kolonialiste.

Evropë! U ke borxh shqiptarëve, që nga Kongresi i Berlinit (1878) deri te Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), e këndej. Evropë! Ti ia dhe territoret shqiptare Malit të Zi, ti ia dhe Çamërinë Greqisë, ti ia dhe Kosovën – Serbisë, më pas edhe Maqedonisë.

Thuaji Serbisë Evropë, që t’u japë nga një bashkësi komunash, nga një entitet apo nga një zajednicë – shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), boshnjakëve në Sanxhak dhe hungarezëve në Vojvodinë.

Evropë, a nuk e sheh vallë se Serbia e Vuçiqit është shndërruar në Kore të Veriut në rajon, Vuçiqi ndërkaq në Kim Jong un?!

Kjo është e turpshme, e dhimbshme Evropë!

Qendrat proruse të BE-së, duke blerë gaz natyror rus, i forcuan vendet e veta, por e fuqizuan ushtarakisht edhe Rusinë e Putinit, e cila më pas aneksoi Krimenë dhe kreu agresion ndaj Ukrainës.

*   *   *

Amerikë! A e di ti se serbët çdo ditë deklarojnë: “Bota sot e tutje, nuk ka për të qenë njëpolare, por trepolare. Përpos ShBA-së, ekzistojnë edhe Rusia dhe Kina”.

*   *   *

INVESTIMET GJERMANE NË SERBI

Gjermania është ekonomia kryesore e Evropës. Është partnerja kryesore e tregtisë së jashtme e Serbisë dhe tregu kryesor për produktet serbe. Ajo është një prej investuesve më të mëdhenj në Serbi.

Për 10 vitet e fundit, d.m.th. deri në vitin 2021, kompanitë gjermane kanë investuar në Serbi rreth 3,12 miliardë euro. Kanë investuar në çeljen e fabrikave si dhe në prodhim. Deri në vitin 2021, në to janë punësuar 48.454 punëtorë. Vetëm në një kompani, kanë investuar mbi 600 milionë euro. Çelja e fabrikës së kompanisë "Continental Automotiv Srbija" në mars të vitit 2021 në Novi-Sad. Investimin më të madh e ka bërë kompania farmaceutike “Stada”, me vlerë 698 milionë euro. Deri në vitin 2021, në fabrikat e kompanisë “Stada” në mbarë Serbinë janë punësuar gjithsej 2.870 punëtorë. Më së shumti investojnë në auto-industri apo në industrinë automobilistike. Pason kompania “Henkel Merima” nga lëmi i industrisë kimike, me vlerë 313,3 milionë euro me 608 të punësuar; zinxhiri tregtar i shitjes me pakicë “Lidl”, në të cilin janë investuar 275 milionë euro dhe janë punësuar 2.905 punëtorë; fabrika e pjesëve automobilistike ZF, me vlerë prej 195 milionë euro në të cilën janë punësuar 1.281 punëtorë. Investues më të mëdhenj janë kompanitë gjermane të lëmit të auto-industrisë apo të industrisë automobilistike, siç janë “Continental”, në të cilën janë investuar 190 milionë euro me 1903 të punësuar; “Brose” me vlerë prej 180,3 milionë euro, në të cilën janë punësuar 1.100  punëtorë dhe “Leoni AG” në të cilën janë investuar 150 milionë euro dhe e cila ka punësuar numër më të madh punëtorësh – 12.940; zinxhiri tregtar “Metro Cash&Carry” në të cilin janë investuar 142 milionë euro dhe janë punësuar 1.201 punëtorë; kompania “Meser” me vlerë 119 milionë euro, në të cilën janë punësuar 335 punëtorë; dhe “MTU” nga lëmi i avio-industrisë apo industrisë së avionëve me vlerë 100,9 milionë euro me 440 të punësuar.

Investimet e firmave gjermane në Serbi, në miliona euro: në vitin 2015 – 72,4; më 2016 – 179,6; më 2017 – 185,4; më 2018 – 263,3; më 2019 – 335,8; më 2020 – 331,9 milionë euro. Në tre muajt e parë të vitit 2021, investimet janë shtuar edhe për 42.1 milionë euro.

Prej vitit 2010 deri në mars të vitit 2021, të hyrat mbi bazën e investimeve të rezidentëve gjermanë në Serbi kanë qenë rreth 1,9 miliardë euro. Matur me këtë metodologji, Gjermania ka qenë në vendin e pestë të listës së vendeve me investime më të mëdha në periudhën e sipërthënë. Prej vitit 2018, investimet janë shtuar me të madhe, pa u reduktuar as në vitin e krizës nga Covid-19.

*   *   *

Sipas Beogradit, vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd, më 13.09.2021, është një sinjal i mirë për vazhdimin e ardhjes së investuesve gjermanë në Serbi. Pas vizitës së saj, investimet gjermane në Serbi u dyfishuan.

Në Serbi ushtrojnë veprimtari ekonomike mbi 1.000 kompani dhe rreth 200 sipërmarrës me shumicë kapitali gjerman, të cilat punësojnë rreth 80.000 qytetarë të Serbisë. Kur të analizohen të gjitha ndërmarrjet të cilat janë furnitorë të kompanive gjermane në Serbi, si dhe ato që marrin pjesë në raportet afariste me to, atëherë bëhet fjalë për 650.000 të punësuar të cilët janë të lidhur tërthorazi me firmat gjermane. Që nga viti 2010, Gjermania ka investuar në Serbi rreth tre miliardë euro. Është investuar në industrinë e përpunimit, në industrinë automobilistike, përfshi prodhimin e pjesëve automobilistike, në industrinë kimike dhe ushqimore etj. Investime gjermane në Serbi parashikohen edhe në lëmenjtë e përkufizuar me Strategjinë e specializimit të mençur, agrobiznes, industrinë automobilistike, IT, energjetikë, ekonominë cirkulare, trajtimin e hedhurinave etj. Në vitin 2021, shkëmbimi tregtar i jashtëm ndërmjet Gjermanisë dhe Serbisë ka qenë 6.5 miliardë euro. Prej tyre, Serbia ka importuar nga Gjermania mallra në shumë prej 3.8 miliardë euro, ndërsa ka eksportuar në Gjermani mallra në shumë prej 2.7 miliardë euro. Gjatë qershorit të vitit në vazhdim (2022), u parashikuan takime afariste të kompanive gjermane dhe atyre serbe në lëmin e industrisë së përpunimit të metaleve dhe në industrinë e automjeteve. Sipas Beogradit, investimet gjermane në Serbi mund të shkojnë deri në 10 miliardë euro, ndërsa numri i të punësuarve në kompanitë gjermane në Serbi mund të arrijë në 100.000.

*   *   *

INVESTIMET E FRANCËS NË SERBI

Më 15 korrik 2019, presidenti i Francës Emanyel Makron (Emmanuel Macron) bëri një vizitë dyditore në Beograd. Gjatë takimit të tij me Vuçiqin, ndërmjet tjerash u bisedua edhe për bashkëpunimin ekonomik midis Francës dhe Serbisë. Sipas burimeve zyrtare serbe të marsit të vitit 2019, investimet e Francës në Serbi arritën një shumë prej 751 milionë euro. Kjo shumë është shumë më e madhe, për arsye se kemi të bëjmë me të dhënat të tremujorit të parë të vitit 2017. Pas investimeve të sipërthëna  franceze në Serbi, pasoi nënshkrimi i kontratës për koncesion me Vansi-n.

Sipas masës së planifikuar të investimeve franceze në serbi, kryesojnë firmat e poshtëshënuara:

- Vinci Airports – 500.000.000 euro; koncesion për aeroportin “Nikolla Teslla” të Beogradit; kontrata u nënshkrua në vitin 2018;

- Мichеlin Тigаr Тyrеs – 367.000.000 euro; Mishelini u bë pronar 100 për qind i kompanisë Tigar Tires; viti 2009;

- Agricole Group – 264.000.000 euro; Kredi Agrikol Banka e rikapitalizoi bankën Meridian të Serbisë, duke ardhur kësisoj në tregun e Serbisë; viti 2005;

- Lafarge (Lafarge Holcim) – 160.000.000 euro; Lafarge (Lafarzh) është i pranishëm në Serbi që prej vitit 2002 dhe blerja e fabrikës së çimentos në Beoçinë;

- Tarkett - 136.000.000 euro; ndërmarrje për prodhimin e dyshemeve; në serbi ushtron veprimtari që prej vitit 2002;

- Schneider Electric DMS NS – 100.000.000 euro; Prodhues i pajisjeve elektrike; në tregjet e Serbisë dhe të Malit të Zi ushtrojnë veprimtari ekonomike që prej vitit 1997, ndërsa prej vitit 2002, si shpk;

- Le Belier - 35.000.000 euro; Merret me prodhimin e pjesëve për industrinë automobilistike, ndërsa në Serbi punon prej vitit 2003;

- Lactalis Group – 25.000.000 euro; Korporatë shumëkombëshe (multinacionale) e cila prodhon produkte qumështi;

- Bоngrаin SА – 25.000.000 euro; Pronar i “Mlekoproduktit në Serbi, që nga viti 2004;

- Streit Nova – 16.400.000 euro; Në Serbi që nga viti 2004, prodhon pjesë metalike për industrinë automobilistike.

Shënim: Të dhënat e sipërthëna me siguri kanë ndryshuar. Deri në vitin 2022, investimet e vendeve të lartpërmendura të Perëndimit, kanë shënuar rritje.

*   *   *

INVESTIMET E ITALISË NË SERBI

Sipas të dhënave të nëntorit të viti 2020, në Serbi ushtrojnë veprimtari mbi 1.600 kompani italiane. Numri i sipërmarrësve dhe i investuesve nga Italia shënon rritje të vazhdueshme. Në Serbi janë të regjistruar mbi 1.600 kompani që janë në pronësi të aksionarëve italianë. Në ato kompani janë punësuar mbi 50.000 punëtorë. Prej tyre, 39.000 - të punësuar të drejtpërdrejtë, ndërsa 12.000 – të angazhuar si personel spin-off dhe lizing, Të dhënat i jep Oda Italo-Serbe e Sipërmarrësve. Sa i përket numrit dhe vëllimit të investimeve në Serbi, Italia e ka konfirmuar pozicionin e liderit. Shumë kompani të pranishme në Serbi i rrisin investimet e veta dhe vazhdimisht vijnë investues të ri. Në Serbi janë të pranishme, si kompanitë italiane të mëdha, ashtu edhe shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Punojnë në shumë sektorë, në bujqësi, në sektorin automobilistik, në sektorin e tekstilit, në prodhimin e rrobave, në teknologjitë e informacionit, në punimin e produkteve industriale, në shërbimet në lëmin e konsaltingut dhe të hotelerisë, në sektorin bankar dhe të sigurimeve. Kryetari i Odës Italo-Serbe të Sipërmarrësve dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë së sigurimit DDOR, pjesë e grupit Unipol - Xhorxho Markexhani (Giorgio Marchegiani), ka deklaruar se “investimet italiane në Serbi flasin për partneritetin e shkëlqyeshëm midis dy vendeve”.

Gjatë viti 2003, shkëmbimi i ndërsjellë i Italisë  dhe Serbisë arriti 1,3 miliardë euro. Me kalimin e kohës, investimet italiane në Serbi shënuan rritje. Në atë kohë, Italia u rendit e pesta në listën e investuesve të huaj në Serbi. Më 15 korrik të vitit 2004, një delegacion i përbërë prej shumë anëtarëve dhe i udhëhequr prej ministrit të investimeve kapitale të Qeverisë së Serbisë, Velimir Iliq, bëri një vizitë dyditore në Itali. Ai u takua në Romë me zëvendësministrin për veprimtari prodhuese të Italisë, Adolf Urs. Gjatë këtij takimi u bisedua që ndërmarrjet italiane të investojnë në sektorin e ndërtimit të rrugëve, në rrjetin hekurudhor, në telekomunikime dhe në infrastrukturën e aeroporteve. Velimir Iliqi u takua edhe me ministrin italian për infrastrukturë dhe ndërlidhje, Pietro Lunardi. Gjatë kësaj vizite, delegacioni serb u takua edhe me përfaqësuesit e “Telespacia-s dhe të ndërmarrjes kombëtare të rrugëve - “Anas”.

INVESTIMET E AUSTRISË NË SERBI

Sipas Odës Ekonomike të Serbisë, në vitet 2000-2010, Austria ka investuar në Serbi 3,1 miliard dollarë. Me këtë masë investimesh, ajo u rendit e para ndër investuesit e huaj në ekonominë e Serbisë. Për interesin e palës austriake për të bashkëpunuar me ekonominë serbe flet edhe prania e rreth 400 përfaqësuesve të firmave austriake në Serbi. Në tregun e Serbisë punojnë dhjetë banka austriake më të rëndësishme dhe kompani sigurimi, kompania e telekomunikimeve “Telekomi i Austrisë”, investimi i së cilës në telefoninë mobile është investim “grinfild” më i madh. Pason kompania e naftës OMV, si dhe shumë kompani të tjera të mëdha, siç janë “Henkel”, “Rauh”, “Knauf”. Kompanitë austriake kanë paralajmëruar investime të reja në Serbi, midis të cilave edhe “Svarovski”, prodhuese e kabllove “SMF” e cila planifikon të hapë fabrikën e tretë. U paralajmërua edhe ndërtimi i disa hoteleve. Kompanitë austriake ndërtojnë rrugë dhe ura në Serbi, ndërsa investuesit kanë shprehur interesim edhe për blerjen e uzinave të sheqerit në Cërvenkë, në Zhabël dhe në Sentë. Sipas Odës Ekonomike të Serbisë, investuesit austriakë në Serbi kanë një orientimi strategjik për përparimin e teknologjisë, rritjen e prodhimit dhe të eksportit. Shkëmbimi i tregtisë së jashtme arrin shumën mbi një miliard dollarë. Pas ndryshimeve të tetorit të vitit 2000, marrëdhëniet dypalëshe midis Austrisë dhe Serbisë u intensifikuan në të gjitha nivelet. Këtë e dëshmon niveli i shkëmbimit të tregtisë së jashtme. Në vitin 2011, Austria ndodhet në vendin e dhjetë të listës së vendeve në të cilat Serbia eksporton, ndërsa në vendin e tetë midis vendeve nga të cilat importon. Në vitin 2011, shkëmbimi i tregtisë së jashtme të Austrisë me Serbinë, arriti një vlerë prej një miliard dollarësh. Eksporti serb mori pjesë me 379,1 milion dollarë.

Prej datës 1 janar 1995, Austria është anëtare e BE-së. Ajo është një prej anëtareve më të pasura dhe më të qëndrueshme. Bën pjesë në grupin e 15 vendeve anëtare të KB-ve me standard jetese më të lartë. Ka 8,3 milionë banorë. Në vitin 2010, ka pasur produkt shoqëror bruto prej 44,863 dollarë per capito (për kokë banori), duke u renditur në vendin pestë në Evropë dhe e dhjeta në botë. Për nga vlera e eksportit ajo ndodhet në vendin e 27-të, ndërsa për nga vlera e importit – në të 26-in.

Në Panairin ndërkombëtar të bujqësisë të mbajtur në Novi-Sad prej 12 deri më 18 maj të viti 2012, Austria ishte vend partner i Serbisë. Ekspozuesit e saj i paraqitën arritjet nga lëmi i prodhimit të ushqimit organik, të blegtorisë, të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe të teknologjive bujqësore.

*   *   *

INVESTIMET AMERIKANE NË SERBI

Më 31 tetor të vitit në vazhdim, Vuçiqi bisedoi me një delegacion ekonomik të madh të Qeverisë së ShBA-së ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e disa prej korporatave globale amerikane më të mëdha. Në qendër të takimit kanë qenë energjetika, teknologjia informatike dhe teknologjia e gjelbër. Sipas kryetarit të Serbisë, Vuçiqit, kompanitë amerikane punësojnë në Serbi 30.000 njerëz, ndërsa shkëmbimi i tregtar midis ShBA-së dhe Serbisë, në tetë muajt e parë të vitit 2022 ka qenë 854,6 milionë dollarë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021, kjo parqet një rritje prej 45,6 për qind.

Në Serbi ushtrojnë veprimtari gjigantët teknologjikë të ShBA-së, siç janë: CISCO, IBM, ORACLE. Sipas të dhënave të Agjencisë për Zhvillim të Serbisë, prej vitit 2007 e deri më sot, ndërmarrësit e amerikanë, si për nga numri i projekteve, ashtu edhe për nga vlera e tyre,  bëjnë pjesë në grupin e investuesve kryesorë të huaj në Serbi. Për nga numri i projekteve në Serbi, ShBA-ja është investuesja e pestë më e madhe, ndërsa për nga vlera – investuesja e tretë më e madhe. Biznesmenët amerikanë, në Serbi investojnë më së shumti në shërbimet arkitektonike, në qendrat call, në farmaci, në prodhimin e konservave metalike, në industrinë e metaleve sekondare me ngjyra dhe në industrinë e enëve prej qelqi: Valeant Pharmaceutical, NCR, LC Comgroup, Ball Corporation. Për nga vlera, investimet amerikane më të mëdha në Serbi, kanë të bëjnë me kompanitë Philip Morris, Pepsi Co, Coca Cola, Ball Corporation, Cooper Tire dhe Microsoft.

Sipas të dhënave zyrtare, prej vitit 2010 deri në vitin 2019, kompanitë amerikane kanë investuar në Serbi 508,1 milion euro. Por, shefi i sektorit ekonomik të Ambasadës së ShBA-së në Beograd, Baron Lobstein deklaroi në vitin 2021 se investimet amerikane në Serbi janë shumë më të madha se 600 milionë dollarë dhe jo aq sa thuhet në statistikat zyrtare. Investimet amerikane janë më shumë se 508,1 milion euro, për arsye se investuesi mund të jetë nga ShBA-ja, por fondi me mjetet e tij mund të jetë i regjistruar në Holandë apo në ndonjë vend tjetër që ka një sistem të përshtatshëm për selinë e fondit. Holanda është një prej vendeve nga ku vjen pjesa më e madhe e investimeve të huaja në Serbi. Sipas burimeve të Ambasadës së ShBA-së në Beograd, investimet e ShBA-së në Serbi kanë punësuar rreth 17.000 njerëz.

*   *   *

Për investimet e Rusisë, të Kinës, të Turqisë dhe të vendeve të caktuara arabe – në Serbi, nuk kemi çka diskutojmë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora