E enjte, 28.03.2024, 09:56 AM (GMT)

Kulturë

Hamza Halabaku: Lokja

E marte, 08.11.2022, 07:44 PM


L  O  K  J  A

Nga Hamza Halabaku

Ishte një borë e madhe e një i ftohtë i butë, kur Lokja me qerren që e tërhiqnin kuajt e mëdhenj ngjyrë të përhimët mbërriti në oborrin e shtëpisë tonë. Atë, si thoshte ajo vet, e sollën për gjyshin, pa dëshirën e saj!

E mbaj mend si sot. Ajo mbante kuti me duhan ngjyrë ari e të grirë hollë. Nga ai duhan i mbështillte cigaret me letra të holla e të bardha si bora.

Nuk e di moshën që kishte gjyshi kur e sollën Loken, ama e di shumë mirë që ai atëherë kishte mjekër të thinjur. Mjekra e gjyshit, nuk ishte mjekër si e njerëzve të sotëm. Ishte mjekër e bukur, e krehur mirë dhe e rregulluar për mrekulli. Ngjyra e mjekrës së gjyshit ia shtonte bukurinë e moshës që ai e kishte. Tani nuk mund ta marrë me mend një gjysh që nuk ka mjekër si e kishte gjyshi im!

Atë ditë dimri, që në mëngjes nëna më tregoi se burrat, gjatë ditës, do ta sjellin një gjyshe shumë të mirë. Kur nëna e përmendi gjyshen unë e shikova me kureshtje.  E shikova i hutuar, sepse e dija që gjyshja ishte ndarë nga jeta para se gjyshi të martohej me Haven, me të cilën jetoi disa vjet, por edhe ajo vdiq. Si mund ta sjellin tash burrat gjyshen, mendova i habitur!?  Jo, jo, burrat do ta sjellin një gjyshe tjetër për gjyshin, mendova unë me vete.

- Ajo do të jetë gjyshe shumë e dashur, - tha nëna.  Do të jetë e mirë për të gjithë ne, - vazhdoi ajo duke mi përkëdhelur flokët që nuk e kishin formën e zakonshme me që sapo isha zgjuar nga gjumi. Për ty do të jetë më e mira dhe më e dashura! - më tha nëna dhe unë nuk e kuptova pse më tha ashtu.

Si fëmijë që isha, u gëzova pa masë se tani e tutje do të jem, shpeshherë, në prehrin e saj. Tërë atë paradite gruan që do ta konsideroja gjyshe e imagjinoja me shami në kokë e me flokë ngjyrë të përhimët. Në ballë, përfytyroja, do të ketë rrudha të pakta  që i hijeshojnë gjyshet. Mendoja, pastaj, për fytyrën e saj të bukur e gojën plotë dashuri, dije e fjalë të ngrohta. Gëzohesha që nga ajo do të dëgjoj tregime interesante, e përralla që nëna nuk kishte asnjëherë kohë të mi tregonte. Çka nuk më shkonte nëpër mend atëbotë. Nëna ishte me duart plot punë të shtëpisë sonë të madhe e me pak krah pune! Gjyshit i vinin miq e shokë përherë. Nëna e gruaja e xhaxhit ishin të angazhuara orë e çast... Ato nuk kishin kohë të lirë as një grimë.

Nuk e di, por në atë moshë, e ndjeja shumë mungesën e gjyshes. Më mungonte prehri i saj, ledhatimet e shpeshta dhe përrallat e bukura.

Bora e kishte mbuluar oborrin tonë e oborret afër nesh që shiheshin si në pëllëmbë të dorës, pasi nuk kishim as gardh e as mur me oborret e kushërinjve tanë. Përpara dukeshin malet e Kopilaçes e në të djathtën time, kur dilja nga dera e shtëpisë, shihej Luboteni, i cili që kur e njoh shkëlqen me bardhësinë e tij të ndritshme. Isha aq i vogël atëherë, sa më dukej se aty diku, pas maleve të Sharrit, përfundonte bota! E tërë ajo që e kapte syri im dukej e bardhë nga bora. Lartë qielli kishte marrë ngjyrën e hirtë. Kur shikoja qiellin dallohej lehtë fluturimi i ndonjë shpendi. Në vjeshtë e pranverë më pëlqente t’i vëzhgoja dallëndyshet si fluturonin njëra pas tjetrës dhe shpeshherë formonin shkronjën “V”.

Atë vit bora e kishte mbuluar cep më cep tokën e Dardanisë. Si fëmijë që isha shpeshherë i dëgjoja të rriturit kur tregonin, sipas të dëgjuarave, se dimrat merrnin të fortë në këtë anë. Atë kohë nuk kishim radio e as mjete të tjera informimi. Kështu ishte në shtëpinë tonë. Edhe te fqinjët tanë ishte gjendje e njëjtë. I dëgjoja burrat që flisnin se atë dimër kishte rënë borë gjithandej. Në Shkup e në Shkodër është dimër i ashpër - thoshin ata. Gjithandej, borë, borë, borë! Dhe pikërisht në këtë dimër me shumë borë, shtëpia jonë ishte në pritje ta sillnin gjyshen Loke, siç më kishte treguar nëna në mëngjes.

*

Jeta e Lokes, e cila për mua u bë gjyshe e shkuar gjyshes, kishte qenë e dhembshme...  Atje ku kishte qenë e martuar para se ta sillnin për gjyshin, siç tregonte shpesh herë më vonë, kishte lindur një vajzë e një djalë. Për ata Lokja më fliste shpesh. Rrëfimet për djalin, i cili i kishte vdekur në lulen e rinisë, i kishte shumë të dhimbshme.

- Kur biri im kapërcej moshën e miturisë përgatiteshim ta martonim. Ia gjetëm një vajzë shumë të bukur e të fisme. Ishim duke ia zgjedhur rrobat e nusërisë dhe donim ta caktonim ditën e dasmës. Pa pritur birin e nënës e kapi një sëmundje. Nuk dinim çfarë sëmundje ishte, por ajo e mori zemrën e nënës! Në moshën më të mirë e la nënën të vetmuar, - tregonte Lokja duke iu dridhur buza. Gjatë këtij rrëfimi ajo bënte një pushim pak më të gjatë... dhe mua më dukej sikur nuk kishte forcë ta vazhdonte rrëfimin pa atë pushim. Dhe dëshmi për këtë ishin edhe lotët e saj të bardhë që i rrokulliseshin poshtë faqeve e i përpiqeshin në mjekrën rrumbullake.

Kur i biri ishte shkëputur nga jeta, ajo ia kishte prerë flokët me gërshërë! Flokët e prera i kishte vendosur në një kuti të vogël druri dhe i ruante në arkën e saj. Kutinë e drurit me flokët e të birit e nxirrte nga arka çdo të premte. I shikonte, i përkëdhelte me duart e saja të rrudhëta e pa pikla dhe çante. Çante pa zë po me lot. Lotët e Lokes, që i kam parë me sytë e mi, ishin lot si kokrra breshëri. Nuk e di pse po vërtetë kur ia shikoja lotët që i rrokulliseshin faqeve me rrudha, që pak dalloheshin, ata kishin formën e kokrrave të mëdha. Ata lot kishin shije kripe. Po, po, shijen e kishin të njelmët. Më ka ndodhur t’i shijoj lotët e saj kur ia puthja faqet  për ta qetësuar. Kokrrat e lotëve të Lokes ishin të mëdha, të kthjelltë e të ngrohtë se ishin lot mallëngjimi.

E bija e Lokes kishte krijuar familjen e vet në një fshat afër fshatit tonë. Ajo kishte fëmijë të mbarë, një vjehërr të urtë, po burrin e kishte lazdrak, siç thoshte e ëma e tij. E dëgjoja shpesh, kur ishim aty për vizitë, që i thoshte Lokes, më mirë ta kisha bërë një gurë. Ndoshta dikush e kish përdorë për sinor arash. Ky, le që nuk vyen, po në shtëpi na sjell kokëçarje, i ankohej e ëma Lokes tonë.

Sa herë, shkonte Lokja për vizitë te vajza e saj, më merrte edhe mua. Te vajza e saj që jetonte në një shtëpi të bukur shumë afër fshatit tonë, shkoja me shumë dëshirë. Aty kishte fëmijë të mbarë e të sjellshëm. Luanim bashkë në oborrin e tyre të mrekullueshëm. Më merrte, pastaj te e motra e saj, Gjyla, që ishte tri orë udhë larg ecje në këmbë. Aty, te motra e Lokes, ishe një familje e madhe. Një familje që jetonte në disa shtëpi. Burrat deri vonë rrinin e llafosnin në mes vete në shtëpinë që ishte e para kur hyje në oborrin e tyre të madh e me shumë kosha të gjatë misri të mbushur plot. Në rreshtin e koshave ishin edhe tre hambar gruri. Për hambarët nuk e di ishin të mbushur apo jo! Në shtëpinë ku burrat rrinin deri vonë kishte edhe fëmijë të moshës sime. Herë – herë i zoti i shtëpisë na linte hapësirë edhe ne fëmijëve. Bisedonte me ne për mësimet që i kishim zënë atë ditë në shkollë, por edhe për humor e lojëra kishte vend përherë. Të paktën kështu ishte kur unë isha aty. Këto ishin dy vendet ku me Loken shkoja me shumë dëshirë. Dhe sa herë shkonte Lokja më merrte edhe mua. Nuk di pse, po asnjëherë ajo nuk udhëtonte me gjyshin! Asnjëherë nuk shkonte askund pa lejen e gjyshit. Gjyshi nuk e pengonte asnjëherë Loken kudo që ajo dëshironte të shkonte.

*

Tre-katër burra të familjes sonë të gjerë kishin shkuar këmbë në fshatin ku Lokja atë kohë jetonte në gjininë e saj. Atje kishin shkuar jo vetëm për ta kërkuar dorën e Lokes për gjyshin, por për ta marrë atë që atë ditë ...!

Kishte vite që Lokja jetonte në gjininë e saj. Aty ku kishte krijuar Lokja familjen e saj, djali i kishte vdekur që në kohën sapo kishte hyrë në bylyk. Kur e kishte martuar vajzën, siç  e kisha dëgjuar duke i thënë një herë nënës sime, nuk i kishte mbetur vend... Prandaj, pas martesës së të bijës ishte vendosur në gjininë e saj të gjakut.

Burrat që kishin shkuar te të afërmit e Lokes, kishin marrë vendim, bashkë me burrat e familjes së Lokes, që Lokja të jetonte bashkë me gjyshin tim. Burrat e të dy palëve kishin marrë vendim pa e pyetur Loken fare! Ajo nuk kishte shprehur fare dëshirë që të bashkëjetonte me asnjë njeri!

- Më është përvëluar shpirti, pas vdekjes së djalit. Nuk dua të bashkëjetoj as me mbretin. Nëse nuk ju bëhem barrë për bukë, do të jetoj këtu me juve, - u kishte thënë fëmijëve të vëllait të saj. Ishte ky vendimi i prerë i Lokes.

Kujdestari i familjes ku atë kohë jetonte Lokja pasi nuk kishte mundur ta bind Loken, ishte kthye në odën ku burrat e familjes sonë e prisnin lajmin se kur do të niseshin bashkë me Loken për te gjyshi. Ai sapo kishte hyrë në odë kishte filluar të ecte nëpër token e sheshtë të odes, duke i përsëritur fjalët “kuku – shkuku! Ajo do të na turpëroj! Nuk pajtohet assesi” – kishte folur ai.

Njëri nga burrat e familjes sonë, pas një qetësie të gjatë që kishte mbretëruar aty, kishte folur. Ne nuk guxojmë me dal nga këtu pa rob. Ai është i ashpër e nuk na len as brenda po i shkuam pa te...! Pastaj në odë, prapë, kishte rënë një qetësi e thellë. Kishte rënë një heshtje e plotë dhe e gjatë!

Pas asaj heshtje të plotë e të gjatë njëri nga ata të familjes së Lokes kishte folur. Burra, ju nisuni këmbë drejtë fshatit tuaj e ne do ta mashtrojmë disi. I kemi kuajt e fortë e shpejtë do të ju zëmë rrugës edhe pse do të nisemi më vonë.

Ata, pas një kohe, me një herë pas mesditës, me një gënjeshtër të kurdisur, e kishin mashtruar Loken. I kishin thënë se e kishte vajzën e sëmur dhe duhet ta vizitonte.

- Shkojmë me qerre! Ty të lë aty e unë kthehem menjëherë,- i kishte folur njëri nga të gjinisë.

Evlati është i dhembshëm, kishte menduar ajo, dhe ishte pajtuar që të niset! Vajza i kishte mbetur fëmija i vetëm. 

Gjatë rrugës burrat tanë kishin udhëtuar njëri pas tjetrit me që rruga ishte e mbushur plot borë.

- Përshëndetje burra, u kishte thënë qerrexhiu që në dorën e skuqur nga të ftohtit i mbante dizgjinët e kuajve ngjyrë hiri.

- Përshëndetje edhe për ty qerrexhi i mirë!

- A jeni lodh? – kishte vazhduar ai me pyetjen tjetër.

– Po si nuk jemi lodh o i uruar, kishte folur më i moshuari. Ne po ecim qe dy orë. Edhe shumë rrugë kemi përpara! Është borë dhe nuk është lehtë të udhëtosh këmbë në këtë kohë dimri e në këtë rrugë të rrëshqitshme.

- Nëse doni mund të vini me ne. Deri diku paskemi rrugë të njëjtë!

- Të faleminderit shumë – kishte thënë më i moshuari dhe të gjithë ishin vërsulur në qerre. Dikush ishte ulur përpara e dikush mbrapa, ndërsa  Lokja kishte mbetur në mes. Ai më llafazani e kishte pyetur Loken për hallet e për shëndetin. Ajo me çiltërsi i kishte treguar për të gjitha hallet e saj, për zemrën e plasur, si kishte folur ajo, që nga vdekja e burrit e deri te ajo e të birit pak para se ta martonte. Për vajzën e sëmurë e për hallet jetësore, për moshën e saj të shtyrë e shumë e shumë plagë që i kishte përjetuar menjëherë pas ndarjes nga jeta e bashkëshortit. Me duart e saja të bardha, nga gjiri, e kishte nxjerrë kutinë e duhanit dhe kishte filluar ta mbështillte një. Duart nuk i bënin dot në atë fërfëllizë të ftohtë ta mbështillte cigaren.

- A pinë duhan oj Loke a? - e kishte pyetur ai bashkudhëtari llafazan dhe ia  kishte afruar një cigare nga ato të makinës. 

- Nuk ma shkon qejfin e duhanit ajo e makinës. Jam mësuar me këtë duhanin tim. Por në këto kushte po e marr – kishte thënë Lokja duke e falënderuar. Llafazani që ia kishte dhënë cigaren ia kishte ofruar edhe shkrepësen. Ai kishte pasur një shkrepëse nga ato të xhepit që mbushej me benzinë. 

- Ja me pi këtë të shkretë, ja me plasë! Të rëndë e kam pasur të kaluarën, biro. Kishte vazhduar bisedën Lokja. Jetoj te fëmijët e vëllait. Ata kujdesen mjaftë  për mua, ama tani i kam kaluar të pesëdhjetat e nuk mund t’i ndihmoj sa duhet. Duhanin e pi. Më duket se jam bërë barrë e tyre – fliste ngadalë Lokja. Deri sa ajo i qante hallet llafazanit, njërit nga burrat e familjes sonë, qerrexhiu i kishte kthyer kuajt në drejtim të oborrit ku ishte shtëpia e gjyshit. Lokja ishte habitur kur e kishte hetuar se qerrexhiu nuk ishte duke udhëtuar në drejtim të fshatit ku e kishte të bijën.

Atë kohë isha nëntë vjeç. Isha fëmijë, po hallet e Lokes i kuptova shumë mirë sapo e pashë në qerren nga e cila nuk donte të zbriste. Nga qerrja ku kishte mbetur e ulur Lokja kishin zbritur të gjithë burrat dhe secili kishte ikur në shtëpinë e vet. Lokja kishte mbetur e vetmuar në mes të qerres. Edhe qerrexhiu nuk ishte më në vendin e vet në qerre. Ai kishte dalë para kuajve dhe ndiqte me vëmendje atë që tani po ndodhte rreth qerres. Gratë e shtëpisë sonë dhe nëna Minë i ishin ofruar qerres dhe po e lutnin Loken që të zbriste. E lutnin që ajo të hynte brenda në dhomën e ngrohtë ku rrinin bashkë gra e burra.

- Nuk dua të zbres u kishte thënë me zemërim! Më kanë mashtruar! Këtu jam pa dëshirën time...! Kishte protestuar gjatë Lokja... Qerrexhiu nuk kishte folur asnjë fjalë. Ai kishte pritur që t’i lirohej qerrja e të ikte andej nga kishte ardhur.

Pas shumë lutjesh, Loken e kishte bindur nëna Minë që të zbriste nga qerrja. Nëna Minë e kishte njohur edhe më herët Loken. Ajo kishte qenë bijë e fshatit ku Lokja kishte qenë e martuar më parë. Aty, në fshatin, ku bashkëshorti dhe i biri i ishin ndarë nga jeta.

- Nuk dua të bëjë këtu teatër, - kishte folur ajo. - Por, dijeni se këtu nuk jam me dëshirën time! – kishte thënë ajo dhe e zemëruar kishte zbriti ngadalë nga qerrja. Bashkë me nënën Minë, nënën dhe kunatat e saj, Lokja ishte nisur shkallëve përpjetë. I kam parë me sytë e mi duke i ngjitur shkallët në shtëpinë tonë të madhe me një divanhane  të gjerë e të gjatë. Shtëpia jonë kishte pesë dhoma të mëdha në katin e parë, kurse në përdhese, kishte një shtëpi të madhe zjarri dhe pjesën tjetër ku flinin kuajt dhe gjedhet e qumështit që i kishim me bollëk në kohën e gjyshit. Shtëpia jonë e zjarrit, në katin përdhes ishte aq e madhe sa aty përherë organizoheshin dasmat e kushërinjve tanë.

Si i vogël që isha iu ofrova Lokes që ta përqafoja me që e ndjeja mungesën e gjyshes. Edhe pse isha fëmijë i vogël e kisha një parandjenjë se ajo do të jetë gjyshe imja e shkuar gjyshes. Ia shihja syçkat ngjyrë qielli e flokët ngjyrë hiri vende – vende të kuqërremta. Në fillim nuk e dija se ajo po i ngjyroste flokët me lule kane.

Lokja përherë mbante shami ngjyrë kafe, me pika të vogla ngjyrë të zezë përreth. Kjo shami edhe më shumë ia shtonte bukurinë e moshës. Flokët i kishte të thinjur, por i ngjyroste me kanë. Në fillim të pranverës ajo mbillte lule kane dhe kujdesej shumë për to. Kur lulonin lulet, i mblidhte, i shtrydhte e pastaj me lëngun e lule kanës i ngjyroste flokët. Flokët e Lokes merrnin një ngjyrë shumë të bukur. I shikoja të gjitha gratë e moshës së Lokes, po asnjëra nuk kishte flokë të bukura si të sajat. Atë kohë nuk kishte këna të vërtetë e as ngjyra flokësh për të blerë në fshatin tonë.

*

Të nesërmen, dy polic kishin trokitur në dyert e oborrit tonë dhe kishin kërkuar që Lokja të shkonte me ta në stacionin e policisë. Dikush, kishte denoncuar se gjyshi e kishte marrë Loken me dhunë!

Lokja, veshi çarçafin e saj ngjyrë të zezë dhe deri sa e vendoste shaminë ngjyrë kafeje në kokë, e shikoj gjyshin drejtë në sy. Më duket se deshi t’i thoshte se tani je në dorën time...!

- Oj plakë, të lutem mos ma merr fytyrën! Këtë e dëgjova me veshët e mi kur i tha gjyshi asaj. Atë kohë gjyshi ishte njeri me autoritet jo vetëm në fshatin tonë, por edhe në disa komuna të nahijes tonë.

- Do ta shohësh vet – i tha ajo pak si e tensionuar...

Lokja u nis. Bashkë me te shkoi edhe im at. Dy orë më vonë u kthyen së bashku.  

Lokja, atje kishte deklaruar se gjyshi nuk e kishte marrë me dhunë dhe se vet kishte vendosur që të bashkëjetoj. Kur hyri ajo në dhomën ku të gjithë e pritnim me një dozë frike, i ndërruan pak fjalë me gjyshin.

- Hë moj plakë, u ktheve ? - e pyeti gjyshi.

- Po, u ktheva, ama ty do të marrin nesër. Do të shohësh vet sa e rëndë është për moshën tënde të flesh në stacionin e policisë.

- Nuk besoj që ma ke bërë këtë, moj e mira e shtëpisë tonë -  e dëgjova kur i tha gjyshi.

Nuk e di sa e ka dashur Lokja gjyshin e gjyshi Loken, po e di se Lokja u bë “mbretëresha” e shtëpisë sonë.

Lokja nuk ishte gjyshja ime e vërtetë, këtë e dija shumë mirë edhe pse isha i vogël, por ajo më donte më shumë se të isha nipi i saj i natyrshëm.

Më tregonte përralla për një princeshë që i kishte humbur këpuca, për divin e fortë, për jetimët që e kishin humbur rrugën në mal kur i kishte përzënë njerka, për kumrinë që kishte qenë një vajzë e pastaj ishte bërë zog, për vajzën e bukur shumë që kishte hequr të zitë e ullirit nga njerka e përralla e përralla që askush nuk dinte më shumë e nuk i tregonte më mirë se Lokja ime.

Kur u bëra dymbëdhjetë vjeç gjyshi u largua nga jeta. Lokja vazhdoi të jetonte në familjen tonë jo edhe të vogël. Në bashkësinë tonë familjare e para ishte Lokja, pastaj xhaxhi, se ishte më i madh se babi, me familjen e tij dhe babi e mami me neve.

Me ne, edhe pse ishim familje e madhe, nuk e kishte keq. Lokja ishte “bosi” i të gjitha të mirave të bulmetit e të shpesëve. Ajo ishte “shefe” e kuzhinës. Ajo që  thoshte Lokja gatuhej për ne e edhe për mysafirët që vinin në odë.

Në sistemin që u rrit brezi im ishte obligim i domosdoshëm, kur hynim në moshën madhore, të shërbenim së paku një vit si ushtar. Kur më erdhi radha për një vit e lash shtëpinë! Një vit më vonë kur u ktheva, nuk e gjeta Loken...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora