E premte, 19.04.2024, 04:01 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XXV)

E diele, 28.12.2008, 07:22 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

XXV

Në verë të vjetit 1955, u transferuem në kampin e Rinasit, jo larg kryeqytetit. Aeroporti i ri do të ishte ma i madh se ai i Urës Vajgurore, e do të shërbente për detyra civilë e ushtarakë, njikohësisht. Në Rinas, barakat e kampit ishin të rrethueme me dërrasa. Brenda kampit, të burgosunit ndërtuen rrugë të ngushta të shtrueme me zhavor e kanalizime me pengue inondimin e kampit e baltën e dimnit. Uji ishte i mjaftueshëm, e për të parën herë, u dha mundësia e nji pastrimi ma të mirë, të trupit e rrobeve. Ishte nji kënaqësi e veçantë. Komanda e kampit paguente 10 përqind të vlerës monetare të normës, me nji llogari të mbajtun në nji dyqan brenda kampit. Me të hollat e grumbullueme, u ba e mundshme blemja e disa artikujve ushqimore. Pagesa për nji javë pune na siguronte afërsisht nji kilogram sheqer. Metoda e re shërbeu për nxitje në punë. Në mesin tonë, kishte mjaft nga ata që plotësojshin dy norma në ditë. Zona e punës ishte nji pyll i degjeneruem, mbulue me ferra e druj të vegjël. Filloi gërmimi i thellë i tokës që të nxirreshin jashtë e mirë të gjitha rranjët e të shkatërrohej çdo vegjetacion që mund të rrezikonte betonimin. Rreth e përqark ishin rojet e shumta, me pushkë automatiku e mitroloza. Nji ditë, ngjau diçka me të vërtetë tragjike dhe reveluese e gjendjes në të cilën jetojshin. Nji ish-ushtar, i burgosun sepse kishte tentue kalimin në Jugosllavi, i dënuem rishtas e pru në kampin tonë, tentoi arratisjen. Ishte rreth njizetë e dy vjeçar, i qetë e shumë i njerëzishëm. Nuk kishte shokë, qëndronte i vetmuem, e me rrobet ushtarake dukej jashtë vendit në mesin tonë. I deshpruem nga burgimi e vuejtja, uli lopatën në shesh, e filloi me ecë drejt rojeve të jashtme, me hap të rregullt. Roja i drejtoi pushkën. Viktima nuk u ndal. Kishte vendosë me vdekë. Të gjithë ndaluem punën, e ndoqëm me ankth zhvillimin e kësaj drame që do të përfundonte në tragjedi. Ndigjuem zanin e Aspirant Refatit, komandant i rojeve të jashtme që thirrte: “Mos shtini! Mos shtini!” e vraponte kah ushtari, që vazhdonte largimin me hapa të rregullta, pa thanë asnji fjalë. Aspirant Refati u afrue, e kapi të burgosunin për zverku, i ra në kokë me dru, derisa viktima ra në shesh. Aspiranti shfrynte, shante, rrihte me shkelma trupin e shtrimë e gjysëm të vdekun. Mandej, ai shikoi përreth, gjeti nji gur të madh, e mori, u afrue përsëri pranë trupit të shtrimë, e tue ngritë me dy krahë të fuqishëm, e lëshoi me forcë mbi kokën e ish-ushtarit pa ndjenja. Nga kampi, nji britëm e fuqishme u ngrit deri në qiell. Mandej, ra nji qetësi e plotë. Askush nuk foli! Askush nuk lëvizi! “Xha Refati”, siç e quejshin rojet, e shikoi të vdekunin për nji çast, i ra me shkelm kufomës, u sigurue që kishte dhanë shpirt, e tue u kthye nga na bërtiti: “Punoni derra, çfarë shikoni?” Mbylla sytë e zuna veshët me dorë tue ulë kokën para kësaj skene të hatashme. Dojsha me hy i gjallë në dhe. Gjesti i “xha Refatit” më delte përpara me fuqi, e klithma e mprehtë e shokëve, nuk më largohej nga mendja. Nji heshtje prej vorri, si ajo që ndoshta bota do të ketë provue mbas përmbysjes biblike, mbuloi gjithçka. Kur hapa sytë, motorri i kampit punonte si përpara me zhurmën e randë e lodhëse të tijën, sikur donte me u thane punëtorëve të shtangun në vend, se asgja nuk kishte ndryshue.... Të këputun nga tmerri i dëshmuem, ndigjuem përsëri që vinte nga ferri i krijuem me vullnet të njeriut të pazemër, nji za i njohun, i çjerrun, i shkëputun, i ashpër që njihshim mirë. Me nji dru në formë krrabe, të mbajtun nalt si trofe fitoreje, “xha Refati” bërtiti me gëzimin djallzor të gjaksorit: “Kjo është diktatura e proletariatit!” Në atë çast, asgja tjetër nuk jetonte, nuk lëvizte, nuk tërhiqte mendjen e zemrën time, nga ai trup që posa kishte vdekë. Ajo qenie, tani kufomë, për nji moment ishte e gjithë bota ime, qenia ime trup e shpirt! Oh, sa fort do të dëshirojsha me pasë guximin e duhun me thanë diçka, me ba diçka e me dënue heshtjen time, ndoshta me shtrydhë fuqimisht e deri në fund, arteriet e grykës deri në fund. Sa poshtë bien njeriu...! Shprehja e katilit përcaktonte gjendjen. Megjithëse familjare për të gjithë, ajo më lëkundi nga topitja, nga mpimja e minutit tragjik. Jeta që u ndal për nji çast, rifilloi nën ogurin fatkeq të kërcënimit të vdekjes që varej mbi kokë. Rojet gjithashtu, filluen britmat, e për ata që nuk gjejshin fuqinë me punue, filloi shkopi që xhelatët e kampit, gjysëm të hutuem, përdoren me çlirue veten nga nji djall që i mundonte përbrenda. Egërsia e rojeve vazhdoi e pandërpreme, deri në mbramje. Askush nuk fliste. Vetëm mbas punës kur po ktheheshim në kamp me kalue natën, tregimet e skenës qe kishim ndjekë me sy të zgurdulluem, më ndërgjegjsuen edhe ma shumë. Para meje, dilte guri i randë që xhelati i kuq kishte ngritë me të dy krahët e kishte hedhë me inat mbi kokën e viktimës në moshë të re. Shpjegimet e thjeshta, nuk punojshin, si rrahja me çekan në tamthet e kokës që tashti ziente si nji kazan, nga përshtypjet tejtokësore të asaj dite. “Xha Refati” ishte nji “desperado”. Ata që e njihshin mirë, ma treguen se kishte vra kushërinin, me qëllim që t’i marrë gruen. I bashkuem me çetat partizane gjatë luftës, ishte ofrue vullnetarisht për veprime që i jepshin mundësi me torturue fshatarët e zonës së Kolonjës, ku qëndronte njisiti i tij partizan. Mbas “çlirimit”, ishte ngarkue me mbikqyrjen direkte të qelive të burgut të Tiranës, dhe si kujdestar i seksionit të posaçëm të torturave kundër të arrestuemëve politikë. Në kamp, kalonte me shkop në dorë. Sjellja e tij e zakonshme, ishte shamja e Zotit, ndoshta sepse në pamundësi me e heqë nga pamundësia me torturue Zotin, me i ra me dru, ashtu si bante me ne! Disa herë, thirrte me za të naltë, si me dashtë me mbrojtë veten nga nji ndjenjë e brendshme që e ndiqte hap mbas hapi si hija e vet. “Ore, uratë-e, sikur të kisha atë Zotin tënd tani këtu, do të ia thyenja brinjtë me këtë dru lisi, dëgjove ore?” Rojet qeshnin. Prifti, të cilit i drejtohej, punonte pa folë.

Të nesërmen, xha Refati ishte në krye të kolonës së të burgosunve, si gjithëherë, me shkopin në formë krrabë, si gjithëherë, e me nji ecje të rregullt, si gjithëherë. Asgja nuk kishte ndryshue të ky monstër që vrau nji të ri dje, e qeshej sot. Me gjestet e tij, dukej sikur thonte: “Unë jam zoti juaj këtu. Dëgjoni? Jeta juaj është në dorën time!” Akti kriminel len padyshim, gjurmën e thellë në jetën e kriminelit, sepse ai thyen rregullat morale të shoqnisë. Megjithatë, xha Refati sikur tërhiqej nga logjika e ngjarjeve dhe e vetë aktit, pa mendue, e qëndronte besnik në rrugën e krimit. Tashti, ai nuk kishte ma frikë nga ndëshkimi i meritueshëm; sistemi që e kishte pjellë, e mbronte atë. Nuk kishte dyshim që ai jetonte në detin e gënjeshtrës së përhershme e të mohimit. Ndoshta, në çaste qartësie edhe ai ndiente bremje ndërgjegjje që e torturonte papushim! Në nji vend pa ligj moral, si Shqipnia nën komunizëm, kjo bremje mund të ishte dënimi ma i pamëshirshëm që meritonte krimi: drejtësia e ndërgjegjes. Sepse, edhe xha Refati duhet të kishte nji kand ku mshehej zani i ndërgjegjes së pastër. Të paktën, ashtu dëshirojsha me mendue! Ashtu më kishte thanë edhe frati në burg. Por, në kamp, asgja nuk kishte ndryshue! Komanda e kampit nuk shqetësohej për masakrimin e nji të riu, sikur të mos ishte jeta e nji qytetari shqiptar që mbrohej me ligje, sikur të mos ishte asgjasue përfundimisht jeta e nji individi, mirëqenia e të cilit duhej të ishte qendra e vëmendjes në mendimin e veprimin revolucionar. Akti monstruoz i këtij krimineli të kuq, ishte mohimi absolut i çdo parimi humanist, ishte shkelmimi ma i egër i çdo ideali, ishte prova me bindëse e degjenerimit komunist në Shqipni, ku përbuzej pa asnji skrupull e deri në fund, jeta e dinjiteti i qytetarëve shqiptare.

Mbi ne, nji avion fluturonte zhurmshëm në aerodromin e vjetër të Tiranës. E shohim tri herë në javë; ishte linja Tiranë-Budapest-Moskë. Ai transportonte gjerarkët e Partisë që edukoheshin në Bashkimin Sovjetik, e ktheheshin “ekspertë” të shtypjes diktatoriale. Të tjerë indoktrinoheshin me parimet e ekonomisë sovjetike, kolektivizimin e detyrueshëm, e vrasjen e inisiativës individuale. Gjithçka e shtetit, gjithçka për shtetin që kujdesohej për bukën e gojës së masave të regjimentueme. Nji tjetër avion fluturonte ma nalt, e çdo herë që kalonte mbi ne, lëshonte rrezet e shkëlqimit të diellit të reflektuem në aluminin e bardhë. Nga largësia, zhurma e tij ndigjohej pak. Sikur nuk dëshironte me randue edhe ma shumë atmosferën tone mbytëse. Unë e quejsha moskokëçarje! Fluturonte në drejtim të Perëndimit, si nji vegim që linte mbas vetes kujtimin e vazhdueshëm të nji çasti kalimtar si bishti i kometës ndriçuese. Çka bahet këtu mbi tokën e banueme nga njerzit që vuejnë, avioni që rrëshqet lëmueshëm mbi ajrin e rralluem të naltësisë, nuk e din. Dukej se as që e dëshironte me ditë, ky shok i pandame i reve të bardha në hapësinën e kaltërt. Megjithatë, në këtë tokë të trazueme nga fshamjet e viktimave, jetojshin qenie fisnike që pranojshin vdekjen, por jo regjimin që e shkaktonte. Ndoshta në atë avion kishte individë që nuk njoftën tjetër jetë, veçse të mirat e gezimet, e pëlqyen ambëlsinë e përkohshme të shthurjes. Në baltën e kanalit anësor ku punojsha, nuk hiqsha nga mendja idenë e nji ndryshimi kaq thelbësor në mes të botës sime dhe asaj të nji të riu udhëtar në atë avion. Mbas nji buzëqeshjeje të hidhët për ironinë e fatit tim e të shokëve të mi, nji ngritje e fuqishme morali më hidhte në sferën e idealizmit akoma rinor. Ajo më shtynte me përbuzë “moskokëçarjen” e avionit plot individë të shkujdesun, e me përqafue me zjarrin e të dënuemit me vdekje jetën që shuhej në burgje e kampe pune për vjete të gjata, gjithëherë i mbushun me bindjen se mbrojsha njeriun e lirë e dinjitetin e tij. O mbajeni për vete, ju udhëtarë të shkujdesun të avionit kalimtar, shoqninë e çmendun mbas të mirave landore, udhëtimet në vende ekzotike, e vakancat e njimbasnjishme në plazhet madhështore e qendrat e skijimit zvicerane! Me jetën e shkujdesun që bani, ushqimi i tepërt që hani ka asfiksue mendjet e paralizue ndërgjegjet tueja! Ju nuk dini ç’asht jeta përtej dëfrimeve të natës e gjumit të ditës! Ju nuk dini çka don me thanë lufta me thonj, ditë e natë në kënetë e baltë, për ruejtjen e tanësisë morale e shpirtnore edhe kur trupi coptohet me dru çdo ditë, ose kur pushon së qenuni nga nji plumb i nxehtë...ose nga nji gur i madh lëshue me fuqi mbi kokë...! Udhëtarë të shkujdesun të avionit kalimtar që ulet në Perëndim: ju nuk kuptoni gjuhën tonë! Asht gjuha e ferrit ku jetojmë e që ju nuk e njihni, ju, të dehunit nga siguria e jetës në nji botë pa frikë! Shoqnia komuniste që ndërtohet në vendin tim, na ka dënue pa të tashme, pa të ardhme. Por në këtë skëterrë tokësore që asht sot Shqipnia, na kemi gjetë lavdinë tonë, tue mos pranue me u ba pjestarë të lojës së kësaj shoqnie të falimentueme, e tue përqafue, përkundrazi, jetën tonë të vetmueme, në “qelinë” tonë private. Në këtë gjendje të imponueme nga shtypësi, na kemi shkelmue shoqninë e tij, e në “qelinë” tonë private. Në këtë gjendje të imponueme nga shtypësi, na kemi shkelmue shoqninë e tij, e në “qelinë” tonë mbrojtëse, kalojmë nëpër nji proces purifikimi shpirtnor. Na, jemi të vendosun mos me tradhtue “njeriun” që mbyllet në këtë “qeli”! Ky ndërgjegjshim, ndoshta nji verbim i joni para realitetit që shtypë, kjo mbyllje e ndërgjegjshme brenda mureve të ngrituna me qëllim shpëtimi, na lejonte me mbrojtë jetën tonë të brendshme, e siguronte mundësinë me ndjekë, të patrazueme, andrrat tona që, kurrë nuk u ndanë prej nesh...!

Në kamp, puna vazhdonte me ritëm të shpejtë. Urdhni nga nalt ishte me përfundue aeroportin, sa ma parë. Na punojshim pa pushim. Në kohën e lirë në kamp, lexojshim materiale që shokët e burgut të Tiranës kishin pru me vete. Mbas punës, pastrimit, e darkës, grupe të vogla të rijsh grumbulloheshin kokë me kokë e lexojshin me kujdes pjesë të zgjedhuna nga tekstet në gjuhë të hueja. Edhe unë përfitova nga nji vëllim anglisht i udhëheqësit laburist të së majtës britanike, Harold Lasky. Për të parën herë, lexojsha nji traktat që trajtonte temat ma aktuale e ma jetësore, për momentin që jetojshim. Revelimi i ideve përparimtare të laburistëve anglezë, erdhi me nji fuqi tërheqse të jashtëzakonshme. Që në ditët e rinisë së parë, idetë sociale të shekullit XIX thitheshin me entuziazëm prej gjithë moshatarëve. Kush nuk dëshironte me ushqye të uritunit, me sigurue pune për të vorfnin, shërbim mjeksor për punëtorët e familjet e tyne, e arsim gratis për të gjithë?! Në vendin tonë, “politika” ka qenë kuptue gjithëherë si luftë, e ngrohtë ose e ftohtë, në mes të forcave politike të vendit, e personaliteteve me rrjedhime tragjike për të mundunin. Paraqitja e problemeve me aftësi, e zgjidhja e tyne me profesionalizëm, ishte diçka që nuk zinte vendin e parë. Gjithmonë personalitetet politike, gjithmonë partitë politike.... Tashti, në këtë tekst të ndritun, unë, i riu pa eksperiencë, i papërgatitun intelektualisht, gjejsha hartën që më tregonte rrugën e përshtatshme për krijimin e nji shoqnie që, pa sakrifikue liritë politike, sillte drejtësinë shoqnore. Çdo ditë, mbas pune, lexojsha me kujdes dy-tri faqe të librit në anglisht. Aty mësova edhe disa shprehje të gjuhës politike, e kuptimin e tyne në kontekst. Aty kuptova randësinë e jashtëzakonshme që kishin sindikatat (“trade unions”) britanike në jetën politike të vendit, dhe sa randësi kishte legjislacioni e roli i nji qeverie me prirje sociale në ndërtimin e nji jete ma të drejtë, ma premtuese, e ma të angazhueme në mbarëvajtjen e shtetit, e të shoqnisë britanike. Për mue e për shokët e mi, ai tekst hapi nji dritore të madhe pa hekura, që shikonte mbi nji botë plot probleme, por me perspektivën e nji të ardhme të lumtun. Ishte nji hap i madh përpara në procesin e pjekunisë sime politike. Çdo gja të re që mësojsha e ndajsha me shokët ma të rij, sidomos me Tomen e Et’hemin, dy të rij të etshëm për dituni të reja, e diskutimi bahej me seriozitet, megjithëse në nivel fillestar. Të gjithë ishim të kënaqun me nji dhuratë kaq të thjeshtë që, në kondita normale, do të kishte kalue pa ndonji fanfare. Por në gjendjen tonë, libri u ba nji çesme ditunie e pjekunie politike. “Socializmi” që përfaqësonte burgjet e kampet e përqendrimit e çdo gja tjetër antinjerëzore për ne, filloi me marrë nji ngjyrë të re. Fryma humaniste e autorit laburist na bani për vete, na entuziazmoi. Përparimi i gjithanshëm pa diktaturë, ishte i mundshëm!

Puna vazhdonte me rregull. Vizitat e “udhëheqësve” nga Tirana ishin tashmë të shpeshta, e na kuptojshim vlerësimin e tyne për punën tonë nga sjelljet e rojeve ditën e nesërme: ata na lejshin të qetë, ose ndërhyjshin me shkopij, për shkakun ma të vogël. Me fillimin e prodhimit të betonit, u caktuen skuadrat për çdo betonierë. Për fatin tim, rreshter Ismaili, nga Lushnja, nji shkurtabiq shpirtkeq, më zgjodhi për pjesën e çakullit, punën ma të vështirë. Shpejt, duert u mbushën me fshika uji që rriteshin, pëlcitshin, e thaheshin, pa asnji mjekim. Rreshter Ismaili zhvilloi nji urrejtje patologjike për mue, mbas arratisjes nga kampi i katër shokëve vlonjatë e tepelenas, dy prej të cilëve, flejshin pranë meje. Komanda dyshonte që unë kisha pasë dijeni paraprake, e kishte vendosë me u hakmarrë në punë. Ishin muejt e dimnit, e vendi i punës në betonierë ishte me ujë. Këpucët e vjetra nuk mbrojshin. Kur biente nji shi i lehtë, puna nuk ndërprehej. As kur bante ftohtë. Gjithçka varej nga betoni. Na, ishim të parëndësi. Kur temperatura e ulët rrezikonte ngrimjen e betonit, na bajshim pastrimin e terrenit. Visheshim me rrobë mbi rrobe për ngrohje, e mbulojshim kokën me thasë çimentoje; kampi dukej si nji qytet i vogël, mbushë me dordoleca që endeshin poshtë e nalt, si lypsarët.... Vitin e ri 1956 e festuem me urime për nji lirim të shpejtë, e me za të ulët me urime për përmbysjen e “pushtetit”. Për mue, ky ishte vjeti i fundit mbas zbritjes së dënimit në dhjetë vjet, dhe shpresojsha se do të më lejojshin me u kthye pranë familjes. Rastet e kundërta ishin të shpeshta. Të burgosunit thirreshin në komandë, ditën e lirimit, e njoftoheshin se “Gjykata e Popullit” kishte vendosë zgjatjen e dënimit me vjete të tjera në “kampet e dëbimit”, zakonisht në Myzeqe, ose përsëri në burg. Por unë kisha edhe nji shqetësim tjetër. Ishte rreshter Ismaili që më binte në qafë, e kishte vendosë me më vdekë në kamp. Çdo ditë në mëngjes më ngarkonte me punë të ndryshme, derisa fillonte prodhimi i betonit. Gjithë ditën më vinte rrotull, më rrinte mbi kokë. Në fëtyrën e tij satanike, dukej qartë urrejtja e dëshira e madhe me ndëshkue. Ai më shante, më kërcënonte, më jepte shkelma gjatë punës, por unë nuk përgjegjesha. Ishte e randësishme me plotësue dënimin, me dalë nga kampi, e me u bashkue me familjen. Me fillimin e vjetit të ri, komanda formoi nji skuadër afër pesedhjetë vetash nga ata që plotësojshin dënimin brenda gjashtë muejve. Në mesin e tyne isha edhe unë. Planet djallzore të Komandës u banë të qarta, kur grupi i ri filloi me punue edhe të dielat, e të mbetej në fushë edhe kur të tjerët ktheheshin në kamp. Rojet ishin të pakta e dukej se komanda ishte e mendimit se, me afrimin e ditës së lirimit, asnjeni prej nesh nuk do të tentonte arratisjen. Puna jashtë orarit e mungesa e pushimit ishin gozhdat e fundit në arkivolin tim. Nuk kisha kohë të mjaftueshme për shoqnim me shokët, as për leximin e librave. Nga puna drejt në kazanin e gjellës, e mbas nji pastrimi sa me thanë, shtrihesha në krevat, gjysëm i vdekun, derisa ngrihesha në mëngjes për punë. Me përmirësimin e kohës, betonimi i pistës u shpejtue. Kamionet e ngarkuem me çimento vijshin zakonisht mbas kthimit të punëtorëve në kamp që të pengohej kontakti me shoferët. Atëherë, “grupi 50” priste përjashta, e të përcjellun prej dy rojeve shkonte te makinat e fillonte shkarkimin, thes mbas thesi, në “depon” e çdo betoniere. Acidi i çimentos na rrjepte lëkurën e duerve. Pa doreza, pa asnji mjet mbrojtjeje, ngarkim-shkarkimi jo vetëm na mbushi mushknitë me pluhun, por na dërrmoi edhe kurrizin gjysëm të zbuluem nga këmishat e shkyeme. Me qindra thasë shkarkoheshin për çdo kamion. Shpeshherë, kur puna ishte krye e na drejtoheshim kah kampi, vinte nji kamion i dytë. Komanda na kthente mbrapa, shkarkojshim kamionin, e të lodhun aq sa nuk na mbajshin kambët, hyjshim në kamp me natë. Nji ndryshim kaq i thellë në jetën e kampit, e frika se do të dërrmohesha fizikisht aq shumë, saqë do të dilsha nga kampi si invalid, i paaftë me fitue bukën e gojës për vete e për familjen time, më hodhën në nji gjendje pesimizmi nihilist, aq sa nuk dëshirojsha ma takimet e zakonshme me shokët e vuejtjes. Kur mendojsha shoket që varën veten, që u hodhën nga dritoret e Sigurimit për vetëvrasje, u shuen nga uria e dhanë shpirtin nën peshën e drunit e të shkelmave të rojeve të kuq, pamja e djaloshit me kokë të shtypun me gur, i çmenduni që rrahej për vdekje... sikur kishin marrë me vete, si avullin e tokës së lagët nën zjarrin e vapës verore, njiherë e përgjithmonë besimin që kisha pasë në vete, në njeriun, e në fuqinë frymëzuese e ndërtuese të tokës nanë që quejsha Atdhe! E megjithatë, shokët, oh shokët, ngrohtësia e pranisë së tyne ende më ushqente, e më mbante të gjallë!


Puna në betonimin e pistës vazhdonte me ritëm të shpejtuem. Brigadat e të burgosunve shkojshin e vijshin nëpër fushën e gjanë të aerodromit të ardhshëm pa pushim, në rreshta të gjatë e me nji kambëngulje që nuk njihte pushimin. Edhe drekën e merrshim me turne, e kur betoni fillonte me u trashë, ose ngurëzohej në vagona për arsye të ndryshme, ora e drekës shtyhej. Betoni, betoni ishte perëndia e re.... Të burgosunit, shërbëtorët e kësaj perëndie përuleshin; çdo ngadalësim paguhej me shkopij të panumërt në kurriz, dënime pa bukë, pa gjellë, pa ujë e shpeshherë, edhe pa gjumë, në qelitë e izolimit ku kalohej nata i uritun, e tue u dridhë si qeni në dimën! Puna e randë dhjetë-orëshe e shkarkimi i kamionëve me çimento, mbas orarit të punës, kur të gjithë ishin në kamp, më lodhën aq shumë, saqë më dridheshin kambët kur ngrejsha thasët e çimentos nga kamioni e i shkarkojsha në magazinë. Pluhuni i thithun vazhdimisht më krijoi vështirësi në frymëmarrje, e gjatë kohës së gjumit, kollitje të forta. Ishte e domosdoshme me u kthye në shtëpi në gjendje të mirë shëndetsore. Nji punë e re, e randë, e pandërpreme më priste në “botën e jashtme”. Ky ishte fati i te gjithë të burgosunve të liruem: punë e randë në ndërtim, në punishta tullash, ne ngarkim-shkarkim. Nji ndjenjë e çuditshme më mbuloi. Për të parën herë, mendojsha seriozisht për mundësinë e “lirimit” nga burgu. Çdo ditë e ma shumë ideja e ruejtjes së shëndetit po ndrrohej në obsesion e më ngacmonte pa pushim. Instinktivisht, fillova të kursej energjitë me çdo mënyrë, e përfitojsha nga momentet e pushimit në çdo situatë. Takimet u shkurtuen, e shëtitjet në oborrin e kampit, u banë të rralla. Shokët më të afërm më vizitojshin te krevati ku zhvillojshim bisedime, kryesisht mbi atë që më priste mbas lirimit. Mendimet ishin të ndryshme; megjithatë, të gjithë ishin dakord se nji “tjetër kamp” ma i gjanë më priste, e se trajtimi im në qendrat e punës, nuk do të ndryshonte shumë nga i tanishmi. Mandej, vijshin “këshillat” e panumërta, e “porositë” për familjet. Ishte nji gjendje e vështirë që çdo i burgosun kalonte në muejt e fundit. Ajo që më shkaktonte dhimbje të pakufishme, ishte porosia e prindëve në moshë të re që kishin lanë nuset e reja e fëmijët e parritun. Të ngarkuem me vjet të gjata burgu, ky legjion fatmjerësh, vuente ma shumë se të tjerët. Ideja që do të kalojshin njizetë vjet në burg, ose ma shumë, larg familjes, ishte në vetvete nji torturë e padurueshme, e pandërpreme. Jeta tyne, e dërrmueme në burgjet e kampet e punës së detyrueshme, do të vazhdonte përsëri në nji familje që për njizetë vjet me radhë ishte persekutue për “fajin” e tij: gra të detyrueme në punë të randa fizike, e fëmij të diskriminuem e të diskretituem në shkollë, e në jetën e përditshme nga nji regjim hakmarrës, deri në vdekje. U burgosa i ri e pa angazhime. Porsa të lirohesha, do të shkojsha pranë familjes, në bodrumin ku jetojshin, e së bashku do të përballojshim vështirësitë e jetës. Megjithë frikën për të ardhmen, mendimi se do të ndihmojsha familjen, më ngrente moralin. Nuk më pritej ma. Çdo ditë më dukej ma e gjatë se tjetra; çdo nate nji ndërpremje e ecjes së kohës. Shpirtnisht, po përgatitesha me fillue jetën e re, në rrethana e me sfida të reja.

Gjatë takimit me nanën nuk isha në gjendje me i tregue datën e lirimit. Komanda e quente këtë njoftim nji sekret. I thashë se nuk do të jetë e largët dita e duhej të priste me durim. Ajo nuk përgjegji, por në sytë e saj dukej qartë frika e internimit tim. Unë buzëqesha me vështirësi. Ajo u largue thellësisht e zhgënjyeme. Nga “grupi 50” liroheshin çdo ditë. Shumica ishin ordinerë. Disa prej tyne kishin humbë çdo ndjesi njerëzore. Të tjerë ishin persona me dinjitet, të akuzuem pa faj, ose mbrojtës të pasunive private të grabituna nga qeveria. Komanda i zëvendësonte me të tjerë. Nga fundi i qershorit, unë isha i vetmi nga grupi i parë ende i burgosun. Atëherë, dyshimi se mos nuk do të lirohesha u rrit shumë, e shihej edhe në fëtyrat e shokëve që më vizitojshin çdo mbramje në kamp. Nji të shtunë, ditën e fundit të qershorit, mbas orarit të punës, roja e kampit ndaloi në fushë nji të burgosun dhe mue. Në fillim nuk kuptuem. Pak minuta ma vonë, dy kamiona plot çimento u ndalën para magazinës. Shoferi hapi sponden e roja urdhnoi shkarkimin. Ishim vetëm dy punëtore. Në këtë gjendje, njeni hypi në kamion e ngarkonte thasët e çimentos në kurrizin e tjetrit që e sillte në magazinë. Mbandej, mbas njizetë o tridhjetë udhëtimesh, të dy së bashku renditshim thasët në rreshta të rregullt. Herë mbas here, kur njeni lodhej shumë nga transporti tjetri nga makina e zëvendësonte. Por kjo metodë zgjati shumë kohë, e nata ra mbi ne. Shoferët nuk dëshirojshin me kalue natën në këtë vend, e filluen me u ankue. Rojet u afruen, e me inat ngulën kambë të shpejtojshim hapin. Na ishim gjysëm të vdekun, e kjo dukej qartë për të gjithë. Ma në fund, shoferi hypi në makinë e filloi ngarkimin e thasëve mbi kurrizet tona. Tashti ishim dy hamej e puna ecte ma shpejt. Me shkarkimin e kamionit të parë, u afrue kamioni i dytë. Tue shikue këtë makinë monstruoze që afrohej, më vinte nji dëshirë të hidhesha nën rrotat e saj. Pa bukë, pa gjellë, pa gjumë e në punë qyshë në orën shtatë të mëngjesit, kisha arritë pikën e fundit të dëshprimit. Shoku im, gjithashtu. Shikojshim njeni-tjetrin me mosbesim, sikur të ishte nji andërr e keqe. Atëherë, ndigjuem zanin e rojes së kuqe: “Shpejtoni, derra! Nuk do kalojmë tërë natën këtu!” na nuk u përgjegjëm, e vazhduem punën në heshtje. Por trupat tonë nuk kishin ma energji. Filluem me u lëkundë, me u mbajtë për mur, me lëshue thasët në shesh, e me u gjunjëzue. Rojet u çmendën. Na heshtëm. Shoferi shikonte me dhimbje, e përpiqej me na ndihmue. Thasët e fundit u shkarkuen nga mesnata kur turni i rojeve zëvendsoi rojet e para. Nga kampi nuk vinte asnji za. Të gjithë ishin në gjumë të thellë. Edhe kthimi në kamp, u ba nji torturë e vërtetë. Kambët, duert, e lëkura e kurrizit ishin rrjepë nga fërkimi me çimenton. Ecshim me veshtirësi të madhe. Rojet na shtyjshin. U rrëzuem. Shoku im refuzoi me lëvizë. U përpoqa ta ndihmoj, por ai kishte humbë çdo fuqi. Roja filloi shkelmimin. Ai nuk lëvizte. Atëherë, e kapëm për dy krahësh, deri te porta e madhe e kampit, e futëm brenda dhe e lamë në shesh. Unë shkova për ujë, me pi e për pastrim. Mbusha paguren e afrova te goja e shokut të ramë. Ai fliste me vështirësi. Me mundime të mëdha e pruna në kazermë, e lëshova në krevat e u largova. Uria më shtyni me shkue në kuzhinë për bukën e gjellën e darkës. Ishte e mbyllun. Kërkova nga roja racionin e ditës. “Nesër në mëngjes!” më tha. “Tani çdo gjë është e mbyllur..” U ktheva në kazermë ku kisha shtratin. Të gjithë flejshin. Vetëm shoku që flente pranë meje, Et’hemi, nji ish gjimnazist idealist, ishte ende i zgjuem. Ajo që pashë, më tronditi. Dysheku im ishte shqepë copë-copë. Çdo leckë ishte grumbullue në nji lamsh, gjysma e tyne të shkyeme, ose të preme me gërshanë. Ky grumbull leckash më bani të qeshë e të qajë, njikohësisht. Kjo ishte e gjithë pasunia ime mbas dhjetë vjet burgimi: lecka, e tani lecka të shkyeme. C’kanë me leckat e mia? I prekun thellë, Et’hemi më shpjegoi se kjo bastisje ishte ba gjatë ditës prej rojeve që kërkojshin diçka, ndoshta shkrime, ndoshta letra të shokëve për familjet e tyne. Tue mos gjetë gja, ata kishin pre e coptue çdo këmishë, çdo rrobë, krevatin, jastëkun, edhe çantën e bukës. Asgja kompromentuese! Pamja e mjerueme nuk më tronditi ashtu siç pritej, sepse nevoja e pushimit në atë orë të natës ishte ma e madhe se shqetësimi i prishjes së rrobeve. U ngjita në krevat, i tregova shokut me dy fjalë përvojën e ditës, e u lëshova nji copet në krahët e nji gjumi të thellë. Të nesërmen, ishte ditë e dielë, ditë pushimi. Të shtunën mbrama, mbas punës, ndërsa shkarkojsha kamionet me çimento, rreshteri i komandës më kishte kërkues. Ky ishte zakonisht nji shej se, të nesërmen do të lirohesha. Në mëngjes u ngrita herët nga shokët që më urojshin lirimin nga burgu. Mora racionin e bukës në kuzhinë. Isha i uritun. Fillova të ha me shpejtësi, ndërsa nji varg i gjatë shokësh me urojshin fatin e mirë. Emocionet ishin të forta, sidomos kur përqafojsha të rijt akoma të parritun, e shokët e kaluem nga mosha e që kishin akoma vjet të gjata burgu në kurriz. Me dukej se nuk do t’i shihsha përsëri këto fëtyra kaq të dashtuna, që nuk m’u ndanë për dhjetë vjet të gjata. Tellalli thërret emnin tim. Pranë portës nji rreshter më urdhnoi të palos rrobet. Ashtu bana. Ishte e thjeshtë. Gjithçka e imja hynte në nji strajcë që mbusha, e lidha dhe e vuna në sup. Përsëri përqafime, shtrëngime duersh, urime e plot lotë nga unë e nga të tjerët. Te porta, rreshteri më mori për krahu deri në zyrën e komandës, e mbas nji kontrolli të kujdesshëm, plotësoi formularët e “lirimit”, e më njoftoi se oficeri që duhej të firmoste gjindej për nji ditë pushimi në Tiranë. Më urdhnoi të largohem nga kampi, e të pres fushën e hapët deri në mëngjes. Kur dola prej zyrës, pashë shokët të grumbulluem brenda kampit, që ndiqshin lëvizjet e mia. Disa përshëndetën me dorë. Unë nuk u përgjegja. Ula kokën e me rrobet në sup u drejtova kah nji pemë e madhe, jashtë kampit, ku vendosa me kalue natën e parë në “liri”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora