E enjte, 18.04.2024, 05:59 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Nikollë Lesi: Si i njoha Nanon dhe Berishën (Berisha V)

E diele, 28.12.2008, 07:17 PM


Nikollë Lesi

Si i njoha Nanon dhe Berishën

Kapitulli i dytë - Sali Berisha

Ngjela, Berisha dhe ne “dy ministrat”

Spartak Ngjela është jurist në profesion. Njihet në qarqet e politikës dhe të medias si “avokati i lirisë së njeriut”. E kisha njohur në qershor të vitit 1992. Asokohe gazeta “Koha Jonë” ishte gazetë ende lokale për Lezhën me prirje për tu bërë kombëtare. Gazetat e Tiranës ishin akoma të fuqishme dhe të besueshme. Më prezantoi më avokatin Frrok Cupi dhe Prec Zogaj. Një burrë gjithë humor dhe i kudondodhur kur kishe probleme me politikën dhe drejtësinë. Linzi , i vëllai i Spartakut ishte njohur me mua dhe Aleksandër Frangajn. Na kishte ndihmuar me një maune letër për gazetën “Koha Jonë”. Takova avokatin dhe filluam të miqësoheshim. Tek QNK , pasi keshtu quhet Qendra Nderkombetare e Kulturës, kishte një kafene ku rrinim të gjithë oponentët e asaj kohe që kishin një mendim të pavarur dhe jo proSali. Me ne “rrinin” kudo e përballë punonjësit e SHIK-ut të Gazidedes. Blerim Cela ,kryetar i Kontrollit të Shtetit po na sulmonte. Jo për inat të tij, por për ti bërë qejfin Saliut. Shteti kur don më të kapë mat ta sajon si ta dojë intrigën ndaj iu drejtova avokatit për ndihmë juridike në Lezhë. Më bëri një statut modern të gazetës dhe më këtë rast edhe kontratën për dhurimin e 40 për qind të aksioneve nga unë tek miku im Aleksandër Frangaj, aksione të cilat në vitin 1996 i bleva nga Aleksandri, pasi ai u largua. Në asnjë rast avokati nuk më ka kërkuar lekë për konsulencën , mbrojtjen juridike për mua apo dhe për gazetën “Koha Jonë”. Me avokatin kemi kaluar situata të vështira; ai në politikë dhe unë në media. Ai ka bërë 15 vite burg politik në kohën e Enver Hoxhës, kur atëhere isha i vogël dhe nuk kisha moshën e burgut. Sa herë e kërkoja për ndonjë hall të gazetës apo timin që lidhej me shtetin ai vinte me vrap dhe thoshte tërë gëzim:

Ma lërë mua këtë punë ! Do ti bëjë që të lozin nga mendtë- thoshte Spartaku dhe ikte sic vinte, gjithë gëzim. Më kishte mbrojtur nga Berisha kur ishte në pushtet. Më mbrojti nga kryeministri Nano në gjyqin e turpshëm ku më dënuan me 20 milion lekë vetëm se kisha botuar në gazetë vendimin e qeverisë të zotit Nano me 14 janar 2003 ku kishte firmosur kryeministri Nano për të shpërblyer qytetarin Fatos Nano me pesë paga mujore se na ishte lodhur “ për të privatizuar Bankën e Kursimeve” ! Por dua të tregoj një debat të egër të avokatit me Berishën për punën time pas një mitingu elektoral gjatë këtij viti. Jemi në qershor 2005. Po vinim pas një mitingu në Shqipërinë e Mesme. E kishte thumbuar para një jave Saliun në Durrës tek restorant Adriatiku në prani timen, Jozefina Topallit dhe Fatmir Mediut, por mendova se do të ishte me paqësor Spartaku me Berishën.

-Nikollë ! Thuaji dhe avokatit të pijmë një kafe diku në Durrës- më mori në telefon celular Sali Berisha. Ishte natë dhe ishim tepër të lodhur nga mitingjet përditë. Atë ditë nuk kishte ardhur as Bamir Topi dhe as Jozefina Topalli. Fatmir Mediu ishte në një takim për partinë e tij dhe u ndodhëm në tavolinë ; Berisha , Ngjela dhe unë. Cuditërisht biseda nisi nga kafe për tu clodhur në sherr mes Saliut dhe Spartakut.

- Jo Doktor ! Nuk të lejoj të veprosh kështu . Kam bërë ca vite burg politik unë doctor!- hyri vrullshëm në bisedë avokati. Nuk po kuptoja se ishim ulur për të pirë kafe apo zeher. Dicka kishin ata mes tyre . Prandaj më kërkoi Saliu mendova me vete, pasi e dinte se më avokatin ishim miqë prej vitesh.

- Spartak ! Lërë atë punë !- ndërhyri Saliu për të shuar sherrin- E bisedojmë njëherë tjetër. Pijmë nga nji kafe e ikim- prapë donte ikte nga debati Doktori. Sec ishin prishur në një problem partie në PD , por nuk arrita të kuptoj pasi Saliu i lutej avokatit dhe më shikonte mua sikur thoshte “ ta lemë këtë muhabet !”.

- Jo, jo Doktor ! Nëse ti ke bërë kompromis ma thuaj. Pse nuk e thua ? Pse të thirrën mbrëmë në ambasadën amerikane ?- vazhdonte avokati- Ne nuk jemi që të rrishë ti kryetar opozite të përjetshme. Duam pushtetin ! Janë njërëzit rrugëve pa punë ndaj thuaju që “kam qejf të rrijmë në opozitë !”- fliste e nuk pushonte Spartaku. Kisha menduar se para Saliut të gjithë shushaten e nuk bëzajnë, por atë natë e pashë në pozitë të vështirë Saliun. E hasa më këmbë poshtë tavolinës avokatin për ti dhënë të kuptonte se “ lërë këtë sherr sonte “, por ku pushonte Ngjela. Ishte mbushur me zemërim. Nuk e di ku dhe si, por fliste. Vetëm fliste. Doktori dëgjonte.

- Rri ore ti !- mu drejtua mua- C’më has më këmbë poshtë tavolinës ? Nuk e lë unë këtë punë! Dua që ky të mos ketë frikë nga ndërkombëtarët- mu drejtua me inat.

- Nuk asht ashtu puna avokat ! – lutej prapë Saliu. Nuk po merrja vesh saktësisht se ku pikonte catia. Pija kafenë dhe nuk guxoja më ta cikja poshtë tavolinës Spartakun për ti kërkuar që të ndërronte temën e bisedës.

- Si nuk është ore ?! Trego force! Merr pushtetin dhe ndërkombëtarët të vijnë nesër e të urojnë në zyrë. Kush sundon kalanë është Zoti ! Merr kalanë dhe lartësohu doktor !- ngriti zërin Spartaku.

- Spartak, Spartak ! – mori zjarr tani doktori- Unë të kam mik të madh ty. Të kam premtuar se me ty do të punoj për një qeveri të fortë. Ta kam premtue ministrin e Drejtësisë…

- Ore më takon !- nuk priti avokati që të mbaronte Saliu- Pse c’jam unë në politikë. Unë për të bërë karrierë jam. Ngjitem në karrierë dhe bëj të mira për njërëzit, për vendin tim doktor. Por nuk ta kisha atje problemin . Ma ke premtuar, ma the edhe sonte para Lesit dhe mbaje ! Po pse ti je kontraktuar mbrëmë në ambasadën amerikane ? Trego forcë dhe mos na shit !- e mbylli për një moment avokati.

-Nuk asht e saktë kjo që po thue !- u nxeh Saliu. Më pas gjakrat u qetësuan dhe filluan të bënin shaka a thua se nuk kishin mbi 30 minuta duke u zënë.

- Nikollë ! E kam nda mendjen . Ne do të qeverisim bashkë në qoftëse fitojmë .

- Si “në qoftëse fitojmë “!?- sa nuk bërtiti avokati- Do ta marrim pushtetin Sali!

-Prit Spartak ! Ai ca nuk po ban me lekë- foli i shqetsuar Berisha për kryeministrin Nano.-

Do të bësh qeveri të madhe Doktor . E ndjej ! – tha Ngjela i lumturuar.

- Po, patjetër. Bashkë do të jemi në qeveri- e mbylli Saliu dhe ikëm për Tiranë. Të nesërmen do të shkonim në Jug të vendit për miting.


Berisha, unë dhe Ben Blushi në seancën e imunitetit

Seanca e famshme e 8 nentorit 2004 për votimin për imunitetin tim filloi me një incident që në hyrje të Kuvendit. Po binte një shi i madh atë natë aq sa gazetarët e gjithë televizioneve kryesore transmetonin direkt nën cadra direkt tek hyrja e seancave plenare në pritje të hyrjes time në Kuvend. Atë natë seanca filloi me vonesë, pasi pritej sipas rregullores të mbaronte edhe seancë pyetjesh me ministrin e Pushtetit Vendor Ben Blushi kërkuar nga grupi parlamentar i PD-së. Deputetët e PD-së ishin përgatitur keqas për ta sulmuar me kritika Blushin në seancë. Sapo futëm nën shiun e mbremjes me një dosje në dorë dhe materiale të tjera për transmetime filmike, të cilat i kisha marrë tek Remzi Lani, drejtor i Insitutit të Medias. I ofrohem vendit ku Garda kontrollon me aparatura të gjithë deputetët dhe punonjësit e Kuvendit që hyjnë në Kuvend dhe kur mbërrin një drejtues i Gardës.

Të kontrollohet se cfarë ka në cantë deputeti Lesi !-urdhëroi punonjësit e Gardës. Në të vertetë kontrolli normal dhe i përditshëm kishte të bënte për kontroll armësh apo armë të ftohta, të cilat nuk lejohen në sallë. Pas incidentit me armë mu në koridorin e Kuvendit dikur me deputetin Azem Hajdari nga deputeti i PS-së Mazreku ishte vënë rregull kontrolli i cdo deputeti. Por kontrolli përfshinte vetëm armë zjarri dhe armë të ftohta, por jo materialet e tjera dokumentare që i duhen një deputeti për seancë.

-Nuk lejohen videot, kasetat dhe projektori !-urdhëruan ashpër rojet. Dhe filluan të rrëmonin në cantën time për letrat që kisha për ti lexuar në seancën e kësaj nate të ethshme e konfliktuale me Nanon kryeministër. Filluan të më kontrollojnë xhepat, corapet dhe kudo. Nuk kishte ndodhur asnjëherë një kontroll i tillë dhe as që e përmbante rregullorja e Kuvendit dhe e Gardës njëkohësisht për deputetët. E kuptova se donin të më nxehnin që në hyrje që më pas të kisha humbur qetësinë në ballafaqimin e madh me kryeministrin. Mi kthyen materialet filmike dhe videoprojektorin që më pas i futa në makinë. Hyra në sallën e madhe të parlamentit. Ben Blushi po fliste akoma . U ula në karrikën e rradhës së parë ku kisha pothuaj 8 vite që rrija po në atë vend, ngjitur me Neritan Cekën. Situata në sallë ishte e qetë , por dukej se ishte përballje forcash. Dikush më kap nga qafa dhe më thotë : “Të kërkon Doktori tek vendi ”. Ishte deputeti Pal Dajci. “Vendi” ishte zyra e deputetëve të PD-së në Kuvend. Doli Saliu. Pas tij edhe unë.

-Nikollë ! Nuk kemi numrat. Na kanë ble disa deputetë të opozitës . Kam informacion se një deputet i Fatmirit (Mediut), dy të Legalitetit , një ballist dhe më duket një i Pollos do të votojnë kundër nesh- foli i merakosur dhe me pa si rrallëherë në dritë të syrit. Realisht ishte i shqetsuar për fatin e votimit që nuk ishte vetëm fati im, por dhe i krejt opozitës. Tashmë nuk ishte ndeshje Nano- Lesi, por Nano-Opozitë. Saliu e ndjente më mirë se kushdo se cdo të thoshte një fitore e Nanos edhe me votat e opozitës. Votimi ishte i fshehtë. Nuk merrej vesh si votonin. Të thonin “votuam për Lesin” dhe e hidhnin votën proNanos. Ishin blerë gjatë dy ditëve të fundit deputetët e opozitës së Saliut.

- Ka një zgjidhje Nikollë – ndërhyri pa një meditimi të gjatë Saliu - Tako tani diku fshehur Ben Blushin. Ai është tip i zgjuar. E ke dhe mik. N’dac thuaji edhe emrin tim se na duhen vota. Jo vetëm që është një ceshtje e drejtë Nikollë që duhet rrëzue Nano sot, por marrim kosto të madhe nëse Fatosi merr edhe votat tona – tha duke më lenë të kuptoj se duhet të mos humbisja asnjë dekikë. Dola në koridor. Kudo kishte punonjës të Gardës të veshur civilë. Ishte bëë një farë shtetrrethimi atë natë i parlamentit. Përjashta Kuvendit, diku nga hyrja, një mik i imi deputet kishte parë plot uniforma të policisë , një furgon të burgut 313 dhe dy prokurorët që ndiqnin ceshtjen e dosjes time për akuzat që me kishte Xhoana Nano. Dicka kishte kurdisur atë shteti i Nanos. Gjeta mundësinë dhe takova Ben Blushin. I thashë se cfarë me tha Saliu.

- Me lerë të punoj se nuk kemi kohë. Pas një ore fillon votimi. Katër ministra i kam bërë kundër Nanos në votim- më tha dhe iku. Hyra në sallë. U ngrit Lekë Cuka që ishte kryetar i Komisionit të Imunitetit dhe Rregullores. Vendimi i shumicës së këtij komisioni ishte se duhej hequr imuniteti, pasi kisha bërë “krim shtetror” meqënëse kisha kërkuar hetim për bizneset e gruas së kryeministrit, Xhoanës. Më vjen një mesazh i Saliut: “ C’të tha Blushi ?”. Iu përgjigja shpejt “Ka bërë katër ministra kundra Nanos, por besoj edhe disa deputetë të PS pro meje”. Me kthen përgjigje prapë Berisha me mesazh ” Uroje nga ana ime Benin !”. Por nuk kisha kohë që ta përcillja urimin tek Blushi pasi kryetari i Kuvendit Servet Pellumbi thirri emrin tim.

- Tani fjalën e ka deputeti Nikoll Lesi-u dëgjua zëri i kryetarit. Dola në podium. Shikova nga Ben Blushi me marifet. Me luajti syrin. Gjithcka ishte gati për planin final. Fola. Më pas votimi mbaroi. Nano mori 63 vota, unë 70, 5 vota abstenim. Arben Imami dhe Maks Begeja munguan në seancë. Kryeministri humbi. Berisha më shtrengoi fort duke më thënë:”Urime! Na zbardhe faqen ! Ditë historike”. Në një farë mënyre ishte ditë historike edhe për Berishën. Kishte 8 vite që nuk i kishte rrëzuar me votim të fshehtë kryeministrat e mazhorancës. Politikisht atë natë Fatos Nano u rrëzua. Ngrehina do ti binte me pas në 3 korrik 2005.

 

Marrëveshja me Saliun per 3 korrikun 2005

Ne muajin maj, Berisha me telefonoi dhe më tha se do të vinte në zyrat e Partisë Demokristiane për të firmosur marrëveshjen mes PD e PDK në lidhje me zgjedhjet e 3 korrikut. Paraprakisht, si për t’u siguruar, ai me ishte lutur që demokristianët të kishin në Mirditë dhe në Patos zonë të lirë. Pra, në 98 zonat e tjera elektorale nuk do të kishim të drejtë të vendosnim kandidatët tanë, pasi në Veri te vendit dhe Vlorë ishim realisht të fortë me emra. Në lidhje me këtë kerkesë të zotit Berisha pata disa probleme në kryesinë e PDK, por arrita t’i bind se , duke patur përballë Fatos Nanon opozita do ta kishte vështirë fitoren, nëse sejcila parti opozitare vendoste kandidatët e saj në cdo zonë. Në këtë rast arësyetimi i Saliut ishte i drejtë.

Kishim frikë se mos edhe Nano do të bënte një përbashkim të tillë, si ne, e kësisoj nuk parashikohej se nga do të anonte fitorja. Por kryeministri Nano vazhdonte me tangërllekun e tij . Kisha mbledhur kryesinë e partisë në zyrat e PDK. Mediat kishin mbërritur të gjitha dhe koridoret zienin nga batutat e gazetarëve . ” E detyroi Lesi që t’i vijë Berisha në zyrë !”,etj, të cilat kur hyja e dilja në zyra bëja sikur nuk i dëgjoja. Nja 20 minuta para se të vinte Saliu mbërriti me urgjencë Ritvan Bode, sekretar i Përgjithshëm i PD. Një burrë i urtë, korrekt dhe besnik i Saliut. Më nxori një kopje të marrëveshjes që do të firmosja me kryetarin e PD-së. I hodha një sy të shpejtë, bile pa e patur shumë mendjen. Nuk kisha pse të dyshoja tek kjo aleancë, pasi Saliu ma kishte lexuar personalisht në telefon nje natë më parë. Atij i duhej patjetër një marrëveshje edhe me mua, pasi në një farë mënyre kuotat e mija politike ishin rritur pas duelit me Fatos Nanon. Kishte plot edhe nga ata që më shanin, por raporti anonte nga shumica, e cila, për momentin, ishte në krahun tim. Dola dhe e prita tek hyrja e selisë së partisë. Më shtrëngoi fort dorën, aq sa mu duk sikur ma theu.

-Mirë se të gjeta , Nikollë ! Asht ditë e shënueme kjo e sotmja .- foli dhe sëbashku hypëm në ashensor, për t’u ngjitur në katin e pestë ku do të bëhej ceremonia zyrtare. Gazetarët filluan të shkrepnin aparatet fotografikë, ndërsa kameramanët nxituan të shtynin njeri tjetrin për të fiksuar pamjet më të bukura. U ulëm. Lexova marrëveshjen, të cilën ma dha Ritvani. E mbylla me një synim që kisha brenda vetes për të kapur 3- 4 për qind të votove kombetare. Sali e mori fjalën mënjëherë dhe plot elozhe për mua. E shikoja në bisht të syrit kur fliste dhe nuk po merrja vesh në ishte ai Sali i vitit 1997 apo ishte transformuar dhe ne kishim gabuar me të.

Ne, do të fitojmë bashkë ! Do të qeverisim bashkërisht- e mbylli ligjeratën e nëshkrimit të marrëveshjes ai. Dolëm. Udhës për tek makinat me kapi krahun dhe mu ofrua tek veshi i majtë .

-Nikollë ! A do të më bash një nder ? Dy zonat e lira i lashë për ty, por a mi jep ti caktoj unë emrat ?- në këtë cast ndaloi dhe me hodhi dorën në sup me një dashamirësi të tillë që e kisha provuar vetëm nga babai im në Lezhë.Mbeta keq.

- Po unë kam njërëzit e mijë doktor !- dhe dicka më shtrëngoi fytin nga kerkesa e tij e papritur.

Mi lerë mua !-ndërhyri si për të më shkundur nga hutimi .- Do t’ju jap një post ministri dhe dy zv/ministra –tha dhe mënjëherë shtoi.- Dhe një prefekt

-Ta mendoj njëherë !- iu ktheva, duke u munduar t’i rrëshqisja për momentin, pasi po e shkelte marrëveshjen që sapo firmosëm..

-Dakort ? Ja, pranove ! Bëjmë fushatë bashkë në gjithë Shqipërinë –ngulmonte prapë ai duke lenë të kuptohej se kasha pranuar.

-Të paktën jo Mirditën, doktor. Atje kam një kandidat shumë të mirë. Quhet Mark Gjomarkaj. Nga familja e kapidanit të Mirditës -nisa të këmbëngul, sepse e dija se ai nuk të shqitet kur don të arrijë një qëllim.

-Jo jo ! Kam Gjovalin Prengen. Ia kam premtue. Asht i joti pas zgjedhjeve- tha gjithë zjarr a thua se unë e pranova emrin e tij. Rashë në hall .

-Mirë ! Por fjalë burrash që votat në proporcional në Mirditë duhet të bëni thirrje ti jepen vetëm PDK me qellim që Marku të dilte deputet nga lista- thashë dhe i vura kapakun bisedës.

- Po, Nikollë ! Marku asht deputet. Mirëupfashim !- tha duke më shtrënguar edhe më fort dorën . Prapë sec kisha një parandjenjë se ma futi, por nuk doja ta besoja. Gjatë fushatës elektorale, harroi fare se cfarë më kishte premtuar, bile më kishte përlarë një deputet direkt nga Midrita. Në mitingun përmbyllës në Rreshen nuk bëri thirrje fare që të votohej në proporcional Partia Demokristiane, ashtu sic ishte kontrata e firmosur, por iku duke bërë sikur harroi. Sa mbaroi mitingu, ndëkrohë që po binte një shi i madh, m’u afrua.

Harrova ! Herën tjetër do ta përmend me emër Markun dhe zonën e lirë të PDK.- kaq dhe hypi në makinë.Por herë tjetër nuk kishte .Natën 1 korrikut, dy ditë para zgjedhjeve, dega e PD-së së Mirditës në pabesi të plotë cubash shpërndau mijëra fletë të vulosura nga PD e ku thuhej:” Votoni kandidatin e PD-së ! Votoni Partinë Republikane në proporcional !”. Nuk kisha c’të bëja. Më kishin prerë në besë. Fushata elektorale po mbaronte dhe nuk kisha nga të shkoja më. Por kur mendoja se duhej të rrëzonim Fatos Nanon nga pushteti i harroja të gjitha. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora