Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Ka emër…

| E shtune, 05.11.2022, 08:03 PM |


Sevdail Hyseni

Satira

Ka emër…

Partia ka emër

Ashtu si çdo send,

Sidomos e vjetra

- E liga për mend!

S’ngopet me lavde

Të ngritura në qiell,

Edhe pse të pasmet

I digjen në diell!

Cila është partia?

E gjeni shumë lehtë,

Ajo që ka lindur

E rron me pushtet!

Mirëpo, këto pushtete

Shtrihen në nivele…

Disa nga të mjerat

Bëhen si shurrë pele!

Ndahen nëpër krahë

Për pak interes,

E përçajnë popullin

E bëjnë pikë e pesë!

Nga barku i tyre

Lindin shumë parti,

Tani edhe krahët

U rrinë për karshi!

S’e ndalin betejën

Në gjitha drejtimet,

Mbase s’është kollaj

Kur përzihen qimet!

Ata që janë mësuar

T’hanë në një koritë,

E kanë për bashkim

Jetën në pozitë!

Të kuq n’komunizëm

Të kuq n’demokraci,

Gjithmonë u ka prirë

Një ogiç i zi!

(Karikatura marrë nga interneti)