E shtune, 04.02.2023, 03:09 PM (GMT)

Kulturë

Qemal Lame: Ideologët e Gjenocidit të Serbisë Kundër Shqiptarëve

E shtune, 05.11.2022, 07:54 PM


IDEOLOGËT E GJENOCIDIT TË SERBISË KUNDËR SHQIPTARËVE

NGA QEMAL LAME

Libri “Shqiptarët sipas serbëve” i gazetarit, shkrimtarit e diplomatit të njohur Bashkim Trenova, botuar në korrik 2022 nga Shtëpia Botuese “Klubi i Poezisë”, është ndër ato libra me vlerë shkencore, publiçistike dhe edukuese për të njohur realitetin e ideologjisë e politikës së kolonializmit të serb që ka shkaktuar tragjedi të rënda ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë të rajonit.

Libri voluminoz me afro 500 faqe është rezultat i një pune intensive studimore. Ideja është realizuar duke u cituar 125 figura nga më të rëndësishmet e botës serbe, nga disa gjuhë e vepra, shfletuar e konsultuar mbi 100 organe shtypi.

Analizat, interpretimet dhe komentet që përfshihen në këtë libër janë vendosur në një hapsirë kohe të kufizuar: vitet e Krizës Lindore dhe të Luftrave Ballkanike. Janë zgjedhur qëllimisht këto periudha sepse ato, me pasojat e tyre, qëndrojnë në themelet e marrëdhënieve serbo-shqiptare, apo shqiptaro-serbe për të gjitha vitet në vazhdim, deri në ditët tona.

Libri na ndihmon të kuptojmë dy rrymat që kanë ekzistuar dhe ndjehen konkretisht edhe sot në jetën e përditëshme në Serbi në raport me shqiptarët. Ka patriotë të mëdhej serbë, që janë serbë të mirë dhe miq të shqiptarëve, siç ka edhe serbë për të cilët shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur. Sipas propogandës zyrtare e gjykimit të ultranacionalistëve serbë, shqiptarët të mirë janë ata që pranojnë sundimin serb, asimilohen si serb, vihen në shërbim të Serbisë dhe propogandojnë e luftojnë kundër shqiptarëve. Shqiptar i keq është ai që nuk pranon sundimin serb, lufton kundër pushtimit serb, nuk i nënshtrohet politikës dhe ideologjisë mesjetare të shtetit dhe Kishës Ortodokse të Serbisë, mbron identietitin kombëtar si shqiptar, lirinë, pavarësinë, sovranitetin e shtetit shqiptar.

E vërteta historike dëshmon se serbët kanë origjinën nga një pakicë sllavë e ardhur në tokat e banuara që nga lashtësia nga shqiptarët. Teritoret e tyre janë zgjeruar duke pushtuar ato të shqiptarëve dhe duke i asimiluar me gjendocid, dëbime dhe tjetërsime të identietit. Edhe autori mbron mendimin se serbët janë sllavë të ardhur. Serbët e pranojnë vetë këtë fakt dhe indentifikojnë veten si sllavë. Në opinionin publik në Serbi vlerësohen rusët si vëllezër të serbëve: Rusët janë vëllezërit tanë të mëdhenj. Bëhet edhe vlerësimi Rusia e Madhe dhe Rusia e Vogël. Përkatësisht kuptohet Rusia dhe Serbia.

Hirstoriografia serbe krenohet me prejardhjen sllave. Në Historinë e Popullit Serb shkruhet se: “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që u dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët…”. (Dushan Batakoviç, Milan St.Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq.3.).

Politika koloniale e Serbisë sidomos ndaj shqiptarëve është institucionalizuar në strategjinë e Vlladan Gjeorgjeviçit, Vaso Cubrilloviç. Më pas ajo vazhdohet nga Pantiç, Josif Broz Tito, Dobrica Qosiq, Sllobodan Millosheviç e së fundi nga Aleksandër Vuçiç.

Në librin e kryeministrit të Serbisë Vlladan Gjeorgjevic me titull “Shqiptarët e fuqitë e mëdha” është dokumentuar dhe publikuar politika e vërtetë kolonialiste, racizmi dhe armiqësia historike e propoganduar nga shteti dhe ideologjia ortodokse serbe. Gjatë pushtimit dhe gjenocidit të Sanxhakut u shkatërruan më shumë se 700 fshatra shqiptare, u gjenociduan me vrasje makabre gra e fëmijë, ngrinë nëpër rrugë shqiptarë të masakruar e të dëbuar. Procesin e kolonizimit të trojeve shqiptare me elementin sllav dhe të shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve për të realizuar transformimin e hartës etnike në favor të vet, Serbia dhe Mali i Zi, gjatë periudhave më të reja historike, kanë vazhduar ta zbatojnë sidomos nga vitet e Krizës Lindore (1875), respektivisht që nga lufta ruso-turke (1877-1878), kur Serbia pushtoi Sanxhakun e Nishit, ku bënin pjesë edhe viset etnike shqiptare si Toplica, Kushumlia, Vranja, Masurica, Krahina e Leskocit, Prokupla etj.

Serbia me anë të ushtrisë ushtroi një gjenocid shtetëror masiv ndaj popullsisë shqiptare, që u mbështet edhe nga forcat ushtarake ruse. Ushtarakët serbë, për të realizuar këtë qëllim, kishin përdorur mjetet më brutale të likuidimit fizik të shqiptarëve, duke mos kursyer as fëmijët, gratë e pleqtë. Mbi 35.000 shqiptarë të moshave të ndryshme gjetën vdekjen nga zjarri i armëve, i bajonetave, nga djegiet për së gjalli, nga ngrirjet në dëborë e akull. Pati edhe shumë nëna të ngrira me foshnja në gji. Pastaj ata plaçkitën, dogjën e shkatërruan shumë fshatra shqiptare. Djegiet e shkatërrimet e shtëpive të shqiptarëve qenë të pallogaritshme, gati të gjitha fshatrat shqiptare u bënë shkrumb e hi në kulmin e dimrit të ashpër. Vetëm në njërën nga lagjet e qytetit qenë shkrumbuar e bërë hi 300 shtëpi shqiptare.

Grabitjet e pasurive ishin masive, duke nisur që nga stolitë e deri te mobiliet, shtrojat-mbulojat, veshjet, paratë, drithërat, bulmetrat, bagëtitë etj. Kolonizimi dhe shfarosja e shqiptarëve bëhej me mënyrat dhe metodat më mizore dhe më barbare. Për këto barbarizma dëshmojnë edhe vetë serbët: “Disa familje shqiptare iknin dhe tërhiqeshin në luginën e lumit të Moravës Jugore, nëpër të ftoftit e madh; pranë rrugës, nëpër grykën e Gërdelicës, deri në Vranjë dhe Kumanovë, shiheshin fëmijë të hedhur dhe të vdekur dhe pleq të ngrirë. Tërheqja ka qenë tragjike, kuajt dhe qetë tërhiqnin ngadalë qerret nëpër borë, sepse qerre kishin pak. Disa fëmijë të hedhur, të humbur apo gjysmë të vdekur nga lodhja dhe uria ishin të ënjtur dhe të fryrë si daulle, disa i linte shpirti atëherë kur tanët i ushqenin ose pas ngrënies”.

Shkrimtari serb Jovan Haxhivasileviq shpjegon qëllimet e qeverisë serbe për pushtimin e territoreve në jug. Ai shkruan se dëbimi i shqiptarëve u bë me qëllim "që Serbia të bëhej shtet i pastër nacional dhe të krijohej mundësia që aksioni serb në të ardhmen të drejtohej në pjesët e Kosovës”. Me ndjekjen e shqiptarëve, disa fshatra në ato anë mbetën plotësisht të shkreta, disa të tjerave nuk u diheshin emrat, sepse nuk kishte kush t‘i tregonte. Nga këto vise për një kohë të shkurtër u bë pastrimi etnik i mbi 700 fshatrave e vendbanimeve shqiptare me një popullsi prej rreth 300.000 persona. Në vend të tyre u vendosën kolonët e identifikuar si serbë dhe malazezë besnikë të regjimit të Serbisë. Popullata e dëbuar shqiptare nga Sanxhaku i Nishit u vendos kryesisht në territorin e Kosovës së sotme, disa u vendosën në territorin e Maqedonisë e shumë prej tyre, të mjerë, përfunduan jashtë Kosovës, përtej Bosforit, në shkretëtirat e Anadollit e më gjerë. Në arkivin e Kosovës gjenden edhe dokumente me të dhëna të fshatrave të Kosovës, në të cilat u vendos kjo popullatë.

Në kohën e publikimit të këtij libri ka qenë e njohur politika antishqiptare evropiane. Kjo është shfrytëzuar nga politikanët e klerikët serbë për pushtimin e teritoreve dhe gjenocidin masiv për zhdukjen e shqiptarëve. Në këtë propogandë është arritur me cinizëm të injorohet jo vetëm historia e zhvillimit të shoqërisë njerëzore por edhe ajo biologjike. Gjeorgjeviç guxon të thotë se shqiptarët janë turq të ardhur. Ai bën edhe cilësimin idiot se shqiptarët janë me bisht!? Për të bindur serbët e thjeshtë dhe për të shtuar urrejtjen e politikanëve evropianë antishqiptarë, ky libër është botuar nga ai në tre gjuhë, gjermanisht, frëngjisht e serbisht. Këto janë krahasime të dënueshme politikisht e moralisht nga çdo njeri i civilizimit tonë.  Kujtojmë se në Konferencën e Paqes në Paris në 1919 kur e pyeten gazetaret francez at Gjergj Fishten: " Ja kaloni mes vetit ju shqiptaret qe keni tre besime fetare? ”, Fishta i pergjigjet: " Ne vertete kemi tre besime fetare por nata e shen valforomeut nuk eshte festuar ndonjehere ne Shqiperi sic eshte festuar ketu tek ju." Nje rast tjeter po ne ate konference, ne pergjigjje ndaje perfaqesuesit serb , Fishta i thote: “Ju keni nje shkrimtare qe ka shkruar nje liber per ne dhe na cileson njerez me bisht. Shume te drejte ka, por qe ka harruar se ne shqiptaret e kemi bishtin perpara e jo si ju qe e keni mbrapa."

Leo Freundlich, hebreu austriak, studioi krimet e kryera barbarisht nga Serbia dhe botoi librin “Golgota shqiptare”, ku protestonte kundër zhdukjes masive të shqiptarëve nga serbët në vitet 1912-1913. Me dokumente arkivore, fakte, foto dhe dëshmi origjinale ka bërë të njohur gjenocidin nga e njëjta ushtri serbe që vrau barbarisht mbi gjysmë milion shqiptarë.

Libri i tij “Akuza që ulërijnë” është dëshmia e parë për shfarosjen kolektive të një populli europian para atij hebraik, të kryer nga nazistët gjermanë në Luftën e Dytë Botërore. Mbi 250 mijë shqiptarë u masakruan vetëm në veriun etnik të Shqipërisë gjatë vjeshtës së vitit 1912.

Autori i platformës politike të gjenocidit serb është Akademia e Shkencave e Serbisë, me autor Vasa Çubrilloviç. I njohur si ultranacionalist e akademik dhe i vlerësuar për antishqiptarizmin, Çubrilloviçi, në bazë të detyrës së dhënë zyrtarisht, i ka paraqitur qeverisë mbretërore, më 1937, planin ushtarak “sekret” për zhdukjen e shqiptarëve nga Jugosllavia. Këtë plan ushtarak “sekret” qeveria jugosllave, përkatësisht serbe, e ka zbatuar me dhunë të organizuar e në mënyrë sistematike me taksa të rënda, burgim të njerëzve të pafajshëm, tortura e vrasje etj. Si pasojë e gjenocidit serb, më shumë se 250 mijë shqiptarë janë detyruar t’i braktisin trojet e tyre e të vendosen në shkretëtirat e Anadollit në Turqi dhe pjesërisht në Shqipëri. Pas gjenocidit të ushtruar dhe ndryshimit të demografisë së popullsisë në rajonin e Sanxhakut, u veprua edhe më me egërsi me dëbimin e shqiptarëve nga Kosova. Në të njëjtën kohë që dëboheshin me dhunë shqiptarët, vendoseshin menjëherë në Kosovë, në pronat e uzurpuara shqiptare, më se 60 mijë kolonë serbë e malazezë të asimiluar. Për ta maskuar terrorin ndaj shqiptarëve të pafajshëm dhe për të mënjanuar kritikat në opinionin publik ndërkombëtar, qeveria e Beogradit me propagandën intensive kërkonte të bindte me deklarata se ndryshimet janë vetëm një "reformë agrare", "akcion i mbledhjes së armëve", "akcion kundër komitëve dhe armiqve të shtetit" etj.

Çubrilloviçi shkruante në programin politik të hartuar me emrin e tij se qeveria duhet të organizojë djegien e fshatrave dhe vrasjen e shqiptarëve natën, kurse ditën duhet të simulojë gjoja ndjekjen e aktorëve të krimeve të natës. Madje ai propozonte se për aksione të tilla terroriste është më i përshtatshëm fisi malazias Vasojeviq, i cili duhet të angazhohet në këtë aksion.

Një program tjetër të ngjashëm më këtë, Çubrilloviçi e ka shkruar në tetor 1944 për qeverinë jugosllave komuniste, e cila erdhi në pushtet me ndihmën e armatës së kuqe sovjetike. Edhe gjatë sundimit të Jugosllavisë komuniste, ndaj shqiptarëve u morën masa drastike dhe gjenocidale. Me dhunë shtetërore u detyruan përsëri të shpërngulen për në Turqi e Shqipëri edhe më se 250 mijë shqiptarë.

Dokumentet arkivore dhe botimet në medie vërtetojnë se janë bërë vrasje masive të shqiptarëve, pa asnjë përgjegjësi, janë ekzekutuar në masë dhe pa gjyq njerëz të pafajshëm, janë burgosur pa vendime gjyqësore qindra shqiptarë në kampin famëkeq Goli Otok, për arsye politike antikomuniste, janë detyruar familjet shqiptare që të deklarohen se janë të kombësisë turke, shqiptarët janë pushuar nga puna në përmasa të mëdha, janë mbyllur shkollat shqipe etj. Në histori mbetet i paharruar dhe i padënuar ndërkombëtarisht edhe gjenocidi i Tivarit në dimrin e vitit 1945, kur u pushkatuan në këtë qytet më se 4.200 djem shqiptarë, të cilët qeveria komuniste serbe i kishte mobilizuar gjoja për të luftuar kundër ushtrisë gjermane në bregdet, në Istër e në Slloveni. Është vërtetuar se përveç këtyre të pushkatuarve në Tivar, janë vrarë edhe shumë të tjerë në Dubrovnik, Trogir, në ishuj, në Goricë etj., por dhe gjatë rrugës, të cilën e kanë kaluar në këmbë, prej Prizrenit deri në Tivar, të veshur e të mbathur shumë keq dhe pa ushqim. Këta të mobilizuar nuk kanë qenë të pajisur me asgjë ushtarake, madje asnjë armë nuk e kanë pasur me veti, sepse kanë qenë të caktuar për likuidim masiv, siç është programi i përhershëm sekret i çdo qeverie serbe gjatë gjithë shekujve, për pastrimin etnik të trojeve shqiptare.

Në disa raste janë ngritur akuza me dyshime se qeveria jugosllave ka bashkëpunuar edhe me qeverinë shqiptare për realizimin e kësaj masakre në Tivar ndaj shqiptarëve të Kosovës. Referuar disa dëshmive të kohës, si dhe publikimeve të bëra pas vitit 1990, bëhet fjalë për përgjegjësinë direkte të Enver Hoxhës, Ramiz Alisë e drejtuesve të tjerë shtetërorë e ushtarakë të asaj kohe.

Sipas të dhënave në Arkivin Shtetëror të Kosovës, dokumentohet se në Kosovë nga janari 1998 deri më 12 qershor 1999 ka pasur 12.843 viktima të nacionalitetit shqiptar, prej tyre 1741 femra, ndërsa në altarin e lirisë kanë rënë 2261 dëshmorë, në mesin e tyre 68 dëshmorë e martirë nga Shqipëria.

Libri dallohet për objektivitetin dhe referimin me saktësi në publikimet e 150 personaliteteve të njohura të Shtetit dhe të Kishës ortodokse të Serbisë. Me mendimet dhe qëndrimet e tyre kuptojmë më konkretisht rrezikun e pasojat e rënda të ideologjisë shtetërore të orientuar e imponuar nga klerikët serbë që vazhdojnë të propogandojnë mitet e rreme mesjetare, fallsifikimin e historisë së shqiptarëve dhe tjetërsimin e saj me arrogancë për të mbështetur, imponuar dhe ligjëruar një tabllo të gënjeshtër të krijimit artificial të kombit serb, duke injoruar me tone agresive shqiptarët dhe autoktoninë e tyre dhe justifikuar gjenocidin barbar për pushtimin, asimilimin dhe deri zhdukjen e kombit shqiptar në trojet e tij të lashta.

Neokolonializmi serb ndaj shqiptarëve është agresiv dhe barbar. Fatkeqësisht kjo politikë vazhdon me të njejtat qëllime edhe në kohën e sotme moderne kur Serbia kërkon të integrohet në Bashkimin Evropian duke ruajtur politikën e saj të vjetër.

Për tu kuptuar thelbi i politikës zyrtare antishqipatre serbe, në libër bëhet kujdes në zbatimin me zgjuarsi të metodës studimore referuese dhe stilit të njohur të autorit për ruajtjen e objektivitete duke u përqëndruar në referimet origjinale tek autorët e teorive raciste kundër shqiptarëve dhe planeve shtetërore për pushtimin e teritoreve dhe zhdukjen e shqiptarëve.

Autori dallohet për idetë dhe veprimtarinë e tij humane në gjithë drejtimet që ka dhënë kontributin e tij të mundshëm. Këtë e dallojmë menjëherë në përmbajtjen e librit. Ai është përqëndruar në detyrën për të sjellë në vëmëndje realitetin e së kaluarës që vazhdon njëlloj edhe në ditët e sotme. Ai nuk shprehet konkretisht për të dhënë mendime dhe mbajtur qëndrime kritike. Kjo ndihmon të njihen problemet, të krijohen bindjet, të nxirren mësimet e duhuara, të mënjanohen nga secili që lexon librin subjektivizmet dhe emocionet e natyrshme shpërthyese ndaj mizorive të shovinizmit serb. Përkundrejt urretjes së ideologëve serbë, qëndron dinjitoze urtësia e mendimit dhe gjykimit objektiv të shqiptarëve për shovinizmin e politikës zytare shtetërore dhe kishtare dhe vlerësimi i ndjenjave të miqësisë e bashkëpunimit me popullin serb që historia na ka bërë fqinjë dhe kërkon të ndërtojmë të armen e përbashkët më të mirë.

Njohja me idetë armiqësore shoviniste ndaj shqiptarëve nëpërmjet personaliteteve nga më kryesoret të botës serbe, na mundëson të njohin në detaje, dixhital, opinionet e 125 politikanëve të lartë serbë, të deputetëve dhe udhëheqësve të partive politike, të akademikëve, të historianëve, të shkrimtarëve dhe të veprimtarëve shoqërorë, të antropologëve, analistëve, gazetarëve, gjeologëve, gjeografëve ultranacionalistë serbë. Në llogjikën e praktikën e kohës së sotme këta quhen terroristë dhe racistë.

Libri “Shqiptarët sipas serbëve”, me thëniet e 125 përsonalitete të elitës serbe për shqiptarët, tregon aftësinë dhe modestinë e autorit për njohjen e rrezikut të shovinizmit serb që mbetet një rrezik potencial aktual për shqiptarët. Profesionalizmi dhe guximi për të vërtetën ndihmon pasurimin e gjuhës shqipe, u jep mundësi akademikëve shqiptarë për të thelluar studimet, tërheq vëmëndjen e politikës shqiptare për të vlerësuar drejtë politikën e Serbisë ndaj Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e gjithë trojeve shqiptare, për të mos qenë inferiore dhe e ndikuar por përherë aktive për mbrojtjen e interesave kombëtare. Problemet tërheqin vëmëndjen dhe kthjellojnë mendimet e qëndrimet e medias shqipe, u bën mirë gjithologëve shqiptarë. Është e domosdoshme që përkrahësit e Serbisë që flasin jo serbisht nëpër ekrane e gazeta në Shqipëri e Kosovë e kudo ku ka shqiptarë të ndiejnë forcën e përgjegjësisë historike për marrëdhëniet miqësore me serbët e popujt e tjerë fqinjë duke mbrojtur me dinjitet e zgjidhur në kohë krizën që ka shkaktuar antishqiptarizmi dhe të përkushtohemi në strategjinë e bashkimit të kombit shqiptar edhe në të mirën e paqes e sigurisë në rajon, Evropë e botë.

Njohja me të vërtetën e së kaluarës na orinenton dhe ndihmon në zgjidhjen e krizës së rëndë politike e shoqërore midis shqiptarëve e serbëve, si dhe me popujt e tjerë të ish Jugosllavisë, boshnjakët, kroatët, sllovenët etj.

Me dëshirë motivoj autorin që të vazhdojë punën e tij studimore me analizën dhe përfundimet e tij për 125 personalitetit serbe që mbeten në themelin e politikës aktuale të Serbisë.

20 tetor 2022



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sevdail Hyseni: Ka emër…

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora