E premte, 19.04.2024, 07:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Jahja Drançolli: Si sot, në vitin 1946, UNESCO u themelua në Paris

E premte, 04.11.2022, 08:49 PM


Jahja Drançolli:

Si sot, në vitin 1946, UNESCO, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, u themelua në Paris. Dokumenti është ratifikuar nga 20 vende. Edhe pse sovraniteti i Kosovës është njohur nga më shumë se 110 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe shumica e shteteve anëtare të BE-së, Kosova ende nuk i është bashkuar organizatës së përmendur!

Trashëgimia kulturore midis realitetit dhe mitit!

Lufta e fundit në Kosovë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, si për shumë studiues ashtu edhe për opinionin publik, është vlerësuar si përplasje e qytetërimit të krishterë dhe myslimanë, dhe në këtë kontekst gjithmonë theksohet miti serb për Kosovën, ky mit shfaqet nga “gjuha shpërthyese e klerit, intelektualëve dhe nacionalistëve serbë” (Ch. Mylonas, G. Duijzings), që përfaqësojnë palën serbe si mbrojtëse të Europës dhe të krishterimit. Në fakt dihet se nga pikëpamja fetare serbët i përkasin kryesisht të krishterëve ortodoksë, ndërsa shumica e shqiptarëve janë myslimanë, dhe pjesa më e vogël i përket krishterimit romako-katolik dhe bizantin-ortodoks. Kjo strukturë aktuale fetare, duke përfshirë edhe fetë e tjera ekzistuese në Kosovë, konsiderohet si gur themeli për krijimin e miteve për Kosovën, para së gjithash, është krijuar më zë të lartë "miti serb, i cili e percepton Kosovën si zemër dhe shpirt të identitetit kombëtar dhe fetar serb", dhe i dyti “Miti shqiptar”, i lindur në kohët moderne si nevojë për të vërtetuar vazhdimësinë iliro-arbër-shqiptare edhe në hapësirën e shtetit të ri të Kosovës dhe në pjesët të tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë”.

Si duket gjendja e trashëgimisë kulturore në terren?

Në territorin e Republikës së Kosovës që nga periudha parahistorike e deri më sot njerëzit kanë zhvilluar trashëgiminë e tyre kulturore. Strukturat etno-kulturore, qytetërimet, popujt kanë lanë si trashëgimi pasardhësve të tyre shumë burime të shkruara, materiale dhe gojore mbi vlerat e Trashëgimisë Kulturore. Prandaj, Kosova tregon një shembull të diversitetit të pasur të Trashëgimisë Arkitekturore (Monumentet e Kulturës, Ansambli i ndërtesave, Zonat e konservuara arkitektonike); Trashëgimia Arkeologjike e Paluajtshme  (Ndërtimet, Strukturat dhe grupet e ndërtesave, Monumentet e llojeve të ndryshme dhe përmbajtja e tyre, të gjetura në tokë ose nën ujë, Peizazhe kulturore), dhe Trashëgimia Arkeologjike e Luajtshme (Objekte që janë shprehje ose dëshmi e krijimtarisë njerëzore ose e zhvillimit natyror, të dalluara nga vlera me rëndësi dhe interes historik, arkeologjik, artistik, shkencor ose shpirtëror).

Deri më tani në Kosovë janë evidentuar mbi 3200 objekte me vlera monumentale, 427 prej të cilave janë të shpallura nën mbrojtjen e ligjit dhe si të tilla janë të regjistruara në Regjistrin Qendror të Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. Këtij potenciali të pasur të trashëgimisë kulturore duhet t'i shtohen edhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore, që do të shpallen monumente historiko-kulturore. Një përparim i madh në këtë drejtim është bërë me hyrjen e Manastirit të Deçanit në Listën Botërore të Trashëgimisë Kulturore (UNESCO) në vitin 2004.

Në territorin e Kosovës gjatë periudhës 1998-1999 janë shkatërruar 1025 objekte të Trashëgimisë Kulturore. Ndër to, 150 ishin xhami dhe teqe dhe 56 kisha e manastire. Në këtë aspekt, në domosdoshmëri për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, është dashur aplikimi për Zonat Mbrojtëse i cili është ratifikuar sipas Ligjit të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës dhe planit të Martti Ahtisaar. Praktika ka vërtetuar vështirësi në harmonizimin e të gjitha qëndrimeve në lidhje me krijimin e zonave dhe veçanërisht në përcaktimin e mekanizmit për menaxhimin e zonave. Në këto kushte, është e nevojshme të kemi një integrim të rregulloreve ligjore dhe politikës kulturore.

Trashëgimia Kulturore dhe mbrojtja e saj është një disiplinë shkencore, e cila në shtetet multikulturore dhe të ndjeshme politikisht kërkon një qasje shkencore objektive. Si i tillë ai shërben si një burim material për studimin e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes. Përveç kësaj ka rëndësinë në humanizëm të jetës së njeriut dhe të mjedisit ku ai jeton. Në këtë kontekst, mbrojtja, konservimi dhe restaurimi i objekteve sakrale dhe profane kontribuon jo vetëm në ruajtjen e vlerave historiko-kulturore, sociale, ekonomike dhe fetare, veçorive të veçanta të zhvilluara në Kosovë, por edhe në ruajtjen e paqes në rajon.

Një ndikim të rëndësishëm në Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore luan “Dëshmia e Trashëgimisë Kulturore”, proces i cili u realizua gradualisht nga gjysma e dytë e shekullit të 19-të, veçanërisht nga viti 2001 e deri në ditët e sotme. Dëshmia është realizuar nga institucionet qendrore dhe rajonale të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore të Kosovës të ndihmuara nga institucionet ndërkombëtare të udhëhequra nga UNMIK-u, UNESCO dhe Këshilli i Europës. Gjatë periudhës 2001-2005 janë evidentuar rreth 2800 objekte të trashëgimisë kulturore. Pjesa më e madhe e tyre u krijua gjatë periudhës osmane (1389-1912). Pjesa tjetër i përket periudhës iliro-dardane, romake, paleokritsitiane, bizantine dhe ortodokse-serbe.

Vëmendje e veçantë i kushtohet kujdesit për konservimin e monumenteve që i përkasin kultit serbo-ortodoks dhe të monumenteve të kultit mysliman, si dhe kështjellave antike dhe mesjetare.

Burimi: Jahja Drançolli, Protecting Cultural Heritage in Kosova, in: Çanakkale, World Universities Congress, 2010 (summary)!

Ilustrimi:   Studenica, Istog Remains of an early Christian basilica, in: Jahja Drançolli, Kosova: Archaeological Heritage: Encyclopedia of Global Archaeology, 2014; 2020!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora