Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Berisha: Misioni paqëruajtës në Irak konsolidoi solidaritetin dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

| E shtune, 27.12.2008, 03:34 PM |


Nga Gazeta 55
 
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e pritjes së  trupave ushtarake shqiptare që kanë shërbyer në misionin paqeruajtës  “Liria e Irakut”, në Mosul dhe në Bagdat.
Në fjalën  përshëndetëse Kryeministri Berisha pasi i uroi trupat ushtarake shqiptare për përmbushjen me sukses të misionit të tyre dhe kthimin faqebardhë në atdhe, vlerësoi se prania e ushtarëve shqiptarë në Irak ishte para së gjithash simbol i respektit, mirënjohjes dhe miqësisë që shqiptarët ndiejnë ndaj një kombi të madh; kombit amerikan, qeverisë amerikane dhe Presidentit Bush.  
Kryeministri u shpreh më tej se më shumë se çdo gjë tjetër ky mision ka shtuar solidaritetin dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës , por edhe me Irakun që po ndërton sistemin e tij demokratik.
Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e plotë për vazhdimësinë e bashkëpunimit të shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Presidentin e zgjedhur Barack Obama.  
“Bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi patur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara George W. Bush do ta vazhdojmë me Presidentin e zgjedhur Barack Obama në të gjitha rastet në të gjitha frontet që të jetë e nevojshme”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John L. Withers i pranishëm në këtë ceremoni e vlerësoi si një kënaqësi të veçantë të dëshmosh që ushtarët shqiptarë të sapo kthyer nga shërbimi në Irak kanë përmbushur detyrën e tyre me nder dhe janë kthyer pranë familjeve të tyre.
“Ju sjell sot falënderimet e qeverisë amerikane, për ndihmën e dhënë për vendosjen e paqes dhe lirisë në një tokë të largët.Sot ju përcjell respektin e kombit amerikan për kurajon e treguar në sy të rrezikut dhe për sakrtificat e bëra duke qëndruar kaq larg familjeve dhe shtëpive tuaja. Sot ju shpreh mirënjohjen e përzemërt të popullit amerikan pasi keni qenë gjithmonë miq të Amerikës kur ajo ka pasur nevojë dhe unë shoh përpara drejt asaj dite që nuk është shumë e largët më kur ju të qëndroni përkrah nesh si anëtarë të NATO-s”, u shpreh ndër të tjera Ambasadori i SHBA-së në Tiranë.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj si dhe drejtues të tjerë të lartë të ushtrisë.         

Fjala e Kryeministrit Berisha gjatë ceremonisë së pritjes së ushtarëve të kthyer nga misioni paqeruajtës në Irak:

Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë,
Sot jemi mbledhur këtu në këtë ceremoni për t`u shprehur mirënjohjen që mbyllët me dinjitet misionin tuaj 5- vjeçar në Irak  për të shprehur këtu mirënjohjen më të thellë ndaj jush, për t`ju uruar ju me shumë përzemërsi: Mirë se erdhët faqebardhë në Shqipëri!
Dita e sotme për ju, për familjet tuaja, për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, qeverinë shqiptare dhe çdo qytetar të këtij vendi është një ditë që mbush zemrat dhe mendjen tonë me ndjenja të fuqishme krenarie, respekti dhe mirënjohje për bijtë dhe bijat e këtij vendi, që pasi përmbushën një mision të madh në një vend mik rikthehen në vendin e tyre.
Pesë vjet më parë nga ky shesh, njësia e parë e Brigadës Komando u nis për në Irak, pas vendimit të qeverisë shqiptare për t`u bashkuar në koalicionin e vullnetit të atyre të cilët donin të ndihmonin kombin irakian për të ndërtuar paqen, lirinë dhe demokracinë në vendin e tyre. Pesë vjet ju shërbyet në Mosul në Bagdat, ju dhatë një kontribut të jashtëzakonshëm, ju mbrojtjët jetën e qytetarëve irakianë, ju shkuat atje në një kohë kur Iraku përjetonte pasojat e tmerrshme të një diktature barbare. Riktheheni sot nga një Irak që ka një qeveri të zgjedhur demokratike, riktheheni sot nga një Irak, i cili çdo javë ccdo muaj merr në duart e veta paqen sigurinë e qytetarëve dhe të vendit.
Misioni juaj ishte një mision i bekuar, të tilla janë të gjitha misionet e paqes, i tillë është misioni që vëllezërit tuaj kryejnë në Afganistan, në Çad e kudo gjetiu. Por ky mision kishte një specifikë tjetër të madhe. Ju atje shkuat së bashku me trupat e ushtrisë amerikane, të ushtrisë më të shkëlqyer të planetit. Prania juaj ishte para së gjithash simbol i respektit i mirënjohjes i miqësisë që shqiptarët ndiejnë ndaj një kombi të madh, ndaj qeverisë amerikane, dhe Presidentit Bush.
Kam patur rastin t`ju vizitoj në Mosul. Jam ndjerë thellësish i impresionuar nga marrëdhëniet e shkëlqyera , bashkëpunimi i përsosur, koordinimi i plotë i juaji me njësitë amerikane në Mosul.

Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë,

Në këtë mision më shumë se çdo gjë tjetër ju keni shtuar solidaritetin dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara, por edhe me Irakun që po ndërton sistemin e tij demokratik. Unë kam bindjen se sot ju jeni më të gatshëm se kurrë, më të aftë, më të vendosur më profesionstë për çdo mision që do kërkojë vendi brenda dhe jashtë tij. Bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi patur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara George  W. Bush do ta vazhdojmë me Presidentin e zgjedhur Barack Obama në të gjitha rastet në të gjitha frontet që të jetë e nevojshme.
Dua të falenderoj këtu para jush dhe të gjithë shqiptarëve, nënat, baballarët, bashkëshortet, fëmijët, të gjithë njerëzit tuaj, të cilët ju kanë përcjellë ju natyrisht me guxim dhe kurajo, por dhe me ndrotje të pashmangshme për fatin tuaj në Irak. Mbështetja e tyre ndaj jush ka qenë një faktor madhor në përmbushjen nga ju të të gjitha detyrave në sukses të plotë. Ju i keni nderuar ata dhe ata janë krenarë me ju, por ne jemi krenarë me ju, jemi krenarë me prindërit tuaj , bashkëshortet tuaja, fëmijët tuaj, familjarët tuaj për solidaritetin e jashtëzakonshëm familjar që treguan ndaj jush.
Edhe njëherë mirë se erdhët faqebardhë në Shqipëri! Gëzuar vitin e ri 2009, vit me gëzime , suksese dhe mbarësi për ju, familjet tuaja, të gjithë ushtarët shqiptarë që ndodhen sot, në Shqipëri, Afganistan, Bosnje, Çad, Gjeorgji apo kudo që janë.