Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Genc K. Hoti: Enver Hoxha

| E shtune, 27.12.2008, 09:50 PM |


Genc K. Hoti
Enver Hoxha

Nga Genc K. Hoti

Përvjetorët e lënë zakonisht një kujtim të lidhur me ngjarje reale. Por përvjetorë që të lënë kujtime ngjarjesh ireale mund të ndodhë vetëm në një vënd të botës dhe vetëm për një njeri. Shqipëria dhe Enver Hoxha përbëjnë realen dhe irealen e kujtesës së shqiptarit të sotëm. Ardhja e demokracisë ka vënë në pikëpyetje të plotë ngjarjet më madhështi të rreme plot suksese të famshme historike me përmasa krejt fallso. Kur e vret mëndjen për këto gjëra dhe e kupton se padija e jonë e sotme është fitorja e përgjakshme e Enver Hoxhës mbi Historinë, Drejtësinë dhe Shpirtin e stërplakur të shqiptarit, të vjen të ulërish me sa ke në kokë për madhështinë e rreme të historisë së tij. Këtë nuk bën të mos e dish, për këtë nuk bën të mos interesohesh. Ai që nuk kërkon të dijë, ai që nuk interesohet, e lë Enverin fitimtar në histori.  Të mos harrojmë sentencën:

“Ju qorroftë një sy ai që kujton të kaluarën, por ju qorrofshin të dy sytë ai që harron të kaluarën”.

Kryesorja që përfitoi enverizmi nga shqiptari ishte gadishmëria për të mohuar. Atë e arritën me torturat e pafundme në qelitë e burgjeve të famshme enveriste, atë e demostruan me proçeset gjyqësore shëmbëllore për të gjithë njerëzimin dhe për të gjithë kohërat. Enveri imponoi tek shqiptarët figurën e Uriah Hipit. Të mohosh nënën, të mohosh babanë, të mohosh gruan apo burrin, të mohosh fëmijët, të mohosh vëllanë dhe motrën, të mohosh ç’të shohin sytë e ballit e ç’të dëgjojnë veshët, të mohosh vetveten dhe kujtesën tënde; -ja kjo ishte deviza enveriste që ju imponua njeriut shqiptar të mesit të dytë të shekullit të XX-të. Lufta kundër tyre është dituria, është fitorja më e madhe mbi të kaluarën, është mohimi i krimit kolektiv.

Të flasësh saktësisht për figurën e Enver Hoxhës sot është plotësisht e pamundur pasi dokumentacioni shkrimor dhe dëshmitarët okularë janë asgjësuar plotësisht. Por ne kemi mundësi të argumentojmë dhe të vërtetojmë se si nuk ka qënë pamja historike e perëndisë shqiptare.

Mbas vdekjes së Enverit, në Shqipëri filluan thashethemet mbi figurën e tij dhe të Nexhmije Hoxhës (Xhuglinit). U shpikën të qëna e të paqëna, u thanë të turpshme e të paturpshme; dikush e bëri vagabond e qejfli femrash1, dikush homoseksual2, e pastaj me rradhë kriminel, diktator, tradhëtar i interesave kombëtare e shumë e shumë epitete të tjera. E duke qënë kontradiktore njëra me tjetrën këto epitete e bënë edhe më misterioze e të fshehtë figurën e sundimtarit shqiptar. Duke qënë bashkëkohor në 30 vjet të sundimit të tij dhe një studiues i veprave të plota (jo vetëm i serisë 71 vëllimshme) kemi arritur në përfundimin që përbaltja e figurës së Enver Hoxhës me paramendim dhe urrejtje (qoftë dhe e drejtë) nuk ka ulur Enverin, por popullin shqiptar që duroi një figurë kaq imorale. Sado negativ të jetë një individ, përqasja e shpirtit të tij me karakteristikat më negative të karakterit të njeriut nuk ul atë por ambientin që e rrethon. Në këtë mënyrë nuk ishte Enveri i keq, por populli shqiptar që polli një figurë të tillë dhe e duroi për 40 vjet me radhë pa i dalë asnjëherë ballë për ballë (përjashto dy raste: në pleniumin e dytë të Beratit (nëndor 1944) dhe në konferencën e partisë së Tiranës  më 1956 - raste të cilat hëngrën koka njerëzish). Nuk mund të kapërcehet kaq lehtë figura e Enver Hoxhës kur flasim për historinë e gjysmës së dytë të shekullit të XX-të të Shqipërisë. Njeriu që rrotulloi rreth vetes 3 milion shqiptarë, që vodhi një popull të tërë për pesë vjet (1944-1949), që skllavëroi një popull të tërë për 47 vjet (1944-1991), që masakroi 1/3 e të gjithë shqiptarëve me banim në Shqipëri e Kosovë (250 000 të vrarë dhe 750 000 të burgosur dhe internuar); e pasi i bëri të gjitha këto bëri të vajtojë një popull të tërë me 15 prill 1985 kur trupi i tij po fundosej në tokën e mallkuar. Nuk është kaq e thjeshtë analiza e figurës së Enverit siç na përshkruhet në disa artikuj apo broshura. Mënyra se si veproi për 41 vjet me rradhë ishte shprehje e një gjenialiteti jo të zakonshëm dhe dukuri tepër-tepër e rrallë edhe për botën e qytetëruar. Kemi lexuar për diktatorë, vrasësa, kriminelë, njerëz të tmershëm, gjakpirësa e vampirë; por të gjithë këto e kishin një pikë të dobët dhe, në fund të fundit, e lanë një shënjë në historinë e njerëzimit. Kurse me Enver Hoxhën ndodhi krejt ndryshe. Duke qënë përmbledhje e të gjithë karakteristikave të mësipërme, vetëm se me duar krejt të pastra, ai la gjurmë vetëm tek populli shqiptar e me vdekjen e njerëzve të brezit 1930-1980 ai do të zhduket automatikisht. Atëhere historia nuk ka se ç’të thotë më për këtë figurë. Vallë kaq e thjeshtë paska qënë figura thelbësore e partisë që të ekzistojë vetëm afro një shekull? Pikërisht pse nuk është kështu, pse figura e Enver Hoxhës është më tepër komplekse se sa është shkruar deri më sot, pse ai  e ka pasur një qëllim final të cilin nuk e realizoi dot pushtimi 500 vjeçar i turqve osmanllinj, ne kemi arritur në përfundimin se gjithëshka e shkruar është thënë për të fshehur të vërtetën e tmershme dhe jo për ta zbardhur atë. Koha do të tregojë se kush ka të drejtë!

Të flasësh se kush është Enver Hoxha është e nevojshme të thuhet se kush nuk ishte ai së pari e pastaj të kalohet tek figura e tij. Bile duhet pranuar se duhet shkruar më shumë për mos qënien se për qënien.

Thuhet se ka lindur më 16 tetor 1908 në Gjirokastër (edhe ditëlindja e Enver Hoxhës është pak me probleme edhe pse ajo nuk paraqet asgjë domethënëse me domosdoshmëri. Sipas Gazetës “Bashkimi” të datës 03 shtator 1946 rezulton se në këtë datë të vitit 1908 ka lindur Komandanti, kurse në një album të botuar me rastin e dy vjetorit të çlirimit thuhet se Enveri na paska lindur me 03 shkurt 1908. Por një kërkim i hollësishëm në arshivën e shtetit çon në një përfundim krejt tjetër. Sipas regjistrit të Gjirokastrës, Nr 6, f. 75, Lagja Teqe, rruga Koto Hoxhi shkruhet: Enver Hoxha, babai Halil, nëna Gjylo, datëlindja 12.05.1908.3) nga dhe rridhte  familja e Hoxha-llarëve, prejardhja e së cilës është e paditur. Mbiemri Hoxha dhe të qënurit një familje tipike muslimane na çojnë në përfundimin se është mundësia të vërtetohet se kemi të bëjmë me familje të ngulura nga pushtimi osman dhe aspak me familje tipike shqiptare. Nuk e themi këtë për të ndarë Enverin nga popullata shqiptare, por ka mbetur akoma e pa argumentuar se çfarë është bërë me qindra-mijëra familje muslimanësh të sjella nga pushtuesit osmanllinj në trojet tona në intervalin kohor 1500-1900. Fakti që një vëlla i gjyshit të tij ka shërbyer si mulla në repartet osmanllinj ndëshkimore të ushtrisë4 duhet të bëjë lidhjen e të sotmes me të kaluarën jashtëshqiptare përsa i përket gjenezës së familjeve Hoxha në Shqipëri të cilët nuk kanë asnjë lidhje farefisnore midis tyre, por që janë në të gjithë territorin shqiptar.

Për ne nuk ka rëndësi aspak fëmijëria e Enverit, pasi ajo duhet të vërtetojë një pjesë të genit të tij dhe asgjë më shumë. Këtë të fundit e vërtetojmë saktësisht me anë të xhaxhait të tij Hysen Hoxhës. Enveri ka pretenduar se familja e tij ka qënë e implikuar në luftën e madhe që bëri populli shqiptar për pavarësi dhe pikërisht xhaxhai i tij Hyseni ka qënë në Vlorë5 kur u ngrit flamuri, u shpall pavarësia dhe u formua qeveria e parë6. Në faqet e atij libri7 botohet një fotografi të cilën Enveri na e paska kërkuar për disa dekada dhe e kishte gjetur vetëm me 28 nëndor 1972 në muzeun e pavarësisë. Gjithashtu Enveri pretendon se xhaxhai i tij më 1916 ka qënë kryetar bashkie i Gjirokastrës8 dhe grekët e hoqën nga ky post, por protesta popullore, muslimanë e të krishterë, bëri që ai të rivendosej përsëri9. Me këto pretendime Enveri kërkon t’i mbushë mëndjen popullit shqiptar se familja e tij ka menduar dhe luftuar për këtë popull se edhe ai, si bir i denjë, po bën të njëjtën gjë. Po si është e vërteta?

Në mënyrë të plotë të gjitha këto janë të rreme dhe ja sepse:

Së pari, Hysen Hoxha nuk ka qënë në Vlorë në kohën e ngritjes së flamurit (28 nëndor 1912) pasi firma e tij nuk gjëndet në aktin e madh të shpalljes së pavarësisë10. Përkundrazi si përfaqësues i Gjirokastrës ka qënë Elmaz Boca (firma e katërt në akt).

Së dyti, Hysen Hoxha nuk ka qënë as në Kuvendin e Vlorës, të mbajtur me 2 dhjetor 1912. Në librin “Shqipëria më 1927” thuhet se kuvendi i Vlorës kishte Ismail Qemalin me 47 delegatë dhe pasqyra në faqen XXI ka emrat e tyre, ku përsëri emri i Hysen Hoxhës nuk figuron11. Bile ky libër (vëllimi i ilustruar) ka dhe fotografinë e atij kuvendi që Enveri na e paskërka kërkuar. Në këtë rast padija duket sheshit e shoqëruar me mashtrimin pasi është spekulluar me emrin e Hysen Efendi Gjirokastritit.

Së treti, nuk është e vërtetë që ajo fotografi ka qënë e panjohur dhe e publikuar vetëm në muzeun e pavarësisë. Më 1962 është botuar një album me fotografitë e rilindasve tanë ku ndodhet pikërisht fotografia që Enver Hoxha na e kishte kërkuar për disa dekada dhe e kishte gjetur vetëm më 1972 duke qënë larg saj vetëm një dekadë. Autorët e librit mbi Enverin pretendojnë se ajo fotografi është një montazh ku është fotomontuar paturpësisht fotografia e Hysen Hoxhës12. Për hir të vërtetës duhet pranuar se fotografia e botuar në librin e Enverit është krejtësisht një fotokopje e origjinalit 13, por urrejtja nuk i ka lejuar autorët e nderuar të dallojnë se ajo fotografi nuk ka Hysen Hoxhën, por njërin nga këta tre patriotë: Dud Karbunarën, Sherif Efendiun ose Myfti Vehbiun. Domethënë shigjeta që tregon Hysen Hoxhën tek “Vitet e vegjëlisë” nuk është e saktë.

Së katërti, pretendimi i Enverit për xhaxhain e tij si kryetar bashkie dhe veprimin e grekëve më 1916 në lidhje më të është me të vërtetë i gënjeshtërt në mënyrë skrupuloze. Në ato vite në Gjirokastër inteligjenca vëndase formoi organizatën ilegale “Kandili” e cila luftoi për të eleminuar influencën greke në atë krahinë. Ishin këta intelektualë që botuan gazetën “Mbrojtja e Epirit” në gjuhën greke (intelektuali jurist Doktor Vasil K. Dilo ishte pronari) , dhe kur administrata greke hoqi Hysen Hoxhën nga posti i kryetarit të bashkisë, ishte artikulli i avokatit të nderuar Dr. Vasil Dilo-s në atë gazetë të datës 11. 02. 1916, me numër 105 që e ktheu mbrapsht urdhërin e parë dhe aspak revolta popullore. Këtu ka një fakt shumë të rëndësishëm për figurën e Hysen Hoxhës, nga i cili përfitoi Enveri kur bëri shpikjet e tija. Edhe pse në Shqipëri ka ekzistuar konfrontimi formal midis të krishterëve dhe muslimanëve, për një rast kur vihet në diskutim çështja kombëtare, ortodoksia ngrihet në mbrojtje të kësaj çështjeje edhe pse ajo përfaqësohet nga një musliman dhe pushtuesit ishin ortodoksë. Veprimi i inteligjencës gjirokastrite ishte në mbrojtje të Hysen Hoxhës dhe duhet të tregojë se në fund të fundit ai ishte një figurë pozitive për atë qytet duke lënë mënjëanë interesat familjare. Nga pozicioni i Hysen Hoxhës me administratën mbretërore përfiton Enver Hoxha që merr një bursë për studime jashtë shtetit pasi kishte mbaruar leceun francez të Korçës. Nga të gjitha këto rezulton se familja Hoxha në Gjirokastër kishte personalitetin e vet pozitiv nga i cili përfitoi Enver Hoxha për tu shkolluar në Korçë e jashtë shtetit.

Problemi i të qënurit student jashtë shtetit i Enver Hoxhës nuk ka qënë kurrë i qartë aq më tepër kur qarkullonin zëra se ai nuk kishte marrë asnjë provim dhe duke mos marrë diplomë konsiderohej i pa arsimuar me shkollë të lartë. Duhet vënë në dukje se këto probleme nuk u sqaruan kurrë dhe gjithëshka ka mbetur e errët, por që dikush tentoi më 1976 ta zbardhë këtë problem hëngri plumbin kokës (bëhet fjalë për dy poetët e rinj në moshë Genc Leka dhe Vilson Blloshmin). Pas 1991-shit pati disa tentativa për të ndriçuar të vërtetën, por ato ranë në rezonancë me thashethemet e kaluara duke e shtuar edhe më tepër misterin. Duhet pranuar se problemi i arsimimit jashtë shtetit i Enver Hoxhës duhet të përbëjë nyjen gordiane të jetës së mëpastajme të tij. Ekzistojnë dritare tepër të vogla që të mund të ndriçojnë këtë të fshehtë, kështu që përfundimi do të ketë më tepër karakter hamëndor se sa dokumentar.

Për herë të parë e dokumentuar, pas 1944, qënia e Enver Hoxhës për studime është dhënë në Historinë e PPSh-së fare-fare shkurt. Sipas kësaj historie, në të dy botimet e saja, thuhet: “Ai shkoi në Francë për të vazhduar studimet e larta...Prerja e bursës e detyroi Enver Hoxhën të shkonte në Bruksel dhe njëkohësisht vazhdoi studimet14. Në të vërtetë është vetë Enveri që na jep një informacion më të plotë për këtë problem vetëm se kjo pas 1998. Sipas këtij informacioni Enverit ju dha një bursë për histori-gjeografi për në universitetin e Monpeljesë15, por pas disa manovrave të tij u regjistrua për në fakultetin e shkencave të natyrës16 Fakti i ndërprerjes së studimeve në Francë pa na dhënë asnjë hollësi të mëtejshme tregon se këtu fshihet jo mos mbarimi i shkollës, por çfarë studjoi ai në ato vite në Francë. Sipas një deputeti në parlamentin shqiptar pas 1992-shit ka ekzistuar një telegram i ministrit shqiptar të Arësimit dërguar ambasadës shqiptare në Paris me këtë përmbajtje: “Lutemi merrni shënim se në fund të muajit mars të vitit 1934 i pritet bursa përfundimisht studentit Enver Hoxha në Francë”17. Të gjithë këto të dhëna nuk tregojnë asgjë konkrete aq më tepër kur kanë karakter gojor të transmetuar prej brezash dhe nuk është çudi të jenë të sajuara.

Çudia më e madhe qëndron në Enciklopedinë franceze Petit Robert (1983) e cila nuk shkon më larg se sa hamëndjet e mësipërme pa e trajtuar problemin me hollësi. Sipas saj Enver Hoxha studioi në Belgjikë dhe Francë, porse çfarë studjoi ec e merre vesh (pozitiv është fakti se pranohet studimi në Belgjikë, – ekziston një personazh Blloshmi në Bruksel më 1934, një tjetër në Tiranë më 1944 ikur me ambasadorin anglez më 1945: piktorja Sara Blloshmi). Më të plotë këtë problem e sqaron Fjalori Enciklopedik Shqiptar, por që duhet nënkuptuar si një zgjidhje sipas interesave të diktatorit. Sipas këtij fjalori Enver Hoxha ishte student në Francë në Fakultetin e shkencave të natyrës të universitetit në Monpeljë (specialiteti i biologjisë). Pastaj është trajtuar me bursë të ndërprerë në Paris duke vazhduar leksionet në Fakultetin e Drejtësisë në mënyrë të pavarur. Prej këtej kaloi në Bruksel kur më 1936 kthehet përfundimisht në atdhe. Domethënë sipas kësaj enciklopedie Enveri  ka studiuar vetëm në Francë kur Historia e PPSh-së dhe Enciklopedia franceze e zgjerojnë edhe në Belgjikë. Kontradikta duket e pa rëndësishme, por që fsheh edhe më thellë të panjohurën. Rëndësi ka që Enciklopedia franceze kopjon historinë e PPSh-së duke mos dashur ta thotë të vërtetën. I vetmi dokument i kohës që bën fjalë për studimet e Enver Hoxhës është gazeta Demokratia e datës 1 gusht 1936 ku Enveri flet përpara varrit të Bajo Topullit si student në drejtësi. Meqënëse të gjithë bashkëmoshatarët e tij nuk bëjnë fjalë për këtë fakt, duke e ditur se ai ekziston i botuar, arrijmë në përfundimin se të dhënat mbi Enver Hoxhën në gazetën “Demokratia” janë dhënë nga vetë Enveri, çka përsëri fsheh më tepër sekretin e studimeve të tij.

Përfundimisht problemi mbyllet i pazgjidhur duke marrë në konsideratë një zë të fshehtë që thotë se Enver Hoxha ka përfunduar studimet universitare i përgatitur në shkencat politike për drejtim shteti i komanduar nga drejtuesit e shteteve me interesa politike në Ballkan. I zgjidhur në këtë mënyrë ky problem zgjidh të gjitha enigmat e mëvonshme të partisë komuniste shqiptare duke na dhënë figurën e vërtetë të diktatorit shqiptar. Por ka edhe një dritare tjetër më të madhe dhe të saktë që na çon në përfundimin e mësipërm duke e zgjeruar edhe më shumë pamjen e diktatorit shqiptar.

Ngjarjet e mëposhtme janë dhënë deri më sot gjithmonë sipas ideve të Enver Hoxhës ku është mashtruar pa pikë turpi për të fshehur karakterin diskretitues sipas psikologjisë së shqiptarëve.

Më 1986 doli në qarkullim një album me rastin e një vjetorit të vdekjes së Enver Hoxhës ku botohej një fotografi që jepte faksimilen e fjalës së Enverit mbajtur para varrit të Bajo Topullit dhe të botuar në gazetën “Demokratia” të datës 1 gusht 1936 ku fjala e Enverit është në faqen e parë dhe si kryeartikull i gazetës në fjalë (foto 1). Mashtrimi duket i parëndësishëm kur dihet që ekziston realisht një ngjarje e tillë. Por duhet thënë se si kryartikull në atë gazetë të datës 1 gusht 1936 (nr. 505) është artikulli “Populli dhe zyrtarët” (foto 2), ndërsa ceremonia e inagurimit të varrit  të Bajo Topullit përshkruhet në faqen 4 ku botohet dhe fjala e Enver Hoxhës. Ka një pretendim për këtë ngjarje: sikur fjalën nuk e ka mbajtur Enveri, por Eqrem Çabej18. Gazeta në fjalë, e gjetur në Bibliotekën Kombëtare, flet të kundërtën e pretendimit dhe duke ditur se libri i botuar më 1996 ka shumë pasaktësira ne i dhamë të drejtë gazetës “Demokratia” të gjëndur në Bibliotekën Kombëtare.

Por nuk është vetëm kjo. Sipas Enverit atij ju propozua mbajtja e fjalimit kryesor e të parë në ceremoni19, por gazeta në fjalë rrëfen për të kundërtën, sipas së cilës i pari foli Nikollaq Zoi, prefekti i Gjirokastrës, pastaj foli drejtori dhe pronari i gazetës Demokratia, Xhevat Kallajxhi dhe pastaj foli Enver Hoxha, student në drejtësi20 (foto 3).

Por ngjarja më diskretituese për figurën e Enver Hoxhës është ajo e ndodhur në Shkodër në një vit të paditur për të cilin Enveri nuk la gur pa lëvizur për ta fshehur nga historia. Por fototeka “Marubi” i çjerr maskën diktatorit duke na dhënë një pamje krejt tjetër për tjetër. Më 1945 e bija e fotografit patriot, Bernardina Marubi (Harapi), zbulon se udhëheqësi i ri i popullit shqiptar paska qënë në Shkodër dikur në të kaluarën dhe këtë fotografi i vëllai, Gegë Marubi, e vendos në studion e tij.  Ky  veprim  bëri  që  Enver  Hoxha t’ja kërkonte paturpërisht fototekën e famshme dhe plaku i urtë u detyrua ta “dhuronte” më 1970.

Pas 1970-ës është pretenduar se Enver Hoxha ka qënë me delegacionin gjirokastrit në Shkodër për të marrë eshtrat e Çerçiz Topullit dhe Moço Qullit ku dhe ka mbajtur një fjalim përpara popullit të këtij qyteti nga ballkoni i Bashkisë. Dikush pretendon se këtë fjalim do ta mbante Hasan Dosti, por sëmundja e detyroi këtë të fundit t’ja kalonte Enver Hoxhës fjalimin e shkruar (kujtimet e Njazi Çarçanit21).

Dyshimi për saktësinë e këtij fakti lindi ngaqë ka qënë vetë Enver Hoxha ai që e ka publikuar këtë fakt pa e futur veten në përbërjen e delegacionit për këtë ngjarje22.

Më 1978 u botua një album me rastin e 70 vjetorit të Enverit ku, midis të tjerash, botoheshin dy fotografi me ngjarjen e Shkodrës. Sipas Albumit ngjarja ka ndodhur më 1937 dhe jepej delegacioni gjirokastrit prej 7 pjestarësh dhe një fëmijë ku Enveri ka kostum të zi (foto 4); gjithashtu jepej dhe Enveri duke folur i vetem nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës me shikim nga mitingu dhe kostum të hapur (foto 5) pa na dhënë datën e ngjarjes.

Fotografia e delegacionit gjirokastrit u publikua përsëri më 1982 në albumin me rastin e 75 vjetorit pa asnjë ndryshim nga publikimi i vitit 1978.

Por një album shumë interesant mbi historinë kombëtare prodhuar nga fototeka “Marubi”, botuar më 1982, nxjerr në dritë faktin se ngjarja ka ndodhur më 14 shtator 1936 dhe fotografia e parë e albumit është ajo e Enverit duke folur i vetëm nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës me sy të ulur (foto 6). Në faqen përbri jepet një pasazh i kujtimeve të Enverit për këtë ngjarje ku veçojmë dy fakte: së pari koha ka qënë e një stine që kërkonte pallto dhe, së dyti, kleri ka bëtë propagandë që populli të mos e priste mirë delegacionin dhe të mos kishte entuziazëm.

Një kërkim i mëtejshëm në Fjalorin Enciklopedik shqiptar (f.1104) e përmbys kohën e ngjarjes duke përcaktuar faktin se eshtrat e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit u transportuan nga Shkodra më 1937.

Pa kaluar një vit nga dalja e këtij fjalori, doli albumi i Enverit (botuar më 1986) ku u botuan dy fotografi për këtë ngjarje. Fotografia nr. 6 tregon Enverin duke folur nga ballkoni i Bashkisë (1936), por tashmë me një grup të tjerësh ku midis të cilëve dallohet kleriku Padër Anton Harapi, Ernest Koliqi dhe prefekti i Shkodrës Zenel Prodani. E veçanta e fotografisë është se ngjyra e kostumit qëndron midis ngjyrës së zezë dhe asaj të hapur (me sa duket e kuptuan difektin e mashtrimit, por ishte vonë). Fotografia Nr 4 jep delegacionin gjirokastrit (foto 4) pa asnjë ndryshim nga botimet e mëparshme. Pas të gjithë këtij materiali kontradiktor shtrojmë pyetjen: si është e vërteta e ngjarjeve të publikuara në ato fotografi dhe a ka qënë Enver Hoxha në mitingun e Shkodrës duke mbajtur dhe një fjalim?

Ngjarja e Shkodrës nuk është aspak ashtu siç është publikuar nga albumet dhe fjalori enciklopedik shqiptar.

Nga revista “Cirka” e datës 27 shtator 1936, nr 9, faqe 141-142, zbulojmë se delegacioni gjirokastrit arriti në Shkodër me 14 shtator 1936 dhe u mbajt mitingu në qëndër të qytetit, pranë PTT, pa e përmëndur bashkinë e qytetit. I pari foli profesor Ernest Koliqi (fjala e tij botohet në gazetën “Demokratia” e datës 10 tetor 1936). Kurse Padër Anton Harapi foli nga shkallët e PTT së vjetër, pa na dhënë datën se kur është organizuar mitingu në fjalë. Në fototekën “Marubi”, krahas fotografive të pretenduara, ekziston dhe një fotografi tjetër ku Padër Anton Harapi po i jep dorën Jonuz Topullit, të vëllait të heroit. Domethënë kleri katolik ka marrë pjesë në suksesin e mitingut me anë të oratorit të famshëm (fjala e klerikut patriot botohet me 3 tetor 1936 në gazetën “Demokratia”).

Por datën e mitingut e jep revista “Përpjekja shqiptare”, nr.1, tetor 1936, faqe 49; sipas së cilës me 15 shtator 1936 në Shkodër zbuloheshin dy varret e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit.

Ballafaqimi i këtij materiali me fotografitë e publikuara nxjerr në pah faktin se Enver Hoxha nuk ka qenë në Shkodër për të marrë eshtrat e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit. Rrjedhimisht fotografia që e tregon atë duke folur nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës ose është një montazh, ose është një tjetërsim ngjarjesh pasi në të nuk gjëndet asnjë nga anëtarët e delagacionit gjirokastrit të dalë në fotografi së bashku me parinë e Shkodrës. Ekziston nje fotografi e delegacionit gjirokastrit (pronë e z. Qerim Vrioni) kur kalon nëpër Berat dhe ku ndodhet vetem z. Beso Gega dhe paria e Beratit. Mungesa e Enver Hoxhës ne kete fotografi duhet të argumentojë, në mënyrë suplementare, se ai nuk ka qënë në Shkodër me këtë rast.

Në fototekën “Marubi”  gjënden dy fotografi të publikuara vetëm pas 1970-ës, njëra prej të cilave  pronë e familjes Topulli, ku tregohet delegacioni gjirokastrit së bashku me këtë pari ku gjëndet edhe koka e Enverit; kuptohet se ajo është futur pas këtij viti (foto 7).

Pas  këtij ballafaqimi del pyetja: përse i është dashur Enverit të gënjejë, në qoftë se ka qënë me të vërtetë në këtë ngjarje? Këtu del në dritë misteri i madh i jetës së tij, i cili nuk ka pse të mos lidhet me studimet në Francë. Fotografia me Zenel Prodanin (prefekt i Shkodrës në ato vite) duhet të jetë reale dhe nuk lidhet me ngjarjen tonë. Pra qëllimi i mashtrimit nuk ka qënë i lidhur me ngjarjen e 1936, por për t’i fshehur popullit shqiptar një akt të Enver Hoxhës të ndodhur në Shkodër, ndoshta më 1937. Në këtë pikë qëndron sekreti i madh i jetës së tij i pa zbuluar akoma edhe pse gjurmët për tek ai janë zbuluar. Informata për këtë sekret është e lidhur me formimin e rinisë zogiste për qytetin e Shkodrës ku Musa Juka (ministër i brëndëshëm në atë kohë) dërgoi njeriun e tij të fshehtë, Enver Hoxhën, të shkolluar jashtë shtetit mjeshtërisht nga anglo-francezët. Është pikërisht kjo ngjarje që mori në qafë Padër Anton Harapin pas 10 vjetësh.

Problem tjetër për jetën e Enver Hoxhës ka qënë qyteti i Korçës ku ai ndënji si nxënës në Lice dhe pas 1936 dy-tre vjet si mësues në po këtë lice. Ndënja në Korçë i ka shërbyer Enverit për ta inkuadruar veten në grupin komunist të Koçës (në fakt ky grup ka qënë dega e Shkodrës) dhe pjestar në lëvizjen punëtore të këtij qyteti.

Qoftë Historia e PPSh-së, qoftë Fjalori Enciklopedik shqiptar vënë në dukje faktin se Enver Hoxha ka qënë anëtar i grupit komunist të Korçës, pas 1936. Se sa e saktë është kjo mjafton t’i hidhet një sy fotografive që bëjnë fjalë për lëvizjen punëtore të Korçës. Në albumin e 1978-ës tregohet një grumbull të rinjsh dhe Enveri në rreshtin e parë në mes me diçiturën: “midis rinisë korçare(1938)” (foto 8). Fotografia në fjalë ka vetëm një veçori: personat ne te dy fotografite jane me te njejten mimike, por ne pozicione te ndryshme, ndoshta fotografia eshte kthyer mbrapsht.Zbulimi i ketij fakti u bë shkak i zbulimit të mashtrimit në atë fotografi. Në librin “Lëvizja punëtore në Shqipëri”, faqe 330, foto 9, jepet një fotografi me diçiturën: Shoku Enver Hoxha midis një grupi antarësh të shoqërisë “Puna” dhe të shoqërisë së punëtorëve rrobaqepës në Korçë, më 1938. Kjo fotografi e ka Enverin në mes, por krejt djathtas. Në qoftë se do të krahasojmë dy fotografitë do të dallojmë se janë po ato persona, me të njëjtën mimikë, por kordelja e bardhë mungon tek njëra. Nuk është e vështirë të kuptohet se Enveri është krejt fallso në këto dy fotografi; çka na ka çuar në përfundimin se ai nuk ka asnjë lidhje me lëvizjen komuniste në Korçë.

Ky përfundim gjen mbështetje nga dy burime të tjera, njëra prej të cilave nga qyteti i Korçës dhe tjetra kur analizohet përbërja e degës komuniste të Korçës. Një nga komunistët e viteve tridhjetë të atij qyteti tregonte se “Enver Hoxha sa ishte në Korçë nuk ka qënë kurrë antar i ndonjë celule komuniste”23. Gjithashtu duke ditur se dega e Korçës përbëhej vetëm nga ortodoksë, bëhet i pamundur pranimi i një muslimani midis tyre, aq më tepër kur korçarët kanë qënë në oponencë me njerëzit e qeverisë. Prej këtej duhet të dalë një përfundim tjetër: dërgimi i Enver Hoxhës, nga ana e qeverisë në Korçë, politike dhe aspak si një rastësi pedagogjike. Largimi i Enver Hoxhës nga Korça për në Tiranë përsëri ka ndjekur rrugën e përfitimit politik nga ana e Ministrisë Brëndëshme. Janë vite tepër të errëta të jetës së tij për të cilat ai nuk foli kurrë njësoj. Megjithëatë ne mendojmë se ky qytet nuk ka luajtur ndonjë rol përfitues në adresë të Enver Hoxhës. Përkundrazi është qyteti i Korçës që përfitoi nga ndënja e tij në të, pasi politika 50 vjeçare e PPSh-së ka në themel të sajë individët ortodoksë korçarë. Nuk përjashtojmë mundësinë e një thurjeje intrigash për të lidhur Enver Hoxhën me këtë qytet nga ana e francezëve ku me një gur u vranë dy zogj: u krijua figura komuniste e Enver Hoxhës dhe korçarët francezë drejtua PPSh-së për 50 vjet.

Me ardhjen e fashistëve italianë, e pastaj nazistëve gjermanë, u krijua mundësia që mbi popullin shqiptar të bëhej një ekperiment nën pamjen e luftën kundër nazifashistëve: u ndërrua klasa politike në përbërjen individuale të sajë. Ky ndërrim u bë nën pamjen e komunizmit dhe për 45 vjet është thënë e stërthënë se këtë komunizëm e drejtoi Enver Hoxha. Është apo nuk është e vërtetë, shqiptarët e sotëm vazhdojnë ta besojnë se është kështu. Por ne pretendojmë se pikërisht kështu nuk është. Do të përsërisim diçka nga kapitulli i kaluar sidomos për problemion e formimit të PKSh-re, por tashmë gjithëshka në funksion të Enver Hoxhës sipas asaj që ka deklaruar ai vetë shumë përpara dhe shumë afër.

Nuk ka dokumenta, por është pranuar pa kundërshtim se Enver Hoxha në mos pastë qënë themeluesi i PKSh-re, ka marrë pjesë në themelimin e sajë. Ka ardhur koha të themi se të gjitha këto nuk janë të vërteta, sidomos në planin kohor. Sot nuk ka asnjë rëndësi se kush e formoi PKSh-re, pasi e vërteta është tepër larg asaj që dinë shqiptarët e sotëm, por kur dhe ku u formua. Pikërisht këtë nuk di populli shqiptar, pasi polemika në shtypin opozitar nuk i dha rëndësi këtij fakti.albanovaonline

Për këtë problem të fundit Enver Hoxha në kohë të ndryshme ka dhënë tre (3) versione të ndryshme me aplikacione kohore të ndryshme dhe versioni më i njohur karakterizohet nga shumë-shumë fakte të rreme dhe kontradiktore.

Versioni i parë është dhënë më 1948 në Kongresin e I-rë të PKSh-re sipas të cilit:

“Shokët komunistë shqiptarë.... në një shtëpi të varfër të Tiranës, në gjirin e popullatës së varfër të varrit të Bamit, për të cilët do të luftonte Partia jonë, mundën të krijonin Partinë dhe të zgjidhnin Komitetin Qëndror provizor të Partisë”24.

 Por fraza e nënvizuar nga ne mungon në botimin e veprave të plota të Enverit25. A nuk të çon kjo në idenë se në atë kohë (1948) akoma nuk ishte piketuar shtëpia që do të quhej shtëpia e partisë?

Versioni i dytë është i njohur nga lexuesi nëpërmjet historisë së PPSh-së, por ne duam të vëmë në dukje se kjo histori ka qënë në kontradiktë të plotë me vetë Enverin. Sipas kësaj historie:

“Për udhëheqjen e Partisë u zgjodh Komiteti Qëndror (i përkohëshëm) prej 7 vetësh. Për drejtimin e tij u ngarkua Enver Hoxha, ndonëse nuk u caktua asnjë sekretar”26.

Ndërsa diktatori shqiptar në librin e tij mbi partinë do të shkruante:

“Për të siguruar unitetin nuk pati zgjedhje për kryetar ose sekretar të Komitetit Qëndror”27.

Dhe vetëm kaq. Në qoftë se këto të shkrojtura do t’i konsideronim të sakta, si është e vërteta? Me sa do të dalë më poshtë, në atë kohë (1941) sekretar i kësaj biçim partie ka qenë Miladin Popoviçi dhe kjo parti nuk ka qenë akoma Partia Komuniste Shqiptare e propaganduar më vonë. Dhe pikërisht këtë ka fshehur Enver Hoxha që nga viti 1941, dhe pikërisht të kundërtën e sajë sajoi më vonë përgjatë gjithë jetës së vet

Tjetër! Enveri ka pranuar se në Komitetin Qëndror të përkohshëm u pranua që të mos zgjidheshin krerët e ish grupeve komuniste, të cilët sipas tij, merrnin pjesë në atë mbledhje28. Sipas kësaj të dhëne rezulton se Koço Tashko na paska qënë kryetari i grupit komunist të Korçës dhe aspak Miha Lako, siç është publikuar prej 45 vjetësh. Gjithashtu dihet saktësisht se Zef Mala në atë kohë ishte internuar në Itali qysh nga viti 1939 (pas 1942 u dënua me burgim nga italianët dhe një vit më vonë vjen në Shqipëri). Domethënë nga grupi i Shkodrës nuk ishte asnjë nga udhëheqësit e grupeve. Atëhere përse është futur kjo frazë në këtë ngjarje? Ajo ka vetëm një shpjgim: PKSh-re nuk është formuar më 1941 në atë shtëpi që pretendohet dhe autorët e vërtetë të formimit të sajë nuk janë ata për të cilët është pretenduar sipas të dy varianteve (as jugosllavët dhe as  Enver Hoxha).

Versioni i tretë, që është versioni më i mundshëm, është publikuar me kohë, por me qënë se kërkush nuk guxonte të vinte në dukje lapsuset e perëndisë shqiptare ka mbetur i panjohur për lexuesin. Duhet ditur një gjë, që i gjithë versioni i njohur (i dyti) mbi formimin e partisë është ngritur në kuadrin e luftës së Enver Hoxhës kundër Tuk Jakovës dhe i pari ja vesh të dytit thelbin e versionit të propaganduar duke vënë në pah të vërtetën e vetme (sipas Enverit) mbi formimin e PKSh-re. Gjithëshka u sajua në Pleniumin e XIII-të (prill 1955), por që materialet e tij u botuan për herë të parë vetëm më 1972 kur Tuk Jakova kishte vdekur prej kohësh. Enver Hoxha sajoi një kontradiktë midis fjalëve të thëna nga Tuk Jakova, gjithmonë sipas Enverit, dhe “të vërtetës së madhe” të thënë nga Enveri. Ja kjo e “vërtetë”:

“Enver Hoxha që nga formimi i saj (PKSh-re, GH) dhe deri sot Partia e ka zgjedhur sekretar të sajë”29 dhe duke e lidhur me shtëpinë ku u formua partia thotë: “Në rast se Enver Hoxha nuk u zgjodh atëhere sekretar i Partisë, kjo është thënë dhe dihet se në atë kohë ishim të rinj”30.

Domethënë midis kohës së punëve të Miladin Popoviçit në atë shtëpi (po të jetë e vërtetë) dhe zgjedhjes së Enverit në postin e sekretarit të partisë ka ekzistuar një periudhë ndërmjetëse çka do të thotë se PKSh-re është formuar më 1943 në Labinot (ose Shmil) të Elbasanit dhe jo nga Miladin Popoviçi, siç është nënkuptuar nga shtypi opozitar, por nga një forcë politike jashtëshqiptare të përfaqësuar nga Bozhe Ivanoviç, i dërguari i Partisë Komuniste të Jugosllavisë në atë mbledhje, por që nuk dihet kë përfaqësonte realisht. Ishte pikërisht ky Bozhe që solli emrin e Enverit në atë mbledhje për ta vënë në krye të PKSh-re që do të formohej (bëhet fjalë për marsin e 1943-shit).

Me këtë ngjarje mbyllet në një farë mënyre cikli (në fakt ai zgjerohet edhe një hallkë) i trinomit të nevojshëm që fsheh thelbin e qënies së Enverit dhe sekretin e madh të jetës së tij. Bashkoni aktet e Enverit në Francë kur ishte student, ngjarjen reale të Shkodrës më 1937 (?) dhe emrin e sjellë nga Bozhe Ivanoviç, duke e vënë në krye të PKSh-re dhe shtetit shqiptar dhe do të kuptoni me lehtësi se çfarë përfaqëson sekreti i madh i Enver Hoxhës. Arësyeja përse është akuzuar Miladin Popçoviçi si shoqërues në formimin e PKSh-re është e lidhur me propagandën e PPSh-së për të shtyrë lëvizjen komuniste sa më larg ditës së çlirimit të Shqipërisë në mënyrë që të paraqiteshin komunistët si autorët e vetëm të çlirimit të Shqipërisë. Se sa e vërtetë është kjo mjafton të shikojmë pjesmarrjen e Enver Hoxhës në këtë luftë.

Të dhënat e lidhjes së Enverit me luftën nacional-çlirimtare i kemi botuar një herë në gazetën “Lajmi i Ditës”, më 26 janar 1996.

Edhe pse nuk është ashtu, për të përcaktuar përmasat e pjesmarjes së Enverit në këtë luftë do të pranojmë se PKSh-re u formua me 8 nëndor 1941 dhe Shqipëria u çlirua më 29 nëndor 1944.

Me rastin e 75 vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës u botua një album fotografik ku, midis të tjerash, jepej një fotografi me diçiturën: “Shoku Enver Hoxha, organizator, mësues dhe udhëheqës i ushtrisë nacional-çlirimtare”. Pikërisht ky përcaktim u bë shkaku kryesor i nxjerrjes së raportit të Enver Hoxhës me luftën e mësipërme, pasi arithmetikisht dihet se nga 2063 ditë që zgjati pushtimi nazifashist, 946 ditë janë pa PKSh-re dhe 1117 ditë me të. Nga ana tjetër të paraqesësh si thelb të të gjithë luftës 2063 ditore 470 ditët e ekzistëncës së brigadave (15 gusht 1943 Brigada e parë) do të thotë të gënjesh popullin tënd duke i fshehur të vërtetën se kush ka qënë tehu kryesor i asaj lufte dhe cila është masa e pjesmarjes së Enver Hoxhës në këtë luftë.

Lindja e çetave të Myslim Pezës dhe Haxhi Lleshit (këta janë trajtuar si luftëtarë të komanduar nga PKSh-re) nuk kanë asnjë lidhje me PKSh-re dhe figurën e Enver Hoxhës; kështu që në etapat e para të dukjes së luftës (para 1941-shit) ne e përjashtojmë atë qoftë si organizator, qoftë si mësues, qoftë dhe si udhëheqës. Kjo situatë, jashtë politikës së PKSh-re, zgjati plot 946 ditë, ku populli shqiptar u ngrit në luftë dhe komunistët shqiptarë i përkisnin akoma modës politike. Me 16 shtator 1942 mbahet Konferenca e Pezës ku subjektet politike shqiptare vendosën të bashkojnë forcat kundrë fashizmit. Domethënë vetëm pas 1258 ditësh kemi tendencën kombëtare kundër pushtimit fashist dhe përsëri roli i Enver Hoxhës është zero. Bile në atë konferencë, sipas tij, ai qe personi që propozoi kryetarin e konferencës31 (në këtë detyrë ky qënë patrioti Ndoc Çoba, i cili nuk kaloi me Legalitetin, por u largua prej komunistëva shqiptarë, të cilët në atë kohë bënin totalisht lojën e jugosllavëve pa asnjë veprimtari konkrete antifashiste). Domethënë deri në shtator 1942 roli i Enver Hoxhës është zero edhe pse ne pretendojmë se komunistët nuk kanë qënë në atë mbledhje, në të kundërtën nuk kishte pse të mbahej Mukja.

Sipas historisë së PPSh-së numuri i partizanëve deri në fund të vitit 1942 ka qënë vetëm 2000 vetë, përveç njësiteve guerile dhe çetave të fshatrave32. Domethënë pas 1364 ditëve pushtimi përsëri roli i PKSh-re dhe i Enver Hoxhës është i papërfillshëm. Në këtë pikë historiografia shqiptare bën gabimin e madh duke e quajtur konferencën e Pezës si vepër të PKSh-re33 edhe pse në atë kohë vetë partia e komunistëve të rinj ishte e pa konsoliduar jo vetëm si forcë politike, por qoftë dhe si parti.

Me 10 korrik 1943 në Labinot formohet Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë komuniste ku përsëri Enver Hoxha nuk shkon më larg se propozuesi i drejtuesit të mbledhjes (Mustafa Xhani); ndërsa referatin e mban Ymer Dishnica34. Në atë mbledhje Spiro Moisiu caktohet komandant shtabi, ndërsa Enveri komisar, gjithmonë sipas këtij të fundit. Atëhere ku është roli organizues, mësues dhe udhëheqës i ushtrisë, të paktën deri më 10 korrik 1943 i Enver Hoxhës? Deri më tani ne kemi vërtetuar, me fjalët e tij, se ai ka qënë vetëm vegël në duart e dikujt përderisa në dy ngjarjet më të para, kryesore të luftës nacional-çlirimtare sipas komunistëve, është marrë me propozim “konkrete”.

Edhe viti 1943 mbyllet pa ndonjë bëmë në lëmin ushtarak të Enver Hoxhës. Por gushti i atij viti na jep një informacion të “çuditshëm” mbi figurën e këtij njeriu jo vetëm në sferën ushtarake por dhe në atë partiake. Në mesin e gushtit, vendimtar për PKSh-re, mbahet në Vithkuq një mbledhje (me sa duket formimi i brigadës së I-rë) ku bëhet dënimi i marrëveshjes së Mukjes (kjo e fundit 1-2 gusht 1943). Nuk na intereson dhe fort fakti i mbledhjes se sa renditja e personave në atë mbledhje (këtë fakt nuk e gjen në asnjë botim të propagandës së PPSh-së). Në një artikull me titull “Kush e vrau Mustafa Gjinishin?” të botuar në gazetën “Bashkimi i Kombit” datë 31 gusht 1944, Nr 205, me autor Xhelal Staraveckën (ish komandant i batalionit të II-të të brigadës së I-rë dhe i larguar nga ai post për të njëjtat shkaqe si për rastin e Ndoc Çobës), thuhet: “Në krye të mbledhjes Druzhe Miladini, në të djathtën e tij Sejfulla Malëshova; mbas tij Enver Hoxha; në krah të Enverit Spiro Moisiu; mbas Spiros Dushan Gogozhani (kemi përshtypjen se duhet të jetë Dushan Mugosha, GH)...”. Fakti që Enver Hoxha ndodhet i treti nga njëri krah i kryetarit të mbledhjes, pas Miladinit dhe Sejfulla Malëshovës, duhet të tregojë se reputacioni politik i tij akoma nuk e kishte atë hapësirë që do të merrte pas 1944-ës.

Viti 1944 është viti ku Enver Hoxha kalon nga kërkushi në gjithkushi dhe kjo jo vetëm për meritë të tij, por edhe për shkaqe krejt të tjera jashtë tij dhe të panjohura akoma, të cilat nuk janë dhe fort të vështira të zbulohen. Në revistën “Ngjarjet e muajit, vëll I, Nr 1 (botuar nga Zyra informative pranë Presidentit të Sh. B. Të Amerikës), Enver Hoxha del si komandant i ushtrisë me gradën gjeneral-kolonel, kur në Kongresin e Përmetit deri më 26 maj 1944 komandant ka qënë Spiro Moisiu35 I gjithë tërmeti politik në gjirin e PKSh-re ka ndodhur pikërisht në atë kongres ku Enver Hoxha u “zgjodh” kryetar i Komitetit Antifashist Nacional-Çlirimtar dhe i ngarkuar me punët e Luftës e të Mbrojtjes kombëtare. Domethënë e gjithë veprimtaria e Enver Hoxhës në lidhje me luftën nacional-çlirimtare është vetëm 187 ditë, baras me 9 përqind. A është e drejtë vallë që për këto 187 ditë ta quash Enver Hoxhën prijës legjendar, organizator e strateg të luftës nacional-çlirimtare?36. A është e drejtë vallë që për këto 187 ditë ta konsiderosh Enver Hoxhën si njeriun që realizoi “Lirinë e pavarësinë e atdheut”?37. Ja përse ne pretendojmë që kongresi i Përmetit ka qënë konkluzioni i fundit i skenave dhe prapaskenave politike për sundimin e Shqipërisë. Ai ka qënë fundi i vërtetë i thelbit të luftës nacional-çlirimtare.

Si përfundim të kësaj pike themi se Enver Hoxha ka luajtur rolin e vet politik në atë që quhet luftë nacional-çlirimtare vetëm 187 ditë kur dihen dy probleme më të koklavitura: pushtimi nazifashist në Europë ishte në dishezë të plotë dhe ai në Shqipëri (sipas pikëpamjes së deritanishme) zgjati plot 2063 ditë. Lexuesi le të konkludojë vetë mbi këtë fakt kuptimplotë.

Por kemi lënë pa përmëndur faktin deçiziv: kush qe ajo forcë ndërkombëtare politike që ndihmoi Enver Hoxhën dhe komunistët e rinj për të marrë pushtetin në ato vite lufte? Është kjo forcë politike që merr përsipër sekretin e madh të Enver Hoxhës e cila ka dy pamje krejt të kundërta, por që veprimtaria politike e Enver Hoxhës dhe PKSh-re i pajtoi plotësisht duke krijuar imazhe të kundërta. Zotërinjtë Sër Riginald Hibert, Dejvid Smajli me kujtimet  dhe tregimet e tyre kanë dhënë të kuptojnë se kjo forcë ka ekzistuar realisht. Fjala është për anglezët të cilët furnizuan me armë, municion, florinj lëvizjen komuniste shqiptare në periudhën 1943-1944 nën pamjen e luftës kundër nazifashistëve duke treguar se ishin aleatë të komunistëve të rinj shqiptarë të udhëhequr nga Enver Hoxha dhe pastaj organizuan provokacionin e kanalit të Korfuzit për të krijuar ndarjen formale me Enver Hoxhën ku paskëtaj i lihej rrugë të lirë agjentit të tyre në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Domethënë pas 1945-sës PKSh-re dhe Enver Hoxha kanë qënë kollonë e pestë në lëvizjen  komuniste ndërkombëtare dhe aspak pjesmarrës të denjë të kësaj lëvizjeje (Stalini ka dyshuar, kurse Hrushovi e dinte saktë këtë punë). Të paktën e parë sipas nënkuptimeve që dalin nga filozofia marksiste këtë se luan as topi: Enver Hoxha ka qënë njeri i anglo-francezëve për të sabotuar lëvizjen komuniste ndërkombëtare sipas pikëpamjes së anglezëve, të cilët ishin të paaftë të luftonin marksizëm-leninizmin me armët e kësaj të fundit, pasi gjysma e dytë e konceptit filozofik ishte krejt fallso. Puna ishte të luftohej oreksi imperialist i BRSS dhe jo filozofia që ajo mbarte.albanovaonline

Të gjitha këto argumentohen me elementin shqiptar ku ky i fundit argumentohet me lidhjen e luftës nacional-çlirimtare me kanalin e Korfuzit; kanal i cili e ndau Shqipërinë nga Europa pse kështu i interesonte Anglisë superfuqi.

Pas 1945 veprimtaria politike e Enver Hoxhës fillon dhe merr pamjen e një politike internacionaliste duke u lidhur me armikun shekullor të popullit shqiptar. Kjo ka qënë pamja më e parë e pushtetit popullor komunist në Shqipëri që zgjati vetëm 4 vjet duke u përmbysur tërësisht sipas propagandës të viteve 70. Nuk ka nevojë për dokumentacion për të pranuar për atë që është thënë mbi armiqësinë e tmershëm, në thojza, midis Enver Hoxhës dhe jugosllavëve të udhëhequr nga Josif Broz Tito. Një lumë gjaku ndan Enverin nga jugosllavët, sipas kësaj propagande dhe duhet të jetë një mrekulli të argumentosh të kundërtën. Por pikërisht dokumentacionin për këtë të kundërt disponojmë çka tregon se prishja me jugosllavët ka qënë një imponim politik i jashtëm dhe aspak një veprim i vullnetshëm. Pjesmarja e shumë jugosllavëve në ngjarjet shqiptare nga 1941 deri më 1948 si: Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha, Bozhe Ivanoviç, Velimir Stioniç, Vukmanoviç Tempo me karakter autorësie vendimtar të pranuar nga PKSh-re dhe Enver Hoxha, por të dënuar më vonë që të gjithë, përveç Miladinit, tregojnë se trajtimi i jugosllavëve dhe politika e jashtme e Shqipërisë nga ana e Enver Hoxhës nuk janë aspak ashtu siç është propaganduar gjithmonë. Është pranuar se Enver Hoxha i shkoi në ndihmë Jugosllavisë me dy divizione dhe, kryesorja, barazoi lekun me dinarin duke ndihmuar ekonominë jugosllave në kurriz të asaj shqiptare, por është pranuar edhe se:

 “Qëndrimet e prera parimore të Enver Hoxhës qenë me rëndësi historike, ato qenë vendimtare për shkatërrimin e planeve aneksioniste të udhëheqjes së PK Jugosllave dhe të shtetit jugosllav”38.

Lind pyetja: kujt duhet t’i besohet: faktit historik apo propagandës mashtruese që kërkon të fshehë këtë fakt?

Që jugosllavët kanë dashur ta hanë të gjallë Shqipërinë me gjithë kocka këtë e dimë shumë saktësisht, të paktën nga “Lahuta e Malsisë” të poetit tonë kombëtar At Gjergj Fishta, OFM. Por që Enver Hoxha t’i ketë luftuar këta jugosllavë në të mirë të Shqipërisë është pak si e pabesueshme dhe e papranueshme nga ne, të paktën deri më 1956. Kemi rast t’i tregojmë lexuesit se si e ka trajtuar Enveri politikën me jugosllavët në kongresin e III-te të PPSh-së, vetëm se e parapërgatisim për çudira të jashtëzakonshme mashtrimi.

Pikërisht për ngjarjet e atyre viteve Enveri pat deklaruar:

“Partia jonë u solidarizua me rezolucionin e Informbyrosë. Ne kemi njohur dhe njohim se u mashtruam sikundër që u mashtruan edhe partitë e tjera komuniste dhe punëtore nga provokacioni i bërë kundër Jugosllavisë nga agjenti i poshtër i imperializmit, Beria. Në ato rrethana të vështira që u krijuan, ana e jonë i lidhi të gjitha çështjet së bashku: gabimet dhe mosmarrëveshjet që ekzistonin në mes të Partisë komuniste shqiptare dhe Partisë Komuniste Jugosllave si dhe në mes të dy shteteve tona, fajet dhe krimet e Koçi Xoxes, të bëra kundër partisë dhe shtetit, për të cilat mori dënimin e merituar dhe provokacionin e madh të kurdisur nga agjenti Beria”39.

Sipas kësaj analize rezulton se Koçi Xoxe nuk ka qënë agjenti i jugosllavëve, por kundërshtar i Enver Hoxhës. Atëhere përse u pushkatua ai? Përse vrau veten Nako Spiru? Pranimi, ose bërja e një autokritike, i ngjarjeve të periudhës 1945-1948 nën okeljon e krimit kolektiv është i vetmi rast në jetën politike të Enver Hoxhës, pasi ai gjithmonë e ka ndarë veten nga masa udhëheqëse duke e bërë atë fajtore. Por deklarata më diskretituese për Enverin është aprovimi plotësisht i deklaratës së Beogradit, të nënshkruar në mes të udhëheqësve të shtetit sovietik dhe atyre të shtetit jugosllav në qershor të 1955, nga ana e PPSh-së. Sipas Enverit, e gjithë kjo ndodhi, sepse “në ato rrethana ishte e zordhme për ne (udhëheqësit e PPSh-së, GH) të mos i lidhnim së bashku këto tri çështje, por t’i vlerësonim si duhej, veç e veç. Ky është një gabim nga ana e jonë. Më vonë llogjika e luftës kundër njëri-tjetrit na çoi në gabimet që të përdornim akuzat e pathemelta të kurdisura nga agjenti Beria kundër Partisë komuiniste Jugosllave dhe shtetit jugosllav, të akuzonim Jugosllavinë si një vënd armik dhe vegël të imperializmit, partinë komuniste Jugosllave si një parti fashiste dhe udhëheqësit jugosllavë si antimarksista. Këto akuza ishin të padrejta, ana e jonë ka gabuar për këto çështje (nënvizimi i yni,GH)”40.

A është i aftë lexuesi të përcaktojë mbi këto materiale cilësinë e marrëdhënieve të Enver Hoxhës me jugosllavët në planin formal?

Por ato në planin thelbësor shërbyen për të zgjidhur dy probleme urgjentisht kardinale për partinë komuniste shqiptare:

Së pari, për të justifikuar krimet e kryera deri më 1948 dhe që u justifikuan me vrasjet e “autorëve” të dënuar nga partia.

Së dyti, dhe këtu del detyra e caktuar nga krijuesi real i partisë për të ardhmen, u konsolidua pozita e partisë në klanin stalinist

Pikë tepër e rëndësishme për figurën e Enver Hoxhës është martesa me Nexhmije Xhuglinin. Duket sikur kemi të bëjmë me një variant politik të ngjashëm me atë të Skëndërbeut kur u martua me Donikën nga Jugu për të realizuar një bashkim të mundëshëm të kësaj zone të Shqipërisë me lëvizjen antiosmane të shpërthyer. Por një kërkim i mëtejshëm i veprimtarisë së Nexhmijes në vitet 1938-1941 na çoi në përfundime krejt të tjera. Figura e Nexhmijes është e lidhur me familjen e Musa Jukës, ku e bija e këtij të fundit rrëfen për shoqërinë e ngushtë që kishte me të, duke treguar se Nexhmija ishte gati vajzë e shtëpisë. Martesa e Enverit me Nexhmije Xhuglinin mund të deklarohet e kahershme, por fëmijët lindën vetëm pas 1948-ës, çka duhet të ketë një domethënie për kohën reale të lidhjes së tyre. E vërteta është se Enveri asnjëherë nuk ka folur saktësisht për këtë kohë (në fakt më 1998, kur Ilir Hoxha botoi kujtimet e të jatit, doli se Enveri e kishte takuar për herë të parë Nexhmijen në mbledhjen formuese të rinisë komuniste, 23 nëndor 194141; por duke ditur se të gjitha informatat mbi këto lindje janë të sajuara duhet të merret me mënd se edhe kjo e dhënë ka fatin e tyre), por e ka lidhur njohjen me luftën duke fshehur të vërtetën. Zonja Nexhmije, pas vdekjes së Enverit, botoi një libër në dy vëllime ku përmëndi edhe njohjen e parë sipas kësaj hapsire42 për t’i mbushur mëndjen popullit shqiptar për të kundërtën e dyshimit. Me këto pohime dhe mohime ne kemi arritur në përfundimin se shkesi i martesës së Enver Hoxhës me Nexhmije Xhuglinin ka qënë ministri i brëndëshëm i Mbretit Zog, Musa Juka. Në këtë mënyrë shpjegohet dhe urrejtja e Enverit për mbretin dhe luftën propagandistike që ai bëri sa kohë që qe gjallë. E gjithë puna qëndronte në fshehjen e pozicionit real të çiftit Hoxha kundrejt mbretërisë. Mos vallë kemi të bëjmë me martesë agjentësh dhe poliagjentësh? Fakti që ai i akuzoi të gjithë të dënuarit nga partia dhe vetë ai me të tilla epitete, duhet të fshehë diçka. Koha do të tregojë sekretin e tmershëm të çiftit Hoxha në planin martesor.

Në qoftë se për të ashtëquajturit shokë të tij të luftës, të rënë dëshmor tradhëtisht, si Qemal Stafa, Vasil Shanto, Vojo Kushi, etj, mund të ngrëmë versione sa të duash mbi saktësinë e faktit, për bashkëpunëtorët e tij pas 1945 ekziston një material propagandistik dhe faktik nga më kontradiktorët, kur e vërteta është krejt ndryshe.

Duhet pranuar se marrëdhëniet me jugosllavët kanë qënë ato që kanë përcaktuar edhe marrëdhëniet me shokët e tij, të paktën për periudhën 1944-1948. Sipas këtij konteksti Enveri ka pasur shokë dhe të shumtë bile. Por e parë me syrin moral të marrëdhënieve mes njerëzve ai nuk ka pasur kurrë shokë dhe të afërm pasi disa muaj pas nëndorit 1944 pushkatoi burrin e motrës, nacionalistin Bahri Omarin, ish deputetin e të parit parlament shqiptar. Enveri gjithmonë i ka përdorur njerëzit sipas interesave të tij dhe në këtë drejtim ka qënë një mjeshtër i paarritshëm. Në qoftë se do të analizojmë bashkëpunëtorët e tij politikë dhe rrugën e këtyre të fundit do të na formohej një varg i gjatë i mbushur me krime të panumërta.

Materiali që na dha gazeta “Bashkimi i Kombit” e datës 31 gusht 1944 tregon më së miri se asgjësimi politik i Sejfulla Malëshovës është i lidhur me pengesat që i sillte ky i fundit në rrugën e tij. Akuza si agjent i jugosllavëve tashmë nuk mund të pranohet më, por ka ardhur koha të themi se Sejfulla Malëshova ka qënë antijugosllav. PKSh në atë kohë ka pasur dy degëzime formimi: njëri i formuar në Rusinë Sovietike (Sejfulla Malëshova me Koço Tashkon) dhe tjetri i formuar nga shkolla e spiunazhit anglez (Enver Hoxha me Mehmet Shehun). Sejfullai qe i pari në vargun e gjatë të bashkëpunëtorëve të asgjësuar të Enverit. Pas një viti asgjësoi fizikisht Nako Spiron duke formuar alibinë e vetvrasjes. Ishte koha kur Enverit po i rrëshqiste toka nën këmbë dhe komunistët shqiptarë e kishin kuptuar se ai nuk bënte për atë punë. Pikërisht rolin e diskretituesit të Enverit pati marrë përsipër Nako Spiru dhe pikërisht për këtë u ndëshkua.albanovaonline

Mentaliteti i Enverit për bashkëpunëtorët e tij duket më së miri me Koçi Xoxen të cilin e bëri kryetar të Gjykatës së Lartë për krimet e luftës, e cila dënoi të ashtëquajturit kriminelë të luftës, dhe pastaj e pushkatoi më 194843. Krahas me Koçi Xoxen u pushkatua edhe Pandi Kristo veprimtaria e të cilit binte ndesh me interesat egoiste të Enverit.

Është për tu vënë në dukje se sa herë që Enveri ndërronte politikën e tij të jashtme ai ndërronte ekipin udhëheqës. Me këtë sy duhet parë edhe eleminimi politik e fizik i Tuk Jakovës, vetëm se kësaj duhet t’i shtohet plani i Enverit për të vendosur një kryeministër në vënd të tij dhe marrëdhëniet e Mehmet Shehut me  Tuk Jakovën. E themi këtë pasi, sipas Enverit, gabimet e Tukut i ka pikasur Mehmeti i pari44; domethënë ky i fundit u përdor si mashë për të asgjësuar të parin.

Të gjithë individët e përmëndur më vonë janë akuzuar si agjentë jugosllavë, por ne duke ditur autokritikën e Enverit të bërë në kongresin e III-të të PPSh-së e dimë se kjo tashmë nuk është më e vërtetë.

Pas kongresit të I-rë (më 1950) vret anëtarin e Komitetit Qëndror, Njazi Islamin; kandidatin e Komitetit Qëndror Sali Ormenin duke formuar alibinë si në rastin e Nako Spiros për vetëvrasje. Para Kongresit të III-të asgjësoi fizikisht Tuk Jakovën dhe politikisht Bedri Spahiun, prokurorin famëkeq të gjyqit kundra “kriminelëve” të luftës, por të penduar pas 1991-shit dhe i vetmi që i kërkoi falje popullit shqiptar për tragjedinë që i kishte shkaktuar komunizmi enverist. Pas kongresit të III-të vret Liri Gegën, Dali Ndreun dhe Petro Bollatin. Shtypi opozitar antikomunist më 1992 nxorri në pah faktin interesant: Liri Gega kishte gisht në vrasjen e Mustafa Gjinishit. Më 1961 asgjësoi politikisht Liri Belishovën dhe po atë vit pushkaton Teme Sejkon duke i dhënë fund fazës së parë të krimit ndaj bashkëpunëtorëve të vet.

Ato rifillojnë vetëm pas sëmundjes deçizive të Enverit të vitit 1973. Është një problem që fsheh disa akte misterioze të partisë dhe devijimin rrënjësor të politikës me bashkëpunëtorët e vet. Këtë akt misterioz dhe këtë devijim e kemi mësuar nga Ramiz Alia i cili deklaron se “Enveri ka pasur infarkt diku në fund të vitit 1972”45 duke e spostuar kohën e sëmundjes së Enverit  një vit, sepse sëmundja e Enverit në të vërtetë ka ndodhur në tetor 1973, gjë që e pamë në periudhën 1971-1976 dhe që e pranon edhe vetë Sulo Gradeci, adjutanti i tij kryesor46. Lind pyetja: përse Ramiz Alia e sposton kohën e sëmundjes një vit më përpara? Po të shohim luftën kundra shokëve të Enverit do të dallojmë se ajo fillon pikërisht në agimin e 1973-shit me dënimin e Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës i paraprirë nga festivali i 11-të i këngës në Radio Televizionin Shqiptar (1972). Domethënë luftën kundra shokëve të vet Enver Hoxha e projektoi para sëmundjes së vet dhe ajo fsheh një plan makabër me përmasa krejt të tjera nga ndodhitë e folura.

Duke ndërtuar ligje tepër evazive me nënkuptime shumëfishe, PPSh-së e bëri zbatimin e legjislacionit shqiptar pothuajse të pamundur në drejtim të rigorozitetit. Atëhere juristët shqiptarë ndërtuan akte nënligjore zbatimi i të cilave nuk i vinte për shtat PPSh-së. Nëqoftëse deri atëhere (para 1973) ishte luftuar përgjithësisht kundra elementëve të deklaruar armiq të përhershëm të partisë tani kishte ardhur koha të luftohej vetë produkti i PPSh-së. Kjo u kuptua kur filloi lufta kundër intelektualëve të fushës së letërsisë dhe arteve. Atëhere Enver Hoxha lëshoi direktivën që “aktet nënligjore të tepërta duhen shkurtuar, duke mbetur vetëm ato që janë të nevojshme”47. Me këtë akt PPSh-së i hapi rrugë ligjit mbi agjitacionin dhe propagandën duke mos lejuar specifikime dhe dalje nga ky ligj të asnjë kundërshtari të vet. Ajo i futi të gjithë në një thes dhe filloi gjuetinë e shtrigave me duar të pastra. Por i mbetej dhe diçka për të bërë pasi prokuroria dhe hetuesia ishin jashtë kontrollit trefish të sajë. (deri në atë kohë ato ishin të varura nga Kuvendi Popullor me një kontroll indirekt të Komitetit Qëndror të PPSh-së). Veprimi mban datën 21 dhjetor 1973, por veprat e Enverit nuk bëjnë fjalë për atë kohë dhe si zor të jetë bërë pa dijeninë e tij. Domethënë na del që një dorë tjetër ndodhej për krah Enverit, të sëmurë në atë kohë, dhe që vepronte në emër të tij. Fjala është për vendimin e Byrosë Politike për forcimin e rolit të Prokurorisë dhe përqëndrimin e hetuesisë në organet e Punëve të Brëndëshme48. Domethënë tani këto organe, sidomos ai i hetuesisë, kishin kontroll trefish ku ai i Ministrisë së Brëndëshme i suprimonte dy të tjerët. Ky vendim u muar në fund të dhjetorit 1973, atëhere kur u dënua Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, e u hoq më 8 qershor 1983, atëhere kur u pushkatua Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu.

 Është pikërisht sëmundja e Enverit ajo që devijon këtë plan makabër duke e transformuar në një gjueti shtrigash kundra shokëve të vet. Përse? Sëmundja e Enverit nuk ishte thjeshtë vetëm një akt shëndetësor, por dhe një eleminim nga politika e PPSh-së. Pas kësaj sëmundjeje ai bëhet krejt i paaftë për të drejtuar partinë dhe fatet e kësaj të fundit i merr përsipër Nexhmije Hoxha bashkë me ekipin e vet tepër sekret. Mënyra e ndarjes së Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor (Haxhi Lleshit) nga bashkëshortja e vet është treguesi më i saktë i ekzistencës së këtij ekipi dhe mënyrës se si udhëhiqej partia. Duke spiunuar të gjithë anëtarët e byrosë politike, qeverisë, deri në shtratin bashkëshortor Nexhmije Hoxha kupton se kë kishte kundërshtar real të familjes së sajë. Sëmundja e Enverit dhe spiunimi i anëtarëve të Byrosë Politike bëri që politika e brëndëshme e partisë të ndryshojë kursin e projektuar para 1973. E gjithë politika e brëndëshme e partisë nën udhëheqjen e Nexhmije Hoxhës pas 1973 kosiston në asgjësimin e kundërshtarëve të mundëshëm në rast se Enveri vdiste (ne nuk përjashtojmë mundësinë që sëmundja e Enverit të ketë qënë e sajuar për të realizuar planini e mësipërm). Me fjalë të tjera asgjësimi i bashkëpunëtorëve të Enver Hoxhës i është nënshtruar një plani parapërgatitës plan i cili duhet të ketë përmbledhur edhe periudhën pas 1991.

Për brezin tonë, trajtimi kriminal që Enveri u bëri bashkëpunëtorëve të tij është i dukshëm pas 1973-shit ku brënda 4 vjetëve asgjësoi disa politikisht e disa fizikisht: Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën; Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe Hito Çakon; Abdyl Këllezin, Koço Theollosin e Kiço Ngjelën, duke përfshirë edhe familjarët e tyre.

Kulmin e karakterit të vet kriminal Enver Hoxha dhe ekipi i tij e treguan në mesnatën e 17 dhjetorit, duke gdhirë 18 dhjetori, 1981 kur vranë pabesisht kryeministrin e atëhershëm Mehmet Shehun, bashkëpunëtorin e vet më të afërt të krimeve kundra popullit shqiptar në vitet 1943-1950, 1957-1961, 1967-1969. 1973-1976 dhe pastaj formoi alibinë e vetëvrasjes (një nga autorët e krimit, pikërisht ai që ktheu provat nga vrasja në vetvrasje dhe organizoi vrasjen e dy poetëve më 1977 në Librazhd, bile më vonë ekzekutoi edhe hetuesin e çështjes së mësipërme, vazhdon të jetojë në Tiranë dhe të shëtisë në mes të kryeqytetit pa i hyrë gjëmb në këmbë duke shkruar edhe libra për heroizmat e tij) pasi populli shqiptar kishte mbi 30 vjet që e kishte harruar. Më 1982 asgjësoi politikisht e fizikisht ministrin e jashtëm Nesti Nasen, ministrin e shëndetësisë Llambi Ziçishtin, ministrin e mbrojtjes Kadri Hazbiun, ministrin e punëve të brëndëshme Feçor Shehun dhe një sërë oficierësh e adjutantësh që shoqëronin të lartpërmëndurit. Mund të themi se viti 1982 ka qënë kasaphana më e madhe mbi ministrat kundërshtarë të Enverit.

Së fundi themi që ky Enver qe i pari në historinë e popullit shqiptar që gjeti dhe zbatoi formulën e bashkimit objektiv të propagandës kombëtare me përdorimin e metodave mafioze, gjë e paarrirë nga Hitleri dhe Stalini. “Falë  kësaj formule të gjitha kategoritë morale dhe normat e pranuara si të zakonshme për sjelljen njerëzore iu nënshtruan një proçesi shndërrimi dialektik të përhershëm: vesi mundi të bëhej – virtut; çnderimi – nderim; detyra – një paragjykim dhe poshtërsia – një akt heroizmi ose anasjelltas”(Ismail Kadare). Dhe vetëm mbi këtë bazë u formua dhe u zhvillua njeriu i ri shqiptar i sotëm, i cili po bredh botën për të gjetur diellin e vet iluzor. A mund të ketë veprimtari më të madhe antikombëtare se kjo? Le të na gjykojnë brezat e ardhëshëm, vetëm se këtë ta bëjnë sipas sentencës biblike:

Non coronabitur nisi legitime certaverit!
(Të mos i jepet kurora, po të mos ketë luftuar sipas rregullave)

Shënim: Jeta dhe vepra e Enver Hoxhës, sipas kësaj përmbajtjeje, është pjesë e një studimi të hollësishëm në kuadrin e historisë së PPSh, studim i cili ka përfunduar dhe pret të shpërndahet për lexuesin shqiptar.

Shënimet

1-A. Musta, M. Kokalari, Kush ishte Enver Hoxha, f. 8

2-Parathënie e Ismail Kadaresë tek “Vjeshta e ankthit”, f. 10

3-Gazeta Standart 15 maj 2006

4-A. Musta, M. Kokalari, Kush ishte Enver Hoxha, f. 3

5-Enver Hoxha, Vitet e vegjëlisë, f. 79

6-Enver Hoxha, Kujtime, f. 13

7- po aty,     f. 81

8-Enver Hoxha, Kujtime, f. 14

9- po aty,     f. 80-81

10-Përpjekja shqiptare, Nr. 13, f. 26-27

11-Shqipëria e ilustruar më 1927, vëll. I, f. 25

12-A. Musta, M. Kokalari, Kush ishte Enver Hoxha, f. 56

13-Shqipëria e ilustruar 1927, Albumi i Shqipërisë më 1927, f. 21

14-Historia e PPSh-së, f. 59, bot. I

     Historia e PPSh-së, f. 54, bot. II

15-Enver Hoxha, Kujtime, f. 54

16-Enver Hoxha, Kujtime, f. 60

17-A. Musta, M. Kokalari, Kush ishte Enver Hoxha, f. 21

18- po aty,   f. 56

19-Enver Hoxha, Kujtime, f. 81

20- Gazeta Demokratia e datës 1 gusht 1936

21-A. Musta, M. Kokalari, Kush ishte Enver Hoxha, f. 59

22-Enver Hoxha, Vepra 25, f. 484

23-A.Musta, M.Kokalari, Kush ishte Enver Hoxha, f. 22

24-Kongresi i I-rë i P. K. Të Shqipërisë, f. 61, bot 1950

25-Enver Hoxha, Vepra 5, f. 248

26-Historia e PPSh-së, f. 65

27-Enver Hoxha, Kur lindi Partia, f. 20

28- po aty,   f. 217

29-Enver Hoxha, Vepra 12, f. 310

30- po aty

31-Enver Hoxha, Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re, f. 162

32-Historia e PPSh-së, f. 97

33- po aty,   f. 92

34-Enver Hoxha, Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re, f. 263

35- po aty, f. 420

36-Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, shih Enver Hoxha

37-Fjala e Ramiz Aliusë në mitingun e përmortshëm

38-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, shih Enver Hoxhën

39-Enver Hoxha, Kongresi i III-të i PPSh-së, f. 36

40- po aty

41-Enver Hoxha, Kujtime, f. 100

42-Nexhmije Hoxha, Jeta ime me Enverin,në 2 vëllime

43-Për këtë shih numurin e posaçëm të gazetës “Bashkimi” mars-prill 1945

44-Enver Hoxha, Vepra 8, f. 145

45-Unë Ramiz Alia dëshmoj për historinë, f. 75

46-Sulo Gradeci, 30 vjet pranë shokut Enver, 379

47-Enver Hoxha, Vepra 53, f. 321

48-Enver Hoxha, Vepra 56, f. 207

albanovaonline.info