Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Një ditë vjeshte në Funar të Elbasanit

| E diele, 30.10.2022, 08:00 PM |


NJË DITË VJESHTE NË FUNAR TË ELBASANIT

EKSKLUZIVE NGA PËLLUMB GORICA

Mëngjes fundtetori. Rrugët shtuar me lëvizje drejt vendeve të ndryshme. Vrulli i tyre shpërndan sa andej-këtej njerëzit, në peizazhet e qeta, në malet kreshtëlarta, mes pyjeve, ujërave liqenore dhe ajrit të pastër.

Udhëtimi herë të ngjan i lehtë, herë i vështirë, hera-herës fluturon i gjithi nga gëzimi përshkues. Në fakt në këtë pëllëmbë vend tonin sheh peizazhe që nuk të bëjnë këmbët të largohesh pa i parë mirë, pavarësisht se nuk ngopesh asnjëherë prej tyre. Interesantja është se zoti i ka krijuar dhe askush nuk mund të thotë që ky apo ky tjetri është më i bukur.

Pranë udhës që lidh Elbasanin me fushën e Bradasheshit shtrihet Kombinati Metalugjik, si një bishë e egër dhe ndjellakeqe, me katrahurë ndërtesash që shkatërruan në mënyrë të pandreqshme këtë territor të vyer. Më tej rrjedh Shkumbini që shndrit prej mijëra e mijëra vitesh, duke mos pushuar asnjëherë për të krijuar begati në fushat e pyjet, fshatrat e shpërndarë, kodrat e mbjella me ullinj e vreshta, që i kanë shtuar më shumë hijeshinë.

Përpjetë lartësive të Funarit

U kthyem majtas, morëm përpjetë lartësive të Funarit, një nga trevat e njohura të Elbasanit, të dëgjuara për mikëpritjen, punëdashjen dhe përkushtimin ndaj kulturës dhe dijes. Rruga gjithë lakadredha çante përmes pyllit me pisha, dushqe dhe shkurre të veshura me ngjyrat e vjeshtës; kopshtijeve me perime, misër e jonxhë. Ndërsa vështroja dorën e palodhur të njerëzve të punës, thoja me vete: Njeriu nuk është i përjetshëm, por duhet të përpiqet me të gjitha energjitë mendore e fizike, për t’ua lënë pas brezave.

Në Letan fillon teleferiku i gurores, që kishte heshtur në lëvizjen e tij robotike mes pemëve. Ndërsa gurorja që zgjatej e thellohej në një mënyrë të çuditshme dhe të pakuptimtë, në vijat lakore të kodrave, vazhdonte të kafshonte shkëmbinjtë që e shëmtonin ethshëm atë, duke i humbur masën e së bukurës, me skrepat dhe fadromat që gumëzhinin më shumë kur kalonin nëpër një tunel që shfaqej si krater vullkanik e të frikësonte me pamjen.

Aty-këtu asfalti humbiste uniformitetin e tij dhe vende-vende kishte përfunduar së qeni rrugë, nëpër thyerjen e kodrave shkëmbore që zbardhëllonin frikshëm.

-Medet! -thashë me vete, teksa shihja pas kthesave të njëpasnjëshme mes çakëllit, ré tymi e pluhuri të bardhë.

Tabelat e emërtimeve shfaqen herë pas here e të ngacmojnë kureshtjen. Duke i parë me shumë vëmendje lartësitë ndjen një lloj frike, por është siguria e udhëtimit të Seitit në timon, shokë udhe në rrugëtimin për në Funar.

Në çdo hap një mbresë nga pamjet që të falin lartësitë. Syri të rrokte larushi ngjyrash: masive pishash që gjelbëronin si të ishte pranverë. Aty-këtu pyje dushqesh, kullota, rrape, pemëtore, vreshta dhe ara që verdhullonin si të praruara nga vjeshta e artë. Vështron bukuritë natyrore dhe futesh thellë në historinë e vendbanimeve, por edhe takon banorët (të dëgjosh histori) e ndoshta të ecësh ca kilometra më këmbë.

Bixëllenja është vendbanim interesant i banuar prej qindra vjetësh, me shtëpi të një arkitekture tipike qytetare elbasanase, që përveçse dëshmojnë kohën e shkuar, të japin ndjesinë që e gjithë ajo hapësirë shlodhëse i ëmbëlson përshtypjet tona. Tokat e saj janë të pasura me kullota ku mbajnë një numër të konsiderueshëm blegtorie të imët dhe ku produktet blegtorale janë shumë cilësore. Ndërsa në kodrat e larta, që të ngjajnë me një grua plot sharm, rriten të gjitha llojet e pemëve frutore, por emër të mirë kanë bërë dardhat, mollët, qershia, ulliri, varietetet e rrushit, shega, arra, fiku etj.

Në Bixëllenj të tërheqin vëmendjen shtëpitë e bukura me pak oborr, me një pus të rrethuara nga pemë frutore e të pajisura me mobilje dhe veshje të çdo lloji, nga puna e banorëve të saj në emigracion. E soditim me ngé një shtëpi trikatëshe, me ballkone nga të gjitha anët dhe dhoma të shumta, të rrethuara nga kangjella metalike.

Bixëllenjasit janë mikpritës, sa besoj se janë edhe punëtorë. Të moshuarit tek zbresin arave ndihmojnë në punët e bujqësisë, në mbledhjen e prodhimeve dhe ruajtjen e bagëtive. Takojmë njerëz të kujdesshëm ndaj natyrës dhe bagëtive. Megjithëse globalizmi me stilin e tij të jetesës i ka dhënë një goditje marrëdhënies tradicionale mes njerëzve.

Tek ishim ndalur dhe po vështronim pamjet, na u afrua duke çaluar, një burrë me fytyrë të rrudhosur, por me një buzëqeshje të hollë. Këmbyem fjalët e para të përshëndetjes.

Hamit Hida filloi të rrëfejë ca ngjarje të kohë së largët:

“Rreth viteve 1450-1460 nëpër Bixillenjë kaloi Gjergj Kastrioti, bashkë me gruan e tij, Donikën. Qëndroi në një familje bixëllënjase dhe nisi kuvendimin me ‘ta. Banorët për të treguar se ishin bujarë dhe të pasur i shtinë për të ngrënë kalit të tij grurë. Kur e pa këtë skenë Gjergj Kastrioti uroi: “Mos u mbaroftë asnjëherë pasuria në këtë fshat.”

Sikur të më kishte lexuar mendjen, Hamiti vazhdoi bisedën se as vetë nuk e kuptonte, pse e kishte kaq për zemër këtë histori.

-Sa herë e tregoj dhe ritregoj, diku duke shtuar, diku duke hequr diçka, ndjej të njëjtin emocion kur e dëgjova për herë të parë, -më tha.

Dhe kishte të drejtë, se nuk mund të harrohej lehtë historia e Bixëllenjës. Megjithatë, si histori ishte e këndshme, për të ikur sado pak nga realiteti.

-Po të kishte ndodhur kjo, -thotë Hamiti, -do të ishim një vend i tejbanuar, me pasuri të shumta dhe ekonomi të zhvilluar, do të kishim mundësi të ecnim si Bota e do të hapnim dyert që ata të vinin te ne dhe jo të ikim ne prej Bixëllenjës.

Funari të befason me bukurinë e vet, që tregon dhe pasqyron më së miri dhuratën e natyrës, të gërshetuar me mendjen dhe dorën e njeriut, me pyje, liqene, mal, ajër të pastër dhe pasuri të paçmuara bimësh mjeksore. S’kishte më bukur teksa shikoje arat që shullaheshin në diell, kurse mes tyre burra e gra me shqetësimin e punës në sy. Kjo tokë ka patur dhe ka gra dhe vajza punëtore, që kujdesen për familjen; burra të mençur që flasin rrallë, por punojnë shumë.

Të mbeten në sy shtëpitë. Sado të bukura dhe komode, ato nuk kanë asnjë vlerë, kur një pjesë e tyre janë bosh, apo në ‘to banojnë dy pleq të moshuar.

Funari me pozicionin më të favorshëm është përcaktuar si qëndra e njësisë administrative me të njëjtin emër. Emri Funar vjen nga togfjalëshi “fund are”, pasi në lashtësi i gjithë ky vend ishte moçal, vetëm një fund are kishte të përdorshëm, ku rritej bari dhe lulet e egra. Tregohet se këtu u vendosën rreth viteve 1815-1820, dy familjet e para nga Shëngjergji i Tiranës dhe nisën jetën e tyre, pa e kuptuar se po niste edhe një toponim i ri. Nga përdorimi i dendur i shprehjes “janë vendosur në një fund are“ i kalimtarëve të rastit, evolucioni fonetik dhuroi emrin e bukur Funar.

Një mrekulli e pagëzuar nga njeriu

Qielli ngreh kurthe halucinacionesh, që të krijojnë efekte kulminante efurie, si konfiguracion poetik. Kjo lloj ndjesie nën qiellin e pafund, larg zhurmave e mes pyjeve pambarim, të bën të ndjesh pafundësinë e natyrës, e cila është treguar bujare në Funar, por edhe me njërëzit që i japin ngjyra jete kësaj bukurie.

Në pyjet e dendura e të mirëmbajtura, me një pasuri bimësh e drurësh, vjeshta shpaloste anët e saj më të bukura, me ngjyra nga më të ndryshmet, ku sundojnë e arta me të blertën. Rri një kohë të gjatë për të magjepsur sytë nga peizazhi dhe në mëndje fluturon paksa me vrapin e kuajve në lirinë e tij, pakëz me fluturimin e shpendëve e shumë më shumë se të gjitha te tingujt e zileve dhe këmborave të bagëtive.

Dy liqene të bukur, që ndryshojnë nga madhësia, si një copëz parajse, ku freskohej dielli e krihej hëna netëve, shpirti të gjen paqe. Sidomos në dritëhije ose në buzëmbrëmje liqenet dhe peizazhi bëhen vërtetë magjepsës.

U tërhoqa si me magji pranë liqeneve, mes këtyre dy bukurive, të ngjashme si dy pika uji, nga të gjitha anët shumëngjyrëshe, në tokë e të fshehura rrëzë pemëve.

Të mrekullojnë cicërimat e zogjëve, nga ata që nuk shtegtojnë dhe që gjithmonë e mbajnë të ngrehur folenë, duke kaluar dimërat aty, të thurin valle magjike, apo ndonjë pulbardhë, që zhytej në ujë e herë nxirrte kokën dhe fluturonte me një flatërim si prej engjëjsh.

Liqenet dhe qielli duket sikur shkëmbejnë të kaltrën me njëri-tjetrin rrethuar nga një brez pishash, sikur kishte vënë dorë dhe vetë Zoti. Dhe sytë të qetësohen nga pamja.

Ata të krijojnë përshtypjen sikur janë liqene akullnajore, por në fakt janë një vepër hidrike (rezervuaret i thonë vendasit) me shumë vlerë për banorët, e cila ka sjell një zhvillim të prodhimit bujqësor. E atje ku ka ujë, ka jetë, ka gjelbërim, ka freski, ka prodhim dhe mirëqënie. U afruam deri në buzë të pyllit, aty ku trungu i një bredhi të vjetër ishte zgavëruar. Rrezet e diellit përkëdhelnin pishat, lisat, rrapet dhe ujin e freskët të liqeneve.

Liqenet furnizohen nga burime të nëndheshme që zbresin nga malet dhe ujërat e shirave. Shihnim që niveli i ujrave të liqenit ishte ulur shumë (por ende plot bukuri e freski). Veçse në pranverë e në verë e arrijnë nivelin më të lartë dhe kulmin e bukurisë së vet.

Syri lexon natyrën

Tej një shtëpie që zgjatej para një gardhi gjysëm të shkatërruar, të shfaqej befasisht Mollagjeshi, një fshat i bukur si në pikturat e Monet. Ai është ndër të paktët, që nuk e kanë humbur origjinalitetin e peizazhit arkitekturor, por edhe atij natyror, me një hapësirë relativisht të gjerë, me thyerje të pakta, të buta e të këndshme të relievit.

Natyra aty gjallonte dhe jetonte jetën e saj, ashtu siç e kishte ndërtuar vetë prej miliona vitesh më parë. Ndaj ndjehesh sikur i përket natyrës, të bëhesh pjesë e saj më shumë se kudo tjetër.

Rastisi të takohemi me Xhemal Shushkun, një burrë përtej të pesëdhjetave. Ndjen një lloj ngrohtësie në bisedë me ‘të. Për një copë herë biseduam rreth familjeve të Mollagjeshit, me gjyshër e stërgjyshur që kishin lënë nam në kohë me trimërinë e tyre. Xhemalin e pyesim se çfarë kuptimi ka emërtimi i Mollagjeshit dhe prej nga rrjedh.

“Një jabanxhiu, vendasit i lavdëruan shumë fshatin e tyre. Këtu do të gjesh mollë kur të teket. I huaji kur u kthye në vendlindjen e tij, u tha bashkëfshatarëve të vet: më pëlqen shumë vendi. Në çdo kohë që do të shkosh atje, mollë do të gjesh. Dhe kështu mbeti emri Mollagjesh”.

Ndërsa ecim rrugicave gjithë freski, në arat dhe midis shtëpive, shkëmbehehemi me banorët e paktë, që të ftojnë e të p?rcjellin me buzëqeshje, sa ndjen kënaqësi dhe emocion t? veçantë. Bujarinë me tokën banori i Mollagjeshit e tregon në shërbimin që i bën asaj, në mënyrën se si e sistemon e që duket në çdo arë, madje edhe në copa të vogla ai ndërton mure, gardhe me hunj të ngulur në tokë, duke i thur gërshet me thupra.

Me njerëz të tillë, idealistë dhe që e duan vendlindjen po aq sa veten e tyre, Shqipëria, në kundërshtim me zërat e shumtë fatalistë, do të bëhet...

Banorët e Mollagjeshit me një zgjuarsi të lindur, por edhe dashuri të rrallë për punë e dituri, kanë shkëlqyer kudo, duke nxjerrë aq shumë personalitete, në fushën e artit, sportit, muzikës, arsimit, shkencës, etj. Nuk është rastësi fakti që dy banorë të Mollagjeshit janë bërë persona publikë: Luan Shabani, peshëngritësi kampion edhe në Greqi, si dhe këngëtari Rati (Florat Shushku).

Mollagjeshi ka një reliev të mahnitshëm. Gjithçka vështrova e preka mes qetësisë. Pse ta fsheh, ndjeva edhe një dhimbje nga ca degë molle, që e kishin rralluar gjethnajën dhe kokrrat, aq sa edhe largimet e të rinjve, të gjejnë diçka më të mirë. Eh, ç’trishtim t’i lesh këto troje të begata! Ndaj duhet të ketë politika stimuluese, të mos ikin banorët nga kjo bukuri që vret.

Shtëpitë kishin mbetur bosh. Pa frymë njeriu. Ferrat kishin dalë mbi çatitë e shtrembëruara, duke iu kacavjerrë oxhakëve të ftohur dhe degët e pemëve që vareshin në krye të mureve. Rrasa guri të kapërthyera, dyer të mëdha e të zakonshme për sytë, të nxira nga koha e lagështira, lloze të dyfishtë dhe, hyrje të dukshme nga perëndimi, si për të treguar se lindjet dhe jeta këtu ishin më të mirëpritura se perëndimet dhe vdekjet. Ngjit shkallë e sheshe pushimi mbi pllaka të lëmuara; sheh të padukshmen matanë kanatave të portës, brenda mureve, që të ftonin në dritëhijet e shkëlqimit të dikurshëm, në pluhurin e imët që molja ka lënë trarëve, apo në copat e suvajave të zbardhura e diku të rëna. Sheh edhe sende që as nuk hyjnë në punë, që dëshmonin sjelljen shkatërruese ndaj s? vjetrës.

Eca dhe m’u duk sikur më shoqëroi një këngë, ndonjë ninullë, apo zëra burrash të urtë, nga ata që të gjendeshin në kohë të vështira, ulur në mbështetëset e gurta, që s’kishte forcë t’i tundtte nga vendi. Aty të duket sikur dëgjon histori, që mbartin kaq shumë dhimbje e brenga, por edhe të bukura e të gëzuara, dashuri e pasione të fshehta.

Para syve hapej një pamje e bukur dhe fshatra të tjerë. Ja Cërruja, e rrethuar nga një pyll i madh me pemë e shkurre të pakalueshme. Përqark saj toponime të shumëllojshme. Më larg Korra. Në fillim të viteve ’70 ishte një vendbanim plot gjallëri, por sot e boshatisur nga banorët drejt qëndrave të mëdha urbane, sepse jeta aty ishte bërë e vështirë, nga një sistem që i varfëroi aq shumë.

Ngado të hedhësh sytë, shikon male të rëndë me bukuri të rrallë. Pashkasheshi, Priska dhe Dajti me thyrjet e dukshme të relievit të tyre shfaqen vargan-vargan. Vështrimin e tret larg, më në veri, në Shëngjergjin të Tiranës mjaft të bukur e fisnik, me pyllëzimin e dendur. Pak e dinë, por ka ekzistuar këtu një rrugë e rëndësishme, e sigurtë, tregtare, që vinte nga Pashkasheshi në drejtim të Elbasanit dhe tjetra nga Fravesh-Kllojka-Shëngjergj për në Krujë e Mat. Kaq e bukur ishte ajo rrugë, kopësht i Edenit, burime, hane, karakolle, fruta, pyje dhe njerëz të mirë. Një rrugë lufte, që ka funksionuar deri pa u hapur rruga e Krrabës, e cila edhe doli nga funksioni pas hapjes së tunelit.

Ndërsa zbrisnim të shpenguar shpatit të kodrës ku shtrihej Mollagjeshi, duke marrë pas vetes aromën e mollëve, dita po jepte shpirt nga perëndimi i kuqeremtë i diellit që po ndriçonte vetullat e maleve.

Ishte një udhëtim i shkurtër, por mjaftueshëm për të marrë kënaqësi, në një peizazh me plot ngjyra, që të mbush me ajër, më shumë se sa peizazhet me ngjyra që shtrihen gjithmonë afër nesh, me shumë liri e hapësira të uzurpuara nga gllabërues e përfitues të natyrës sonë të bukur e tërheqëse.