E diele, 27.11.2022, 12:10 PM (GMT)

Përjetësi » Lushaj

Zeqir Lushaj: Unë e besoj heroizmin, po ti… lum zotnia?

E enjte, 27.10.2022, 07:00 PM


UNË E BESOJ HEROIZMIN, PO TI…, LUM ZOTNIA?

(Nga libri i Zeqir Lushajt: ZBEHJE E HEROIZMIT)

A ekziston heroizmi? Në fund të fundit, a ka ekzistuar ndonjëherë?

Për mua, po!

Për Ty (kur them Ty, kam parasysh gjithëkushin): po-jo, jo-po…, nuk e di.

Madje, nganjëherë as nuk dua me e dijtë.

Çka po më duhet mue se, si mendon Ti, ose përndryshe, Ai tjetri?

Tek e mbramja: hiçkurrgja!...Jemi në ekstazën e njeriut të lirë dhe të mendimit të lirë. Oooh,sa mirë!

Unë thm se heroizmi na ka frymëzuar, na ka nxitur për vepra të mëdha në dobi të Atdheut e të Kombit, në të gjitha kohët.

Ti kie mendim tjetër: - Heroizmi na ka thyer qafën. Na ka vra e pre. Na ka sakatuar nëpër kohëra, na ka rritur mendjen e hedh në luftëra, duke e mbushë token me varre.

Këtu unë ndahna pak dhe pohoj: -Po, s’ka heroizëm pa varre. Të paktën në shekujt që lam pas. Tani, ndoshta. Po them se u demokratizuam. Ishalla kurrë më mos u dëgjoftë emri luftë, as fjala vrasje! Po ec e besoje se? Ka statistika që, më shumë po vriten sot, se në kohë luftërash të mëdha! Në fund të fundit, jam gati të bëj një kompromis propagandistik. Nëse harrohen fjalët: luftë, vrasje, varfëri,  shfrytëzim, prostitucion, korrupsion…, le të harrohet edhe fjala heroizëm.

More, ç’janë këta heronjtë, xhanëm?

U rritëm dhe edukuam me bëmat dhe me emrin e kryetrimit Skënderbe.Tek Ai, thamë se s’mundet të na cenojë kush… U shemb dynjaja. Edhe Ai, Zoti  Ynë, paska qenë një hiç. Një hakmarrës oridener, një kalorës pa vlerë, i cili më shumë i ka shkaktuar dëme e fatkeqësi popullit të Tij.

O tokë, hapu! O dhe, përpina!...

Unë them (kam thënë dhe do të vazhdoj të them) se, Ismail Qemali e Isa Boletini janë heronjë, si ata e s’ka tjetër. Na sollën flamurin e lirisë e të pavarësisë. Ti, prap ma prish gjakun: Ismail Qemali një agjent i Perandorisë Osmane, e Isa Boletini një agjent serb! Unë, kapi kokën me grushta dhe, marr frymë thell: - O Zot!

Unë them se është hero Selam Labi. -Po pse, thua Ti kundërshtari, ose më mirë po i themi, siç e përdornin shpesh në monizëm, oponencë? Çfarë bëri Ai? Hodhi gunën përmbi tela dhe u vërvit matanë…! E pastaj? Në luftë me gunë?!... Po ku ke parë Ti, të shkohet në luftë me gunë, more i shastisur(?!), më thua Ti, tërë indiferencë e nënvleftësim.

Unë them se është hero Mic Sokoli. Është hedhur mbi grykën e topit.

-Ju nuk jeni në vete, më thua Ti.-Po ku kapet topi për gryke or, të kam rixha. Po ç’janë këto budallallëqe more vëllai im i tromaksur?

Dhe unë, mblidhem në vetvete: -More, dale njëherë. Ky që thotë kështu, nuk është krejt i lojtur nga mendët e kokës… Dhe,  e vë në diskutim heroizmin, në qendrimin tim, në shkrimin tim, në ndërgjegjen time: - More, vërtetë, ka apo s’ka heroizëm? Mos e kemi trillue a shpikë?

Për mua është hero edhe Aziz Vorfi, Fuat Çela, Islam Vatoci, Dhimitër Delijorgji, etj. etj…. Ti, shtrembron buzët, shenjë fyerje ndaj meje (e sidomos ndaj atyre) dhe vazhdon: - Aaa, hahaha! Gallatë e madhe. Edhe këta heronjë?

Unë, prap shkruaj libër duke i rënë fyellit (ndosha, për Ty), në të njëjtën vrimë. Qëndrimet  tona janë edhe vlerësim, edhe (zh)vlerësim i heroizmit, i të djeshmës. Ec e gjeje vëlla.

Mendimet i kemi të dryshme, por them se qëllimin (shalla) ta kemi krejt të përbashkët.

E di se, nuk jam burrë më i mire Unë, unë që i dua e respektoj heronjtë, se Ti, ti që nuk i vlerson ata. Dhe prap Unë, lëshoj rrugë, lëshoj pe, pra jam luajal, oportun, tolerant.

Dëgjo Ti, ti miku im. Të kam shok, mik, vëlla, ama të lutëm mos ndërhy në shpirtin tim, në bindjet e mia, qoftë edhe të gabuara. Se, ndryshe, dashtë e pa dashtë, ke cënuar aty ku nuk duhet, në fakt, në fakt ke cënuar lirine time të mendimit. E, po u cënua liria, pastaj kot flasim për të tjerat, për të tjerat e ashtuquajtura: - Të drejta të  Njeriut.

Në fund të fundit, ja, Unë e bëra kompromisin, të dhash Ty vend. I futa një (zh) në kllapa para fjalës për të cilën Unë luftoj, pra para fjalës – Vlerësim! Dakort?

Nderë më të madhe nuk mund të të bëj. Shkrimet nuk i ndryshoj dot, tani mbas dekada vjetësh. Se, do të dali dikushi e do të thërrasë: - Hej, Ti!... Me nder me thënë, mos ha m...! Të kemi besur një herë, e tash, tash që po e dredh nuk do të besojmë ma…(edhe kjo mund të ndodhë, Ti e din se ne shqipot e kemi pak gojën e shpërlarë, ose “të keqe”).

Mbi tëgjitha, Unë vet jam bindur më shumë në ato që kam shkruar e që kam botuar. Dhe, me knaqësi, marr guximin t’i jap në dorë, të shtypura, si këtu e deri 30-35 vjet më parë. Jo veç portrete heronjësh, por edhe reportazhe e skica, ku kemi patur edhe pak “dorë më të lirë”,  për “të kruar dhëmbët”, për të bërë edhe pak letërsi. Këtu e shoh me vend të citoj Kadarenë: “Nuk ka shkrimtar që shkruan ndryshe sot, dhe të nesërmen, si me magji e ndryshon (“Shekulli”, 29.09.2010).

Unë jam i vendosur, i bindur në atë idenë time (jo politike), për heroizmin dhe heroiken, pa synuar në asnjë çast që të jem avokat i heronjve, e Ti, vazhdo me atë tendën. Futi një (zh) të vogël përpara heroizmit…, (edhe_pse, mbas zh-së, gjuha shqpe nuk ka ndonjë shkronjë tjetër… Pra, besoj, s’ke çka me shtue as me thenë! (zh)-ja jote = sa krejt libri im! Apo jo?

Unë jam betuar, me gojë e me shkrim, me dorë në zemër, para Flamurit Amerikan, në ditën e dy-shtetësisë sime, se do t’i respektoj të drejtat e njeriut, lirinë e mendimit e të shprehjes, lirinë e fjalës! Dhe jam plotësisht koshient. Dhe të mos harrojmë, se jemi 100 vjet shtet Shqiptar. Kemi a nuk kemi haronj?

Lexuesi (i lirë) ta vlerësojë,n’daç ta (zh)vlerësojë heroizmin. Dakort! Atij t’ia lëmë në dorë.

Unë edhe Ti, t’i lëmë llafet…, ose, më fal për shprehjen – “lloqet”, siç thonë për Kavajën.

Unë e besoj heroizmin!- Po Ti… lum zotnia?

Veç mbaj mend: edhe vrasësi edhe viktima, nuk mund të jenë njëkohësisht heronj. E, aq më pak, në të njëjtin piedestal. Përndryshe, e ka marrë dreqi këtë punë. – Mo-zo-ma-keq!

Ama, deshëm nuk deshëm, vet debatet “rroma-për-toma”, janë një zbehje e heroizmit.

Hajt pra, këto ishin sa për hyrje, dhe kalo në faqen jetër. Të paktën, vlera e ditarit të këtyre shkrimeve, them se do të ketë peshën e vet (ndoshta një ditë, dikur e një Dikush, do të ribotojë pjesë nga ky libër,me okelion: - “Si shkruanin të parët tanë”! – Amen!

(Përgatiti enkas për ZSh, Adil Fetahu)



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora