Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: I paharrueshmi Imzot Ernesto Koci

| E shtune, 15.10.2022, 06:58 PM |


I PAHARRUESHMI IMZOT ERNESTO KOCI

Nga Fritz RADOVANI

Imzot Luigj Bumçi u ngarkue me detyren e Kryetarit të Delegacionit të Shqipnisë në Konferencen e Paqës në Paris. Mbas takimit me Papen Benedikti XV, i cili mori persipër me bisedue me Presidentin e ShBA Wilson, per ruejtjen e Shqipnisë nga coptimi nga shtetet fqinjë, me 12 Nandor 1920, Papa Benedikti XV ngarkoi Imzot Ernesto Kocin (Kozzi), me detyren e Delegatit Apostolik në Shqipni.

IMZOT ERNESTO  KOCI, asht Delegati i Parë Apostolik i Vatikanit, që ishte Shteti i parë, që njohu Shtetin Shqiptar në 1920. Imzot Ernesto Koci jo vetem e njihte mirë Popullin Shqiptar, po Ai kishte një dashuni të madhe per popullin e Gjergj Kastriotit, gjuhen e të cilit e njifte mirë, e per të cilen që në vitin 1900 ai punoi dhe la vepra me një vlerë të madhe etnologjike në Shqipninë e Veriut. Imzot Ernesto Koci vertetë ishte nga Trentoja, italo – austriak si origjinë, po ishte një albanolog i perkryem dhe shumë i aftë, e kjo vertetohet me veprat me vlerë që Ai na ka lanë per kulturen e panjoftun Shqiptare jo vetem atëherë por edhe sot.

Imzot Ernesto Koci asht marrë kryesisht me të drejten zakonore, edhe pse gjuha shqipe nuk ishte e shkrueme, po me anë të komunikimit gojor me popullin e disa krahinave në Malësinë e Madhe, Mirditë, Zadrimë, Postribë dhe Dukagjin, Ai ka mërrijtë me lanë një studim të plotë të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, në një kand tjeter shikimi prej At Shtjefen Gjeçovit, vlera e të cilit asht e pakrahasueshme.

Imzot Koci edhe pse erdhi kur Shqipnia vazhdonte me kenë nen thundrat e turqëve, Ai me një kujdes të madh mori rrugat e vështira të Malsisë, ku la vepra me vlerë të pashlyeshme baritore e kulturore, per të cilat ka shkrue edhe Edith Durham (1863-1944) si edhe personalitete të tjera shqiptarë dhe të huej, që nuk kanë kursye asgja per të miren e Shqipnisë.

Veprimtaria e Tij asht e gjithanëshme dhe i paraprinë studjuesve shumë të njohun edhe pse të huej si, At Zef Valentinit, At Jak Gardinit etj., që përjetsisht do të kujtohen nga Populli Shqiptar per veprat e Tyne me aq vlerë në të gjitha drejtimet e jetës.

Imzot Ernesto Koci asht le me 6 Korrik 1870 dhe, ka vdekë papritmes në Bari me 23 Shkurt 1926. Por, ajo që do të theksoj asht “deshira e Imzot Ernesto Kocit me u vorrosë në token Shqiptare”. Dhe ashtu u veprue.

Ai asht vorrosë në Kishen Kathedrale të Shkodres, e Vorri i Bekuem i Tij, ka mundësi që asht zhdukë me “revolucionin kultural të 1967”, atëherë kur ua shkatrruen vorret e vjetra të gjithë klerikve të vorrosun në Kathedrale.

Me këte rasë po ju kujtoj thanjet e Papës Gjon Pali II në Tiranë, përballë Heroit tonë kombtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu: “… Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurr në historinë e njerëzimit…Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Evropian dhe asht e domosdoshme që Evropa mos t’ Ju harrojë!. E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës… “Një demokraci pa vlera, – këte e kam shkrue n’ Encilklikën Centesimus Annus-mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon edhe historia…”. (25 Prill 1993).

A nuk e verteton këte fakt “rilindja komuniste” sot në Shqipni?!

Dhe unë, po persëris: “Historia endè nuk e ka njohtë até që ka ngja në Shqipni…Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europian!”

Imzot Ernesto Koci erdhi në Shqipni në kohë pasigurije, po Ai, me një kujdes të madh mori rrugat e vështira të Malsisë ku la edhe gjurmët e veta.

Kalimi i Tij në Malsi nuk ishte i paparashikuem, madje Ai atje, la vepra të pashlyeshme baritore e kulturore, per të cilat kanë shkrue edhe shumë personalitete të tjera shqiptarë dhe të huej.

Ajo që Imzot Kocin nuk e ka shkelqye me ndriçimin e duhun të Veprave të Tij diplomatike, asht kenë pikrisht mentaliteti i politikanve tanë, që asnjëherë nuk kanë mujtë me shlye nga koka e vet fanatizmin anadollkak antikatolik, apo sllavokomunist, ashtusi sot, që janë tue vazhdue me lanë Ambasadan Shqiptare në Vatikan pa Ambasador!

Ajo që per shqiptarë ka mbetë e pashlyeshme asht çeshtja e Gjuhës, per të cilen i Madhi Dom Ndre Mjeda në poezinë “Gjuha shqipe”, që ia kushtoi albanologut Gustav Mayer, më 1892, pat kjartësinë ta vlerësonte gjuhën si përbase kryesore për formimin e kombit Shqiptar: “Gegë e toskë, malci, Jallia janë nji komb, m’u da s’duron: Fund e maje nji a Shqypnia, E nji gjuhë t’gjith’ na bashkon.”

Një nder çeshtjet kryesore që i ka terhjekë vemendjen dhe nuk ka kenë aspak indiferent as Imzot Koci asht kenë: “Toleranca fetare e Shqiptarëve në zhvillimet e historisë”. Sigurisht kjo asht një nga problemet ma kryesore.

Toleranca fetare e Shqiptarëve e mështetun në trinomin klasik besë, bujari, burrni, mbetë monument i kenies së kombit Shqiptar dhe i Atdhetarizmit.

Ambasaadori i Parë i Vatikanit në Atdheun e Gjergj Kastriotit, Imzot Ernesto Koci, ishte dhe mbetë nder Figurat ma të Nderueme të Historisë sonë të lavdishme dhe të Pavdekshme nder Shekuj. Ai me të vertetë ishte një dijetar i vertetë, po ajo që e bani të perjetshem në Token Shqiptare Imzot Ernesto Kocin, ishte Burrnia e Tij e nderthurun thellë me kulturen Europjane Perëndimore Perparimtare.

Gjithshka që Ai Burrë e la në Token Arbnore, Ai e kishte detyrë Shpirtnore që perjetsisht Vepra e Tij me kenë mbi Themelet e Europës Perëndimore!

E pikrisht kjo, asht ajo që e ban sot në Shqipni të Paharrueshem dhe të Pavdekshem të Madhin Ambasador Imzot Ernesto Koci.

Melbourne, 14 Tetor 2022.