E premte, 19.04.2024, 06:42 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Përpjetë liqenit të Vaut të Dejës

E premte, 14.10.2022, 08:00 PM


PËRPJETË LIQENIT TË VAUT TË DEJËS

Udhëpërshkrim nga Pëllumb Gorica

Udhëtimet e papritura të japin më tepër emocione. Kënaqësia është e pa fund kur shkel për herë të parë perlat e bukura, kur shijon qetësinë, freskinë, vështron ujërat, gjelbërimin…, që të japin ca ndjesi, të cilat zbukurojnë shpirtin e udhëtarit. E rëndësishme është të dish ta kundrosh, shijosh e vlerësosh.

Është vjeshtë, një ditë e ngrohtë, që të kujton fundin e verës. Ecim drejt hapësirave të panjohura të trevës së Shkodrës, të rrethuara nga një gjeografi mahnitëse, ajër e pastërti, bollëk uji e frutash dhe një prej trevave hijerënda në histori, e mbushur me vlera të jashtëzakonshme në art, kulturë, religjone, ndërtime...

Rruga gumëzhinte nga lëvizje, shikoja përreth... Sytë rrëshqisnin si në një film me xhiro të përshpejtuara, në pamjet nën një qiell kaltërsie dhe diell që derdhte dritë të florinjtë mbi gjithçka: shtëpi-vila, rrethuar nga kopshtie të vogla dhe të sistemuara me nikoqirllëk. Tërheqëse në pamjen e parë të tyre me të gjithë të mirat e Zotit. Mendja të vrapon te shtëpitë e sistemit komunist, që ua mori frymën banorëve. Një çast ndalon i mrekulluar dhe s’ngopesh duke i parë, si fëmijë ëndërrimtar që përhumbet në kopshte parajse.

Freskia dallohej menjëherë, sapo morën rrugën drejt Mjedës. Befasohesh nga panorama magjike që ndryshon pothuajse në çdo kilometër. Befasohesh edhe nga vendbanimet anës rrugës, të baraslarguara dhe emërtimet e tyre të gjetura.

Rragami dukej si këmbë e zgjatur reje. Natyra këtu ka dhuruar me tërë madhështinë e saj bollëkun. Sheh toka të punuara në çdo cep dhe mirëqënie në shtëpitë. Ndonjë e re, ndonjë e vjetër që ngrenë kokën në degët e shegëve, ftonjëve, dardhave, hurmave me më shumë kokrra se gjethe dhe duken si diej që verdhëllojnë shndritshëm, sa dielli kishte zbritur dhe po puthej me 'to. Në krahë le parcela me gjelbërim vjeshtor, që ndërthuren nga gërshetat e rreshtave: të misrit, fasules, domates, vreshtave dhe pemëve frutore në valëzime ngjyrash. Veçse mund të them se hardhitë kishin një prodhim të bollshëm.

Pas 90-ës shumica e banorëve ikën drejt qyteteve për një jetë më dinjitoze, të cilat në të vërtetë janë kthyer në makthe, sepse nuk gjendet në qytete rehatia që të krijon gjelbërimi i këtushëm, qetësia, ujërat, ajri dhe syri i Natyrës.

Ecim në një rrugë të ngushtë, gati rrugicë, që ndan arat, në fund të së cilës pas kodrave të buta me gjelbërim shtrihet mbi një pjerrësi buzë liqenit të Vaut të Dejës restoranti "Zemra e Ballkanit", i rrethuar me drunj dekorativë, që të le përshtypjen e një fotografie.

Njeriu në çdo kohë krijon kushte për një jetë normale dhe elementët bazë të jetës janë shtëpia, uji, ushqimi, rruga dhe puna. Si kudo në Shqipëri, po ngrihen restorante, bujtina dhe ferma agro-turistike: në bregdet, buzë liqeneve e lumenjëve, në fusha, fshatra e qytete dhe veçanërisht në zonat malore. Po rikthehen emigrantët për të investuar në tokat e veta, duke shpëtuar veten nga të qenit argatë të grekut, italianit etj. Po çlirohen energji të fjetura dhe nuk ka më bukur kur në kohën e një tollovie që ka kapluar këtë vend e këtë shoqëri, shquhen njerëz pasionantë e të përkushtuar.

Astrit Ahmataj (Tito) ka jetuar 16 vite në emigracion dhe me mund e dashuri hapi këtë restorant, që bie në sy për gatimet cilësore të traditës së zonës e mbi të gjitha për higjenën e pastër, shërbimin e kulturuar dhe çmimet e pranueshme. Të mendosh pastaj që është i pari restorant në Rragam, dyerhapur, në shërbim të turistëve dhe Astriti guida e parë aty.

Ndalesën e parë këtu, si për t’u çlodhur nga rruga e gjatë. Adhuron topografinë e natyrës, freskinë dhe bukuritë e fshehta të liqenit.

Poshtë ujërave, tokat e përmbytura 50 vjet më parë, kur u ndërtua hidrocentrali i parë i Vaut të Dejës mbi lumin Drin. Nga HEC i tij shndrit gjithë Shqipëria. Për liqenin janë shkruar vepra letrare (romani “Kulla buzë liqenit”, poema “Qiriu i fundit” drama “Përmbytja e madhe”, vepra këto të Kol Jakovës, në pikturë, dokumentatarë, drama dhe librete operash (“Mrika” Prenk Jakova), këngë etj.

Liqeni ka sjellë një përmirësim të mikroklimës së trevës, duke ndikuar në zhvillimin dhe jo vetëm, që do të thotë shumë për banorët e sipas mundësive të ndërtojnë jetën e tyre. Dimrave në kohë shirash ujërat e rrëmbyeshëm përmbytin fushat, të mbjellat në 'to, stallat, pularitë, rrugët, shtëpitë e banimit të Nënshkodrës.

E hedh vështrimin në hapsirën që shfaqet para syve. Qetësia vetë njeriun e bën të heshtë kur shikon shpendët dhe peshqit që të bëjnë të dashurohesh pas tyre e t’i fotografosh. Sheh dhjetra peshkatarë, që japin e marrin me grepat apo rrjetat, sheh njerëz që futen edhe në ujë, ndërsa ca të tjerë me varka të vogla, si felluket ilire, herë vetëm fillikat e herë nga dy a tre, shkojnë e vijnë përgjatë pasqyrës së ujërave.

Dua të veçoj këtu një tjetër mundësi: shëtitjen në liqen me varkë apo skaf në të fshehtat e liqenit dhe brigjeve të tij, që fitojnë hapësirë tjetër, të pakrahasuara me asgjë tjetër.

Qëndron një çast me vështrimin mbi atë masiv uji të liqenit të Vaut të Dejës. Dikur këtu rridhte Drini nëpër brigjet e bleruara me ara, lëndina, pyje e plot vendbanime. Ai zhduku shumë bukuri dhe jetën me hovet e saj, por ka ofruar një tjetër lloj peizazhi. Kjo zhdukje, një dëm i pallogaritshëm i kujtesës sonë historike.

Krijimi i liqenit krijoi edhe një ishull të vetmuar, një vend ku historitë dhe legjendat janë të pafundme. Më interesantja dhe e pabesueshmja ishte ajo që na treguan se një herë e një kohë ishte qytet.

I bashkëngjitemi dëshirës për të udhëtuar në bukuritë magjepëse të ishullit të Shurdhaut. Të tjerë ishin nisur drejt shpellave karstike të madhësive të ndryshme (secila me histori të vetën).

Varka, nga ato që transportojnë vizitorë, shkiste mbi ujin e liqenit të gjelbërt si ulliri, ndërsa lundronte në pasqyrën e tij, bëhej më i kaltër, sa përnjimend të dukej sikur fluturon në qiell.

Jemi me fat që varkëtari, Lodovik Zefi, si një epikurian i sotëm, i dashuruar pas natyrës, shoqërisë, gëzimit, është një shpirt i hapur, që gjen të veçantën, aty ku një njeri i zakonshëm nuk i vë re. Ke kënaqësi të dëgjosh rrëfimet e tij të këndshme për gjithçka që shihnim në këto brigje magjepëse të liqenit, malet që lartohen drejt qiellit, shpellat, pyjet dhe kishat.

Eh, sa shumë larmi relievi: ujëra, lugina dhe kodra të veshura nga gjelbërimi, diku të thata dhe të prera nga sëpata, diku të harlisura. Cukali përballë me madhështinë si në prrallë, shkëmbinjtë e thepisur që ngrihen si gunga; kulla me banorë që jetonin si në Eposin e Kreshnikëve përmenden për bujari e mençuri, sa udhëtarëve që rrugëtonin, u hapnin dyert me bujt edhe nëse ishin të panjohur. Në vend të ujit u jepnin verë, u jepnin bukë e ushqime, duke dëshmuar kështu vlerat dhe traditat e lashta të malësorëve.

Sipas të thënave, aty ngriheshin manastire, që shpesh ishin edhe vende peligrinazhi, ku shëronin shpirtrat e njerëzve, por sot mezi duken.

Ne shohim edhe lartësinë malore Margjelo e më dukej sikur dëgjoja këngën shkodrane:

Margjelo mori margjelë,

çilma syrin që m`ke mshelë,

o Margjela e malësisë,

thuja kangve që mban isë...

Ishulli të ngjan me një diamant të shndritshëm përmbi ujërat e liqenit. Zbresim në breg dhe ecim përgjatë mureve, që janë dëshmia më bindëse e ndërtimeve të një qyteti mesjetar.

Dikur në lashtësi (i banuar qysh në shekujt e 8-6 para lindjes së Krishtit) vendasit i kanë thënë Sardë, qyteti i 366 altarëve. Pastaj emri në kohë ka marrë formën e sotme, Shurdha, që mban të njëjtin kuptim fillestar, çka konfirmohet jo thjesht përmes elementëve të ndërtimorë, por edhe dokumenteve që përcaktojnë moshën dhe historinë e tij, një qytet që ka luajtur rol të rëndësishëm strategjik, politik e kishtar.

Me ndërtimin e liqenit të Vaut të Dejës, një pjesë e tij u mbyt, por do të mbeteshin reliket e këtij qytërimi. Kalaja do të ruante muret dhe kishat e shumta.

Ne do t'i prekim këto gjurmë kokëforta të shkatërruar nga flaka e luftërave, të zhytura mes gjembave, hithrave e ferrave. Do t'i rrëfejmë ca nga ca më poshtë vlerat dhe çka syri vështron vendet e jashtëzakonshme të Sardës, mesjetën e saj të banueshme dhe dhimbjen e harresës historike. Arkitektura e tyre tregon për të parët tanë që përherë kanë ditur të zgjedhin vendet për të jetuar, anës lumejve dhe afër burimeve të ujit, pasi “uji është jeta”...

Kureshtja e shpenguar të sjellë në mendje ato që dinim për Sardën dhe qytetet bregadrinase tepër të zhvilluara në Mesjetë, duke filluar nga Sapa, Danja, Komani, Dushmani e deri në Va Spas. Kronikanët bizantinë në periudhën e Mesjetës kanë shkruar për kështjella e qytete të fshira nga faqja e dheut, kisha të djegura, grabitje dhe vrasje të shumta ndër popullsinë e tyre.

At Bernardin Palaj thotë: “Sarda, Sardum asht Shurdhahu i sotëm, një ndër qytetet e hershme iliriane. Straboni popullin e këtij qyteti e njeh si ndër ato fise, që përbëjnë kombin ilirian në brigjet e Adriatikut...” (B. Palaj “Dioqeza e Pultit”, Hylli i Dritës, 1943, nr. 4 - 5, faqe 188)

Ndërsa Jeriçek shkruan: “Në kohën e pushtimit romak të fuqishëm ishin deasitiatët dhe pranë tyre sardeatët (Sardasit) e të tjera vendbanime, të cilat nuk mund të përcaktohen saktësisht”. (Jeriçek, “Historia e Serbëve”, faqe 42).

Në shekullin XV Sarda ishte një qytet mjaft i zhvilluar. Këtu jetonin familja e dukagjinëve. Princi Lek Dukagjini kishte rezistencën e tij të fortifikuar. Mbas vdekjes së tij ky (qytet) shkatërrohet nga pushtuesit osmanë.

Tregohet një histori për Sardën, se njëherë kur ishin takuar dy pleq e kishin pyetur njeri-tjetrin se nga je: -unë jam nga pjesa e epërme. Po ti nga je: -unë jam nga pjesa e poshtëme. Dhe çudia qëndron në faktin që në atë kohë ata nuk njiheshin.

Në vitin 877 Sarda ishte qendra më e rëndësishme e Pultit (Polatit). Ishte seli ipeshkvore prej 1290 deri më 1460, që përmendet në një letër të Papës Celesti i Parë (422'432 pas Krishtit) i cili ia dërgon ipeshkëve të Ilirisë në Konsilin e Efizit më 15 mars 431.

Ndërsa kalonim rrënojat e mureve të kalasë, që rrethonin qytetin e poshtëm dhe atë të sipërm, Lodoviku tregoi legjendën e Portës së Kunorës, që mbante të ndarë qytetarët e thjeshtë nga prijësit e tyre:

-Ata djem që arrinin me kokë harkun, ishin gati për martesë për të mbajtur rracën të pastër, ndërsa ata që ishin më të shkurtër, i dërgonin në luftë.

Sarda ishte një nyje lidhëse rrugësh mes Shkodrës e Prizrenit, që lidhnin Adriatikun me Veri-Lindjen, të përmendura nga kronikanët, por edhe memuarët e priftërinjëve katolikë. Sipas kadastrës së vitit 1417, thuhet se nga Shkodra dalin tre rrugë: Tartareske, Skiavoneske dhe e Kanarit. Tartareske është ajo e Vaut të Dejës - Pukë - Qafë-Mali, Kukës e Prizren. Skiavoneske kalonte në tokat sllave dhe e Kanarit që kishte drejtim lindor për në Sardë-Koman-Kabash-Raj, por edhe në Qafë-Mali e Prizren.

Në Sardë kishte një urë guri, të cilën na e bënë të ditur at Gjon Karma: “Ura mbi Drì përpiqte motit Shurdhahun me Meshkallën, u kapte te Kisha e të Mbytunve në shkrep të Meshkallës (At Gjon Karma “Ndër Malet Tona” faqe 182).

Kisha “Të ngjiturit e Zojës në qiell”, që ishte seli ipeshkvore, kulmonte në misteriozitetin e mjegullës kohë. Më bëri përshtypje emri i kishës, sa Lodovikut i kërkoj një spjegim etiomitologjik dhe semantik të këtij emri, por ai fillon e tregon legjendën e saj.

“Të dielën e Pashkëve Shurdhaun (Sardën) e pushtuan turqit. Ata kishin tentuar disa herë për ta pushtuar. Një grua plakë që ruante bagëtitë, u thotë se është e lehtë për ta pushtuar. Komandanti i ushtrisë turke i premton një kalë me hejbe me flori nëse tregon enigmën. Kështu  të dielën e Pashkëve luftëtarët e Shurdhaut dhe popullsia shkojnë për të festuar në Katedralen e Mazrrekut  e rrënuar kaherë që, sipas të thënave, i takonte vitit 1200. (Thuhet se edhe Mazreku ishte qytet me shtëpi afër njëra-tjetrës sa kalonte macja çati në çati. Në Mazrrek nuk ka shkelur asnjëherë turku për ta pushtuar). Meqënëse ura e Shurdhahut ishte e lëvizshme, ushtria turke depërtoi në ditën e Pashkëve dhe pasi e pushtoi, i masakroi të gjithë. Ajo gjuajti me topa edhe kishën e Mazrekut. Ishte e dielë dhe banorët ishin mbledhur brenda saj për meshë.”

Hyjmë në portën e kishës “Të ngjiturit e Zojës në qiell”, sikur hyjmë në një tempull të lashtë. Tregohet një legjendë tjetër interesante, por askush nuk ia ka vënë veshin. Sot e kërkojnë, por nuk e gjejnë vendin ku ishte fshehur kumbanorja e saj, apo të një kohe, jo shumë të largët për kambana të tjera, që u rrëmbyen prej duarve të harbutëve.

Nën një përjetim të romantikës natyrore, që të fisnikëron emocionet e papërmbajtëshme, ne zbresim drejt një murishteje të përpirë nga bimësia dhe shkurret. Shikon breshka të hutuara dhe zvarranikë, që dinë të fshihen me mjeshtëri nga ne. Këtu ruhen edhe gjurmët e një varreze arbërore të shekullit VI-VII.

Shurdhau tashmë më dukej kaq i njohur. Muret, kishat, gjelbërimi, qetësia, shkuma e bardhë që linte varka, pasqyra ujore që lag brigjet e bëri tufën e ndjenjave të holla të bashkëshkruanin këtë përshkrim. Ende më dukej e pabesueshme që isha atje.

*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora