E shtune, 28.01.2023, 07:27 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Kohë do të ketë për takime

E merkure, 12.10.2022, 05:58 PM


KOHË DO TË KETË

PËR TAKIME

NGA KALOSH ҪELIKU

(Poet i nemur)

E nemi Dum Dumi. Trusakati

Doktor Ziu. Buça e Katundit.

Nusja me pashterkë të kuqe

Këlyshi me zgjebe. Dhe, Hadumi.

E nemën. Po, kush nuk e nemi?!

Mikja i dha gji. Fuqi për luftë.

Thonë: të zë vetëm nëma e Nënës...

(Qytet i rremë në agim Dimri)

Jetë qeni. Fundekrye Ferrparajsë

Bërlloku kur lulëzon në rrugë. Gjirizi.

Asfalt nën këmbë. Beton mbi kokë

Vapë që të djeg si saç mbi kësulë.

Furrë zjarri, që t’i ndez me dru trutë

Macja ku jeton më mirë se një poet.

Jetë qeni. Fundekrye Ferrparajsë

Qytet i rremë në agim Dimri...

(Kotnasikoti Unë

isha bërë akull)

Nata që iku më hodhi në shtrat

Mes një Gruaje, zjarri në oxhak.

Flakë u dogja gjithë Natën

Në mëngjes isha shuar nën hi.

Gruaja u frynte thëngjijve në oxhak

Kotnasikoti. Unë isha bërë akull...

(Qyqja ime e borës

i fry zjarrit)

Natë. Në lëmë turret lakuriqi

Zogu i Keq këndon mbi çati.

Hëna e plotë është varë në lis

Qeni im besnik leh në iriq.

Natë. Terri na i ka lidhur sytë

Qyqja ime e borës i fry zjarrit...

(Edhe zogu e ka

Miken e vet)

Jeta.  Dhe, Vdekja janë gra

Burra jemi ne të shkretët.

Që, sa herë t’u teket na hedhin në krah

Shtrat. Pasmesnate, i shuajnë epshet.

Majëmalit, kur del Hëna e plotë

Unë e hap dritaren krah më krah.

Them: Edhe zogu e ka Miken e vet...

(Ti akull e ftohtë qyqe

Unë zjarr i shuar)

Dhoma na merr në grusht. Terri

Qiriri jep shpirt mbi tavolinë.

Shtamaverat rrokullisen nëpër dhomë

Nata e çmendur. Ti edhe më e çmendur.

Pasmesnate, më vdes në duar. Shtrat

Ti akull e ftohtë, qyqe. Unë zjarr i shuar...

(Grua tjetër u fry me gojë

thëngjijve që u fikën)

Dëborë e madhe më ka rënë në dhomë

E mbuloi shtratin. E shuajti zjarrin.

Dritaret nuk hapen nga akulli. Figurat

Ftonit në Kopsht i dridhen këmbët

Sorra në çerdhen e lejlekut bëhet Nuse.

Dëborë e madhe më ka rënë në dhomë

E mbuloi shtratin. E shuajti zjarrin.

Grua tjetër u fry thëngjijve që u fikën...

(Një tufëz xixash

turret përjashta)

Zjarri me flakë ndizet në oxhak

Mikja ime, dikur i hodhi dru lisi.

Flaka të mos shuhet brez pas brezi

Oxhaku ta ngrej lartë tymin në qiell.

Dimër të mos ketë në Shtëpi. Akull.

Zjarri me flakë ndizet në oxhak

Një tufëz xixash turret përjashta...

(Nata grua kur e hedhë

ferexhenë krahëve)

Errët. Hëna e plotë është varë në lis

Dritë na bënë në dhomë. Shtrat.

Shtamaverat të zgjuara. Qiriri në gjumë

Këmbëkryq e pres agimin. Ditën Nuse.

Diell mbi Çelëvjollcë. Rreze në xhama

E hap dritaren. Dikur, fluturoj në Qiell.

Nata grua, kur hedhë ferexhenë krahëve...

(Hëna më tha: të pushoj

te dera e Kopshtit)

I lodhur jam. Edhe Nata. Edhe Dita

Duar më duar më hedhin mbi çatia.

Majë lisave. Te “Përroni i Thanës”

Tri Zana më japin gji. Fuqi për luftë.

Gjokut t’i kërcej në shpinë, marr malet.

Majëmalet larg. Baba Tomori edhe më larg

Hëna më tha të pushoj te dera e Kopshtit...

(E qaj zjarrin me dru lisi

në oxhak)

Lotë nuk kam, as fuqi për vaje burri

Moti ka shterë Lumi im i fëmijërisë.

Që, na strehonte si zogjë nën sjetulla

Verës pas Çuke, te fusha e Zajazit:

Nuset dhe burrat ku heqnin valle.

Dimër. Dëbora ma ka mbyllë derën

E qaj zjarrin me dru lisi në oxhak...

(Koçia e Nuses na mbeti

në rrugë – male)

Krushqit pas shtatë maleve me koçi

U nisën ta marrin Nusen me këngë.

Dhe, ende nuk janë kthyer në Katund

Dasëm të madhe bën Nana në lëmë.

Babai me shokë qet pushkë te porta

Cucat në valle copë-copë i bënë dajret.

Dasëm e madhe ende bëhet në Katund

Krushqit dikush na i ka ngrirë mes maleve.

Koçia e Nuses na mbeti në rrugë. Male...

(Ditën e shtatë vimë

ne poetët)

Erdhën politikanët. Deputetët e popullit

Ministrat. Qeveritarët. Argatët trusakatë.

Dhe, rrugaçët kuqezi. Bandat politike

Që e blejnë “toptan” popullin. E shesin lirë

Në Qeveri. Kuvend: Një asht. Torbë taxhi.

Erdhën trusakatët. Brez pas brezi argatë

Ehu! ... Ditën e shtatë, vimë ne poetët...

(Qielli i pështy luleboret

në Livadh)

Matanë gardhit ma qet gjuhën Buça

Zgërdhihet. E luan rrugës bishtin.

Qenin kërkon t’i kërcejë në shpinë

Lëmën të na e mbushë me këlyshë.

Kohë nuk kam për Buça. Këlyshë

Qielli i pështy luleboret në Livadh...

(E kam dëgjuar çelësin

dy herë në derë)

Pasmesnate. Natën kur më mori gjumi

Zogu i Keq më këndoi mbi Shtëpi.

E im Atë thonte: kënga e tij ndjell kob

Biro, duhet përzënë nga ky Katund.

Im Atë, Emin Çeliku vërtet nuk iku në Turqi

Nana më tha: Një ditë u shpërngul në varr.

Dhe, kam dëgjuar çelësin dy herë në derë...

(Gjithë natën bredha

rrugëve të shkreta)

Nata më zuri te plepat, në bregliqe

Gjumi më kishte marrë në karrike.

Pasmesnate, kur u zgjova nën Qiell

Hëna e plotë m’i përkëdhelte Flokët.

Hëna nuse dikur, kur iku pas Diellit

Natën bredha rrugëve të shkreta...

(Një shkundje e lehtë

nëpër degë)

Veranda ime me pamje në gjelbërim:

Qiell. Drunj. Pemë. Dhe, livadhe.

Pëllumbat shpesh më vijnë në dritare

Zogjtë çifte - çifte me një këngë.

Dielli me një çerre rreze nëpër Qiell

Dhe, Hëna e plotë me atë koçi. Nuse.

Veranda ime me blerim si në Katund

Dhe, një shkundje e lehtë nëpër degë...

(Unë po errem

Nata e zezë)

Trenit i janë harxhuar moti rrotat

Shinat e shtruara deri në Kërçovë.

E, Atdheu është matanë maleve

Këmbëkryq. Anës detit, anës Bunës.

Ose, siç thotë Noli i Madh:

“Arratisur, syrgjynosur

Rraskapitur dhe katosur.

…Ku e lam’ e ku na mbeti,

…Vaj-vatani e mjer mileti”…

Udhëtarët qyqe e presin në stacion

Vite e vite ta kalojnë matanë kufirin.

Trenit i janë harxhuar rrotat. Shinat

Dritat! Unë po errem, Nata e zezë...

(Dhe, thashë: Harrova

pse erdha)

Natën e Madhe zbrita në tokë

Livadhe. Nën hijen e Rrapit.

Struken e kisha hedhur krahëve

Një janxhëk me bukë. Dy Shtamaverë

Armën time penën. Fishekë me vargje

Librin nën kokë. Hënën kulaq mbi faqe.

Natën e Madhe zbrita në tokë

Dhe, thashë: Harrova pse erdha...

(Dikushi po më mbyste

pasmesnate në gjumë)

Ëndërr. Nusja me pashterkë të kuqe

E hapi derën me qiri të ndezur në dorë.

Në tavolinë dy shtama verë në gjumë

Furtunë. E fiku me një frymë qiririn

Dhe, si bollë shullani m’u futë në shtrat.

Pasmesnate, djersë e dashuri me dhunë

Dikushi si Hije po më mbyste në gjumë...

(Dritë Nate e një qiriri

mbi dy shtamaverë)

Dritë më dritë me një Grua

E kaloja Natën pranë qiriri.

Shtama me verë. Dhe, dashuri

Lëmsh rrokulliseshin nëpër dhomë.

Nata nuk kishte gjumë në sy

Dita sillte shi. Breshër. Furtunë.

Terri, kur hudhte ferexhenë krahëve

Pasmesnata, më priste në shtrat.

Dritë Nate qiriri mbi dy shtamaverë...

(Hodha sytë matanë dritareve

por s’pashë asgjë)

Pasmesnate, Nusja me poshterkë të kuqe

Vallen e heq me shami në Lëmë.

Xhindet u bijnë dajreve. DoktorZiu merr nuse

Krushkat në koçi maleve mbetën me barrë.

Dasëm e madhe bëhet në Katund

Dhëndrri i Nënës në grazhd të kalit.

Hodha sytë matanë dritareve, s’pashë asgjë...

(Im Atë më pyeti: E di

se ç’ke parë)

E hapi portën. Nusja hiqte vallen në Lëmë

Gratë tjera brez për brezi këndonin këngë.

Cucat u binin dajreve. Dhëndrri në dritare

Nusen tonë do ta martojmë në Evropë

Koçinë bëni gati! Krushqit e presin në Lëmë.

Baba Shehu për krahësh e përcjell te porta

Nusja sipas zakonit derdh një gjygym me ujë.

Im Atë, dikur më pyeti: E di se ç’ke parë?!...

(Plaku heshti në lëmë)

Nusja të nesërmen doli ta fshi Lëmën

Vjehrra i biente dajres te dera:

“ Nusja jonë oj me limona

A ma mirë te ne, a te nona?”

Vjehrri e nxorri mauzerrin nga hatullat

Dhëndrrit përsheshin ia hante Gjeli.

Nusja jonë e mori hopa Dhëndrrin

Dhe, e hipi në dhomë. Plaku heshti...

(Dikush më ruan ditënatë

përballë Shtëpisë)

E shuaj dritën. Matanë dritares

Një hije zgjatet pas muri, në rrugë.

E ndez dritën. Në koshat e plehërave

Bythët dikush i ka ngritur në Qiell.

Ditë. Bythët na, si palare në Qiell. Diell

Dikush më ruan ditënatë përballë Shtëpisë...

(Tungjatjeta! Jam me poezinë

Dhe, është xheloze)

Askushi më merr mua në telefon: Alo

Politikë bën: Dëfton si shkruhet poezia.

Gruaja besnike si rrëzohet në shtrat

Vera e kuqe si pihet me dy shtama

Dhe, si duhet Mëmëdheu. Atdheu.

Ditën tjetër i përgjigjet sekretarja:

Tungjatjeta! Jam me poezinë e egër.

Dhe, është me xhinde. Xheloze Xhadia

Pas signjalit, nëse doni leni porosi!...

(Të kapëm o Poet

e kemi Ditën)

Dorëzohu! Të kemi shtrirë përtokë

Me librin tënd të nemur ende në duar.

Vëllimet të kanë rënë përsipri mbi kokë

Fletët mos ua ha tinëz librave, o Poet!

Unë jam Ujk i uritur. Bishë mali

Ushqimin e mirë ma bluan truri.

E ju jeni qenë që e ndiqni egërsirën

Librin se jap, është gjahu im. Ushqimi.

Të kapëm, o Poet! E kemi Ditën

E di. Ehu, po Unë e kam Natën...

(Shpejt shuaje

atë zjarr)

Poet, shuaje atë zjarr të ndezur në libër

Po digjen të gjitha: Fushat e malet.

Liqeni u ndez flakë. Deti. Dhe, oqeani

Qielli ka rrezik të ndizet. Dielli e Hëna.

Ndizuni! Digjuni, piquni lakuriqë nate!

Unë jam Poet. Jo një, do ndezi tre zjarre...

(Unë po shkoj për ujë

e ti dil jep kushtrimin)

Dhoma është e djegur. Shkrum e hi

E ku të gjej ujë lumi në këtë Ferr.

Ujë sillni, ujë! Po digjet Shtëpia

Zjarr. Çatisë i del një tym i zi.

Mallkim hyjnor. Bimë të egra te pragu

Unë po shkoj për ujë. E ti jep kushtrimin...

(Kohë do të ketë

për takime)

Mos u shtyni me bërryla. Dhe, bythë

Vend ka për të gjithë në Ferr. Parajsë.

Pas dere nuk do të mbesë njeri

Dikushi arnë kazani. Dikushi qen.

Mos u shtyni me bërryla. Dhe, bythë

Kohë do të ketë për takime. Ferrparajsë...

Nga libri: EHU (Shkup, 2008)



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora