Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Udhëtim në parajsën piemonteze

| E diele, 09.10.2022, 07:00 PM |


UDHËTIM NË PARAJSËN PIEMONTEZE

Nga Pëllumb Gorica

Ka vende të Botës, që edhe në një vizitë të pikturohen në mëndje gjatë gjithë jetës tënde, a thua se ke parë një ëndërr. Emocionet fillojnë nga çasti kur fluturon në këto mrekulli të së bukurës.

Hapet perdja qiellore - shfaqen apeninet

Aeroplani lëvizi ngadalë në pistën e aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit e më pas shtoi shpejtësinë, duke u shkëputur nga toka drejt qiellit. Avioni i kompanisë “AlItalia” sapo kishte marrë kursin horizontal, kur zëri i stjuardesës u kujtoi pasagjerëve se do të mbërrinin në tokën italiane një orë më vonë. Rrugët, fshatrat, qytetet, ndërtesat, fushat, luginat, kordelet e kaltra të lumenjve, kodrat dhe malet historike, herë me shpate të thepisura, herë të pyllëzuara e herë të zhveshura prej përcëllimit nga zjarret në një qerthull mjegullor, u zvogëluan derisa u tkurrën në njolla të vogla.

Avioni çan përpara midis reve të bardha puplore e duket sikur thyen akullnajat e Detit të ngrirë të Veriut. Më tej mbi retë e vetja mu duk sikur po ecnim mbi një luginë të zbardhur nga bora. Ndërkaq, mrekullohesh me aftësitë inxhinerike, që e bën këtë gjigant hekuri të çajë qiellin, si një shpend mitologjik. Shpesh këmbenim ndonjë fjalë ose ndonje buzeqeshje, veçanërisht kur dëgjon që flitet shqip. Në linjën ajrore Tiranë - Cuneo në Italinë Veriore udhëtarët pothuajse janë shqiptarë.

Është Vjeshtë dhe ata pas pushimeve kthehen në vendet ku banojnë. Befas dielli u shfaq prapa një reje, duke e shndërruar aeroplanin në një peshk të argjend mbi ujërat e pafundme të detit Adriatik. Deti tashmë kish mbetur pas dhe tani fluturonin mbi tokë. Ata që ishin pranë dritareve nisën të shikonin poshtë. Po binte muzgu ndërsa fluturojmë mbi Alpet.

Në dritën e pakët të muzgut shquhet “para dhurata” e bukurisë italiane, me përbërësit e saj, të zvogëluar në një masë si lodra fëmijësh, sikur po sheh filmin “Liza në Botën e Çudirave”; bukuri e mahnitshme e të blertës së fushave dhe kodrave të pamata, argjendaria e maleve, qytetet, grija e rrugëve, si kapilarë që përshkojnë tejpërtej tokën për të ushqyer e për t’i dhënë gjallëri qytetërimit madhështor Italian, të artit, të njerëzve novatorë, të kulturës, historisë, arkitekturës, kolosëve të shkencës, letërsisë, pikturës, skulpturës, kinematografisë, muzikës, historisë dhe sportit.

Aeroplani, si një shpend i lodhur humbi lartësi. Zëri i pilotit u dëgjua qartë: Po pregatitemi të zbresim në tokë. Befas aeroplani u shkund dhe të gjithë e kuptuan se ishte ulur në pistën e aeroportit Levaldixhi të Cuneos. Ndërsa udhëtarët dilnim nga labrinthet e aeroportit mes orientimeve të indikatorëve elektronikë në hollin ku brenda tij gjallëronin njerëz të panumërt, që i kishin sytë nga ne; më përshëndesin të afërmit e mi, të cilët jetojnë këtu prej vitesh, Mirela e Hekurani, nipi Flavio dhe mbesa Eneida. Askujt nuk do t’i vinte mirë që të shkatërronte magjinë e këtyre çasteve, duke u mallëngjyer nga përshëndetjet. E pamundur të fshehësh gëzimin, të shuash mallin me një përqafim. Aeroportet janë, vendet ku fshihen përqafimet më të sinqerta, gëzim, mall të përcjellura me lot zemre dhe shikime që mund të shprehin më shumë se një mijë fjalë...

Udhëtojmë drejt Peveragnos. Rruga të ngjason si gjarpër i verdhë. Përmes kësaj lëvizje, qytetet e qytezat, kishat gotike me kumbanorët e bronxta, drurët dhe shtëpitë e zhytura në veshjen shëndritëse të dritave, sikur fluturonin.

Kuvendimi me Mirelën dhe Hekuranin, në shtëpinë e tyre mes të sallonit, të shndërruar në një muze apo galeri relikesh shqiptare, piktura dhe foto familjare, u bë interesante dhe ktheu kujtimet në vite.

-Ky fat na ra thotë Hekurani, - që të fluturojmë si dallëndyshet kudo në botë, me plot përpjekje për një jetë më të mirë. Nuk e harroj ardhjen këtu, me sakrifica të shumta. Nuk dija gjuhën, isha pa dokumenta dhe qëndroja i fshehur. Flija poshtë urave, apo në kisha dhe punoja në punë të rënda.

Në Cuneo banojnë jo pak emigrantë shqiptarë, kryesisht nga trevat e Veriut të Shqipërisë, por edhe nga Tirana, Berati, Fieri e Elbasani, që të integruar natyrshëm kanë lënë pas vështirësitë e njohura dhe bëjnë një jetë siç e dëshirojnë, në punë, familje njësoj si vendasit, me dinjitet duke rritur mirëqënien e tyre.

Mes mrekullive të Rilindjes Italiane

Qytetet italiane kanë magjinë e historisë së shtresëzuar dhe ngado që të kthesh sytë është sikur bën një udhëtim në kohë me shpejtësinë e dritës, pasi ke në një vend të vetëm antikitetin, mesjetën, rilindjen, modernitetin dhe bashkëkohoren.

Cuneo, është një nga provincat e Piemontes, që shtrihet pranë rrjedhave të lumenjve Geso Stura dhe Di Demonte. E pamundur që në një ditë të vetme të shkelësh gjithë qytetin. Nëse do vija sërish, jam i sigurt se udhëtimi tjetër nuk do ishte aq magjik. Sa hyn në qytet të emocionon shumëllojshmëria e ngjyrave të luleve, bukuria e gjelbërimit, pastërtia e shkëlqimi i gjithçkaje;  urat e larta, sallonet luksoze, pishinat, fushat e tenisit, por edhe qendrat tregtare, rrugëkalimet e nënkalimet tepër funksionale për të ardhmen e largët, që kryqëzohen me njëra- tjetrën.

Madhështia e rrezatuar në shekuj e ndërtimeve të stilit gotik, një nga kulmet e historisë së arkitekturës, të sjellin në mëndje frymën e epokës së Rilindjes Italiane, të ndërthurura me të reja që e kanë bërë Cuneon, të jetë një qytet bashkëkohor Italian, mahnitës për nga bukuria dhe artitektura.

Dritat e ngrohta që ndriçojnë sheshin e bukur "Santo Stefano" evidentojnë më së miri bukurinë e pallateve me portikë dhe sidomos të Katedrales Santa Kroce të ndërtuar në shekullin XVIII, që duket se zoti e ka pikturuar me dorë.  Hekurani, të shëtit nëpër pjesën historike të qytetit, për të soditur me ëndje arkadat, kolonat, portikët, dritaret e harkuara, zbukuruar me koka luanësh.

E madhe, e ndritshme godina e stacionit të trenit e mbushur me vepra arti: skulptura të gdhendura, ornamente, gjethurina, arabeska e figura demonësh, që të kujtojnë satirat e Francisko Gojës dhe nuk të japin përshtypjen e një stacioni treni. Janë vetëm udhëtarët dhe prania e trenave të vjetër bojë kali, që të ngjallin dëshirën për të hipur. I dola ndërtesës përballë dhe nisi ta shikoja gjatë. Aty- këtu. Kureshtja të shtyn ta vizitosh në brendësi, sa të krijohet përhtypja sikur je në një arkivë, të botës mistike me afreske, portrete apostujsh, statuja shenjtërorësh dhe krishtin e kryqëzuar nga Ponç Pilati.

Sakaq kishim mbërritur në Piaca Galimberti. Në të dy anët e saj kolonada me harqe, të mbushur me bar- kafene, pëllumba, turistë, grupe muzikorë, prestigjaturë, humoristë dhe tenda ku artizanët shisnin prodhimet e tyre. Njerëzit ndalnin hapin dhe dëgjonin, filmonin, blinin e duartrokisnin muzikantët.

Në mes të sheshit lartësohet e pushtetshme shtatorja monumentale e Galimbertit, si kolos më këmbë, duke përbërë simbolin e qytetit dhe një nga vendet më të rëndësishme.

Këtu, njohja e rastësishme me Françeskon, nxiti një bisedë interesante. Në fytyrën e tij ndihej mirësia njerëzore. Kur mëson se jemi shqiptarë, të thotë se shumë prej tyre që punojnë dhe jetojnë në Cuneo janë miqtë e tij. Ai kishte pikpamje ndryshe nga të djathtët italianë, që janë ksenofobë ndaj emigrantëve.

-Jo pak prej tyre- të thotë Françesko, i kam ndihmuar të punësohen dhe gjejnë banesa të lira, por edhe në çështje të përballjes me autoritetet shtetërore.

Ndërkohë, Françesko të flet për historinë e Cuneos, për artin, kulturën, muzikën dhe arkitekturën italiane, për themelimin e qytetit, i cili ngjall interesin tim për të mësuar më shumë.

-Cuneo lindi si qytet në shekullin XIII, si fortifikim në mbrojtje të rrugëve - thotë Françesko, Ai duke qënë se ndodhej afër kufirit francez ishte i njohur për rëndësinë që ka pasur në periudhën e shtetit të Savojës.

Duhet të përshkoje rrugët me portikë, pastaj një shesh historik, të shohësh bustin e Garibaldit, si tregues i një vlersimi për prijësin e bashkimit të Italisë. Ne ngarendëm, në skajin e tejmë të qytetit përmes një rruge të drejtë, ku rreshtoheshin shtëpi me arkitekturë moderne. Në të gjitha ndërtimet, që shihje në qytezat italiane, ishin futur ngushtë mes gjelbërimit të lëndinave. Sidomos ato të familjeve legjendare italiane. Kangjellat, gjelbërimi dhe vazot prej mermeri e pengonin shikimin dominues drejt tyre. Këtu është edhe shtëpia kështjellë më e famshme, vërtetë parajsë e familjes princërore, Oldofredi Tadini. Së pari për nga ana arkitekturore, vërtetë është e famshme, që dukej e përgjumur, nga dritaret dhe dyert e mbyllura, me përshtypjen e fshehjes së kushedi çfarë sekreti ruan brenda saj.

Mirela na prin në “Auchan” qëndrën tregtare më të madhe të Cuneos, që ziente nga mizëria e vizitorëve. Reklamat të jepnin përshtypjen e ftesës për të blerë. Dominonin kompanitë e provincës: Miroglio Ferrero, Maina, Balocco, Merlo Harpa, Bottero, Mtm-Brc, Abet, etj, që përfaqësonin mallrat e tyre, që nga çikërrimat artistike prej qelqi, druri, mermeri, kuarci, lodrat për fëmijë e deri tek veshjet nazike si në galeri ngjyrash.

Iu drejtuam gjallërisë që kishte pushtuar një kënd të saj. Po festohej “Festa del Pane”. Disa rrinin ulur, të shumtit lëviznin me gota vere dhe bisedonin e qeshnin. Në shoqërinë e bashkëpatriotëve tanë, më bëri të ndihem sikur jam në Shqipëri. Këtu festat, festivalet muzikore dhe panairet, si ai gështenjave, i djathit, çokollatës, luleshtrydhes, etj, janë ditët të gëzuara për bollëk, shëndet e suksese. Cuneo, si një qytet me tradita i ruan me fanatizëm ato, me dashurinë për punën dhe respektin e vlerave njerzore.

E mrekullushmja Piemonte ne çdo cep te saj

Rrezet e diellit përkëdhelnin majat e maleve të larta Monvizo dhe Bizalta, fushat e mbjella dhe kodrat me plantacione drurësh frutorë, që të përpijnë veshtrimin dhe të dhurojnë emocione të tjera. Bukuria e tyre më mahnitën, ndërsa dora e njeriut kishte bërë mrekullira, që duke i shkelur për herë të parë, provoja kënaqësinë më të madhe.

Udhët e gjëra, të lara në lum drite e bënin të papërfillshme largësinë nga Parku Natyral Alta Valle Pesio e Tanaro, që shtrihet lartësive të malit Bizalta, në një sipërfaqe prej dhjetra mijëra hektarësh, nga ku shihet e gjithë Piemonte. Tabela e shkruar bukur ‘’Benvenute” të ndillte të mos mendoheshe shumë. Pas saj në një dizajn të bukur ishte pikturuar harta e pyllit. Ishin shënuar kafshët e buta e të egra, shpezët e ndryshme e zvarranike, insekte, nga të cilat duhej të kishe kujdes.

-Është shumë bukur atje, - thotë Hekurani, ka gjelbërim, ajër të pastër dhe qetësi të paparë.

Ecim rrugicave gjarpëruese të Parku Natyral Alta Valle Pesio e Tanaro, me drurë gjithfarësoj, sa që degëzimet e tyre në bashkohen duke formuar një tunel natyror të blertë, ku dritëhija e futjes nëpër to të ndjell në një lojë romantike. Ndihej fëshfëritja e erës, gurgullima e ujërave dhe zhurmat e natyrës. Aty-këtu vendpushime klimaterike, vënde për qitje sportive, për pushime argëtuese, zgara për pjekje me qymyr apo dru, me qëllim që të pranishmit të piqnin mishin apo perimet. Një vëmendje të veçantemë i ishte kushtuar argëtimit të fëmijëve. Atyre u ishin ndërtuar kënde lojrash. Veç mjedisit argëtues do të binin në sy çezmat e ujit, tavolinat dhe stolat e drunjtë p?r ngrenje, stolat për pushim. Një bujtinë e vogël të tërheq vemendjen me arkitekturën tradicionale dhe reliktet, që luftonin për pak vend të lirë. Pra, një muze, ku të bëjnë të mendosh se e kaluara ka ndalur këtu. Pronari i bujtinës, të uron mirëseardhjen dhe fton në një tavolinë. Natyrisht, kënga piomonteze ishte ajo që krijonte një klimë intime.

-Nuk mungojë në restorant - thotë Mario, - prodhimet vendase: Vera “Dolcetto”, djathi” Raschera”, që cilësohet më i miri në Apenine, apo çokollata “Arione’’ me rum.

Hapësira fushash pafund ku nëpërmjet gjelbërimit dhe qytete që gjenden përgjatë itinirerit të rrugës, të befasojnë me shtrirjen dhe monumentet. Makina u nis drejt qytetit Alba jo shumë larg Torinos. Alba është një qytet i vogël, me standard të lartë jetese. Aty të bën përshtypje gjelbërimi, qetësia e paqtë, madje mund të mendosh sikur s’ka banorë. Në pallatet me pamje fjorentinase, në dritaret e larta, lulet kacavjerrëse me bukurinë shumëngjyrëshe kundërmonin aromën e këndshme.

S’ë këndejmi udhëtojmë drejt Fossanos. Shohim ndërtesa të veçanta për nga arkitektura e ndërtimit, por dhe nga funksioni.  Kolonat e pallateve në formë galerie formojnë tunele ku nën to ecin njerëzit për t’u mbrojtur nga rrezet e Diellit, nga shiu e i ftohti.  Dielli thërmonte në dritare rrezet e panumurta.  Në kështjellën e zbukuruar me afreske dhe piktura, ku spikasin portretet e anëtarëve të familjes heroike të dinastisë Akaja, që ishte shndërruar dikur në vendbanim dukal, burg, kazermë ushtarake, e sot është kthyer në muze. Ndalon dhe pi një gotë verë, nën akustikën e shekujve dhe kohëve moderne.

I ngjitemi një kodrinë, nën fëshfërimën e lisave të lartë nga ku të shfaqej Mondovia, aq, sa mjafton të ecësh nëpër qëndrën e këtij qyteti, mirë të ruajtur, nëpër rrugicat e ngushta shtruar me gurë, të pikëtakosh histori mesjetare. Nga këtu shikoje pjesën e poshtme të qytetit që të magjeps me bukuritë e gjelbërimin e pa anë. Të tërheqin vëmendjen edhe urat. Duke i parë nga larg përmes dritares së makinës ato dukeshin të mëdha e të bukura. Harqet fantastike, veçanërisht ura hekurudhore. Qyteti i vjetër përmban ndërtesat publike romake më të ruajtura në Italinë veriore. Hekurani, me rrëfimet e tij, të shëtit portikëve të Piaca Maxhior, atje ku shpaloset historia e qytetit, sidomos betejat midis pronarëve feudalë dhe klerikëve fetarë në shekujt e Mesjetës, që kanë shkaktuar gjakderdhje të shumta për trashëgimin e pasurive. Ato kanë zgjatur më shumë se dy shekuj sa Mondovi u rraskapit derisa përfundoi në zotërimet e Savojës. Duke menduar këto u ndala në portën San Nazaro ku ishte bërë një betejë e përgjakshme. Hekurani s’harron të tregojë një pllakë murale, ku është shkruar për këtë faqe historike, por edhe për betejat e Napoleon Bonapartit të zhvilluara këtu.

E marrim rrugën drejt Bazilikës “Santuario di Vicoforte” e Vicofortes. Është pak të thuash e mrekullueshme kjo faltore e shenjtërores ‘’Regina Montis Regalis’’. Një mrekulli inxhinierike ndërtimi, që të le pa mend. Unë ashtu mahnitur vetëm bëj fotografi muret e pikturuara me shenjtorë. Kubeja e saj eliptike, 74 metra e lartë, me afreske, shandanë, ikona madhështore dhe engjëj që fluturonin në qiell, si në shkëlqimin hyjnor, duke të kujtuar mjeshtrin Karavaxhio.

Në Khiusa di Pesion, të shtrirë mes maleve Cavanero dhe Mombrisone vështrojmë muret e kështjellës Mirabello. Më tej shtëpia e gjuetisë. Ecim drejt Çertosa di Pesio, një urdhër fetar, që shtrihet rrëzë një kodre, të veshur me selvi. Një portë e hapur të fton të vizitosh ndërtesat, me të fshehtat e mistershme, në kolonat e stilit romanik dhe sallonet me tablo shenjtorësh e mbishkrime, si bartëse të mesazheve të besimit katolik.

Në Boves, që nuk shquhet për ndonjë veçori dalluese, rrugët kishin një gjallëri të pazakonëshme, si një lum që rrjedh ngadalë. Ata do të kalonin në njërën nga rrugët e shumta, tek Vis Borellae cila na mori me vete me zhurmat, brohoritjet e hareshme dhe këngë patriotike. Festojnë ditën e çlirimit nga nazifashizmi. Në memorialin që ruan kujtesën po përkujtohej pushtimit Gjerman të Italisë në Luftën e Dytë Botërore. Dhe jehonte Me Bella Ciao', kënga himn e rezistencës së partizanëve italianë.

Ndjekim rrjedhën e lumit Rola. Ndalojmë në Limone Piemonte, të shtrirë në afërsi të kufirit të Italisë me Francën, në lartësitë e Alpeve Detare, aty ku tuneli Kole de Tende, 1321 m, e çan malin tejpërtej. Limone Piemonte e ndodhur në afërsi të Torinos, San Remos, Ventimiljes, por edhe qyteteve franceze Menton, Nisë dhe principatës së Monakos është qytezë alpine e cila prej një shekulli vend i sporteve dimërore, skive dhe patinazhit, ku shpesh organizohen shpesh edhe edicione të Kupës Botërore. që natyra dhe njerëzit e kanë qëndisur, me ngjitjet në malet me borë, majat e thepisura, pllajat e gjelbëruara, liqenet e shumtë akullnajorë.

Endemi kishave dhe shtëpive alpine të Limone Piemontes. Arkitektura karakteristike të le mbresë e sakaq të kujton Voskopojën. Lule dhe flamuj të kombësive të ndryshme zbukurojnë ato. Këtu janë përqëndruar edhe bustet hijerënda të figurave të njohura të Limone Piemontes, e kardinalit Riberi Antonio dhe sociologut Antonio Marro.

*  *  *

Largohemi të mbështjellë, me nektar emocionesh, nga gjithçka që merr prej provincës Cuneo të Piemontes, mbi të gjitha me magjinë e arkitekturës dhe panoramave mahnitëse.