Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Çoku: Kushtetuta!!!.....Për cilën Kushtetutë, zotëri?

| E premte, 26.12.2008, 02:42 PM |


Kushtetuta!!!.....Për cilën Kushtetutë, zotëri? 

Nga Bedri Çoku

Ndryshe nga bashkëvuajtësit e mi, që vuajtën mbi 45 vjet nëpër burgjet dhe internimet,  Zoti më dha   mundësinë   të  isha  për disa vjet përballë   persekutorëve  komunistë, që u dënuan për harxhimin e  ca  kg.   “kafe” më tepër nga ç’u takonte me ligj,  si  faji i vetëm e më i rëndi që ata  kishin bërë  gjatë ushtrimit të  diktaturës    më të egër  e  më çnjerëzore në kontinentin evropian.
Sepse,  vetëm për kaq gjë e gjykuan  të “drejtë”e të “arsyeshme” për t’i cilësuar  fajtorë  eprorët e tyre,  pikërisht  hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit e atëhershëm, edukuar me frymën marksiste-leniniste dhe mësimet e shokut Enver Hoxha. Por,  edhe për kaq gjë  juristët marksist-leninist  ishin të detyruar të dënonin    Nexhmije Hoxhën  e Ramiz Alinë me shokë, thjesht për hir  të vazhdimësisë   në  pushtetin e drejtësisë,  me moton : “Kush gjykon, ai sundon”!
          Ngaqë u  emërova  me  detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të burgjeve të Republikës, (i komanduar), nga viti 1994-’98,  kisha mundësi të isha më shpesh në kontakt me të gjithë ish-byroistët dhe krerët kryesorë të udhëheqjes    komuniste.      Kureshtja për të parë reagimet e tyre për dënimet “kadife” që kishin marrë  nga drejtësia e shtetit demokratik, po   jap besnikërisht disa nga bisedat e mia  me persekutorët e “kafes” braziliane në Shqipëri. Merakun e kisha me Aranit Çelën, sepse me Ramiz Alinë e kisha bërë debatin  e parë,    debat, të cilin e kam botuar në një artikull me titull “ I burgosuri politik dhe Ismail Kadare”, gati dy vjet më parë. Me Aranitin, thashë, isha   kureshtar, sepse nuk ka njeri tjetër në diktaturën komuniste  të ketë  qenë më drejtpërdrejtë në dhënien e dënimeve me pushkatime e varje në litar për antikomunistët,  nacionalistët dhe klerikët,  se sa kryeprokurori i përhershëm komunist,  Aranit  Çela. Jam dënuar kot, më tha pa hezituar, menjëherë,  pas pyetjes time. Nuk më kanë gjetur asnjë fakt që të kem shkelur ligjet e kohës dhe kushtetutën e vendit.  Nuk ka fakte,  i thashë, apo nuk kanë dashur? Sepse për të gjetur e kanë pasur boll dhe  kollaj fare...
Asnjë fakt...
 Ti ke firmosur e dhënë dënime me  vdekje  për  qindra klerikë kundra ligjeve dhe  kushtetutës së kohës. Ke dënuar tregtar që zhvillonin tregti  sipas ligjeve  dhe kushtetutës së kohës. Ke dënuar njerëz kundra ligjeve dhe kushtetutës së kohës, të cilët  dënoheshin  pa avokatë dhe pa asnjë institucion mbrojtës, ndërkohë që Kushtetuta në fuqi, e cila  u ndryshua në vitin 1976, lejonte popullin dhe klerikët të ushtronin fenë, lejonte të drejtën e të pandehurit të merrte avokat, lejonte zhvillimin e tregtisë private...
Apo s’ishte e shkruar kështu kushtetuta që ju  e  ndryshuat në vitin 1976?
 Është e vërtet. Por Ministria e Drejtësisë dhe e drejta e të pandehurit për të marrë avokat mbrojtës u hoqën  me vendim të Byrosë Politike. S’ jam fajtor unë.... Kishat , xhamitë dhe klerikët nga institucionet fetare i shkatërroi dhe i ndoqi populli vetë. Nuk i bëra unë këto marrëzira. Unë vetëm kam zbatuar ...
Ligjin, kushtetutën ? Kam zbatuar vullnetin e Partisë e të popullit...
Pra, nuk ke zbatuar as ligjin, as kushtetutën ?
Vullneti i Partisë dhe i popullit ka qenë, në atë kohë ligji dhe kushtetuta për mua...
 Këto më ngarkuan t’i  zbatoja dhe i zbatova me ndershmëri  e korrektësi...
Dhe,  je i pafajshëm ?
Natyrisht, i pafajshëm. Se mos   më dhanë mëzdrak tjetër dhe nuk e përdora... Le ta  mbajnë përgjegjësinë  ata që më urdhëruan  të veproja  jashtë ligjeve dhe Kushtetutës së kohës...
Buzëqesha dhe  ika. E lashë të qetë në ndërgjegjen e tij,  firmëtarin e qindra  e mijëra dënimeve të të pafajshmëve, me vdekje-pushkatim dhe varje me litar, vetëm sepse ata shqiptarë  kërkonin  një jetë më të mirë e dinjitoze.
Sot e shoh Aranit Çelën rrugës, teksa ecën qetë-qetë,  veshur si një fylarkë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i  të gjitha kohërave. Por edhe i dëmshpërblyer nga Përmbarimi për dështimin që patë bërë  drejtësia e Shtetit Demokratik   për dënimin e tij, gabimisht, pa të drejtë,   pasi ai  dënimet  me vdekje - pushkatim e varje në litar,  i kishte  dhënë vetëm sipas urdhrave dhe vendimeve të Byrosë Politike.  Ndërsa Kushtetuta  e sotshme, e hartuar nga “çunat” e  tij më 1998, e blinduar me frymë demokratike, evropiane, nuk lejon,  gjithsesi të preken paraardhësit, edhe pse ata  kanë vrarë e therur njerëz të pafajshëm,  me urdhrat  dhe vendimet e drejta  të Partisë e shokut Enver. 
Më kap trishtimi  me disa nga këta  çuna,  të cilët,  “ujqërit e majtë” i përdorin hera-herës  nëpër  televizione për   të këputur  broçkulla, që s’i mban dheu. Por, ani, sepse politika, thonë ata,  përtyp edhe egjër, edhe  kallamboq. Ndërsa “politikën e  madhe, të pastër” gjame  e  bëjnë vetë “ujqërit”. Psh. Kur dalin e mbrojnë   aq me zjarr    Kushtetutën e vitit 1998, sikur ajo të ishte këtu,  në tokën shqiptare,  Perëndia  vetë.  Betohen e ster-betohen për “kokën e Kushtetutës”, thua se të tillë betim ata   nuk  e kanë bërë në jetën e tyre as për kokën e  “ mamasë e të babait” , pale` të shokut Enver Hoxha. Por kush e prodhoi Kushtetutën që kemi sot ? Dhe sa shqiptarë e kanë  votuar këtë  Kushtetutë të pagëzuar nga Efqimandriti  Janullatos? Nuk e di nga e  gjejnë fuqinë morale   çunat e ditur  e demokratë të  së majtës socialiste për të  bërtitur aq shumë për vlerat demokratike të Kushtetutës që u miratua vetëm me 2/3 e popullsisë që përfaqësonin  në atë kohë vetëm ish komunistët  me bashkëluftëtarët  e bashkëfajtorët e tyre, sepse opozita e atëhershme, e djathta që patë   përmbysur  regjimin  diktatorial,  sapo ishte dëbuar me dhunë nga   qeverisja e vendit, me anë të “bajonetave” greke e serbe, nuk mori pjesë  dhe “ligjet” Kushtetuese  për të qeverisur Shqipërinë e ardhshme  demokratike,  i formuluan vetë  ata  dhe bijtë e byroistëve,   që kishin qeverisur  me “Kushtetutë” edhe   regjimin gjakatar...(!!!). Mendo,  pastaj, sa të drejtë kanë,   kur thonë se nuk të lejon Kushtetuta e sotme të dënohen kriminelët e dikurshëm...Por si vallë kjo palo` Kushtetutë  e Janullatosit  nuk lejuaka   dënimin e  kriminelëve  të  regjimit të kaluar, ndërsa  shkruan  të  zezën mbi të bardhë    në nenin 41 se  i njeh     pronat   e grabitura nga ligjet banditeske të regjimit komunist dhe, sipas saj,  duhet t’u kthehen    pronarëve   të ligjshëm brenda tri vjetëve ? Ç’kushtetutë e famshme demokratike na qenka kjo e  vitit 1998 që nuk lejuaka të ndëshkohet asnjë kriminel i  regjimit të kaluar, i cili ka vrarë,   vjedhur e grabitur njerëz të pafajshëm,   ndërsa   dënon  pronarët e pronave të grabitura  me dhunë po  nga ky kriminel i  atij regjimi, duke mos marrë ende  asnjë metro katror nga pronat e tyre!!?...A nuk është njëlloj edhe  kjo si Kushtetuta e Aranit Çelës & Co....

G. Sot