Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jahja Drançolli: 110 vjet më parë, Mali i Zi i shpalli luftë Perandorisë Osmane

| E diele, 09.10.2022, 06:41 PM |


Jahja Drançolli:

110 vjet më parë, më 8 tetor 1912, Mali i Zi i shpalli luftë Perandorisë Osmane. Menjëherë pasuan Serbia, Bullgaria dhe Greqia, dhe më këtë filluan Luftërat Ballkanike të përgatitura prej kohësh, të cilat zgjatën nga tetori 1912 deri në korrik 1913. Me pushtimin e Kosovës, Maqedonisë dhe të Sanxhakut, kushtet në këtë pjesë të Europës do të ndryshojnë rrënjësisht.

Luftërat Ballkanike u bënë të njohura kudo për krimet kundër shqiptarëve të kryera sidomos nga ushtria serbe. Ato përfshijnë ekzekutime masive, masakra të popullatës civile, spastrim etnik, krishterim të detyruar dhe persekutim. Për të hetuar krimin, Carnegie Endowment for International Peace formoi një komision të posaçëm që u dërgua në Ballkan në vitin 1913 (Cfr. Dubravka Stojanovi?, U spirali zlo?ina: Balkanski ratovi). Duke përmbledhur situatën në fshatrat shqiptare, anëtarët e komisionit konkludojnë: Shtëpi e fshatra të tëra u shndërruan në hi, popullsia e paarmatosur dhe e pafajshme u masakrua masivisht, akte të pabesueshme dhune, grabitjeje e mizorie të çdo lloji.

Sipas raportit të komisionit ndërkombëtar për luftërat ballkanike “Numri i viktimave në pjesën e vilajetit të Kosovës nën kontrollin serb në muajt e parë llogaritet në rreth 25.000 persona. Ndërsa Kosta Novakoviq, një politikan dhe publicist serb vlerëson numrin e përgjithshëm të viktimave gjatë viteve 1912 dhe 1913 në të gjitha fshatrat shqiptare nën kontrollin serb në rreth 120.000 shqiptarë të të dy gjinive dhe të të gjitha moshave (Kosta Novakovi?, Kolonizacija i srbizacija Kosova). Qëllimi i krimit ishte të mbështeste kërkesat serbe me "spastrim etnik" dhe manipulimi statistikor para konferencës së fuqive të mëdha që do të përcaktojnë kufijtë e rinj (Howard Clark, Rezistenca civile në Kosovë).

Ngjarjet e luftërave ballkanike kontribuan shumë në shtimin e konfliktit serbo-shqiptar. Pushtimi serb i Shqipërisë zgjati nga tetor 1912 deri më 25 tetor 1913. Pas tërheqjes së ushtrisë serbe dhe krijimit të Principatës së Shqipërisë, e cila përfshinte vetëm gjysmën e territorit etnik shqiptar, një numër i madh i popullsisë shqiptare mbeti jashtë vendit të tyre. Pas aneksimit të Kosovës, Maqedonisë dhe Sanxhakut, Serbia vendosi kufij të rinj midis vendbanimeve që ishin përballur me njëri-tjetrin për shekuj me radhë. Qeveria serbe, në kundërshtim me marrëveshjen e Konferencës së Londrës, duke ndaluar ardhjen e popullsisë nga Shqipëria politike në tregjet e zonave të aneksuara, nën pretekstin e sulmeve të shpeshta në zonën kufitare, do të bëhet një pengesë e madhe përintegrimet shqiptare në kushte të historisë moderne!