E premte, 29.03.2024, 12:39 AM (GMT)

Mendime

Besim Ndregjoni: Pse u tradhtua, dhe u sabotua, misioni antikomunist në Shqipëri

E premte, 26.12.2008, 01:31 PM


Pse u tradhtua, dhe u sabotua, misioni antikomunist në Shqipëri
 
Nga Besim NDREGJONI

Tetëmbëdhjetë vjet pas rënies së regjimit komunist, i cili persekutoi vlerat e të drejtave dhe lirive njerëzore të të persekutuarve politike, familjeve dhe brezave të tërë, ende nuk është gjetur një zgjidhje për integrimin e pjesës më të madhe të këtij grupi të shoqërisë. Fakti, që gjendja social-ekonomike e ish të përndjekurve dhe familjeve të tyre është ekstreme, madje emergjente, dhe alarmuese.
Diskutimi rreth qëndrimit të ditëve  të sotme mbi zgjidhjet e mundshme, lidhet direkt me një sërë vlerash që shoqëria e sotme po i shpreh gradualisht. Ne rrezikojmë të sillemi dhe të mbajmë një qëndrim sikur në këtë vend nuk është cenuar asnjëherë genomi i popullsisë, dhe s’ka patur kurrë krime kundër njerëzimit. Ne, të cilët vuajtëm viktimizimin e torturës direkt të regjimit komunist, po vuajmë sot, nga një pafuqishmëri e mësuar, e cila lind nga një perceptim të të qënurit i braktisur nga pushteti politik, dhe nga shteti ne rang kombëtare. Viti 1992 e gjeti Shqipërinë me një bilance tragjik të përndjekjes politike të cilat po i ri përsëris (megjithëse ne çdo takim i kam paraqitur, por qe vëmendja, si nga politika, nga media e cila per hire te se vërtetës në Shqipëri është e politizuar dhe e indoktrinuar, ka qene vetëm heshtje) a mund te heshtësh përpara këtij bilanci tragjik; 5577 burra të pushkatuar me ose pa gjyq si “ armiq të popullit e të partisë”, 450 gra të pushkatuar me ose pa gjyq si “armiq të popullit e të partisë”
26.768 persona të burgosur si “armiq të popullit dhe partisë”, 7.367 gra të burgosura si “armiq të popullit dhe partisë”, 998 burra dhe 45 gra të vdekura ne burgjet politike. 308 burra dhe gra të çmendura nga torturat si “armiq të popullit dhe partisë”, 50.000 familje të internuar dhe pjesa me e madhe fëmijë dhe pleq nga të cilët 7.022 kanë vdekur në kampet moçalore, një version shqiptare i gulagëve siberiane leninistë-stalinistë, si “armiq të popullit e të partisë”.
Studime jo të plota tregojnë; se çdo tre ditë një shqiptar ekzekutohej me ose pa gjyqe për motive politike. Çdo jave një i burgosur politik vdiste ne burg nga torturat. Çdo  dy ditë internoheshin tre persona për motive politike. Çdo 2 muaj një i burgosur politik pësonte gjymtime trupore për shkak të keqtrajtimit në hetuesi, burg ose kamp përqendrimi.
Ndërsa 3 milion shqiptar jetonin me frikën e përhershme të persekucionit pa ligje. Lista është e gjatë...
Të gjitha këto nuk janë vetëm shifra aritmetike. Këto trajtojnë qeniet njerëzore që kaluan nën shpatën e “diktaturës së proletariatit”. Zbulimi më monstruoz i shekullit njezet. Jane keto qenie njerëzore, që sot kalojnë nëpër rrugët e shkretuara, pa dritë,  dhe harresë. Po e sotmja e këtij komuniteti si është  !?  ¾ e të burgosurve politikë kanë vdekur duke i lënë familjet e tyre mjerisht pa asnjë lloj baze e ekonomike, me mijëra familje të të pushkatuarve jetojnë me harresën e shtetit, dhe nën minimumin jetik. Mbi 4500 familje nuk kanë gjetur ende eshtrat e prindërve të pushkatuar, dhe nuk kanë një varr në atdheun e tyre, të paktën për tu ndezur një qiri. Kurse shteti stimulon dhe nderon ata qe i vranë dhe i lan pa varr... Dhe këto familje predikojnë paqe,... ata, urrejtje.
Megjithëse gjatë viteve 1992-1996 u arsimuan mbi 6 mijë fëmijë të ish-të përndjekurve politikë sot 90% e tyre janë jashtë strukturave shtetërore, por edhe të përbuzur nga shteti, i cili për hir të së vërtetës e ka mbushur administratën me pinjollë të ish-administratorëve dhe ish-drejtuesve të organeve të diktaturës. Fatkeqësisht, sot nëse nuk ke një lidhje me diktaturën nuk mund të pranohesh në punë apo të hapësh një biznes. Janë mijëra pronarë, të dënuar politike, që enden gjyqeve për 18 vjet radhazi, për të marrë pronën e tyre. E kundërta ndodh nga pala tjetër, e cila pa pronë por me pushtet njeh pasuri përrallore.  Sot, këta,të harruar po jetojnë akoma “vdekjen e dytë” të tyre para një pushteti të çmendur nga vuajtjet e pandërprera për gjysmë shekulli ose edhe nga pasuria e pistë, që është grumbulluar mbi vuajtjet dhe kockat e thyera të shumicës së madhe të popullit të tradhtuar nga politika.  Klasa politike shqiptare,mendon punon çdo ditë që të mos cenohet ideologjia komuniste nga erdhi, të mos dokumentohen krimet që u kryen në ketë shtresë, dhe ndaj saj përdorin harresën, urrejtjen nëpërmjet pushtetit politik, duke u paraqitur në Europë si demokratë por pa dënuar krimin 50 vjeçar. Harrojnë se kanë detyrimin e borxhit qe u kanë këtyre paqedashësve, mos’hakmarrësve apo siç u pëlqejnë politikanëve tanë ti quajnë te përndjekur politikë.
  Kjo është e vërteta e të përndjekurve politikë në Shqipëri!
Shkrimtari dhe mendimtari bashkëkohor italian Umberto Echo thotë: “Vetëm e vërteta do të na bëjë njerëz krejtësisht të lirë”. Atëherë, nisur nga ky postulat i Echo, a mund të pyesë veten çdo shqiptar, në ç’masë e zotëron të vërtetën, dhe varësisht raportit të tij me të vërtetën sa është i lirë?  Sot në Shqipëri, shoqëria është e lodhur nga hija e gjatë e terrorit komunist që i rri mbi kokë. Prandaj dokumentimi i krimeve komuniste të kryera në Shqipëri do të tregonte rritjen e konfidencës së popullit shqiptar do të tregonte se demokracia po fiton, se frika e zbulimit të së kaluarës fajtore po mundet nga nevoja e një ringjalljeje shpirtërore të tonën. Kusht i domosdoshëm i shërimit të plotë të shoqërisë shqiptare. Amnezia për krimet komuniste të kryera në Shqipëri është një kancer që shkreton çdo ditë fibrën morale, dalëngadalë por me siguri.
Dokumentimi i krimeve të komunizmit nuk është një akt hakmarrje,por një akt drejtësie dhe preventiv njëkohësisht. Pas Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të KE-së dhe pas “Konventës së I-rë Kombëtare” që bëmë      ne ish të përndjekurit politik, Kuvendi i Shqipërisë aprovoi një Rezolutë “Për dënimin e krimeve të komunizmit”, e cila fatkeqësisht mbeti thjesht demagogji, për shkak të mos implementimit.(opozita Partia Socialiste u largua nga kjo seancë, përse ) A nuk ishin dakord, politikanët e majtë, që të dënoheshin krimet e komunizmit? )
Para pak kohësh u miratua “Ligji për dëmshpërblimin”, një detyrim kushtetues ndaj të përndjekurve politikë i shtetit shqiptare. Përsëri opozita u largua nga kjo seancë përse?
Por a i zgjidh problemet ky ligj? Jo, jo! Ligj që shkel kushtetutën, përjashton vëllezërit, motrat e atyre qe i pushkatuan para familjeve,  para fshatit. Paradoksi i këtij ligji është se motrat  e Osman KAZAZIT, e Xhelal KOPRENCES, nuk dëmshpërblehen, këto heroina të sakrificës njerëzore heshtin dhe presin drejtësi nga ata që ua vranë drejtësinë, dhe nuk i dëmshpërblen deputeti qe e votuan, qeveria që e votuan. Poeti Havzi NELA që u var për fjalën e lirë dhe nuk krijoi familje, vëllezërit e tije nuk dëmshpërblehen, ky është ligji i dëmshpërblimit, kjo është mirënjohja e pushtetit qe e votuan, dhe këto familje shohin çdo natë n mediat televizive, ata që i vranë poetet, ata që vranë klerikët, intelektualet, ata që vranë fjalën e lirë, dhe këto familje paguajnë taksat një shteti dhe një administrate që në institucionet vendimmarrëse ka individët që dje i vranë  në emër të diktaturës,  sot  në emër të demokracisë pasurohen me rroga të majme dhe me taksat e këtyre familjeve që i zhdukën.
Përse shteti nuk zbaton statusin e ish të përndjekurve politik? Pse heshtet ndaj këtij statusi? 
Prandaj ne, duhet të ballafaqohemi me të vërtetën. Cilësia dhe progresi i individit tonë varet fort nga këmbëngulja e tij për të vendosur një raport sa më realist me të vërtetën. Të vërtetën e tij, të shoqërisë ku jeton, të historisë dhe fatit të kombit që i përket, përndryshe do të kemi një individ të sëmurë, larg mendjes së shëndoshë, të lehtë për tu manipuluar në çdo kohë, nga çdo lloj demagogësh dhe diktatorësh, sikundër e kemi parë të ndodh me ne jo pak herë përgjatë historisë sonë. Të mos harrojmë 97...
Pra çfarë raportesh ndërtojmë ne me të vërtetat tona? Nëse kemi mbërritur në atë pikë ku nuk na shqetëson kjo dilemë, atëherë kemi të garantuar një sëmundje të tmerrshme prognozën universale të së cilës e patëm vuajtur qysh në fillim të shekullit të kaluar. Në librin e tij “Njeriu pa cilësi”, shkrimtari austriak shprehet “Një njeri pa cilësi, pa veti, pa karakter përbën shkakun e të gjitha dështimeve, mosrealizimin e vetes dhe shoqërisë; ai është qeliza e prishur e një organizmi shoqëror që do të dekompozojë pa përjashtim, gjithë trupin e shëndoshë social”
Shoqëria shqiptare sot, vazhdon të mëkojë shpirtrat e njomë të gjeneratave, me ushqimin pervers të dijeve komuniste nëpër shkolla, dhe përsëri ka njohur, dështimin e saj në liri.
Shoqëria shqiptare ushqehet dhunshëm në një “treg të zi” informativ duke stimuluar dhe edukuar pandërprerë një ndjeshmëri dhe sensibilitet kriminal. Lexuesit dhe shikuesit të saj, i tunden parasysh qindra mijëra faqe gazetash, dhe ekrane me ngjyra, portretet gjakatare të diktatorëve; gjeneratat e reja mësohen me përralla me detektiv për lavdinë e madhe të udhëheqjes komuniste. Te vjen pështire kur shikon të birin e një individi që ka kryer krime në kundërshtarët e diktaturës dhe sot pa e vrarë ndërgjegjja krekoset në ekranet televizive duke llomotitur për të drejtat e fjalës për lirinë e individit etj. Për të përndjekurit politikë ekranet janë të mbyllura.  Por kurrë dhe asnjëherë në hapësirën e kësaj lirie të fjalës, nuk u dëgjuan rënkimet e thella të plagëve tona; kurrë nuk u dëgjuan përpëlitjet e shpirtrave të përvuajtur që treteshin, bjerrnin rininë dhe energjinë e tyre në zgavrat më të errëta të burgjeve komuniste. Ne, e fituam lirinë e fjalës, po kjo fjalë deri tash, po dëshmon për një deformim psikik të njeriut shqiptar.
Rrëzimi i komunizmit e gjeti shoqërinë shqiptare pa ndonjë elitë intelektuale. Kjo për arsye se pjesa më e madhe saj ishte bërë njësh me ideologjinë sunduese totalitare.
Shërbëtorët e regjimit nuk mund të kishin një ndërgjegje qytetare, as nuk mund të ishin të aftë për refleksione të thella. Ata nuk mund të bëheshin mësuesit që të udhëzonin shqiptarët të dilnin nga qorrsokaku gjysmëshekullor komunist. Inteligjenca shqiptare pas rënies së komunizmit kishte një kod moral të deformuar, “kodin e mercenarit”.Përveç kësaj ajo u gjet në një bankrot total shpirtëror, mental e profesional. Në këtë mënyrë ajo si kundërpritej nuk mund të luante një rol në shoqëri. Përveç rolit që kishte mësuar në komunizëm, atë të mercenarit, tashmë në një terren dhe situatë tjetër mercenarizmi politik nëpër partitë tona post-komuniste.
Ata sot janë kasta e shkrirë njësh me pushtetin politik, ekonomik dhe kulturor-arsimor. Çdo zhvillim i ri procesual që vjen pozitivisht nga brenda shoqërisë, do të ndeshet pashmangshmërisht me barrierën e monopoleve të tyre. Problemi mendojmë se është bërë serioz e konfliktual, për arsye se shoqëria është e ndarë. Çdo përpjekje e intelektualëve të rinj, që nuk i lidh gjë me trashëgiminë komuniste, paralizohet nga hierarkia survejuese që kontrollon të gjitha dyert institucionale. Mirëpo gjenerata e inteligjencës së re janë antitruptha që i prodhon organizmi i social i shoqërisë sonë dhe ata përbëjnë të vetmen forcë informale të ekomunstizimit në realitetin e sotëm, ani pse shkalla e ndikimit të tyre, sot për sot është e paralizuar. Kësodore ne të përndjekurit politik nuk habitemi që në shumë sfera të rëndësishme të aktivitetit frymor, shpirtëror, intelektual, udhëhiqemi nga komunistët dhe bijtë e tyre.  Së këndejmi një gjë është e qartë dhe e shprehim me bindje të padiskutueshme : Në Shqipërinë post-komuniste ka ndodhur dështimi më i hidhur dhe më tragjik : Dështimi i  misionit antikomunist. Ky është i vetmi mision që duhej të përmbushte shoqëria e lire, dhe demokratike shqiptare, por ky mision u sabotua, u tradhtua, u braktis po nga ajo klasë politikanësh së cilës shtresa e të persekutuarve për gjysmë-shekulli, familjet dhe dyert e mëdha e djathta konservatore tradicionale si edhe të gjithë të rinjtë e paindoktrinuar me komunizëm i besuan, mbështetën (“dhe ende vazhdojnë ti mbështesin”), ndërkaq paradoksialisht këto shtresa kanë mbetur si më parë gjatë komunizmit, shtresa më inferiore dhe më e papranueshme, më e privuara nga të drejtat dhe shanset e barabarta e mandej më e fyera. Me interesat dhe ndjeshmërinë e tyre luhet vetëm në fushata elektorale, por për fatin të drejtën dhe detyrimet ndaj tyre zor se çan kush kokën . Situata është në një plan krahasimor formal si e djeshmja; kjo klasë dje e persekutuar është përsëri sot e lënë pas dore.
Për të dalë nga kjo gjendje është i domosdoshëm integrimi i kësaj shtrese për të cilën mendoj se ka ardhur momenti kulmor ku nxitja, mbështetja konstruktive e një strategjie kombëtare duhet të jetë e menjëhershme. Jo, me një institut, që vetëm jep statuse, si një zyrë e gjendjes civile, por me programe konkrete,  dhe JO të përndjekurve tu japim një thes miell, një ndër fyerjet më të mëdha që i bëhen klasës së të përndjekurve politike duke i trajtuar si lëmoshaqarë, dhe lypsa. Ky është institucioni që qeveria aktuale e mban për të deklaruar se ne po trajtojmë integrimin e të përndjekurve politike. Jo zotrinj qeveritarë kjo nuk është zgjidhja. Zgjidhja është relativisht e thjeshtë; Zbatimi i Konventave Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Krijimi i një institucioni kombëtar ku integrimi të shtrihet në të gjitha fushat si ato social-ekonomike dhe në rrafshin moralo-politik. Ku të zbatohet Statusi i ish të përndjekurve nga shteti shqiptar. Shoqata Mbarëkombëtare Integrimit në bashkëpunim me Q.SH.R.T  paraqiti Strategjinë Kombëtare për Integrimin e kësaj shtrese, kjo strategji duhet të vihet menjëherë në zbatim, çdo heshtje ndaj integrimit të përndjekurve politikë nga shteti shqiptar, do te thotë mos dekomunistizim të shoqërisë postkomuniste,do të thotë një shoqëri të ndarë, një demokraci të dhunuar,do të thotë viktimizim të shoqërise, koha nuk pret.
Që shoqëria të mos viktimizohet, kërkohet urgjent zbatimi i kësaj strategjie në përputhje me statusin e ish të përndjekurve politik.  Mendjet e mëdha na mësojnë se e mira ngrihet nga e keqja, virtyti forcohet nga vështirësia dhe uria lind nga vuajtja. Sa është kjo metamorfozë në gjirin e klasës sonë? Koha do ta tregojë. Megjithëse jemi qëndrestare të papërkulur ndaj se keqes, diktaturës staliniste, ne të përndjekurit politik shqiptare, do të jemi pararoja e transformimit të shoqërisë siç qemë dje, qëndrestarë ndaj diktaturës.

*Sekretari i Përgjithshëm i Integrimit të Përndjekurve Politikë të  Shqipërisë
 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora