E shtune, 20.04.2024, 02:57 AM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Logatja e Dilisë sipas Petrit Rukës

E enjte, 06.10.2022, 07:33 PM


LOGATJA E DILISË SIPAS PETRIT RUKËS

Nga Timo Mërkuri

I-E papritur ishte për mua thënia e “Mjeshtrin të Madh” Roland Çenko se ka muzikuar një logatje (monofoni) me tekst të qëmtuar në baladën e Petrit Rukës “Nënë ç’ma bëre Dilinë”, madje si për të më shtuar habinë, më shpjegon se: e ka interpretuar në një aktivitet promovues të krijimtarisë së Petrit Rukës të zhvilluar në Gjirokastër. Befasia ishte më se e plotë ndaj  dhe i kërkova linkun në YouTube si dhe sqarime për rastin, nga ku mësova se: në datën 24 prill 2021  në qytetin e Gjirokastrës me regjinë e Kudret Alikaj u zhvillua një koncert, i cili promovonte krijimtarinë poetike të Petrit Rukës,  fragmente poemash dhe poezi  të të cilit shoqëruan gjithë aktivitetin. Vetë Petrit Ruka mungonte për arsye shëndetsore (do shuhej më 06 Korrik 2021), por u bë i pranishëm me një përshëndetje në video kasetë. Në këtë aktivitet Roland Çenko interpretoi një “logatje” (monofoni) me tekst të krijuar nga vargje të qëmtuara në baladën  “Nënë ç’ma bëre Dilinë” të Petrit Rukës, tekst të cilën e paraqesim për lexuesin:

Logatja e Roland Cenkos

Dola lart brigje më brigje,

ta kërkoj, ta qaj me ligje,

Dola, fola, moj Dilinë,

pse s'dëgjon mua të zin-ë?

-Të dëgjoj e qaj me lot,

por jam thellë e nuk dal dot,

jeta ime nuk ka portë,

ma gëzo ti atë botë...

24 prill 2021

Befasia m’u shndrua në një mahnitje kur e dëgjova interpretimin mjeshtëror të Roland Çenkos, qoftë për tekstin konçiz , qoftë për vetë vijën melodike të logatjes, një përzierje vajtimi dhe kënge bashkë.  Në një sfond gri, teksti i këngës vinte drejt meje, duke ju “rrëzuar” tingujt vajtimorë si kalorësit e një ushtrie nën goditjet e shigjetave që vijnë nga larg.  Zëri i Roland Çenkos nuk ishte një zë i qartë kënge i kënduar me qejf e gëzim, përkundrazi dukej si një zë “i lodhur” nga pesha e dhimbjes,  si i ardhur nga larg, nga tejëkoha duke tërhequr zvarë tingujt e fundit.  Dhe ato zanore që zgjateshin e holloheshin si filli I një jete që po këputej. Eh moj Dili ç’na bëre! Kaq shekuj e ikur dhe prapë vjen mes nesh.  Unë s’di pse ndjeja se brenda zërit të Roland Çenkos vibronte dhe timbri i Petrit Rukës sidomos kur përmëndej emri i Dilisë. Vetëm atëherë ndjeje më shumë se sa kuptoje se nuk ishte zë këngëtari, por ishte një ngashërim njeriu shkaktuar nga copëtimi i zemrës.

Të dy ishim miq me Petrit Rukën dhe ndërsa bisedonim në telefon, na dukej se e kishim venë në mes poetin duke e kapur secili nga një krah dhe ecnim rrugëve të baladës së Dilisë duke logatur, jo vetëm këtë tekst, por gjithë baladën e riprurë prej tij. Pse unë isha në Sarandë, Rolandi në Gjirokastër dhe i miri Petrit Ruka ishte në përjetësi, kjo s’kishte të bënte  fare me ne apo me çastin.

II- Kam folur shumë herë për logatjen, por me qënë se te ky libër kushtuar Petrit Rukës nuk kam patur rast, për lexxuesin e tij po i rikthehem dhe njëherë kësaj teme. Kemi thënë  e shpjeguar se kënga isopolifonike e ka origjinën nga vajtimi me ligje, ose e thënë ndryshe, vajtimet (ligjërimet) mortore të nënave e motrave shqiptare, janë burimi i këngës isopolifonike. Sigurisht që ky proces është zhvilluar për një kohë të gjatë, por duhet theksuar se fillesat i ka në hershmërinë e jetesës në familje. Laboratori shpirtëror i popullit tonë, nëpërmjet një procesi (shpirtëror) trasformimi, ligjërimet e arira si tekst e si vijë vajtimore,  i shndron në këngë isopolifonike. Vetëm në  përsosjen e tij, sipas këtij procesi u krijuan këngë të reja isopolifonike. Shndrimi i ligjërimit në këngë është një process i gjatë kohor, ku teksti vajtimor është i pranishëm gati çdo çast (ashtu si në fabrika lënda e parë).  Kjo është e natyrëshme, nënat tona kanë vajtuar çdo ditë të jetës së tyre për bijtë e bijat e ikur para kohe.  Kohë pas  ceremonisë mortore një e afërme e familjes, gjatë një momenti kur qëndron apo ecën vetëm, diku në arë a në pyll, në një çast ligështimi shpirtëror i kujtohet ligjërimi mortor dhe nis e përmënd tekstin vajtimor me një zë të përvajshëm. Duke qënë e vetme, ajo nuk mund ta vajtojë sipas ritualit mortor ndaj e shoqëron tekstin me rënkime e psherëtima dhe diku më “tejë” (në kohë) edhe e këngëzon, sigurisht me nota dhimbjeje.  Në këtë proces, fillimisht doza vajtimore është maksimale në ‘të, ndërkohë që në një kohë të dytë, doza vajtimore pakësohet duke ja lënë vendit këngëzimit, gjer sa arin momenti që teksti këngëzohet i tëri, me një vijë melodike dhimbjeje. Për ta thjeshtuar kuptimin, le të parafytyrojmë një urë që lidh dy brigje, ku bregun nga nisesh për  te ura e personifikojmë si “vajtimi” ndërsa bregun tjetër e personifikojmë me “këngën”. Distanca e urës që përshkon njeriu për të shkuar nga (bregu i) “vajtimit” te ai “i këngës” figurativisht është “logatja”, gjëndja e ndërmjetme mes vajtimit dhe këngës. Vija melodike e “logatjes” sipas kohës së “ngurtësuar” në melodi ka nota të shumta vajtimi në nisje dhe minimum  nota kënge, për të aritur te pika e fundit, ku mbizotërojnë notat e këngës karshi minimumit të notave vajtimore. Kur “zbret” në bregun tjetër, “logatja” është e gjitha këngë. Në këtë stad muzikalisht quhet edhe “monofoni”. Ky process  nuk “mësohet” në shkollë, ky process përjetohet në jetë. Besoj se e kini vënë re që, gati të gjitha ligjërimet mortore të vitit të mbrapshtë ’97 u shndruan në këngë isopolifonike. Ju siguroj se të gjitha ato kaluan nëpër “urën” e “logatjes”, monofonisë.

III- Artisti Roland Çenko në zërin e tij ka ngjyrime të jashtëzakonshme dhe këto ai i ka përdorur edhe te kjo logatje me sira dhe me dashuri, gjë që i ka dhënë një timbër të ngrohtë kësaj logatjeje. Realisht ai ka derdhur mbi këtë monofoni shpirtin dhe talentin e tij. Tashmë që e dimë se teksti është qëmtuar nga balada e Petrit Rukës për Dilinë dhe ca më tepër që Petrit Ruka ka ikur, ajo ngrohtësi që ka derdhur Roland Çenko te logatja, neve nuk na ngroh, por na shkakton mornica nëpër trup e mallëngjim në shpirt. Megjithë atë ne duhet të sqarojmë disa aspekte të logatjes, si faza e parë e isopolifonisë.

Në rraport krahasimi midis logatjes dhe isopolifonisë  sqarojmë se: Kënga isopolifonike muzikalisht është gjithmon më e bukur dhe më e arirë artistikisht se “logatja” (monofonia).  Për nga vetë natyra e saj “logatja” (monofonia) nuk është konkuruese asnjëherë  me këngën isopolifonike. Logatja (monofonia) është fëmijëria e isopolifonisë dhe duke qënë kështu,  nuk është as e drejtë dhe as e  llogjikëshme të kërkosh që: një fëmijë, i cili ndërsa është duke hedhur hapat e para të tij, bëlbëzon disa fjalë gëzimi me timbër melodik,  t'a krahasosh me melodicitetin e një artisti të sotëm të këngës isopolifonike.  Suksesi i atij fëmije është hedhja e hapit të parë, artikulimi i fjalës së parë me nuanca muzikore, pa çka se më së shumti ajo fjalë është mbarimi i një të qari foshnjor. Ky është një hap i vogël i fëmijës, ndërkohë që është një hap madhështor i artit oral, pse kalon  nga vajtimi te kënga isopolifonike. Ky hap i vogël fëmije është “logatja”, e cila në vijën e saj melodike ka të përzier tingujt e fundit të vajit me tingujt e parë të këngës. Realisht dhe “teknikisht” kjo “logatje” e Roland Çenkos është  hapi i fundit ”mbi urë”, kur zbritet te bregu i këngës.

Të krahasosh logatjen me isopolifoninë është si të krahasosh pikturat me motive gjuetie të banorëve të shpellave me Mona Lizën e Mikelanxhelos, të krahasosh kokat gjigande të Ishullit të Pashkëve me kokat e presidentëve amerikanë të gdhendura në Mount Rushmore, të krahasosh të pakrahasueshmet me epoka të tëra jete në mes tyre. Nuk mund të krahasohet  një foshnjë që loz me top në shtëpi një futbollist. Megjithatë themi se ai foshnja “është” fëmijëria e atij futbollisti të famshëm.

Për ta kuptuar logatjen duhet të kuptojmë kohën që e lindi. Logatja ka një “ngashmëri” me ninullën, nëna që këndon ninullë fëmijës mund të jetë artiste e këngës isopolifonike, por mbi djep ajo është vetëm nënë dhe zbret te bota e fëmijës e mërmërit ninullën. Nuk mund ti kërkohet kësaj nëne ta këndojë ninullën me grup isopolifonik mbi djepin e të birit.

Logatja mund të këndohet si këngë isopolifonike në ambientet e këngës, ku  arin kulmin e përsosmërinë melodike nqse këndohet nga një grup me përvojë,  ashtu si çupkat e vogëla që arrijnë kulmin e bukurisë kur rriten e bëhen për t'u puthur nga djemtë, e jo kur i puth nëna.

IV-Për nga vlera, të kënduarit e një këngë monofonike  është si të gjesh një monedhë antike të artë e cila veç vlerës monetare ka dhe vlerën historike e artistike,  që ja shumëfishojnë vlerën në rraport me një monedhë me peshë të njëjtë floriri të ditëve të sotme. Vetëm vlera e saj historike është një vlerësim më vete.

Kënga isopolifonike është kënduar gjithmon dhe është dëgjuar e vlerësuar nëpër koncerte e festivale, ndërkohë që logatja ka lehtësuar gjithmon shpirtin e mbushur me vrer dhimbjeje nga mortet e shpeshta të nënave tona. Ajo gjithnjë ka egzistuar, por ne “nuk e kemi pare”, sepse ajo shkonte kokë ulur rrugëve të fshatit, si një vajzë e turpëshme. Tani që nëpër skena e ngjitin artistët si Roland Çenko, mahnitemi me bukurinë dhe njomësinë e saj. Është e vështirë të interpretosh logatjen. Në qoftë se kënga isopolifonike erdhi nga vajtimi duke kaluar nëpërmjet logatjes, për tu “rikthyer” nga kënga isopolifonike te logatja duhet të njohësh çdo qelizë të këngës. Duhet të jesh Mjeshtër i Madh si Roland Çenko.

Ky arsyetim llogjik na rikthen përsëri te Petrit Ruka dhe baladat e tij. Që të

logatej balada e “Nënë ç’ma bëre Dilinë” duhej që ajo të ishte shkruar ndjeshëm dhe dhimbshëm, si një  vajtim mortor në kohën e herëshme. Fakti që u përzgjodh për tu logatur dhe u realizua suksesshëm, tregon se balada e Petritit Rukës ka zgjuar botën  “foshnjore”  të popullit  dhe kjo logatje (monofoni)  nuk është kryevepër isopolifonike, por është e qeshura e parë e “fëmijës” pas një vaji.

Duke shkruar këto rradhë , mu kujtua një fjalë e Pëllumb Kullës  kur tha: “Ti je farë! Ti duhesh mbjellë Petrit Ruka”!

Nga kjo farë mbiu dhe kjo logatje ( monofoni) në repertorin e Roland Çenkos.

Sarandë, më tetor 2022



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora