E enjte, 25.04.2024, 12:41 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Prokuroria mbyll çështjet e Edi Ramës, dhjetëra kallëzime penale për kryebashkiakun “humbin” në organin e akuzës

E premte, 26.12.2008, 12:43 PM


Megjithëse gazeta Sot ka kohë që publikon fakte të pamohueshme  për gropën e zezë të korrupsionit në bashkinë e Tiranës që drejtohet nga Edi Rama, prokuroria e Shqipërisë vazhdon të qëndrojë indiferente për faktet dhe akuzat që rëndojnë mbi këtë institucion. Tashmë prokuroria e Shqipërisë është shndërruar në një mekanizëm që mbulon aferat e pista të Edi Ramës. Megjithëse në prokurorinë e Tiranës ndodhen dosjet e paraqitura nga KLSH nga qytetarë të ndryshëm, këto dosje përveç pluhurit që i ka zënë, kanë filluar të mykin edhe kartat e kallëzimeve. Institucioni i KLSH ka bërë disa kallëzime penale në prokurori për drejtorin e Urbanistikës të Tiranës Dritan Agollin dhe dy punonjës të tjerë, por çuditërisht kjo dosje gjendet e mbyllur.
Kështu kemi edhe kallëzimin tjetër të bërë nga ky institucion për grabitjen e tokës te Parku Rinia të cilën kryebashkiaku Rama ja ka bërë peshqesh mikut të tij Besos së Tajvanit. Në mënyrë skandaloze kryebashkiaku ka shitur në mënyrë abuzive një tokë që nuk është pronë e Bashkisë së Tiranës dhe ja ka kaluar në pronësi personit të sipërpërmendur. Gjithashtu prokuroria vazhdon të heshtë para fakteve skandaloze të grabitjes së pronës së Familjes Hoxha. Edi Rama në bashkëpunim me zyrën e Regjistrimit të Pasurive Tiranë, ka falsifikuar dokumentacionin e pronës së Fatime Hoxhës, për t’ja kaluar në shfrytëzim pronarit të Tajvani, edhe këtu prokuroria e Tiranës hesht. Për të vazhduar më tej skandalin me pronat e familjes Lonari, prona të cilat janë tjetërsuar nga Edi Rama në bashkëpunim me ndërtuesin Alban Xhillari. Ky i fundit ka falsifikuar pronat e Lonarëve për të ndërtuar pallatin pranë fakultetit Juridik, pallat që i ka hapur probleme edhe ndërtesës së Juridikut. Gjatë punimeve për ndërtimin e këtij pallati ka qenë vetë Edi Rama që ka ushtruar dhunë mbi familjen Lonari të cilët nuk lejonin ndërtimin mbi pronën e tyre. Kryebashkiaku i Tiranës, duke qenë i lidhur ngushtë me Alban Xhillarin ka ndërhyrë me policinë Bashkiake dhe ka rrahur gratë e kësaj familje. Kryebashkiaku i Tiranës ka mbi 400 konflikte me pronarët e trojeve në Tiranë, troje të cilat ai ju a grabit në mënyrë të pamëshirshme. Ndërsa përsa i përket shkeljeve të ligjit të Edi Ramës janë qindra.
Në mënyrën më skandaloze Edi Rama ka dhunuar objektet sociali-kulturore në Tiranë duke shkelur nenin 62 të ligjit 8405 të urbanistikës i cili ndalon në mënyrë kategorike ndërtimin mbi këto objekte. Kështu, kazma e Edi Ramës prishi kinema Republikën, 17 Nëntorin, Partizanin, Ali Demin, si dhe shumë shkolla.  Janë 11 kallëzime penale të bëra nga policia e ndërtimit në tetor të vitit 2005 në drejtim të kryebashkiakut Edi Rama. sipas njoftimit të bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Ndërtimore e asaj kohe, kjo drejtori  dorëzoi në Prokurori 11 kallëzime penale kundër kryetarit të KRRT-së, Edi Rama dhe sekretarëve të KRRT-së në vite për veprën penale “Shpërdorim detyre në bashkëpunim”. Sipas kësaj drejtorie, kallëzimet janë bërë për një sërë lejesh ndërtimi, si leja e dhënë për ndërtimi objekt 3.8.11 dhe 12 kat, ndërtuar në territorin e ish-kinema “17Nëntori”. Po kështu, për një objekt 2 e 3-katësh, pikë karburanti, ngritur nga ana veriore e “Rrugës së Kavajës”, që, sipas Ndërtimores, është territor publik dhe bie ndesh me ligjin “Për urbanistikën”.
Po kundër këtij ligji dhe në territor publik, sipas deklaratës, është edhe një godinë banimi 9-katëshe në “Rrugën e Durrësit”. Një tjetër kallëzim penal shkon për kreun e bashkisë dhe sekretarin e KRRT-së, për një leje për godinë banimi 13 kat dhënë në rrugën “Urani Pano”, që, sipas Ndërtimores, ka tjetërsuar rrugën publike në truall ndërtimi. Pas kësaj, vjen një tjetër ndërtesë 6-katëshe në “Rrugën e Dibrës”, në territorin e ish-Policisë. “Kallëzim penal edhe për dhënien e lejes së ndërtimit për një objekt në territorin e ish-kinema “Republika” në kundërshtim me nenin 62 për urbanistikën”. Këto denoncime për kryebashkiakun Rama kanë tre vjet që flenë në prokurori dhe nuk ka asnjë masë të marrë ndaj tij. Në dhjetor të vitit 2007 kryebashkiaku Rama ka pajisur me leje ndërtimi familjen e kryeministrit Berisha, duke i dhënë një leje ndërtimi mbi ambientet e Klubit Sportiv Partizani.  Institucioni i Prokurorisë megjithëse ka parë dhjetëra fakte të tilla dhe disponon dosjet e abuzimeve skandaloze të Edi Ramës me pronat e qytetarëve dhe paratë e taksapaguesve vazhdon të qëndrojë indiferent. Institucioni i Prokurorisë vazhdon të ngelet indiferent përballë babëzisë së Edi Ramës dhe mafies së ndërtimit që është mbledhur rreth tij. Indiferenca e Prokurorisë dhe partneriteti i këtij institucioni me kryebashkiakun Rama e komprometon rëndë pavarësinë e këtij institucioni.
Serinë e dhjetëra dosjeve korruptive të Edi Ramës nuk mundet ta mbulojë asnjë prokuror pavarësisht pazareve ekonomike apo politike që ka bërë me grabitësin e pronave të familjes Lonari, Hoxha, apo shkatërruesit të pronave publike social kulturore të qytetit të Tiranës. Prokuroria duhet të tregojë para qytetarëve të tiranës se nuk është institucion i politizuar. Ashtu siç mori dosjen e Fazlliç nga një denoncim i një gazete, kjo prokurori mund të merrte edhe rastin Rama nga denoncimet e gazetës SOT. Të gjitha faktet e servirura në fakt janë në sirtarët e prokurorisë, por është kjo e fundit që i ka zhytur shumë thellë duke i kryer hetimet sipas preferencave politike. Çështja Rama është një nga rastet më të jashtëzakonshme të abuzivizmit, por prokuroria e Shqipërisë është shndërruar në mekanizëm që mbyll dosje dhe nuk hap.

*************************************************************************
Fatime Lonari :  Edi Rama dhe Alban Xhillari, ortakë në pallatin mbi tokën time
Një pallat i ngritur mbi tokën e tjetrit, i ligjëruar me leje  ndërtimi nga Rama. Në themelet e  pallatit që vazhdon të ngrihet në truallin e familjes Lonari qëndron një falsifikim, që kërkohet të fshihet me forcë nga Kryetari i bashkisë, me kërcënime dhe me gjyqe që vazhdojnë me dhjetëra seanca. Fatime Lonari shpjegon për gazetën "Sot" historinë e grabitjes së 590 metër tokë nga Kryetari i Bashkisë në bashkëpunim me ndërtuesin Xhillarin. "Alban Xhillari është ortak i Edi Ramës dhe vepron në emër të kryetarit të Bashkisë së Tiranës"-deklaron zonja Lonari. Fillimisht,- shpjegon zonja Lunari,-Alban Xhillarit i është shitur nga Bashkia objekti shtetëror dy katesh dhe në sipërfaqen e saj është futur qëllimisht një pjesë e truallit tonë". Mbi këtë sipërfaqe të shtuar është dhënë leja e ndërtimit, së cilës i kanë paraprirë sulmet fizike të Ed Ramës për të frikësuar familjen Lunari.
Historia e ndërhyrjeve të Ramës në pronën e Lunarit
 “Edi Rama na dhunoi të gjithë si familje fizikisht dhe na grabiti tokën me të gjitha format e mundshme. Pasi na prishi murin rrethues për herë të parë, mur të cilin e kishim me të gjitha lejet, pas tre muajsh përsërit sërish të njëjtën histori, por kësaj here me njerëzit e dërguar prej tij. Që në fillim, kur ka parë hapësirën që në kishim në atë zonë aq të preferuar nga ndërtuesit, Rama dërgonte njerëzit e tij herë pas here që të na bënin presion dhe të na mbushnin mendjen që ta lëshonim tokën pasi nuk përballeshim dot me atë. Në vitin 2004 vetëm pas tre muajsh kur ndodhi incidenti i parë Edi Rama dërgon sërish fadromat që të na prishnin sërish murin pasi aty kishte dhënë një leje ndërtimi për një pallat i cili kishte filluar të reklamohej në media që para se të fillonin punimet”- ka pohuar Fatime Lonari. Kundërshtuam sërish që mos të na merrnin tokën, por njerëzit që ai kishte dërguar na bënë të qartë se “ ne jemi paguar që mos t’ju lëmë që të na pengoni ndaj më mirë ikni”. Kjo histori u përsëritë vetëm pak ditë pasi Gjykata e Tiranës na kishte dhënë të drejtë për prishjen e murit nga ana e bashkisë, si dëmshpërblim Rama na ka dhënë afro 2 milionë lekë të reja. Por ende pa e ndërtuar murin kësaj radhe ndërhyrja erdhi më e fuqishme dhe duke mos dalë Rama vetë në skenë. “Duke na mposhtur sërish me anë të dhunës, firma e ndërtimit fillojë punimet për ngritjen e pallatit. Ankimuam sërish një tjetër padi në Gjykatën e Tiranës, kësaj radhe padinë e kemi bërë për firmën e ndërtimit që na rezulton që kishte mbështetje të fortë nga vetë Edi Rama”, pohon Lonari.


********************************************************************
Në 127 procese gjyqësore pronarët akuzojnë Kryetarin e Bashkisë se po u merr me forcë trojet për të ndërtuar pallate me miqtë e tij

Qytetarët në gjykatë: “Na mbroni nga Edi Rama, po na grabit tokën”

Bashkia e Tiranës me firmën dhe vulën e kryetarit të saj Edi Rama ka lëshuar me qindra leje ndërtimi mbi pronat që u ka grabitur qytetarëve. Shumë pronarë tokash vazhdojnë të enden në dyert e gjykatës për të kërkuar pronat që u janë grabitur pa të drejtë nga kryetari i bashkisë Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij. Shumë qytetar kanë bërë kërkesën e tyre dhe kanë theksuar se u është grabitur toka nga Bashkia e Tiranës. Bashkia e Tiranës vetëm për vitin 2008 ka qenë e detyruar që të dalë përpara gjykatësve 127 herë. Kjo për shkak të abuzimeve që kjo bashki ka bërë në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe marrjes së tokave pa të drejtë nga pronarët e ligjshëm. Qytetarë të ndryshëm njëkohësisht pronarw tokash në kryeqytet janë detyruar që ti drejtohen gjykatës për të zgjidhur problemet e tyre me bashkinë pasi drejtpërdrejt me këtë institucion pronarët nuk kanë gjetur asnjëherë zgjidhje por përkundrazi janë dhunuar edhe fizikisht për shkak të mbrojtjes së pronës së tyre. Një pjesë e madhe e kërkesave të qytetarëve janë ende në gjykim.
Rastet
Në datën 18 nëntor, Anton Guralumi ,  Bujar Asllani ,  Lefter Xhanari ,  Qemal Xhanari, i janë drejtuar gjykatës për ti kërkuar Shfuqizimi terësisht te vendimit nr. 197 date 05.07.2004 "Për lejen e ndërtimit te KRRTRR Tirane”. Kjo është një ndër padit e fundit që janë bërë në ngarkim të Bashkisë së Tiranës. Aferdita Fagu ,  Agim Fagu ,  Arben Fagu ,  Bajram Vathi ,  Hajdije Fagu, kanë paditur Bashkinë e Tiranës për arsye se ka dhënë një leje ndërtimi mbi pronën e tyre. Familja Fagu është pronare e një banese në rrugën “Sul Bega” e cila është tjetërsuar dhe i ka kaluar në emër të disa pronarëve të tjerë që nuk kanë pasur lidhje fare me banesën dhe më pas janë rregulluar të gjitha dokumentet që në këtë pronë të aprovohej një leje ndërtimi. Familja Fagu i janë drejtuar Gjykatës dhe i kërkojnë “Detyrimin e të paditurit Sulejman Husha dhe Nazmi Haka që të njohë pronarë paditësit trashëgimtarët e Mahmude dhe Besim Fagut mbi një shtëpi me sipërfaqe 6m e gjatë e 4 m e gjerë oborr e një rrip dhe bahçe me sip. trualli prej 445 m2 e ndodhur në rrugën “Sul Bega” dhe të lirojë dhe dorëzojë këtyre këtë pronë. Regjistrimin në ZRPP të truallit me sip. 445 m2 në emër të paditësve me kufijtë aktuale sipas vendimit te KKKP nr. 206 datë 29.05.2000 duke fshirë nga regjistri emrin e të paditurit Sulejman Husha , Shkelqim Husha dhe Nazmi Haka. Anulimin e lejes së ndërtimit nr. 19 date 26.07.2002 te KRRT Tiranë. Marrjen e masës së përkohshme duke detyruar palën e paditur shoqëria Kola sh.p.k dhe Sulejman Husha te ndërpresë ndërtimet në bahçen objekt gjykimi”. 
Elisabeta Kazazi ka bërë një kallëzim penal ndaj Bashkisë së Tiranës dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme pasi sipas saj i është grabitur prona. Në kërkesën e saj, Kazazi ka theksuar se kërkon nga gjykata “Anulimin e vendimit administrativ me nr. 27 E/1 prot date 14.12.2005 te ZQRPP. Saktësimin e sipërfaqes se pronës pasuri e paluajtshme me nr. 183 regjistri hipotekor date 30.06.1976. Regjistrimin e saj prane ZRPP Tirane”. Isuf Mema  është një tjetër shtetas të cilit i është prishur prona e tij për ndërtimin e pallatit të firmosur dhe vulosur nga Edi Rama. Mema ka paditur Bashkinë Tiranë dhe  Shoqëria ''Delta 1''sh.p.k. Në kërkesën e tij Mema i kërkon gjykatës “Sigurimin e padisë (Pezullimin e aktit administrativ (lejes Ndërtimit). Anulimin e aktit administrativ, lejes shesh ndërtimit nr. 120 date 13.04.2004, lejes ndërtimit 329 date 05.07.2004. Kallëzimin e një punimi te ri dhe një dëmi te mundshëm. Pushimin e cenimit te pronësisë. Detyrimin e te paditurve te me njohim pronar te një depo dhe dyqani te ndërtuar në banesën time”.


************************************************************************************


Skandal me trojet e Parkut Rinia. Mbivendoset në Hipotekë nga Bashkia e Tiranës trualli i familjes Hoxha. Kryebashkiaku përfitoi 3 miliardë lekë

Denoncimi i Fatimes: Ma grabitën pronën Rama dhe Besua i "Taivanit"



Edi Rama gjatë funksionit të tij të ushtruar, si kryetar i Bashkisë së Tiranës ka realizuar mjaft afera në kurriz të pronarëve të trojeve. E dëmtuar nga këto pazare, znj. Fatime Hoxha, denoncon me prova Kryetarin e Bashkisë së Tiranës për falsifikim dhe vjedhje të pronës në bashkëpunim me pronarin e kompleksit "Tajvan". "Rama dhe Besnik Sula i Taivanit po fitojnë miliona euro në muaj me pronën time, ndërsa familja ime vuan në varfëri"-tregon Fatime Hoxha. Gjendja e rënduar ekonomike e ka detyruar këtë zonjë ti bëjë ballë vetë të gjithave përçapjeve nëpër instancat përgjegjëse, ku është ankuar për vjedhjen e truallit prej 1700 metër katror në pjesën jugore të "Taivanit".“Jam në  gjendje të vështirë ekonomike, jetoj në shtëpi me qera, kam madje dhe një kredi për të paguar. Shteti nuk i merr parasysh vuajtjet dhe hallet tona. Kush është  Besnik Sula që Edi Rama  i shet 1310 metra katror të pronës sonë, të kujt ishin këto metra katrorë që i shiti 3 miliardë lekë”- është shprehur e revoltuar  znj. Fatime Hoxha.
Familiarët ndihen fajtorë për vdekjen e babait të tyre, Sejfulla Hoxhës, pasi ky i fundit përpiqej që fëmijëve të tyre t'u linte pasurinë e trashëguar. “Në vitin 2006 babai im ka gjetur vdekjen në derën e hipotekës, në momentin që i kanë dhënë lajmin se kjo pronë nuk ju takon juve, ua ka marrë bashkia. Gjakun e prindërve të mi nuk e fal. Dua të zbatoj deri në fund ligjin, nuk mund të lejoj afera mbi kurrizin tim"-thotë Fatimja.
Mbivendosja e pronës në Hipotekë
Bashkia ka dërguar një shkresë ku ka përfshirë si të sajën tokën e familjes Hoxha, e regjistruar në emër të kësaj familje kohë më parë. Ky  është mekanizmi i realizuar nëpërmjet falsifikimeve dhe shkresave që shkelin ligjin, me anën e të të cilit është përfituar 1700 metër katrorë truall nga Rama dhe Besnik Sula. Rama bashkë me punonjësit e institucioneve të ministrisë në bashkëpunim me institucionet e hipotekës, drejtorin juridik, e ka bashkuar këtë pronë me tokën e pronarëve të tjerë dhe qëllimisht nuk e ka përdorur në asnjë moment emrin e familjes Hoxha.  "Të gjitha dokumentet që na ka dhënë bashkia dhe hipoteka tregojnë se kanë  bashkëpunuar të dyja palët. Të gjitha dokumentet tona flasin mbi pronën që ekziston në emrin e babait tim Sejfulla Hoxha. Edi Rama duhet të na japë shumë para që të na kompensojë ne pronën. Edi Rama do që t'i gllabëroj të gjitha bashkë me Kryeministrin dhe punonjësit e hipotekës"-deklaron Fatime Hoxha.

 
 **********************************************************************************
Edi Rama aferë miliardash me truallin që i shiti Taivanit, kryebashkiaku grabit 3 miliardë lekë

Kryebashkiaku i Tiranës shet pronat e shtetit pa pasur pronësi mbi to. Në shkresën nr. 3918/2, datë 09.03.2005, ZVRPP e Tiranës i është drejtuar Bashkisë së Tiranës për rikonfirmimin,  se pasuria me nr. 7/307, me sipërfaqe 1310m2 figuron “shtet”. Këtu nis odisea e pronave të shtetit shqiptar që shiten dhe blihet sipas dëshirave të kryebashkiaku Rama. Ashtu si magjistari Nadir që hidhej nga 15 katëshi, edhe Edi Rama na bën një numër prestigjatori duke lëshuar një autorizim vartësve të tij për të shitur pasurinë e sipërpërmendur. Kryebashkiaku Edi Rama, lëshon autorizimin nr.  1887, datë më 07.03.2005 , me të cilën autorizon Svjetllana Jakupi , me detyrë përgjegjës i Sektorit të Legalizimeve në Drejtorinë e Legalizimeve pranë Bashkisë së Tiranës , për të përfaqësuar institucionin në lidhjen e kontratës së shitblerjes truallit me sipërfaqe 1310 m2  “truall” , e ndodhur në rr.”Dëshmorët e 4 Shkurtit”, zona kadastrave 8380, me nr. pasurie 7/307.
Më datë 10.03.2005, pranë noterit publik Boris M. Skënderi , me seli rr. “Reshit Çollaku”, pall. I Shallvareve nr. 4, Tiranë është paraqitur pala shitëse Bashkia e Tiranës , me përfaqësues Svjetllana Jakupi dhe pala blerëse shoqëria “Tajvan” , sh.p.k , e përfaqësuar ligjërisht nga administratori , Avni Braçaj, të cilët nënshkruan kontratën e shitjes për sipërfaqen 1310m2 “truall”, e ndodhur ne rr.”Dëshmorët e 4 Shkurtit” zona kadastrale 8380 me nr. pasurie7/307.
Baza ligjore ku e mbështet shitjen e pronës “shtetërore” , noteri publik Boris M. Skënderi është neni 83, neni 705 e vijues të Kodit Civil , neni 11 i ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, neni 2, pika 11 e ligjit nr. 9209 , datë  23.03.2004 “Për legalizimin e shtesave në ndërtime “, neni 32, germa “e” e ligjit nr 8562, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” dhe vendimi  Këshillit Bashkiak të Tiranës nr.2,  datë 17.02.2005 “Mbi shitblerjen për efekt legalizimi të truallit shtetëror të zënë me ndërtim shtesë tej lejes së miratuar me vendimin nr.48, datë 21.07.2001 të KRRT-së së Bashkisë së Tiranës . Po ti referohemi bazës ligjore të kontratës ku mbështet shitja e pronës “Shtetërore” do të shikojmë se pika 11, e ligjit nr.9209, datë 23.03.2004 “Për legalizimin e shtesave në ndërtime “ , në mënyrë të “heshtur” është shfuqizuar me hyrjen në fuqi e nenit 28, të ligjit nr.9235, datë  29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, ku citohet se: “Për tokat që janë në pronësi të shtëtit organet kompetente të administratës publike ndalohet të lidhen kontrata posedimi a pronësie me të tretë deri në përfundim të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave” , çka do të thotë se Bashkia e Tiranës nuk ka pasur dhe nuk ka të drejtë të shesë pronën publike, për deri sa nuk ka përfunduar procesi i kthimit dhe i kompensimit të pronave për ish-pronarët. Gjithsesi, kjo kontratë shitje datë 10.03.2005, e përgatitur dhe e nënshkruar nga noteri publik Boris M. Skënderi është e pavlefshme , për faktin se: Në nenin 3 të kontratës , në “Përshkrimin e pronës” citohet se: “Pala shitëse është pronare e një trualli me sipërfaqe 1310 m2” dhe nuk përshkruhet se në çfarë numri hipoteke është regjistruar prona e shitësit “Bashkia e Tiranës”.
Në nenin 4 të kontratës “Gjendja e pronës” citohet se: “Prona është e lirë nga çdo barrë dhe hipotekë dhe është e regjistruar ekskluzivisht në emër të shitësit”,sipas shkresës së zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë , nr.3918/1, datë 06.12.2004. Po t’i referohesh kësaj shkrese te ZVRPP, Tiranë thuhet se: ”Pasuria me nr.7/187, me sipërfaqe 1310 m2 figuron shtet”, çfarë dot thotë se kjo pasuri me sipërfaqe 1310m2 nuk është e regjistruar më parë në regjistrat e hipotekës  në emër të shitësit (Bashkia e Tiranës), në zbatim të nenit 37 e 38, të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
Ndërsa në nenin 8.2 të kontratës “të ndryshme’ citohet se: “Me nënshkrimin e kontratës, pala shitëse, në rastin konkret Bashkia e Tiranës, me përfaqësues Svjetllana Jakupi, zhvishet plotësisht nga pronësia mbi truallin e treguar në nenin 1, trualli me sipërfaqe 1310 m2 e regjistruar  në ZVRPP, Tiranë zona kadastrave nr 8310, pasuria 7/187, me adresë rr. “Dëshmorët e 4 shkurtit”.
Ky nen (8.2) i kontratës është në kundërshtim me nenin 1 i po kësaj kontrate, për faktin se Bashkia e Tiranës nuk ka qenë pronare e kësaj pasurie, aq më tepër kur kjo pronë figuron e regjistruar në librat e kadastrës “shtet”. Ky akt shitje është një nga rastet më skandaloze që mund të ekzistojë në rruzullin tokësor, për arsye se institucioni bashki shet një pronë që nuk e disponon dhe më pas zhvishet nga e drejta e kësaj pronësie. Korrupsioni bashkiak i Edi Ramës zhvesh shtetin nga pronësia reale e tij, dhe shndërron  kryebashkiakun e  Tiranës në rolin e  mashtruesit të famshëm  që shiti Sahatin e Tiranës.
Në bazë të nenit 6, ligjit nr.8743, datë 22.02.2001 “Për pronat e paluajtshme të Shtetit”,  Bashka e Tiranës nuk ka të drejtë të shesë një pronë publike, që nuk e ka regjistruar në regjistrat e ZVRPP,   ( në përputhje me ligjin nr.7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”).
Çdo veprim në regjistër , që ka si efekt ndryshimin e gjendjes juridike të një pasurie të paluajtshme , bëhet kur akti ose vendimi gjyqësor që e konstaton atë, është regjistruar më parë në regjistrin e pasurive të paluajtshme.
Regjistrimi i fitimit apo i kalimit të së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme, të njohura ose të fituara me anë të ligjit, vendimit gjyqësor, apo aktit administrativ bëhet nga ZRPP, në zbatim të nenit 38, të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajshtme”, pas verifikimit të plotë të elementëve të formës dhe përmbajtjes së aktit përkatës , që njeh ose përmban fitimin e së drejtës së pronësisë , për efekt të plotësimit të kushte vetë regjistrimit , të përcaktuara në nenin 193 të Kodit Civil.
Në këto kushte, jemi para një fakti se akti noterial për tjetërsimin e pronësisë mbi një send të paluajtshëm, ose të një të drejte reale mbi to, kryet nga noteri, pasi të ketë verifikuar pronësinë e palës mbi sendin e paluajtshëm, pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në se dokumenti i paraqitur prej palëve janë autentike dhe në përputhje me regjistrimin në këtë zyrë (ZVRPP) dhe pasi bindet në saktësinë e tyre ai (noteri) redakton aktin noterial. Këtu kemi të bëjmë edhe me një gafë të noterit në fjalë i cili pa parë pronësinë e asetit, përpilon aktin e shitjes.
Për rrjedhojë, redaktimi dhe nënshkrimi i kontratës së shitjes datë 10.03.2005, në bazë të nenit 116, pika “c”, të ligjit nr.8485, datë 12.05.1999 “Për kodin e procedurës administrative” është një akt absolutisht i pavlefshëm, ku pavlefshmëria është krijuar nga shkelja e ligjit, nga mangësitë në përmbajtjen e aktit , nga pamjaftueshmëria e kompetencave të autoritetit të Bashkisë së Tiranës, nga mosrespektimi i formës së procedurës. Një fakt tjetër që vërteton abuzivizmin e bashkisë së Tiranës është edhe VKM nr 834 datë 13.12.2006,  ku qeveria  i ka kaluar Parkun Rinia, Bashkisë së Tiranës, si Pjesë e Inventarit të Pronave të Paluajtshme Shtetërore. Ndërkohë që akti i shitjes së pasurisë në fjalë është  përpiluar në datë 10.03.2005. Pra siç shikohet nga të gjitha faktet e mësipërme, kemi të bëjmë me një abuzim skandaloz të kryebashkiakut të Tiranës. Edhe pse ligji e ndalon që të shesë prona publike, ky njeri shet prona mbi të cilat nuk gëzon asnjë të drejtë pronësie. Nëpërmjet prezantimit të këtij akti skandaloz të kryebashkiakut Rama, gazeta SOT kërkon sensibilizimin e prokurorisë për masakrën që po i bëhet pasurive shtetërore nga ky person. Nëse prokuroria vazhdon të ngelet memece, ashtu siç ka ngelur deri më tash, dyshime të forta bien edhe mbi këtë institucion i cili mbron abuzivizmin skandaloz të kryebashkiakut Rama me heshtjen e saj.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora