E premte, 19.04.2024, 11:03 PM (GMT+1)

Mendime

Kim Mehmeti: Shteti i tri kantoneve

E premte, 26.12.2008, 01:17 PM


Kim Mehmeti
Shteti i tri kantoneve

Nga Kim Mehmeti

Deri më tani ka pasur shumë projekte dhe elaborate antishqiptare, të cilët është dashur të përballen e që në thelb kanë pasur një porosi: shteti nuk i ka dashur shqiptarët dhe ka dëshiruar t‘i shndërrojë ata në një komunitet të pazëshëm e të nënshtruar. Këta projekte kanë dalluar mes veti, varësisht nga koha kur janë zbatuar, nga koncepti ideologjik i ideatorëve të tyre, si dhe nga qëllimi që është dashur të arrihet. Por, të gjithë projektet e tilla, deri më një, në strategjinë e vet, kanë pasur një pikë të përbashkët: janë mbështetur mbi efikasitetin e policisë e të gjyqësorit. Andaj, të gjithë ato projekte dhe elaborate antishqiptare, kanë një nen të përbashkët që thotë: sa më shumë të irritohet kjo popullatë; shqiptarët të ndihen sa më të pasigurt aty ku jetojnë; të provokohen pandërprerë duke ua trishtuar fëmijët, duke i detyruar burrat shqiptarë të ndihen të poshtëruar përpara familjarëve të tyre, duke i prekur aty ku janë më të ndjeshëm, në atë që i ka mbajtur gjatë shekujve - në boshtin familjar.

Këtë strategji dhe këtë koncept aq jonjerëzor, e kanë praktikuar shumë pushtetmbajtës të këtushëm, duke filluar nga mbretërit serbë e deri te Millosheviqi. Mbase do ishte e tepruar dhe e palogjikshme, dikush të mendonte se ato plane dhe ato elaborate mund të zbatohen edhe në shekullin e globalizimit, por shumëçka në këto hapësira të Ballkanit, është jashtë logjikës së kohës dhe rrjedh sipas kalendarit të shpirtngushtësisë etnike, e jo sipas atij të tolerancës e vetëdijes se bota shndërrohet në një fshat të madh, ku lagjet përcaktojnë përkatësinë etnike, por vetëm aq sa për ta dëshmuar të qenurit njeri. Andaj, edhe veprimi thuajse i pakontrolluar i policisë maqedonase mbi shumë familje shqiptare, ndoshta nuk është pjesë e ndonjë projekti dhe elaborati antishqiptar, por ai ka elementët e një fushate që dëshiron të mbjellë pasiguri në mesin e kësaj popullate. Apo në mos më shumë, ka elementët e një fushate që irriton e të çon të thuash: mos vallë qeveria e Gruevskit mendon se një Maqedoni shumetnike nuk ka ardhmëri, andaj i shtyn shqiptarët të bëjnë atë që e ëndërrojnë disa qarqe të etnitetit maqedonas - ata të parët të kërkojnë kantonizimin e shtetit, e që pastaj, si nismëtarë të kësaj ideje "destruktive", të marrin rolin që gjithmonë ua impononte politika antishqiptare e Beogradit, atë të elementit "destruktiv" që nuk arrin t‘i nënshtrohet shoqërisë me rend e ligje.

Dhe, sikur në qeverinë maqedonase të mos kishte përfaqësues të partisë më të madhe shqiptare, sikur Maqedoninë ta udhëhiqnin vetëm shokët e Gruevskit, shqiptarët e këtushëm do e kishin më lehtë të qartësonin se çfarë është duke ndodhur me ta dhe cili është qëllimi i veprimeve torturuese policore mbi familjet shqiptare. Por, në rrethana kur ata mendojnë se kanë mbrojtësit e tyre nëpër institucionet më të larta shtetërore, kur presin që dikush t‘u shpjegojë se si është e mundur që policia maqedonase aq shpesh t‘i ngatërrojë adresat e shtëpive shqiptare, e pastaj të mendojë se mjafton vetëm të kërkojë falje, pra kur shqiptarët e këtushëm me të drejtë presin që partia e tyre në pushtet të dalë e të thotë kush e kontrollon policinë e këtushme dhe sa ato aksione policore janë të mbështetura në ligj e rend, sa kanë pëlqimin e udhëheqësve shqiptarë në MPB, ata mbeten pa përgjigje. E aty ku nuk përgjigjet ai që duhet, gjithë kanë të drejtë ta thonë të vetën e të japin shpjegime, varësisht nga njohuritë dhe informatat që kanë.

Ajo që nuk ka nevojë për njohuri të veçanta, për çka nuk duhet të bësh hulumtime e të mbledhësh informata të shumta, ajo që shihet edhe pa syzet e ndonjë eksperti policor, ka të bëjë me të vërtetën se policia maqedonase i kontrollon shqiptarët, por shqiptarët nuk kanë asnjë kontroll mbi të. Pra, shqiptarët e Maqedonisë ende janë popull që i është lënë në duar të policisë; se kur bëhet fjalë për shqiptarët, policia ka duar të lira të veprojë ashtu si e vlerësojnë ata që ende mendojnë se shqiptari i sotëm i këtushëm, është ai sharrëxhiu i dikurshëm, i cili duhet të përshëndeste edhe shtyllat elektrike ky kishte pshurrur zagari i ndonjë mbreti serb.

Partia shqiptare në pushtet, tani për tani, hesht sa u përket disa aksioneve policore nëpër vendbanimet shqiptare, bastisje që u vlerësuan si vandaliste. Mbase kështu ajo dëshiron të anashkalojë paaftësinë e saj që t‘i kundërvihet Gruevskit, i cili nëse jo hiçgjë tjetër, ia doli të realizojë qëllimin e dyfishtë: të mbajë në tension dhe pasiguri shqiptarët e këtushëm e t‘i "nokautojë" partitë shqiptare. Pra, edhe si i tillë, si një ish- boksier mesatar dhe politikan nën mesataren, Gruevski ia doli t‘i çojë shqiptarët të ndihen më të përbuzur se kurdoherë më parë qëkur Maqedonia u bë shtet i pavarur. Aq më shumë, këtë fushatë antishqiptare, e të paketuar si luftë kundër krimit, Gruevski e realizon pas vitit 2001, atëherë kur shqiptarët e këtushëm besonin se nuk do ketë më polici që do hyjë nëpër shtëpitë e tyre si në pronë pa pronar. Pra, kjo fushatë e Gruevskit bëhet edhe më intensive tani, kur shqiptarët e Maqedonisë nisën të besojnë se me ardhjen e partisë së Ali Ahmetit në qeveri, çdo gjë do vijë në vendin e vet. Pra, kjo fushatë antishqiptare e Gruevskit intensifikohet tani kur shqiptarët e këtushëm besuan se BDI - e cila gjatë 18 muajve që ishte jashtë qeverisë, edhe pse kishte marrë shumicën e votave shqiptare - do mbetej e tillë (siç thoshte), edhe pasi të bëhej pjesë e koalicionit qeverisës: mbrojtëse e interesave kolektive dhe jo e interesave personale të të përkëdhelurve partiakë.

BDI-ja e pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006 - kur i fitoi zgjedhjet, e nuk u bë pjesë e qeverisë - thoshte se nuk do tolerojë politikën antishqiptare të Gruevskit, se Gruevskin e konsideron si bartës të një politike që nuk i sjell ardhmëri këtij shteti, se ai është udhëheqës i taborit që dëshiron të asgjësojë Marrëveshjen e Ohrit, se Gruevski ka për qëllim devalvimin e luftës së 2001-it dhe kriminalizimin e shoqërisë së shqiptarëve të këtushëm. Dhe BDI-ja e atëhershme kishte të drejtë dhe rrallëkush mund t‘i shpallte këto vlerësime si të pasakta. Andaj, edhe aq lehtë u përkrah pjesëmarrja e kësaj partie në qeveri. Por tani, pas thuajse gjysmë viti pjesëmarrje në koalicionin qeveritar, kryesuesit e BDI-së ofrojnë thuajse vetëm heshtje. Heshtje që mund të ketë shumë domethënie: ose janë pajtuar me pamundësinë të ndryshojnë çkadoqoftë, ose i ka kapur virusi i "PDSH-zëimit", i cili të çon të mendosh se populli e ka po aq mirë sa edhe ata që janë ulur nëpër kolltukët qeveritarë.

Cilado që të jetë arsyeja e heshtjes së BDI-së në pushtet, ajo heshtje ka edhe domethënien se BDI-ja është vetëm një pjesë e mjerimit politik të shqiptarëve të këtushëm, mjerim që i çon shqiptarët e këtushëm sërish t‘ia jepnin shumicën e votave BDI-së, sikur sot të kishte zgjedhje parlamentare. Pra sërish ta votonin këtë parti të "heshtur", për shkak se ngado që shikojnë rreth vetes, të gjitha zgjidhjet e tjera janë më të këqija se kjo ekzistuese.

Sido që të jetë, mbetet e vërteta se elaboratet antishqiptare që janë përdorur nëpër këto troje, kanë ndryshuar mes vetes varësisht nga autorët dhe ideologët e tyre. Por, të gjithë deri më një, kanë pikën e përbashkët. Zbatues të tyre ka qenë policia dhe gjyqësori. Pra, të gjithë ata elaborate janë mbështetur mbi mundësinë që, popullata të irritohet sa më shumë, që burrat shqiptarë të poshtërohen përpara grave dhe fëmijëve të tyre, që të gjithë të binden se aty ku flet shteti, burrat heshtin. Mbase policia maqedonase edhe nuk vepron sipas ndonjë projekti antishqiptar, por shqiptarët e Maqedonisë gjithnjë e më shumë ndihen si viktimë e ndonjë plani të sajuar kundër tyre. Shqiptarët e këtushëm gjithnjë e më qartë shohin si vepron policia maqedonase, por ata nuk arrijnë ende të shohin se ndoshta dikush qëmoti ka vendosur të realizojë një plan tjetër për këtë shtet: kantonizimin e Maqedonisë, ndarjen e saj në kantonin e etnitetit maqedonas, në atë të etnitetit shqiptar dhe në kantonin e Shkupit. Dhe mbase kjo hartë tre-kantonëshe do jetë e ardhmja e këtij shteti. Ndoshta për këtë të ardhme të shtetit angazhohet Gruevski, andaj bën çmos që shqiptarët t‘i detyrojë të fillojnë realizimin e këtij projekti. Një projekt, që thënë mes nesh, nuk është gjithaq i keq.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora