E premte, 29.03.2024, 11:01 AM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Kjo vjeshta gjysëm behari

E marte, 04.10.2022, 06:42 PM


KJO VJESHTA GJYSËM BEHARI

Nga Timo Mërkuri

Këtë varg e ka vajtuar  Bajame Hysit më 02 Tetor 1943  mbi trupin e të birit  Sulo Hysi (15 vjeç) vrarë në Malin e Gjeshnikoshit në një përleshje me gjermanët, që vinin të zinin vendin e italianëve në Shqipëri. Sulo Hysi ishte efektiv i Çetës “Koto Hoxhi” me komisar Themo Vasin e cila organizoi pritën dhe i mbajti forcat gjermane në luftë disa orë. Në këtë përpjekje u vra Komisari Themo Vasi nga Nivan i Zagorisë , Sulo Hysi e Rakip Bedo nga Golëmi si dhe tre djem nga Kuçi i Labërisë.

I-Lajmi i vrasjes së të birit i vajti mëmë Bajame Hysit në Golem dhe brenda ditës ajo shkon te Qafa e Shën Thanasit, ku mbi trupin e të birit nisi ligjërimin mortor, tekstin e të cilit e morëm nga një postim i dt 2.10.2022 në fb i z Abaz Goxhaj po e japim më poshte:

Kjo vjeshta, gysëm behari

më erdh' haberi nga mali,

fliste një në Qafë Valit:

-Hajde moj se t’u vra djali!

Fluturova si i marri

Kur të gjeta djalë mali

gjaku të rridhte nga balli,

me shikim nga Komisari..!

dorën kishe te gjerdani,

buzagas, lule behari,

sikur qe shtrirë sorkadhi.

të mbështolla te gufari

se më kishte pikur malli

mu dogj zëmra, mu tha xhani

O djal i mëmës me derte,

palose sytë e fjete,

Çetës i le amanete,

për liri dhe ti nuk trete...

II-Qysh te vargu i parë : “ Kjo vjeshta gjysëm behari” befasohesh me fjalët e tekstit. Do ishte

normale që nëna të niste vajtimin mbi trupin e të birit me ulërima, çjerrje të faqeve e shkulje të flokëve apo edhe me përplasje të kokës gur më gur nga gjëma që e gjeti. Mendojeni vetë, djalin  pesëmbëdhjetë vjeç në lule të moshës e gjen të shtrirë me një plumb në ballë e shokët rreth e rreth rinë kokëulur sikur janë fajtorë për diçka. E ardhur me vrap nga Golëmi, duke vrapuar  si era, e këputur nga lodhja dhe e prerë nga lajmi, duke ju lutur zotit në heshtje që “të jetë gabim”, të mos ishte për djalin e saj ose së paku ai vetëm sa të ishte plagosur, (dinte mëma si tja shëronte plagët të birit duke ja mbuluar me shpirtin e saj si me gjethe mullage), pra në këtë situatë çdo nisje ligjërimi do ishte e justifikuar. More edhe sikur të sokëllinte kundër zotit e ti tundtte grushtin me kërcënim, hakë do kishte.

Kundër çdo hamendësimi  mëmë Bajame Hysi, pasi e puthi djalin e saj në ballë, aty te plaga, madje dhe duke shpresuar heshtazi se i biri do përmëndej nga puthja e mëmës ose së paku do t’i dhimbte plaga e do lëvizte vendit, kur pa që edhe kjo shpresë ishte shuar bashkë me dritën e syve të të birit, u lëkund dy tri herë si një lavjerës jete mbi trupin e të birit dhe ja nisi vajit: Kjo vjeshta gjysëm behari”. Sigurisht që ky varg shoqërohej me refrenin e zakonshëm : “Unë derrëzeza”, por kjo nuk përbën befasi. Befasia që ndron pikërisht te vargu i parë që tregon vjeshtën si gjysëm behar. Sot me mendje të ftohtë ne gjykojmë se tetori i atij viti qënkish i ngrohtë “ sa gjysma e ngrohtësisë së beharit”, jo si një vjeshtë, por pyetja që na lind është se ku pati sy mëmë Bajamia të shikonte “beharin në vjeshtë” kur shpirtin e kishte kallkan e të ftohtë si dimër nga dhimbja e të birit. Është hera e parë që e has këtë cilësim të pjestuar në elementin kohë, stinë  në vaje dhe këngë. Një pjestim i ngjashëm në elementin sipërfaqe është shumë i pranishëm nëpër këngë dhe menjëherë i kuptueshëm psh.: ”Dukati gjysm’ e Misirit”, “Janinë çerek Stambolli” etj. ndërsa për cilësimin: “ Vjeshta si gjysëm behari”sigurisht që duhet të mendohesh pak për të kuptuar se skemi të bëjmë me njësi matëse sipërfaqeje apo gjatësie por me një metaforë që zbërthehet me një analizë të elementëve klimaterikë.

Kam thënë dhe kam shkruar se nënat tona janë  vajtore të lindura, si të tilla janë dhe poete. Një vajtim i mirë kërkon dhe një tekst të mirë, në kuptimin e një teksti të arirë  poetikisht. Kemi shpjeguar se vajtimet e arira, qoftë në kuptimin e një teksti të arirë, qoftë në kuptimin e vijës vajtimore (nuk mund ta quajmë melodike) shumë lehtë shndrohet në këngë isopolifonike për një kohë të shkurtër  dhe niveli i lartë i tekstit ndihmon në mbajtjen mend të ligjërimit e shndrimit të tij në këngë edhe pas një kohe të largët. Në këtë kuptim nënat tona, të cilat jeta i ka bërë të vajtojnë me ligjërime gati  mot për mot janë bërë mjeshtre të thurrjes së vargjeve të ligjërimit.  Ato skanë kohë të rinë e të shkruajnë vargje, ndaj shpesh  vargjet e vajtimit nisin me një  mbështetje në tekste ligjërimesh të mëparëshme, por duke i përshtatur me rastin konkret. Kështu shpjegohet që vajtoret u drejtohen maleve (Qaj o Çikë me Gjinikë, Mali i Çikës kullon serrë etj), vendeve (O Stamboll të rëntë zjarri), objekteve (O vapor o dhogë e thatë) ose personave konkretë (Ç’dreq e pru këtu Sulltanë).

Në rastet kur nënat vajtojnë bijtë dhe bijat e tyre  një arsye më e fortë i nxit nënat të zgjedhin fjalët e të thurin vargjet më të bukura  për fëmijët e tyre të vrarë. Është ndjenja e mëmësisë ajo që përzgjedh  fjalët e vargjeve  për bijtë e tyre, është shpirti i tyre që i përzgzjedh ato,  në mënyrën që ta bëjnë sa më të zezë zinë,  sa më të dhimbëshme dhimbjen,  akoma më të humnerëshme humbjen. Qysh kur e ka patur në djep djalin (apo vajzën) ninullat e saj nëna i mbushte plot me yjësi fjalësh, frazash e metaforash  dhe ja mbulonte  gjumin fëmijës plot me yjësi ëndërash. Gjithashtu, dhimbja e humbjes së djalit është si  vendosja e një motori të punojë  me xhirro të përshpejtuara dhe në “laboratorin” shpirtëror të nënës vargjet vijnë vetiu. Është dhimbja ajo që u jep shkëlqim shpirtëror, sepse nënat nuk vajtojnë që ti dëgjojë bota, fshati, apo farefisi, ato vajtojnë birin e tyre, zbrazin dhimbjen që u mblidhet në shpirt dhe gati ua plas shpirtin, si lënget me aciditet të lartë në stomak që krijojnë plagë të rënda.  Për krijimin e tekstit vajtimor në përputhje me ambientin  ku është shtrirë trupi i birit të tyre i vrarë, nënave u mjafton një shikim në një fraksion sekonde për të bërë  “fotografimin” që ato e gdhendin mjeshtërisht në vargjet e ligjërimit. Dhimbja i “krijon” vijën vajtimore dhe shpirti i shqipton vargjet me një ngarkesë të tillë emocionale sa që, si një tërmet dhjetë ballë godit zemrat e burrave dhe shpesh ata nuk durojnë dot vajtimin e largohen ca metra larg duke fshirë sytë e duke  psherëtirë heshtazi “ulërimën që përjetojnë”. Nuk janë të rralla rastet që nëpër morte edhe burrat më të fortë luten me lotë në sy: Aman moj, lere këtë vaj se na vdiqe dhe ne të gjallëve. Nuk janë deklarata, janë përjetime morti.

III- Le ta shohim pak më hollësisht tekstin e këtij vajtimi. Pas vargut të parë kemi vargun që thotë: më erdh' haberi nga mali”, duke e lënë në errësirën e anonimatit lajmësin. Ajo e di kush është, por ska asnjë rëndësi për tekstin e ligjërimit. Teksti i ligjërimit është përmendorja që nëna i ngre të birit dhe asnjë tjetër ska vend në ‘të.

Hajde moj se t’u vra djali” i vjen si krismë pushke lajmi i zi dhe ashtu të zi e të befta ajo i vëndos në bazamentin e vajtimit si bazorelievë.Kur të gjeta djalë mali/gjaku të rridhte nga balli” na jep momentin e tmershëm të pamjes që ju paraqit nënës para syve, por dhe në këtë çast ajo nuk harron që i biri ishte “djalë mali” dhe jo vetëm biri i saj i zemrës, “shpirt e xhan”. Skicimi i portretit është i plotë dhe me ngjyra të theksuara: “me shikim nga Komisari”, jo pse do ti japë ngjyrime politike (me siguri nëna sdi gjë fare ç’janë komunistët e komisarët), por do kishte dëgjuar për komisarin si për një shok më të madh të të birit që kujdesej për ‘të aty lart në mal . Shtoi kësaj faktin se të dy ishin vrarë në një betejë, të dy djem të rinjtë, njeri 15 dhe tjetri 28 vjeç dhe sigurisht që një varg do ja kushtonte edhe shokut të djalit, komisarit të tij.  Pas kësaj “peneli” ligjërues vijon portretin e të birit:dorën kishe te gjerdani/,buzagas, lule behari, /sikur qe shtrirë sorkadhi” duke na sjellur një valë loti nën qepalla për këtë sorkadh të shtrirë dhe këtë lule behari të cilës qeshja i ishte hapur në buzë si petale.

Në qoftë se ne i mbajmë lotët nën qepalla, në atë vvjeshtë të largët “si gjysëm behari” nëna nuk duroi dot me dhe: “të mbështolla te gufari/se më kishte pikur malli/mu dogj zëmra, mu tha xhani”.

Në rast se ju lexues i duruat goditjet e vargjeve të mësipërme, shtrëngoni dhëmbët fortë se ka edhe një valë tjetër më të butë në dukje, por më të fortë në goditje:” O djal i mëmës me derte/palose sytë e fjete”. Vargu : “I mbylle sytë e fjete” ne na lë pa gjumë me madhështinë e tij dhe dhimbjen që ai mbart dhe e shpreh aq thjeshtë.

Djali “fjeti” dhe nëna heshti që mos tja prishë gjumin  birit të saj 15 vjeçar që i doli zot vatanit. Djalit nuk do ti dhëmbë më plaga e plumbit, është ai vetë,  që do shndrohet në një “plumb që dhëmb” në shpirtin e nënës dhe ajo do ta vajtojë për gjithë jetën, madje edhe përtejë jetës së saj.

Ndaj le të heshtin disa “komentues” fb për këtë djalë e për këta djem.

Sarandë, më 03.10.2022



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora