E merkure, 24.04.2024, 10:32 AM (GMT+1)

Mendime

Feti Zeneli: Arritjet historike dhe qëndrimet histerike

E premte, 26.12.2008, 12:15 PM


Arritjet historike dhe qëndrimet histerike

Nga Feti Zeneli

Taciti thotë: “Janë qesharake përpjekjet e atyre, të cilët dëshirojnë t’ua mbyllin gojën madje dhe brezave të ardhshëm”. Në një pozitë të tillë duket se është vënë tashmë opozita shqiptare dhe përkrahësit e saj në jetën pubike, ndërkohë që në vitet e qeverisjes së demokratëve, Shqipëria është shndërruar në lokomotivën e vendeve të rajonit për integrimin sa më të plotë e më të shpejt të saj në strukturat euro-atlantike, duke realizuar reforma, veprime dhe vepra të përmasave historike. Miratimi para pak ditësh i “ligjit të dosjeve” është padyshim një tjetër ngjarje historike e ndodhur gjatë 3-4 viteve të fundit në Shqipërinë e qeverisur nga demokratët. Natyrisht ajo nuk është e barazvlefshme me nënshkrimin dhe ratifikimin e MSA-së, marrjen e ftesës për anëtërsimin në NATO apo arritjen e standarteve për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian, por është e krahasueshme në aspektin social-psikologjik me ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës”, investimet miliarda euro në energjitikë dhe realizimin dyshfirore të rritjes ekonomike. Megjithatë qëndrimi publik i mbajtur ndaj këtyre arritjeve është mjaft i diferencuar, për të mos përmendur fjalën “skajshmërisht”, që gjithësesi është plotësisht e thënë me vend. Qëndrimet “pro” dhe ‘kundër” një vlerësimi të tillë, i çertifikuar disa herë rresht edhe nga institucionet  ndërkombëtare, janë kaq të papajtueshme në opinionin publik shqiptar sa që shumë mirë mund të përdoret si kriter vlerësimi përkufizimi gjeometrik i dy drejtëzave paralele. Ato nuk kanë asnjë pikë takimi midis tyre. Por në asnjë mënyrë nuk janë shinat mbi të cilat mund të rend e ardhmja jonë e përbashkët.
Gjithësesi fjala këtu është për qëndrimin mosvlerësues dhe kundërshtues të opozitës ndaj këtyre arritjeve mbarëkombëtare të ndodhura në vitet e qeverisë “Berisha”. Sigurisht ky lloj qëndrimi nuk është rrjedhojë e sjelljes politike të opozitës në demokraci, por pasojë e manifestimit të mentalitetit të saj komunist në sistemin pluralist. Por ajo ç’ka përbën kulmin e këtij qëndrimi mosvlerësues është tendeca e përbaltjes me çdo çmim e arritjeve të realizuara në këto 3-4 vitet e fundit në Shqipëri. Kjo është arsyeja që opozita politike dhe mbështetësit e saj të të gjitha kategorive, projektin madhor të rrugës “Durrës-Kukës” e përbaltin me shpifje “për korrupsion”,  investimet e rëndësishme në energjitik apo sektorët e tjerë të jetës ekonomiko-shoqërore i përçmojnë si “premtime mashtruese”, procedurat e anëtarsimit në NATO dhe BE i zhvlfetësojnë me sllogane të tipit: “u erdhi koha për t’u bërë”, etj. Ndërsa rritjen ekonomike dyshifrore edhe pas çertifikimit të bërë prej Fondit Monetar Ndërkombëtar e konsiderojnë përsëri si mungesë të seriozitetit dhe profesionalizimit të statistikave shqiptare apo “një shifër të diktuar në mënyrë subjektive nga kryeministri Berisha për konsum politik”.
Po cili është shqetësimi real në këtë rast? Natyrisht ai nuk ka të bëjë me shvleftësimin moralo-elektoral të opozitës apo diskreditimin publik të mbështetësve të saj histerik, por me konfuzionin dhe demotivimin e publikut në përkrahjen e forcave progresive. Pavarësisht se kemi të bëjmë me çështje fjalësh në erë, faktet a rritjeve s’mund të marrin atë vlerë që kanë realisht kur publiku shënjestrohet sistematikisht me shpifje dhe intriga politiko-institucionale të subjekteve apo individëve të ndryshëm, që janë rreshtuar në opozitë jo si kundërshtarë politikë e përfaqësues alternativash të tjera zhvillimi, por si  detashmente demaskimi e mohimi të gjithçkaje të mirë që është arritur në këto 3-4 vitet e fundit në vendin tonë. Madje ata janë të prirur dhe të vendosin “shkopinjë nën rrota” për çështjet e zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik të Shqipërisë, mjafton që fati i pushtetit t’u buzëqesh atyre. Të gjithë  e kemi parasysh se ç’bën ata në ’97-ën për t’u rikthyer dhunshëm në krye të vendit, të cilin e qeverisën në mënyrën më të keqe të mundshme për tetë vjet rresht, duke e lënë në varfëri e izolim të plotë, për shkak të sistemit të korrupsionit që aplikuan në të gjithë nivelet e qeverisjes. Rekordet e zeza që ata vendosën në çdo fushë të ekonomisë dhe jetës shoqërore i kemi të gjithë parasysh. Dhe kjo është një arsye më shumë që fjalët dhe opinionet e tyre duhen marrë si tendenca kundërvënëse dhe jo si këshilla dashmirëse.
Ka një palë opinionistësh që mendojnë se, ky lloj qëndri i opozitar është  boomerang për vetë të ardhmen e tyre politike, por realisht pasojat negative e shtrijnë efektin e tyre edhe tek publiku i gjerë, që ndodhet nën trysninë e opinioneve kundështuese e mosvlerësuese përballë fakteve të serviruara. Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Barack Obama, në librin e tij “Guximi për të shpresuar”, midis të tjerash thotë: “Unë e kuptojë se jo gjithmonë me fakte mund t’i jepet zgjidhje debateve tona politike…Politikani i sotëm  e kupton këtë. Ai ndoshta mund të mos gënjejë, por ai e kupton se nuk ka shpërblim më të madh për ata që thonë të vërtetën, sidomos kur e vërteta është e koklavitur. E vërteta mund të shkaktojë shqetësim; e vërteta mund të sulmohet; mediat nuk do të kenë durim të sjellin gjithë faktet dhe kështu publiku nuk do ta njohë dallimin midis të vërtetës dhe të rremes.” Aq më tepër kjo është mësimdhënëse për publikun shqiptar, që për 45 vjetë rresht në monizëm i është servirur “sapuni për djathtë”. Janë pikërisht pasardhësit e rinovuar të komunizmit enverian që edhe në vitet e pluralizmit i kanë hypur së prapthi kalit të demokracisë. Qëllimi i tyre i mbrapsht është që të përdorin çdo mundësi për t’mos e lënë qytetarin të gëzohet e të shpresojë për më mirë, duke u mbështetur në arritjet e deritanishme. Qytetari i thjeshtë, që siç thotë Louis Brandeis, “…është ofiqi më i lartë në një vend demokratik”, nuk ka jo vetëm mundësi intelektuale por as kohë fizike që t’u përkushtohet analizave e ballafaqimeve të tilla, edhe sikur të kthejmë “orën e informacionit politik” të kohës së monizmit. Ai, bazuar në ndodhitë e këqia që kanë shoqëruar pjesën më të madhe të jetës së tij, jo vetëm në monizëm por edhe në demokraci, është i predispozuar të dëgjojë më shumë se sa të shohë, të qahet më shumë se sa të lumturohet, të jetë më shumë militant se sa mirënjohës e kështu me radhë.
Zgjidhjet politike dhe investimet ekonomike që ka kryer qeveria e Partisë Demokratike në këto 3-4 vjetë çmohen historike, veç të tjerash edhe për faktin se kanë një impakt pozitiv në jetën e çdo shqiptari, brenda apo jashtë kufijëve tanë shtetror. Parë në këtë këndvështrim, nëse të gjithë do të ishin sado pak mirënjohës për këto arritje të rëndësishme, atëherë do të ishte gjetur një mënyrë për t’ua mbyllur gojën llapaqënëve opozitar, që s’rreshtin duke sharë e mallkuar qeverinë “Berisha”.  Po i lëmë ngjarjet dhe proceset e lidhur me integrimin euro-atlantik të Shqipërisë dhe po u referohemi vetëm investimeve ekonomike të kryera apo të kontratuara në këto 3-4 vitet e fundit. Rruga “Durrës-Kukës”, “Rruga e Arbërit”, autostradat Lushnjë-Fier, Fier-Vlorë, Levan-Tepelenë, Gjirokastër-Tepelenë, Korçë-Qafë Thanë, Kardhiq-Sarandë, Tiranë-Elbasan, rruga “Vlorë-Sarandë”; HEC-i i Kalivaçit, HEC-et mbi Devoll, mbi lumin Drin, TEC-et dhe Parqet e ndryshme energjitike ne Vlorë, Fier, Porto Romano, etj., kanë një shpërndarje gjeografike në të katër anët e vendit tonë. Kjo do të thotë se shumica e shqiptarëve janë të favorizuar nga këto investime që përmbajnë përveç elementëve të zhvillimit edhe elementë të qytetërimit bashkohorë. Rritja ekonomike dyshifrore përveçse në këtë mënyrë, nuk mund të arrihej ndryshe. Natyrisht nuk po renditim këtu efeketet e reformave të ndryshme që në një farë mënyrë janë të ardhura financiare më shumë në buxhet, janë mundësi më shumë për çdo qytretar të këtij vendi. Në këto kushte është e pajustifikueshme që balanca e qëndrimeve të mos anojë nga përkrahja dhe nxitja për arritje edhe më të mëdha në të gjitha fushat e jetës ekonomiko-shoqërore. Ka ardhur koha që gjithkush të bëhet sa më realist në mendimet dhe gjykimet e tij publike, duke lënë mënjanë sjelljet e pshtirosura militantike të tipit të “gruas nga Berati”.
Është marrëzi e madhe për këdo që të hutohet pas opinioneve negative, por nuk ka fatkeqësi më të madhe se sa të marrësh këshilla të këqia, duke iu kundërvënë symbyllurazi veprave të mira. Qeverisjet majtiste të viteve ’97-’05 dëshmuan dështim të plotë përballë problematikës së kohës. Ky ka qënë një konstatim i institucioneve ndërkombëtar i ngritur disa herë me forcë, deri sa e humbën durimin dhe klithën: “Kriminelët po shkatërrojnë vendin tuaj, ndaj u duhet një qeverisje tjetër!” Ka rreth tre vjet qysh nga koha e rikthimit në pushtet të demokratëve, që në raportet apo deklaratat e ndryshme të institucioneve ndërkombëtare, këshilla “për më shumë reforma” është zvendësuar me fjalën “progres”. Kam parasysh këtu një raport të tillë të Brukselit, të hartuar në vitet e mandatit të dytë të socialistëve, ku fjala “korrupsion” përmendej mbi 40 herë, duke paralajëmruar regresin e gjithanshëm që i vinte vendit tonë nga ky fenomen kanceroz për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Përmbysja e situatës nuk ka qënë e lehtë për qeverinë “Berisha”, ku shpesh i është dashur të sakrifikojë edhe elektoralisht. Sidoqoftë këto janë “efekte anësore” të reformave, pasi e rëndësishme është që ato të kurojnë sëmundjet e përgjithëshme nga të cilat vuan shoqëria dhe vendi në tërësi. Dhe këto “sëmundje” deri në 3 korrik ’05 kishin të bënin me sistemin e korrupsionit të ndërtuar nga socialistët, me mungesën e investimeve të huaja, gjendjen skandaloze të infrastrukturës, krizën energjitike, informalitetin ekstrem, trafiqet e shtuara, klimën e papërshtashme të biznesit, mungesën e sigurisë dhe garancisë, etj., të cilat tani ose janë kuruar plotësisht ose janë duke u kuruar me sukses, pavarësisht qëndrimeve histerike të ramistëve dhe mbështetësve të tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora